Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një tjetër hapësirë publike fantastike po merr jetë në Vlorë. Pas “Lungomare 1”, e cila u kthye shumë shpejt në një atraksion turistik për shumë vizitorë vendas e të huaj, “Lungomare 2” po ecën me ritme të shpejta me ambicien që në fund të sezonit tjetër turistik të jetë gati. Me një pishinë olimpike, pishinë për fëmijë si dhe shëtitoren që do të lidhë pa ndërprerje Skelën me Ujin e Ftohtë, “Lungomare 2” do të jetë një tjetër gur i çmuar i Shqipërisë turistike.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryetari  Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ishin në kantierin e kësaj vepre të vështirë për nga teknika e realizimit. “Pjesa më e madhe e shtrimit të pishinës ka përfunduar”, informoi Leli Kryeministrin, teksa punimet vijojnë me ritme të larta dhe me standarde cilësore.

“Në pjesën mbrapa do të ketë një parkim të dedikuar me 160 vende, ku do të ketë edhe vende të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar, do ketë dhoma zhveshjeje dhe ambiente të tjera shërbimi për të gjithë ata që do të shfrytëzojnë këtë kompleks”, – u shpreh kryebashkiaku i Vlorës.

Një risi e kësaj vepre do të jetë edhe plazhi me shkallare, tashmë i rikuperuar nga ndërtimet pa kriter buzë bregut. “Sipërfaqja këtu e krijuar është pa frikë dyfish e gjysmë. Ajo që ishte, ishte sikur futeshe në një xhep fals”, – tha Kryeministri Rama

“Pavarësisht se ishte ideja që plazhi do zhdukej nga vendosja e platformave dhe e shkallareve, përkundrazi, është rikuperuar një sipërfaqe e rëndësishme plazhi dhe me një standard shumë të mirë, me zhavorr natyral që është depozituar gjatë sezonit të verës nga ditët me dallgë, duke krijuar një atraksion më shumë”, – nënvizoi kryebashkiaku i Vlorës, Leli.

Shëtitorja e “Lungomare 1” do të lidhet me “Lungomare 2” e do të mbarojë tek hyrja e tunelit, duke krijuar kështu një gjurmë për ecje apo ushtrime në natyrë në sfondin e një bregu të magjishëm.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.