Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u takua sot në Lushnjë me arsimtarë që shërbejnë në shkollat e qytetit. Qarku i Fierit ka 196 shkolla publike dhe numri i arsimtarëve është më shumë se 2700. Vetëm gjatë vitit 2024 janë punësuar rreth 478 arsimtarë përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Ndërsa vetëm në Lushnje ka 780 arsimtarë të punësuar.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe për praninë në një ditë, ku pasi keni kryer punën tuaj fisnike dhe keni kaluar të gjitha orët e paradites me fëmijë dhe me vajza dhe djem pak më të rritur, por që gjithsesi janë fëmijë, keni gjetur dhe kohën dhe keni ardhur me dëshirën që të bëni një bashkëbisedim.

E vërteta është që, para jo shumë kohësh, unë isha në një bashkëbisedim me mësuesit dhe mësueset në të gjithë Shqipërinë, Ministrja e Arsimit vajti thuajse kudo dhe pastaj unë e shoqërova në disa raste, ishte momenti kur u bë diskutimi i gjerë, këshillimi i gjerë me mësuesit dhe me prindërit për TikTok-un dhe ky takim nuk është një takim që siç ndodh shpesh, të vjen mirë sepse vigjilja elektorale të krijon mundësinë të shohësh shumë njerëz, por është  një vazhdimësi, një vazhdimësi e një procesi që mua më duket sikur ishte dje, vetëm pak muaj kanë kaluar, por gjithsesi më duket sikur ishte dje.

Më vjen shumë mirë po ashtu, që ne sot mund të diskutojmë për arsimin, për sfidat, për shqetësimet, por një pjesë të rëndësishme të shqetësimeve që kishim, nuk i kemi më, ndërkohë që patjetër shqetësimet të reja kanë lindur. Nuk  kemi më shqetësimin e jashtëzakonshëm të pasigurisë së plotë të mësuesve dhe mësuesve në punë, se e them këtë mësuesve dhe mësueseve, por në fakt burrat mësues janë vetëm për të mos marrë sysh, se shumica dërrmuese janë gra dhe vajza.

Ishte absolutisht e pasigurtë të punoje në arsimin publik dhe të mund të mendoje qetësisht për të nesërmen sepse e nesërmja mund të sillte heqjen nga puna apo hedhjen si top në një vend tjetër, shpeshherë për të të hequr pa të hequr, për të të detyruar që të ikësh në pamundësi për të shkuar në atë vendin tjetër dhe më e keqja fare ishte që heqjet bëheshin në mënyrë arbitrare për arsye politike për arsye interesash për t’i hapur vendin dikujt tjetër, që mund të ishte dhe pa arsimin përkatës, edhe një nga gjërat më të pabesueshme të kohës kur ne filluam të merremi me gjithë ato gropa që gjetëm, ishte prania në sistem e afro 5000 mësuesve pa arsimin përkatës që paguheshin për t’iu dhënë fëmijëve lëndë për të cilat ishin pa shkollë.

Tjetra ishte trysnia e madhe për t’u angazhuar në mitingje e për t’u angazhuar në votime, e deri për të sjellë provën se kishte votuar në një mënyrë të caktuar se ashtu donte pushteti i kohës. Të gjitha këto nuk janë më dhe e kam thënë disa herë këto ditë. Para disa ditësh ishte 7 Marsi dhe pashë në ato raportet që marr për lajmet, që një grup mësuesish për 7 Marsin kishin qenë së bashku me palën tjetër, dhe u ndjeva shumë mirë të them të drejtën, u ndjeva shumë mirë për faktin që as nuk kishin frikë, as nuk i ka thënë kush mos shkoni, as nuk i ka kërkuar llogari kush pse shkuat, as nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë se është e drejta e çdokujt që pas kohës së detyrës publike, të ketë jetën e vet, të ketë bindjet e veta, të ketë opinionet e veta. Po kjo ishte e pa mendueshme deri jo shumë vite më parë.

Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që kemi futur në një hulli komplet tjetër të gjithë rrugën e meritës për mësuesit, që nga rekrutimi, i cili bëhet përmes portalit  “mësues për Shqipërinë’’ që është kthyer në ligj dhe deri tek pastaj, rritja në karrierë e mësuesve me ato shkallët që ju keni sipas punës që bëni, sipas testimeve dhe sipas kohës në detyrë. Patjetër, më vjen mirë që kemi zgjidhur një herë e mirë problemin e testeve, po paralelisht kemi ndryshuar krejtësisht kushtet e shkollave. Ka ende shkolla që duhen rindërtuar, por ama shumica e shkollave dhe sidomos ato që janë shkolla në qendra urbane ku ka dhe frekuentim më të madh, janë si dita me natën me kushtet që ju kishit më parë, që ishin të papranueshme për një vend në mes të Evropës dhe thënë të gjitha këto, duke qenë se sot jemi këtu për një bashkëbisedim, unë nuk dua të zgjatem më tutje, mbase dhe keni dëgjuar këto që thashë dhe nuk besoj se është e udhës t’ju marr më shumë kohë nga koha për të ndërhyrë dhe për të thënë ose pyetur, ose ngritur shqetësime, por më vjen shumë mirë që sot ju jeni një kategori shoqërore e mbrojtur,  e respektuar dhe e vlerësuar edhe financiarisht shumë herë më mirë se sa më parë.

Sot, paga mesatare e mësuesve është 930 euro dhe natyrisht që është shumë më shumë se ç‘ishte, por duhet të jetë ende më tepër dhe jemi shumë të vetëdijshëm për këtë. Kështu që, thënë të gjitha këto, ju falënderoj dhe një herë për prezencën dhe për interesin dhe ciladoqoftë prej jush që dëshiron të marrë fjalën dhe natyrisht dhe ndonjë burrë që dëshiron të marrë fjalën, nuk mund ta ndalojmë se nuk duam të diskriminojmë burrat, nuk diskutohet po sidoqoftë nuk është sekret që gratë i kemi të parat, pastaj vijnë burrat. Kështu e kemi ne si përfaqësues të asaj pale që jemi këtu.

* * *

– Përshëndetje zoti kryeministër quhet Arta Dhamo jam një mësuese prej 21 vjetësh në arsim. Meraku jonë janë pagat, ju e thatë vetë që pagat tona janë rritur dhe unë duke qenë se kam 21 vjet në arsim e ndjej shumë mirë dhe e di sa shumë janë rritur pagat. Por di edhe që ka qenë një prioritet i juaji dhe i qeverise tuaj rritja e pagave. A mund të na thoni në mandatin tuaj të katërt sa do të na e bëni rrogën?

Kryeministri Edi Rama: Shiko ne do të bëjmë së shpejti edhe hapin tjetër të paraqitjes së objektivave, sepse  e keni dëgjuar besoj, iu ka rënë rasti tadëgjoni se mua më thonë shpeshherë që ky ia di këtij populli dele, se njëherë me tepsi, njëherë me kazan, njëherë me timon, tani me buf e me kënete, e s’ka program. Në fakt, këto lloj si të thuash “qershi mbi tortë” janë mjete komunikimi edhe janë mjete që thjeshtëzojnë komunikimin sipas meje, por nuk janë absolutisht as programi dhe as arsyeja apo tërësia e arsyeve pse ne hyjmë në një beteje apo pse ne e duam një mandat dhe ne, jo vetëm që kemi program, por falë programit tonë dhe falë punës së bërë me programin tonë, sot Shqipëria është tjetër nga ajo që ishte dhe ajo që është më e rëndësishmja, Shqipëria sot është një hap larg realizimit të një ëndrre shumë, shumë të vjetër. Natyrisht nuk ka pasur Bashkim Europian në kohën e  Skënderbeut, nuk ka pasur Bashkim Europian në kohën e vëllezërve Frashëri dhe të gjithë rilindësve të tjerë, nuk ka pasur Bashkim Europian në kohën e Ismail Qemalit, por gjithmonë ka pasur një prirje të brendshme shumë të fortë të shqiptarëve për të parë në perëndim, për të parë siç thoshte, Naimi: “Aty ky dielli lind andej nga perëndon” edhe për të qenë pjesë e Europës me gjithçka që Europa përfaqëson historikisht, kulturalisht dhe kështu me radhë. Dhe e kaluara jonë, rrënjët tona i përkasin atij pellgu të kulturës dhe civilizimit europian. Kështu që, nëse ne nuk do të kishim program, nëse ne nuk do të kishim objektiva për të realizuar në të gjithë drejtimet dhe nëse nuk do të kishim plan për realizmin e tyre, ne nuk do të ishim sot në kushtet që t’i merrnim Bashkimit Europian dakordësinë për t’i mbyllur negociatat brenda vitit 2027. Ka disa që thonë: “Tashi 20 vjet do ishit fut në Europë, po sjeni fut në Europe se jeni hajduta” e ku di unë.  Tani kush thotë kështu natyrisht që nuk e ka idenë për ca flet, por i duhet mbase thënë, i duhet vënë para syve fakti që fqinjët tanë Maqedonia e Veriut kanë shumë më tepër vite sesa ne që presin dhe janë mbrapa nesh sot.  Serbia ka hapur negociatat kur ne kemi marrë statusin e vendit kandidat në fund të vitit 2014 dhe ka 11 vjet me negociata të hapura. Mali i Zi i ka hapur negociatat pak a shumë në periudhë kohë aq, po mos edhe më shumë. Ne i kemi hapur negociatat vjet, na kanë marrë zvarrë për një kohë të gjatë me veto të natyrave të ndryshme politike, por nga pikëpamja e punës, ne kemi bërë gjithmonë, punën, punën, punën dhe unë i kam thënë gjithmonë edhe atyre, e kam thënë edhe brenda qeverisë, po edhe skuadrës, por edhe kur ka rënë fjala për publikun: Që shiko ne do bëjmë punën, ne do bëjmë punën njësoj sikur t’i kishim hapur negociatat që kur t’i hapim negociatat të jemi të avancuar. Negociatat nuk janë të fshehta në kuptimin që dihet se çfarë janë dhe faktikisht ne e kemi marrë harkun më të shkurtër kohor për t’i mbyllur negociatat. Dhe sot të gjithë në Bashkimin Europian e thonë me gojën eplotë: Shqipëria dhe Mali i Zi janë më afër dhe Shqipëria e vënë tanimë përpara Malit të Zi, pavarësisht se ne jemi paralelisht në  të njëjtin pozicion dhe ideja është që të hyjmë bashkërisht. Të gjitha këto lidhen me fakte të punës së përditshme, lidhen me ekonominë. Ne, Bashkimi Europian përmes SIGMA-s na ka klasifikuar vendin e parë në rajon për menaxhimin e financave. Nuk mund të jetë vendi i parë në rajon për menaxhimin e financave publike një vend hajdutësh, nuk mund të jetë vendi i parë për Prokurime Publike, për integritetin e Prokurimeve Publike një vend hajdutësh. Dhe patjetër që ne kemi dhënë një provë shumë fortë të vullnetit tonë me reformën në drejtësi dhe me gjithë luftën kundër korrupsionit dhe me të gjitha këto që ndodhin, të cilat të gjitha së bashku përbëjnë në fakt edhe bazën e rritjes e të fuqizimit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë dhe për të ardhur te pyetja jote edhe të krijimit të mundësive të reja për të rritur më tutje pagat. Kështu që, pa diskutim që në Shqipërinë 2030 ose drejt Shqipërisë 2030, ne duam të bëjmë hapa shumë më të mëdhenj seç kemi bërë deri më sot dhe të mundur. Sepse janë vendosur shumë baza, janë bërë shumë gjëra gati dhe janë thyer shumë tabu. Shqipëria nuk është më vendi që  të shikonin me dyshim të madh se mos nuk je në rregull kur thosha: Hajde investo në Shqipëri. Dhe sigurisht që ne do ta ndajmë me publikun edhe këtë pjesë të objektivave që kemi për pagat, të objektivave që kemi  për pensionet, të objektiva e që kemi për investimet, që kemi për të gjitha fushat, që kemi për strehimin, që kemi për çiftet e reja, të objektivave që kemi për biznesin, kështu që edhe pak durim edhe do t’ju tregojmë saktësisht të gjitha ato që kemi, jo se nuk e di sot përgjigjen, por nuk dua të prish atë planin që kemi bërë se si do të dalim me fillimisht pasqyrën e përgjithshme dhe pastaj edhe me programin  me planin e bazuar në objektiva konkret. Por ,një gjë është e sigurt që nëse sot ne kemi sipas INSTAT, jo sipas meje e sipas nesh, as sipas Ministrisë së Financave. Sipas INSTAT nëse ne sot kemi një pagë mesatare të përgjithshme 830 euro në Republikën e Shqipërisë që do të thotë pagën e kombinuar, sektor publik me sektor privat 830 euro, kjo e vetme është një shifër shumë kuptimplotë për pozicionin në të cilin ndodhemi. Jo për të thënë: shumë mirë ne tani po ulemi se na mjafton, por për të thënë që arritëm këtu, tani mund të shkojmë shumë më tutje. Dhe kemi qenë bashkë me Belindën në Greqi dhe me disa të tjerë kolegë në Panairin e Punës, kur i kemi ballafaquar pagat tona me pagat atje në ato sektorë për atë lloj pune, se nuk po them se për çdo sektor dhe në çdo gjë ne kemi pagat konkurruese me Greqinë, akoma jo, por do t’i kemi. Do t’i kemi dhe patjetër do t’i kemi, që do të thotë që sigurisht pagat e mësuesve, pagat e punonjësve në tërësi të administratës, të mjekëve pa diskutim, të ushtarakëve patjetër, të punonjësve të Policisë do të rriten më tutje se nuk ka sesi. Dhe për një arsye tjetër. E kemi diskutuar shpesh këtë gjë sepse krijohen dy reagime. Një reagim është “po pse vetëm pagën dhe jo pensionet”, një reagim tjetër është “po pse vetëm ata që punojnë në shtet”. Duke filluar nga kjo e dyta po them që kur shteti rrit pagat dhe ne tani e kemi provuar shumë qartë, sektori privat ndjek mbrapa, e ka të detyrueshme të ndjekë mbrapa. Për shembull, ne kemi arritur që për nivele të caktuara të jemi konkurrues me bankat se ne kemi nevojë për njerëz shumë të përgatitur në nivele të caktuara, por sidomos për shkak të negociatave me BE.

E dyta, çdo lajm që rritet është një lajm i mirë dhe për perspektivën e pensioneve sepse rritet po ashtu e ardhura nga sigurimet dhe në momentin kur shteti bëhet nxitës, për të rritur edhe pagat e privatit, atëherë merr edhe nga pagat e privatit dhe shton në fondin e sigurimeve që sot e kemi më shumë më solid seç e kishim dhe për këtë arsye jemi shumë optimist edhe për pensionet. Por kini parasysh një gjë që ne jemi qeveria dhe do jemi qeveria. Më kujtohet një herë në një vaki me Fatos Nanon, ishte kryeministër edhe çohet merr njeri fjalën aty dhe thotë: shiko, me pronat nuk keni gjë në vijë, po nuk zgjidhët punën e pronave se puna e pronave. Edhe i thotë Fatosi: patjetër, ke ndonjë ide? Shumë e thjeshtë i tha, çfarë ideje. Prona të shkojë tek i zoti. Merrjani gjithë këtyre çfarë janë që i kanë marrë katundarë e pseudo qytetarë dhe jepjani atyre që i kishin, gjithë atyre që i kanë pasur edhe mbaron filmi. Dhe pronarët pronarë. Dhe Fatosi i tha, “kjo ide është shumë e guximshme dhe shumë e fuqishme, por s’është për mua”. Duhet të shkosh ta diskutosh me Sabriun se ai s’ka gjë në dorë i tha dhe bie dakord me ty. E kishte fjalën ndjesë pastë, për Sabri Godon që ishte kryetar i Partisë Republikane. Pra, këta që s’kanë gjë në dorë, këta të japin paga të jashtëzakonshme. Këta ta rrisin pensionin sy për sy. Se jam dhe i gëzuar sot se jam rivënë në kontakt me Lulin dhe mbas shumë kohësh se më kishte humbur. Jam rivënë në kontakt me të dhe është shumë pozitive kjo se nuk shtyhet fushata pa Lulin. Po Luli për shembull i ka rritur, nuk e di sa i kanë shkuar pagat e pensionet që ka rritur dhe tani pashë që kishte dalë kishte thënë do ju heq vizat amerikane. Luli! Domethënë mund t’i heqë Luli vizat amerikane se s’ka gjë në dorë. Dhe kjo është si puna e dikujt që hedh lotarinë. Të dalë ku të dalë. Këta thonë “kush ta hajë ta hajë” e të vijë pastaj kësmet. Se për fat të keq, ka ndodhur dhe që iu ka rënë në dorë dhe  e keni parë pastaj se çfarë janë bërë. Shitës qilimash të gjithë, qilima fluturues. “Hajde merr qilimin tim”. Janë dhe ca që thonë “ne jemi të rinjtë”, unë s’kam asgjë, përkundrazi, por jeta dhe eksperienca më mësoi që për të qenë i ri nuk mjafton certifikata e gjendjes civile. Dhe për më tepër sot, Shqipëria ka nevojë shumë për forcën e të rinjve, për energjinë e të rinjve. Për këtë arsye, ne i kemi dhënë njerëzve partinë më të re që kanë në garë dhe me mundësitë që të rinjtë të shkojnë në parlament se parti të re me gjithë kushërinjtë dhe babain në krye të listës mund të bëjë çdokush edhe të bërtasë “jemi rinia” dhe të shajë mbarë e mbrapë njësoj si pleqëria. Kështu që, çështja është t’i thuash dhe t’i bësh gjërat dhe në këtë moment historik Shqipëria nuk mund të lozi farë. Në asnjë moment asnjë vend s’mund të lozë, një popull s’mund të lozë, por në këtë moment nuk mund të lozë sepse është hapur një dritare e jashtëzakonshme. Për herë të parë qysh nga ’91-92 zgjedhjet janë më shumë sesa kush do fitojë, cila parti. Zgjedhjet janë më shumë se si do ndahen vendet në parlamentin e ardhshëm dhe sesa programet e njeri e të tjetrit dhe sesa çdo gjë që ka të bëjë më zonën, me problematikat e ditës. Se për herë të parë që nga 91-92 kur shqiptarët vendosën përfundimisht që të ndahen nga një sistem tjetër dhe të hyjnë në një sistem të ri dhe të pozicionohen gjeopolitikisht në një botë tjetër, këto zgjedhje kanë peshë gjeopolitike ku shqiptarët duhet të vendosin që ta çojmë tani deri ne fund procesin e negociatave pa e lëkundur fare me qilima edhe me magjistratë nga këta që vijnë vërdallë, por duke u fokusuar tek mbyllja e negociatave dhe futja në BE sepse kjo është ekzistenciale për ne.

Ne na duhet patjetër BE për të garantuar lirinë individuale, për të garantuar që liria individuale nuk është një çështje se kush qeveris, se ata që hiqnin mësuesit nga puna janë sot që kërkojnë prapë votën. Nuk është se kanë ndodhur këto gjëra para 50 vitesh. Është po ai mentalitet. Se po të mos ishte po ai mentalitet, nuk do përsërisnin të njëjtën gjë pafundësisht duke pretenduar një rezultat tjetër. Barazia para ligjit garantohet atje. Në momentin që futesh në BE nuk ka dhe aq shumë rëndësi se kush qeveris këtu sepse disa gjëra nuk lëvizin dot më se je pjesë e një familje tjetër. Bën një krushqi ku nuk lëviz dot siç mund të lëvizësh kur je duke dredhur vetëm zinxhirin tënd. Dhe barazia para ligjit është e kërcënuar, ju e shikoni.

Sot  ka dy palë në raport me reformën në drejtësi, në raport me SPAK. Këta të tjerët që bërtasin dhe që me demek SPAK-un, këta s’kanë gjë në dorë, këta SPAK e shohin si të vetmen mundësi për të luftuar me ne. Ndërkohë që ne, SPAK e shohim komplet si gjë tjetër, e shohim si mjetin që i ka munguar Shqipërisë që nga 1912. Ama, nëse futemi në BE nuk diskutohet më barazia para ligjit. Nuk vjen dot njeri dhe të thotë do mbyll SPAK, do çliroj TikTok. E kupton sesi mund të thotë një forcë politike “na jepni votën të çlirojmë TikTok”. Si mund të thërrasë një forcë politike kalamajtë në protestë t’i thotë mos shkoni në shkollë ju, hajdeni në protestë. Këto janë gjëra që janë shenja të mjaftueshme për të kuptuar  që këtu nuk është lojë. Dhe më shumë se kurrë edhe ata që jetojnë dhe mendojnë djathtas, duhet të kuptojnë që PS iu duhet si mjet. Iu duhet si mjet për të arritur këtë qëllim, futjen në BE. Futja në BE ndryshon gjithçka. Ndryshon raportin tonë me historinë, historia nuk na gjëmon më nga mbrapa me hijet e veta që të na ndalojë, ndryshon raportin tonë me të ardhmen dhe ndryshon komplet raportin individual të çdo shqiptari me botën sepse në momentin që do futemi në BE çdonjëri do ketë pasaportën europiane dhe pasaporta europiane do të thotë që ti jo vetëm që nuk mundet më të të ndalojë njeri e të të thotë “Dil këtej, futu tek radha atje” dhe ndërkohë sheh të tjerët që ikin dhe nuk i kontrollon njeri e pastaj del një polic atje e i thotë “Ku po shkon, kush të ftoi, sa lekë ke me vete, sa do rrish” dhe në fund të thotë “Kur do ikësh”? se ne vërtetë e kemi lëvizjen pa viza, të drejtën të lëvizim, por ne kemi të drejtë të lëvizim, nuk kemi të drejtë qëndrimi. Ose do bëjmë si azilantë, ose do shkojmë e të bëjmë punë të zeza e të fshihemi.

Ndërsa në momenti në ne kemi pasaportën europiane, ne jemi njësoj po aq francez sa francezët në Francë, pa asnjë ekzagjerim, nuk ka më dallim. Edhe në spital kur shkon, larg qoftë nëse ke një nevojë, të shërbejmë njësoj sikur je i atyshëm dhe rimbursohesh sikur je aty. Çon fëmijët në shkollë dhe nuk i thonë “Janë studentë të huaj me kuota, me tarifa ekstra”, janë studentë. Pse ikën shumë studentë nga Londra dhe nga Britania e Madhe? Sepse kur ishin në Bashkimin Europian, britanikët, studentët e huaj nuk ishin të huaj, ishin studentë europianë dhe ishin njësoj. Ikën sepse menjëherë ju shtrenjtua gjithçka dhe kjo vlen për ata që duan të shkojnë të punojnë. Do të punosh, shkon kërkon punë, e gjete punon, nuk e gjete kthehesh prapë e shkon prapë.

Pra, me futjen në Bashkimin Europian Shqipëria bëhet sa gjithë Bashkimi Europian. Bashkimi Europian bëhet sa Shqipëria në kuptimin që siç shkon nga Lushnja në Shkodër shkon nga Shqipëria në Belgjikë apo në Gjermani apo ku di unë.

– Përshëndetje zoti kryeministër. Unë jam mësuese prej 35 vitesh në arsim. Pikë së pari do ju falënderoja për praninë tuaj sot në këtë takim. Së dyti, gjithashtu, jemi të kënaqur me nismën që keni ndërmarrë për mbylljen e TikTokut pasi ne në shkollën tonë e kemi diskutuar me Bordin e Prindërve, me këshillin e mësuesve, me shërbimin psiko-social në shkollë dhe kjo ishte gjë e domosdoshme sidomos për fëmijët, të cilët mund të harxhonin orë të tëra, duke qëndruar në Tik Tok dhe shqetësimi i prindërve ishte pasi po shfaqnin probleme jo vetëm në drejtim të mësimit por dhe në drejtim të shëndetit të tyre; probleme në shikim, humbje vëmendje, përqëndrim dhe gjithçka tjetër. Kjo ishte një gjë shumë pozitive nga ana e nismës së qeverisë dhe besoj do ketë sukses. Gjithashtu ju falënderoj dhe për fjalën dhe premtimin e mbajtur për rritjen e pagave, rritje e konsiderueshme. Unë 35 vite pune, paga që marr unë është pagë mëse e mjaftueshme. Diku tek 830 euro sic e thatë dhe ju.

Kryeministri Edi Rama: Dua të them diçka për TikTok-un. Ne jemi këtu për të mbrojtur njerëzit tanë, jemi këtu për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe jemi këtu për të mbrojtur Republikën e Shqipërisë dhe natyrisht jemi këtu për të mbrojtur fëmijët nga kërcënimi i madh që vjen nga rrjetet sociale dhe posaçërisht nga TikTok-u, por nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm për çka TikTok-u ka pozitive dhe për këtë arsye, ne nga njëra anë kemi vendosur mbylljen, duke u konsultuar në 95%. Ka qenë një vendimmarrje ku nuk ka pyetur fare njeri socialistë apo demokratë apo “E ka thënë Edi Rama dhe meqë e thotë Edi Rama ne duhet të themi të kundërtën” sepse kanë pasur parasysh fëmijët e vet dhe 95% prindër e mësues thonin të mbyllet. 65 mijë persona mësues dhe prindër janë përfshirë në këshillim dhe janë pyetur drejtpërdrejtë dhe kanë thënë 95 mbylle. Është masive dhe patjetër që ne kemi marrë vendim të mbyllet dhe paralelisht ne kemi hapur një dialog me kompaninë. I kemi shtruar kompanisë të gjithë problematikën dhe kemi thënë që ne nuk do ta lejojmë Tik-Tokun të vazhdojë dhe të funksionojë dhe të hyjë në shtëpiat e familjeve tona si skuth me gjithë ato lloj produktesh të cilat janë pa filtër dhe faktikisht shkojnë direkt tek fëmijët.

“Nuk e kemi fare me ju në kuptimin nuk kemi ndonjë gjë ideologjike me ju por duam garanci”. Për shembull, dhe kemi nxjerrë një sërë gjërash, ia kemi vënë kompanisë në dispozicion. Ata për hir të vërtetës kanë pasur një reagim që unë nuk e prisja, kanë qenë bashkëpunues dhe na kanë premtuar që do të përgatiten dhe do të vijnë me një plan për të vendosur një sërë mburojash. Fjala vjen, nuk kanë as korrigjimin, as ndërhyrje në gjuhën shqipe. Për shembull, për anglishten algoritmi i tyre arrin të bllokojë fjalë ose të garantojë që fjalë të caktuara nuk përsëriten. Për shqipen nuk kanë.

Ne jemi në kontakt me ta, punojnë një grup me ta, kështu që kur të jenë gati, unë i kam thënë “Kjo gjë nuk bëhet thjesht duke na e dhënë ne se çfarë do bëni. Kur të jeni gati do vini në Shqipëri dhe publikisht do t’i tregoni prindërve, mësuesve, familjeve se çfarë do ndryshojë” dhe jemi dakord.

Mbyllja ka filluar. Teknikisht nuk është si mbyllje dritash, nuk është si shkëputje e energjisë që bën black-out, mbyllja ka filluar. Ditë pas dite gryka e Tik-Tokut do ngushtohet dhe në një periudhë prej 10-15 ditësh normalisht do duhet të jetë black-out. Kështu që, unë dua t’ju them që ne i qëndrojmë plotësisht, është e pakonceptueshme për mua, realisht e pakonceptueshme që një forcë politike, cilado qoftë, të ngrihet dhe tu bëjë thirrje fëmijëve “Mos shkoni në shkollë që të çlirojmë TikTok-un”. Është e pakonceptueshme dhe fakti që reagimi është 0 në kuptimin përgjigja pozitive është 0 është shumë domethënës përsëri sepse prindërit, në këtë rast, harrojnë që janë socialistë, harrojnë që janë demokratë sepse janë prindër dhe unë u them prindërve që të njëjtën harresë duhet të kenë në 11 maj sepse si shqiptarë ne kemi një shans historik që nuk duhet ta humbasim.

Duhet të hyjmë në BE patjetër. Nuk do të jetë e hapur dritarja pafundësisht. Është hapur tani sepse janë përputhur rrethanat tona të brendshme me rrethanat e tyre dhe ata duan. Deri dje nuk është se nuk donin por gjithmonë e shihnin si gjë perspektive dhe prandaj ne bënim detyrat, thoshte Komisioni që “Qeveria e Europës, në kuptimin që qeveria e Bashkimit Europian duhet hapur. Shkonte tek qeveritë 27, çohej Hollanda sepse Hollanda kishte zgjedhje atje dhe donte të thoshte qe shiko se shqiptarët kështu e ashtu. Futej Franca andej, dilte ndonjë shtet.

Sot janë të gjithë unison që Shqipëria duhet të vijë në BE. Janë unison, nuk do ta gjeni një që të thotë “Shiko se do ta shohim”. Të gjithë e duan Shqipërinë në BE edhe me Greqinë që kemi pasur problematikën që ju e dini shumë mirë, edhe Greqia është shumë mbështetëse për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian sepse është një moment gjeopolitik i Europës dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë.

Ne nuk jemi Turqia, nuk jemi një superfuqi ushtarake. Ne, jemi një vend i vogël, por i kemi bërë vend vetes. I kemi bërë vend vetes dhe nuk duhet të humbasim trenin. Treni i historisë do ndalojë në stacion në 11 maj. Duhet kapur dhe nuk duhet lëshuar dhe kjo është për të gjithë, njësoj si për Tik-Tokun që nuk panë majtas e djathtas po thanë duhet mbyllur. Edhe këtu nuk ka majtas e djathtas, duhet të hyjmë  dhe nuk hyjmë dot tani me figura dhe me grupime që nuk dinë ku kanë kokën e s’dinë deri ku i kanë këmbët. Nuk hyjmë dot! Nuk hyjmë dot me një çorbë aty, me lloj-lloj, një pazar oriental aty, hajde qilima, shesim qilima, kape qilimin tim se do fluturosh kështu , të vijnë pensionistët me qilimin tim se do i çojmë këtej, hajde merrni qilima’’. Nuk mundemi ne ta bëjmë këtë gabim në 11 maj.

Siç e dini unë flas shkurt dhe përgjigjet i kam të shkurtra po u mundova njëkohësisht të mbuloj nga fusha e interesit, po ti do ta thuash edhe ti, që të mos flasin vetëm gratë o lumadh.. se ngela duke folur vetëm unë e vetëm gratë.

 – Unë jam drejtor i shkollës “Libohova’’. Në radhë të parë ju falënderoj në emër të stafit, prindërve dhe nxënësve për rikonstruksionin e asaj shkolle. Kur kam filluar punë në atë shkollë, oborri ishte vërtetë kënetë. Kur binte shi, ne vinim tulla dhe futeshim në shkollë.  Këndi sportiv ka qenë ferra dhe lavazhe që lanin makina. Tani është transformuar tërësisht. Në fjalën tuaj përmendët shumë arritje; futja në punë e mësuesve, meritokracia, futja e psikologëve nëpër shkolla, infrastruktura në shkolla etj janë arritje me thënë të drejtën por ka ende gjëra për të bërë. Ne lidhje me tekstet e ndryshuara, mendoj që tekstet tona janë njëlloj si në BE por na duhet më zhvillimin e teknologjisë, që edhe shkolla të zhvillohet pak në anën teknologjike për të përshtatur tekstet me pjesën që u transmetojmë nxënësve dhe e dyta, është bërë një plan në shkolla mesa di unë, për bullizimin për internetin dhe duhet një bashkëpunim prindër-mësues akoma më i madh. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj dhe një herë sepse më dhe mundësinë të përmend një projekt tjetër që nis, domethënë ne kemi përfunduar si projekt, kemi firmosur edhe marrëveshjen për jo vetëm zbatimin por edhe financimin me Emiratet e Bashkuara. Është projekti që do të mbulojë paralelisht të gjitha akset rrugore të qyteteve dhe akset kombëtare bashkë me shkollat, me vëzhgim 20 orë digjital dhe projekti ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në Emiratet e Bashkuara dhe në disa vendet të tjera po është projekt shumë i avancuar, teknologji shumë e avancuar, në uljen masive të rasteve të bullizmit, në rritjen domethënëse të frekuentimit, në marrëdhëniet brenda klasës sepse faktikisht gjithçka zhvillohet nën një sy të tretë dhe syri i tretë është drejtoria e shkollës, është edhe syri i komunitetit të prindërve, pra në çdo moment, qoftë drejtori i shkollës apo personat e ngarkuar prej tij për të ndjekur mbarëvajtjen e mësimit në klasë, mund të shohë se si  është zhvilluar mësimi në orën X dhe në çdo rast kur prindërit kanë ankesa , për sjelljen e një  fëmije tjetër apo të fëmijëve të tjerë, apo të mësuesit apo të çfarëdo qoftë  në klasë, menjëherë mund t’i referohesh me video orës së mësimit dhe të shihet qartësisht dhe jo vetëm brenda klasës, por edhe në korridor dhe në oborr e kështu me radhë.

Tjetra, ulja e kopjes është e jashtëzakonshme, domethënë është praktikisht siç e kemi parë në ato të dhënat që kishin ata nga rezultatet e programit, është praktikisht për të qeshur dhe për të qarë për kopjacët sepse nuk ka më kopje, pasi mësuesi nuk ka nevojë më të jetë vigjilent. Nuk ka nevojë të rrije, por në rast se mësuesi do të kontrollojë orën, ai mund të ketë qenë për shembull, ne në demonstrimet që na bënin, na tregonin në klasë ku mësuesi praktikisht në orë provimi, bënte punën e vet në kompjuterin e vet dhe pastaj, ora vëzhgohej dhe menjëherë identifikohej kush bënte kopje dhe pas disa rastesh të publikuara, të ndarë me komunitetin brenda, nuk ka më fenomene te tilla. Kështu që ky element do forcojë shumë jo vetëm sigurinë, por do forcojë dhe mirëkuptimin mes mësuesve dhe prindërve sepse shumë herë ju e jetoni përditë, prindërit vijnë me një shkallë subjektivizmi të caktuar pasi normal që në një farë mënyrë mbajnë anën e fëmijës, mësuesi ndihet nën presionin e dy palë prindërve që pozicionohen dhe nuk është e lehtë. Në rastin konkret, çdo raport të paktën në këtë nivel, bëhet transparent. Kjo është e para.

E dyta, është që ne duam ta fuqizojmë edhe më shumë lëvizjen sportive në shkollë. Na ka dhënë goxha rezultat, ju e dini vetë, por duam të fusim dhe sporte të tjera, pra duam të arrijmë në një pikë ku asnjë fëmijë mos mbetet pa bërë një sport, se jo të gjithë mund të lozin basketboll dhe mund të lozin volejboll, por ka dhe sporte të tjera që nga sportet me vrap, deri tek sportet ulur për të luajtur shah që janë të gjitha për t’u futur, ndërkohë që sot që flasim janë 32 laboratorë inteligjentë në shkollat e qarkut të Fierit, smart klubet ku fëmijët bëjnë program, mësojnë kodimin dhe do t’i shtrijmë dhe do shkojmë në 200 të tillë, ndërkohë që me programin e përgjithshëm, domethënë kemi shkuar në 200 sot që flasim, në programin e përgjithshëm do të arrijmë të mbulojmë 900 e disa dhjetëra pika në shkolla dhe nuk do të ketë asnjë fëmijë që nuk do ketë akses në programet e kodimit dhe të teknologjisë.

Artet dhe zejet do përpiqemi t’i zhvillojmë edhe më shumë, edhe do të përpiqemi të zhvillojmë edhe më shumë, edhe këtu në fakt vërejtja ime është për Drejtorinë Arsimore sepse fermën në shkollë në qarkun e Fierit duhet ta kemi model dhe nuk është rasti. Dhe ka tek-tuk ndonjë, po nuk është rasti. Ferma në shkollë duhet të jetë në çdo shkollë që fëmijëve jo vetëm tu japim teknologjinë, por ti japim edhe sensin, ndjesinë e tokës, të prodhimit nga toka, të dinë fëmijët që domatet nuk i prodhon TikTok-u, se i shohin të gjitha në TikTok, edhe ju duket sikur në Tik – Tok prodhohen edhe të gjitha ato që shihen. Ta dinë që qumështi nuk del nga lopa e Tik-Tokut. Edhe në Fier është vendi, në qarkun e Fierit është vendi  për të bërë një model të fermave shkollë, se ju keni gjithë bujqësi, keni ferma dhe keni njerëz dhe instituti, kështu që jemi domethënë, unë besoj që edhe me atë testin e fundit që u bë, nuk e di e patë, progresi është goxha i rëndësishëm. Patëm një moment negativ pas COVID-it, por tani jemi, besoj unë në rrugën e duhur dhe besoj që punës së mësuesit, nuk ia heqim dot vështirësinë që kanë në vetveten. Është një punë jashtëzakonisht e vështirë është mision, nuk është punë. Por së paku mësuesve t’ju heqim vështirësitë ekstra, sepse mësueset janë nëna, kanë familje, kanë fëmijë, kanë shumë barrë të madhe për të mbajtur dhe që nga shpërblimi financiar deri tek respekti dhe njohja e vlerës së punës së tyre që është shumë e rëndësishme që ta ndiejnë janë gjëra që nuk do t’ju mungojnë, siç nuk janë munguar, po edhe më mirë besoj unë.

– Shumë faleminderit! Ishim të nderuar nga pjesëmarrja juaj sot ishte një bisedë shumë e volitshme dhe ne morëm feedback-un tonë shumë pozitiv. Shpresojmë që edhe për juve të jetë e njëjta gjë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.