Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga sot është i kalueshëm Loti i rrugës Lushnje-Berat, ndërkohë që në pak muaj do të jetë funksionale e gjithë rruga. Me një investim prej 490 milionë lekë, Loti I prej 5.5 kilometrash është ndërtim tërësisht i ri. Kryeministri Edi Rama inspektoi sot, këtë Lot, ku ndërkohë po punohet për sinjalistikën, ndriçimin dhe gjelbërimin. Për të rritur standardet dhe sigurinë rrugore, gjurma e rrugës u projektua e re, janë shmangur zonat e banuara dhe rruga, 11 metra e gjerë, me dy korsi, kalon përmes fushave në gjithë gjatësinë e saj.

Ky Lot është një nga tre lotët e aksit Lushnje-Berat, ndër akset e rëndësishme të infrastrukturës jugore, me një impakt të madh për një nga rajonet turistike dhe bujqësore të vendit. Për shkak të gjendjes së rrënuar, jashtë çdo standardi, ishte kthyer në një problem jetik për banorët dhe veçanërisht, për fermerët e kësaj zone. Ndërtimit të saj iu dha prioritet dhe pritet që brenda dy muajsh e gjithë rruga të jetë funksionale.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Dashamir Xhika shpjegon se si projekti i këtij Loti, ashtu edhe projekti i gjithë rrugës pësoi ndryshime për ta risjellë në standardet e duhura bashkëkohore, ku për herë të parë në të tilla projekte shtohet përmasa e gjelbër. “Projekti ka pësuar ndryshime si në aspektin teknik edhe të sinjalistikës. Do të vendoset gjelbërimi në të dy anët e rrugës. Është një projekt me standarde bashkëkohore. Ndërkohë pritet të përfundojnë edhe dy lotët e tjera, II dhe III. Edhe ato kanë pasur të njëjtat probleme, ndryshime të projektit dhe risjellja në standardet e duhura. Rruga përfundon pas 2 muajsh, përfshi edhe rrethrrotullimet ku do të vendosen edhe vepra artistike,” – tha Drejtori i ARRSH-së.

Përmasa e gjelbër, sipas Kryeministrit, duhet të jetë një element i rëndësishëm  në projektimin veçanërisht të rrugëve turistike. “T’i kushtojmë vëmendje edhe pjesës së gjelbërimit, që të bëhet një rrugë turistike e mirëfilltë, që kush shkon e vjen nga Berati, të ketë një udhëtim që fillon që këtu dhe thith drejt një atraksioni të madh turistik,” – u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.