Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:
E kërkova fjalën për të bërë një ndërhyrje lidhur me faktin se sidoqoftë nuk po diskutohet një marrëveshje e rëndomtë e radhës, por po diskutohet një marrëveshje e rëndësishme e Shqipërisë me partnerin tonë më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara.
Besoj që ky Kuvend, me këtë lloj diskutimi nuk i bën nder këtij partneriteti dhe nuk shpreh respektin e merituar për partnerin me të cilin bëjmë këtë marrëveshje.
Nga ana tjetër besoj se kur flasim për krimin, sigurisht mund të ndajmë opinione të ndryshme, ashtu sikundër mund të ndajmë opinione të ndryshme edhe kur flasim për punën e Policisë së Shtetit. Padyshim s’kemi si të mos ndajmë opinione të ndryshme kur flasim për punën e ministrit të Brendshëm, por në fund fare ka disa pika referimi që janë të palëvizshme, sepse janë shifra dhe fakte.
Unë jam shumë krenar që t’ju rikujtoj se qysh nga janari i këtij viti deri sot, Shqipëria ka më pak se 50% të numrit të vrasjeve të të gjitha viteve të mëparshme. Pra, që nga viti kur ka një regjistër statistikash, 1992, më pak se 50%, krahasuar vit pas viti. Kjo është shprehje kuptimplotë e një procesi, në të cilin ne e kemi futur Policinë e Shtetit dhe luftën me krimin. E një procesi që është së larg së qeni i përfunduar, është larg së qeni i përsosur, por është padyshim një proces me rezultate të pamohueshme. Janë këto rezultate që kanë sjellë një rritje të mbështetjes edhe të SHBA-ve, në raport me gjithë sektorin dhe ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit të marra së bashku, edhe nga Bashkimi Europian, edhe nga Komisioni Europian.
Nuk ka pikë dyshimi që sot, jo vetëm jemi në drejtimin e duhur në këtë betejë, por kemi arritur në një kohë relativisht të shkurtër, rezultate që vetëm një vit më parë ishin të paimagjinueshme. Është po ashtu fakt që trashëguam policinë më të keqpaguar, më të keqarsimuar, për ta thënë saktë, më të paarsimuarën e rajonit, të mos flasim për Europën, në moshën më të vjetër në rajon dhe në Europë dhe padyshim, më të korruptuarën.
Procesi i pastrimit brenda për brenda Policisë së Shtetit ka filluar qysh ditën e parë dhe vazhdon çdo ditë. Mjaft t’ju kujtoj që deri në fund të vitit të shkuar janë çuar për ndjekje penale, apo janë liruar nga Policia e Shtetit për shkelje të rënda administrative, me pasoja të vërtetuara, 11% e trupës së Policisë së Shtetit. 11%! Nga ana tjetër, ky është një proces që vazhdon. Vetëm policë të arrestuar gjatë vitit në vazhdim janë 36. Të arrestuar për shkelje të ligjit të natyrave të ndryshme.
Ju, jo vetëm që latë një Polici që ishte bërë objekt barsoletash, por në të njëjtën kohë edhe burim i një dëshpërimit të madh të publikut në raport me krimin, në raport me hajdutërinë, në raport me të gjitha problemet e sigurisë që ishin kthyer në lajtmotivin e shqetësimit të çdo familjeje shqiptare. Ju nuk jeni të detyruar ta kujtoni, por ne e kujtojmë shumë mirë, që gjatë gjithë periudhës së para fillimit të fushatës së vitit 2013, kryefjala e çdo qytetari që çohej për të shprehur shqetësimet e tij ishte: krimi, krimi, krimi; Pasiguria, pasiguria, pasiguria. Fakt!
Sot, sigurisht jemi ende larg objektivit që ne kemi, larg ambicies që ne duam që të ketë Policia e Shtetit, sepse jemi zotuar dhe të jeni të sigurt që do ta mbajmë këtë zotim, që ne do ta bëjmë Policinë e Shtetit, një polici model për rajonin dhe pa as më të voglin dyshim do ta ngremë nga pikëpamja e treguesve me të cilat matet Policisë së Shtetit, në mesataren e Bashkimit Europian. Kjo është ambicia jonë dhe ne këtë do ta realizojmë me ju ose pa ju.
Sidoqoftë besoj se ka gjithmonë një kufi, përtej të cilit nuk duhet shkuar. Se kur thuhet që dëshmorin e forcave RENEA e vrau ministri i Brendshëm me miqtë e tij, kjo nuk është më një çështje politike, kjo është një çështje psikiatrike; Kjo nuk është më një objekt i mundshëm i një debati politik, kjo është padyshim një objekt pune i spitalit psikiatrik. Kur thuhet që ne e kemi mbështetur Policinë e Shtetit sa herë ka qenë e nevojshme, nuk mund të mos kujtoj që familja e ministrit të Brendshëm u vu nën një sulm terrorist me bomba dhe asokohe, jo vetëm që nuk pati asnjë shprehje solidariteti, por përkundrazi pati një reagim që përsëri shkon përtej politikës dhe përtej mundësisë për ta trajtuar si një debat politik dhe kapërcen pragun e spitalit psikiatrik. Reagime që pa as më të voglin dyshim do t’i shërbenin shumë, edhe studimeve në fushën e psikiatrisë.
Për më tepër ka një dallim të madh midis nesh dhe jush, edhe në këtë aspekt. Askush ndër ne nuk u çua dhe të thotë që grupi i strukturuar kriminal, që vuri bomba për të goditur fizikisht familjen e ministrit të Brendshëm, ishte i urdhëruar nga ju, sepse ata ishin miqtë tuaj. Kjo është imagjinatës sonë. Kjo është jashtë fushës ku edhe politika më e zjarrtë, në kuptimin e konfliktit në debat, nuk mund të shkojë. Është e pamundur. Ndërkohë, papritur e pakujtuar na del që vrasësit e dëshmorit të forcave të RENEA-s në Lazarat na qenkan miqtë e ministrit të Brendshëm dhe ministri i Brendshëm na qenka urdhëruesi i vrasjes. Çfarë janë këto!
Sigurisht që ne nuk do të hyjmë në një debat se miqtë e kujt janë ata. As ata, as të tjerët. Ne jemi shumë të vendosur që në këtë betejë të mos i ndajmë njerëzit në tanët dhe tuajit. Qofshin edhe tanët, qofshin edhe miqtë tanë, qofshin edhe anëtaret e familjeve tona, ne kemi vendosmërinë që, nëse me përgjegjësinë e tyre marrin përsipër të bëjnë akte që shkelin ligjin dhe për më tepër, akte kriminale, t’ju tregojmë vendin, përmes forcës së ligjit edhe përmes forcës së shtetit. Ky është një ndryshim shumë i madh. Jo vetëm që nuk mund të akuzohemi për këtë, po përkundrazi, pretendojmë që ky të na njihet si një standard i ri në punën e qeverisë dhe në sjelljen e Policisë së Shtetit, se i tillë është. Përgjegjësia është individuale dhe gjithkush e ka në lirinë e tij të zgjedh ligjin ose antiligjin. Kush zgjedh antiligjin duhet të paguajë një për një, siç ligji përcakton.
Ndërkohë që, edhe pse pjesë e debatit, është shumë e pamundur për ne që ta pranojmë si një debat normal, debatin ku ju përpiqeni të tregoni se pas zgjedhjeve të 2013-ës u krijua Lazarati, u mboll kanabisi dhe shpërtheu droga. Se kur u krijua Lazarati, sesi u mbajt në këmbe një republikë e turpit, për të cilën jemi treguar me gisht për vite e vite të tëra, e cila ka marrë më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtarë sesa vetë Shqipëria, të cilës i janë kushtuar më shumë reportazhe dhe komente sesa vetë Shqipërisë, këtë ne të gjithë e dimë. Ashtu siç dimë fare mirë se kush janë të pëlqyerit dhe të papëlqyerit në territorin e asaj republike, prej dekadash. Ndërkohë që jeni ju që jo vetëm nuk e keni përgëzuar Policinë e Shtetit, jo ministrin e Brendshëm, as qeverinë, por Policinë e Shtetit, për operacionin plotësisht të suksesshëm, që i vuri vulën statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, – mos e harroni edhe këtë gjë, pavarësisht se thoni që statusin e kishit bërë gati ju, po të gjallë nuk e merrnit dot statusin ju, se po të ishte ashtu, do e kishit marrë, – por, përkundrazi, ju dolët dhe e goditët policinë, atëherë kur policia ishte në operacion. Që do të thotë, inkurajuat të gjithë grupin kriminal që vepronte brenda fshatit, me armë kundër shtetit dhe kundër policisë. Kjo është e vërteta. Siç keni bërë herë pas here, në mënyrë direkte ose indirekte, në vazhdimësi, për të dekurajuar Policinë e Shtetit. Edhe ky është fakt.
Ndërkohë që mund t’ju them me plot gojën dhe pa pasur as ndrojën më të vogël se gaboj, apo nxjerr ndonjë sekret, që jam shumë krenar kur gjendem përballë të gjithë partnereve ndërkombëtare në tryezë dhe dëgjoj se çfarë thuhet për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e Shtetit shqiptar dhe për ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë. Edhe ju i dëgjoni, se edhe juve ua thonë, por, sigurisht, ju nuk jeni të detyruar t’i mbani mend.
Ky është fakt, ashtu sikundër është fakt që edhe angazhimi i drejtpërdrejtë i FBI-së, për të punuar në terren, këtu në Shqipëri, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është pjesë e besimit të krijuar se më në fund, në Shqipëri, qeveria, ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit janë një kundër krimit dhe kundër shkeljes së ligjit.
Këto nuk janë fjalët e mia, janë fjalë që më janë thënë drejtpërdrejt dhe lehtësisht të verifikueshme nga ju, edhe pse juve ju janë thënë, po nuk jeni të detyruar t’i mbani mend, nga delegacioni i lartë i FBI-së, që erdhi në Shqipëri për të hapur kapitullin e bashkëpunimit.
Ju e penguat Byronë Kombëtare të Hetimit. S’ka problem. Ne do të modifikojmë kuadrin legjislativ mbi të cilën është ngritur Byroja dhe ne do ta bëjmë Byronë Kombëtare të Hetimit, me ju ose pa ju. Një gjë është e sigurt, me ose pa Byronë Kombëtare të Hetimit, bashkëpunimi ynë me FBI-në për të luftuar krimin dhe korrupsionin në Shqipëri ka nisur dhe nuk ka asnjë vijë ndarëse, se nuk ka si të ketë, se kush janë tanët dhe kush janë të tuajit.
Përkundrazi, unë besoj që një qeveri dhe një shumicë që ka moralin dhe vendosmërinë të distancohet nga ata të vetët, të cilët kapën në shkelje të ligjit, jo që nuk meriton të sulmohet, por meriton vetëm të respektohet. Vetëm të respektohet.
Është fakt i provuar e i stërprovuar dhe i marrë si gur themeli në besimin e ri të krijuar mes Shqipërisë dhe partnerëve në luftën kundër krimit, që kjo është e para qeveri që po lufton seriozisht me një fenomen që ishte sundues në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Deri dje s’kishte se si të dilte nëpër lajme, çdo ditë, veprimi i Policisë së Shtetit ndaj këtij fenomeni, sepse nuk kishte veprim të Policisë së Shtetit, kishte bashkëpunim, simbiozë të politikës, të policisë dhe të organizatave kriminale, për ta kthyer mbarë Shqipërinë në një territor të minuar nga të katër anët nga ky aktivitet i paligjshëm. Ky është fakti!
Nuk po ju them shifrat këtu, se janë me distanca shumë të mëdha dhe duket jo sikur po krahasojmë 2014-n apo 2015-n me 2013-n, por sikur po krahasojmë shekullin e XXI me shekullin e XIX. Aq të mëdha janë distancat në tonelatat e kapura dhe të asgjësuara të të gjitha llojeve të drogës.
Dëgjova këtu të përsëritet historia e një krimineli me damkë, që na qenkej aq i lidhur pas ministrit të Brendshëm dh pas meje, saqë kjo përcaktuaka gjithçka, në sjelljen e qeverisë dhe të shtetit dhe të Policisë së Shtetit ndaj krimit. Mos harroni që ky këtu e ka humbur një gjyq dhe është deklaruar shpifës nga Gjykata e Lartë dhe së shpejti do të duhet të përballet me ndëshkimin që do të përcaktojë ligji për dëmshpërblimin lidhur me atë shpifje. Akoma nuk kam marrë një vendim sesi do të përdoren këto para, por vazhdoj të jem i prirur të besoj se rruga më e mirë për t’i përdorur është për të hapur një seksion terapie, për të zbutur psikiken e shpifësve. Ka të tilla sesione terapie kundër atyre që janë adiktit ndaj veseve të ndryshme dhe një sesion i tillë terapie besoj do të mbështetej edhe nga SHQUP-i, sepse do të lehtësonte ndjeshëm të gjithë barrën e madhe të këtij deformimi psikik, që ka sjellë në katandisjen e partisë së madhe të shpresave dhe të ëndrrave të shqiptarëve në një organizatë bazë të vitit `89-të dhe jo nga ato organizatat e organizuara, por nga ato çetat e shthurura bashkë me regjimin, të cilit i kishte ardhur fundi. Kështu jeni katandisur, por kjo është puna juaj.
Nga ana tjetër, vjen një pyetje shumë e thjeshtë; Qoftë individit, të cilit ju i referoheni, qoftë kujtdo tjetër individi që i referoheni, famën e kanë marrë në kohën kur qeverisnit ju. Janë bërë të famshëm atëherë. Ju ishit në pushtet dhe s’bëtë asgjë në këtë drejtim. Sa herë ka një fjalim për krimin, rritet numri i bandave dhe i bosëve që keni kapur ju, të pretenduar. Sot pati një pretendim fantastik, 238 banda, me njëmijë bos. Kështu i bie tre bosë një bandë, por ne që e njohim këtë punë e dimë që nuk funksionon kështu.
E fundit, një kujtesë nga Sokrati.
Sokrati, mbi të cilin shpifej shumë, kur e pyetën “Po ti, pse nuk përgjigjesh”, ju tha: “Shpifësi është si qeni bastard, që të kafshon kur ti e ke mendjen gjetkë. Dhe problemi im është se kafshon këmbën. E para, se nuk ia kafshoj dot këmbën dhe e dyta, se nuk mund ta mbaj mendjen te qeni.” Kështu që zgjidhni e merrni o me Sokratin, o me qenin.