Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministri Rama në dhënien e lejeve të legalizimit banorëve të zonave informale në Lushnjë:

Përshëndetje të gjithëve!

Është një tjetër stacion në këtë proces, ku duke bërë legalizimet njëkohësisht bëhet edhe promovimi i procesit, përcjell ë tek të gjithë qytetarët që kanë këtë shqetësim, mesazhin e qartë se ne jemi të vendosur që ta mbajmë këtë zotim, duke ecur hap pas hapi përmes shkuarjes së punonjësve të ALUIZNI-t tek qytetarët që kanë vetë deklaruar dhe duan të legalizojnë dhe përmes dhënies së legalizimit falas.

Ne edhe në Lushnje si në të gjithë Shqipërinë praktikisht, por në Lushnje në mënyrë specifike, kemi hasur vështirësinë e madhe të zhdukjes së mbi 1000 dosjeve që mbaheshin peng prej vitesh për arsye që i dinë vetëm ato që i kanë zhdukur, çka e ka detyruar çdonjërin prej qytetarëve të interesuar dhe faktikisht të dëmtuar, që të rifillojë procesin nga e para. Por përveç kësaj edhe në Lushnje shifrat flasin vetë, në 8 vjet janë bërë 490 legalizime gjithsej, nga të cilat pjesa më e madhe lokale, restorante ose motele.

Shikojeni rrugën e hyrjes dhe shikoni ato godina që pengojnë tani vazhdimin e investimit që ne po bëjmë për t’i dhënë më në fund qytetit një hyrje dinjitoze, janë të gjitha të legalizuara, që do të thotë janë me tituj pronësie dhe duhen shpërblyer si pronarë, për të hapur trasenë e rrugës. Dhe ata që i kanë legalizuar kanë pafytyrësinë që të dalin para publikut dhe të thonë që prishjet që bënë Inspektorati janë selektive dhe t’i tregojnë godina të tilla si shembuj të selektivitetit. Në fakt të tilla ka në çdo zonë dhe në çdo hap ku shkon Inspektorati që nuk i prish dot përpara se qeveria të nxjerrë nga arka e shtetit para për t’i shpronësuar. Kjo është arsyeja se nga të gjithë institucionet e shtetit numrin më të madh të kallëzuarve në prokurori dhe të atyre të çuar nga prokuroria përpara gjyqit për abuzim me detyrën e ka pikërisht ALUIZNI i 8 viteve. 490 legalizime gjithsej në 8 vjet.

Ne, në 10 muaj, qysh se ALUIZNI filloi këtë punë, pasi fillimisht pjesa e parë e kohës u desh për të gjetur dhe për të sistemuar dokumentet, kemi bërë në Lushnje 590 legalizime. Pra në 10 muaj kemi bërë më shumë se ç’kanë bërë ata në 8 vjet të marra së bashku.

Nga ana tjetër, përqindja e legalizimeve në Lushnjë është vetëm 4 % e gjithë kërkesave të 8 viteve. Ndërkohë që, ju e dini fare mirë që keni vite që kemi paguar, keni vite që keni pritur dhe gjatë këtyre viteve edhe keni ripaguar. Dhe e dini mirë gjithashtu se e keni ripaguar edhe mbi dorë dhe nën dorë. Ndërkohë që sot ka ardhur dita ta merrni lejen e legalizimit falas dhe për të gjithë procesin e legalizimit ju nuk paguani asnjë kokërr leku dhe të gjithë shpenzimet i paguan shteti.

Në Divjakë 5 legalizime në 8 vjet, 5 copë dhe kaq. Ndërkohë që sot ne do të japim një sërë lejesh legalizimi që janë për aktivitete prodhuese, jo për motele, jo për lokale në mes të rrugës, jo për biznese që cenojnë projektet e zhvillimit të infrastrukturës, por për aktivitete prodhuese bujqësore. Sepse legalizimi nuk është vetëm dhënia në dorë e një dokumenti që e bën shtëpinë tuaj të paprekshme, por është edhe marrja në dorë nga ana juaj e dokumentit të një pasurie të patundshme që për ju kthehet në një mundësi për të marrë një kredi në bankë. Dhe këta njerëz që sot legalizojnë godinat dhe aktivitet e tyre prodhuese në bujqësi, duke i hipotekuar këto godina kanë mundësi që të shkojnë në bankë dhe të marrin kredi për të vazhduar dhe rritur aktivitetin e tyre, ashtu sikundër edhe të gjithë ju mund të shkoni në bankë të kërkoni kredi për të hapur një biznes të vogël, për të kultivuar çfarëdoqoftë në një fermë bujqësore, për të mbështetur studimet e fëmijëve tuaj e kështu me radhë.

Legalizimi nuk është vetëm në interesin e secilit prej jush, por është edhe në interesin e ekonomisë kombëtare, është dhe në interesin tonë të përbashkët për të rimëkëmbur ekonominë familjare dhe përmes rimëkëmbjes së shumë ekonomive familjare për të rimëkëmbur pastaj edhe ekonominë kombëtare si tërësi e ekonomive familjare.

Dua të falenderoj punonjësit e ALUIZNI-t të Lushnjës, të cilët kanë punuar në kushte të vështira, ashtu si të gjithë punonjësit e ALUIZNI-t në të gjithë Shqipërinë.

Por dua të pohoj përpara jush edhe një fakt, që kjo zonë Lushnje dhe Divjakë, bashkërisht, për ju ka një fat, për ne, për mua personalisht, ka një fatkeqësi që ka Erjon Braçen deputet. Sepse për ju është fat se keni një përcjellës të shpejtë dhe të paepur të çdo lloj zhurme dhe të çdo ankese që ju keni, për mua është fatkeqësi se zhurmat që më vijnë nga kjo zonë janë në disproporcion me zhurmat që vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë.

Kështu që për ata që nuk e dinë mund të duket e çuditshme se si një trup kaq i vogël mund të prodhojë një presion kaq të madh me ankesa dhe me zhurma, por ky është një fakt dhe lum si ju që j’u ra të keni një përfaqësues si Erjonin dhe mjerë ne që duhet ta dëgjojmë Erjonin.

Kështu që ne le të vazhdojmë me legalizimet dhe për këtë arsye lejen e  parë të legalizimit për këtë zonë e jep Erjon Braçe.

***

 

Procesi i legalizimit po vijon në të gjitha qytet e Shqipërisë. Stacioni i radhës në këtë proces, sot ishte Lushnja. Banorët e zonave informale të saj morën në duar lejet e legalizimit, duke kthyer në prona të vërteta, shtëpitë e tyre, pas shumë vite pritjesh.

Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Turizmit Eglantina Gjermeni, Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t Artan Lame, deputetët e zonës Erjon Braçe dhe Arben Çuko, ishte sot në Lushnjë për të dorëzuar 590 leje legalizimi, të realizuara në 10 muajt e fundit.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame bëri të ditur faktin se Lushnja, krahasuar me të gjitha qytetet e tjera ka pasur një problematikë të rënduar me hipotekën përsa i përket regjistrimit të pronave, proces që nuk është bërë ndonjëherë. Gjithashtu Lame evidentoi edhe një tjetër problem të rëndë atë të zhdukjes së 1040 dosjeve të aplikimeve të qytetarëve në momentet e ndryshimit të pushteteve.

“Tani hipoteka është në hapat e fundit të procesit dhe do të na vërë në një pozicion pune të jashtëzakonshme në raport me qytetarët. Është nga gjërat që do ta shpërthejë procesin e legalizimeve këtu në Lushnje dhe gjithë zonën që përmbledh Lushnja.

Një tjetër problem i madh në Lushnje ishte zhdukja e rreth 1040 dosjeve, të cilat qytetarët i kërkonin dhe nuk ekzistonin tek ne dhe doli se i kishin zhdukur në momentet e fundit të ndryshimit të pushteteve, gjë që bëri që të ribëhej gjithë cikli nga fillimi.

Është edhe një projekt, i cili po ecën edhe ai shumë mirë, i nismuar me PNUD-in, për komunitetin rom. Siç e dimë jemi në dekadën rome dhe çdo mundësi për t’i dhënë input kësaj pjese të popullsisë me kaq shumë probleme është e mirëpritur.

Probleme ka shumë, të trashëguara dhe të krijuara për shkak të mbivendosjes prej kaq shumë viteve, të situatave nga më të ndryshmet, por besoj dhe e them me bindje se nëse do të arrijmë të zgjidhim.“ – u shpreh drejtori i ALUIZNI-t Artan Lame.

I pari që mori lejen në dorëzim ishte qytetari Astrit Deda, nga lagjja Kongresi i Lushnjës, të cili iu dorëzua kjo leje nga deputeti i zonës Erion Brace.

Më pas kryeministri, i dorëzoi banorit Sokrat Shani 13 leje legalizimi për 13 objekte të ndërtuara për aktivitete prodhuese bujqësore.

Duke falenderuar për lejet, qytetari tregoi se ndërtimet i ka nisur që në vitin 2000. “Unë kam filluar ti ndërtoj stallat në vitet 2000 dhe kam aplikuar në vitin 2006 për legalizimet, por ka qenë e pamundur t’i marr ato. Falenderoj qeverinë dhe punonjësit e ALUIZNI-t të cilët kanë bërë një punë kolosale”.

Ndërkohë edhe qytetarët e tjerë u shprehën mirënjohës ndaj përkushtimit të punonjësve të ALUIZNI-t, si dhe për faktin se çdo gjë u bë falas.

“Falenderoj ekipin qeverisës Rama, ekipin e ALUIZNI-t që si bleta punëtore dhe bleta e artë kanë arritur të na japin legalizimet falas. Ju falenderoj për gjithë punën dhe përkushtimin për zonën tonë.” -u shpreh Liri Biti.

Ndërsa Ismail Dervishi, teksa mori në dorëzim lejen, falënderoi Kryeministrin Rama: “Ke nisur një punë shumë të madhe. Unë dua që populli të mëkëmbet, të kenë një ekonomi më të shëndoshë. Ke një rrugë të mbarë dhe vazhdo rrugën që ke marrë.”

Ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e ofruar ndaj punonjësve të ALUIZNIT-t, theksoi se sfida e radhës mbetet urbanizmi i zonave informale, i cili në Lushnje do të fillojë me lagjen “18 tetori”.

“Ne po shkojmë në shumë qytete të Shqipërisë për të dhënë lejet e legalizimit, për të mbajtur premtimin që kemi dhënë, të cilin më vjen shumë mirë që po e mbajmë dhe këtu në Lushnjë.

Pjesa e legalizimit është hapi i parë që ndërmarrim, ndërkohë që krahas projekteve të tjera që qeveria shqiptare ka dhënë për Lushnjën, nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve apo dhe nga fonde të tjera, më vjen shumë mirë që duam të punojmë me urbanizmin e zonave informale, do të fillojmë me lagjen “18 tetori”, pikërisht për të bërë infrastrukturën dhe për ti ofruar shërbime të tjera qytetarëve që do të marrin sot leje. Padyshim që ky është një proces i vështirë që kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve.” –u shpreh ministrja Gjermeni.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.