Fjala e kryeministrit Rama në shpërndarjen e certifikatave të legalizimeve për banorët e zonave me ndërtime informale të komunave të Durrësit:
Është kënaqësi, në radhë të parë për ne që jemi në politikë dhe që jo për fajin tonë, them unë, që kemi namin se dimë të premtojmë, por nuk dimë të mbajmë fjalën, – që jemi sot këtu, për të çuar përpara realizmin konkret të një zotimi madhor të fushatës sonë për Rilindjen e vendit dhe jo vetëm fushatës së PS, por dhe fushatës së LSI, për të ecur më shpejt drejt një Shqipërie normale, e një Shqipërie europiane. E si Aleancë e një Shqipërie Evropiane, ne jemi këtu, pasi jemi të gatshëm që zotimin tonë për të kryer dhe për të mbyllur legalizimet, si një plagë e madhe e thelluar dhe infektuar në vite, falas,ta bëjmë realitet. Ta bëjmë realitet, duke filluar, siç kemi filluar në çdo zonë të Shqipërisë, me dhënien e dokumenteve të pronësisë, për të gjithë ata që kanë aplikuar vite më parë. Të mos harrojmë se janë 160 mijë aplikime të bëra në vite, për të cilat nuk është bërë absolutisht asgjë dhe askush nuk ka vajtur t’u trokasë në derë qytetarëve. Janë mijëra e dhjetëra mijëra ndër to, për të cilat familjet kanë paguar një herë, dy herë, e tre herë, pa llogaritur pastaj ç’kanë paguar për xhepat e atyre që shfaqeshin në dyert tuaja.
Ju e mbani mend shumë mirë sa herë afrohej një fushatë elektorale, vinin me metra në dorë e me letra në dorë për matje, e shkuan deri aty sa t’u jepnin letra fallco, medemek “tapi”, ato të famshmet “Shaban Tapitë” e fushatave elektorale.
Ne sot kemi ardhur këtu t’u japim dokumente të titullit të pronësisë. Kemi bërë një ndryshim themelor në proces, gjë që i gjithë organizimi i ALUIZNI-t tani është në gjendje ta bëjë, – jo më që ju qytetarët në nevojë të shkojnë tek ALUIZNI, por që ALUIZNI të vijë tek ju. ALUIZNI të vijë në shtëpitë tuaja, të jetë shërbëtori juaj për të përballuar të gjithë procesin, për të plotësuar gjithë dokumentacionin. Ai dokumentacion që ishte tortura më e madhe e të gjitha atyre familjeve që donin të bënin një legalizim, sot jo vetëm që do të bëhet me asistencën e drejtpërdrejtë të ekspertëve të ALUIZNI-t , por do të bëhet i gjithë falas. Të gjithë procesin e mban përsipër shteti. Nga ana tjetër, falas do të bëhet legalizimi për të gjitha familjet pa përjashtim, sepse ne duam t’i japim fund këtij procesi. Duam t’i japim fund këtij procesi, duke i krijuar mundësinë çdo familjeje që ka ndërtuar një shtëpi. Këtu është pjesa kryesore e procesit, – sigurisht ka aplikime për dyqane, për magazina, për restorante, hotele, por këto janë një pjesë tjetër e procesit dhe kanë rregulla të tjera, sepse janë për qëllime fitimi dhe nuk janë për hall e për nevojë. Ne e bëjmë këtë, jo vetëm që kush ka ndërtuar të bëhet pronar, por ne e bëjmë këtë dhe për një arsye tjetër që ka të bëjë drejtpërdrejtë me ekonominë. Ka të bëjë me ekonominë familjare të secilit prej jush, ka të bëjë me ekonominë tonë kombëtare, sepse këto familje që janë me dhjetëra mijëra në Shqipëri kanë investuar gjithçka kanë pasur për të ndërtuar shtëpi dhe të gjitha paratë që kanë kursyer nga emigracioni, nga puna, nga buka e gojës, i kanë nëpër mure dhe në çati. Në momentin kur shtëpia, e cila sot vlen vetëm për të futur kokën, por nuk ekziston, nuk ka letra që e provojnë se është shtëpia jote, kthehet në një pronë të regjistruar, ajo nuk është më vetëm një strehë, por është dhe një kapital që mund ta qarkullosh. Me atë pronë, me atë dokument, mund të shkosh dhe në bankë, të marrësh një kredi për të hapur një biznes të vogël, mund të marrësh një kredi për të zhvilluar një biznes të vogël që mund të kesh; mund të marrësh një kredi për t’u bashkuar me të tjerë për të bërë aktivitet ekonomik dhe tregtar; mund të marrësh kredi. E, kjo vlen për shumë familje që kanë ardhur nga fshati dhe zona të tjera, për të bashkëpunuar me dikë që është atje në fshat e për të investuar në një aktivitet blegtoral e bujqësor, me qëllim fitimi. Mund të marrësh një kredi për të mbështetur studimet e vajzës apo të djalit. Pra, nuk është më vendi, ku ha, fle dhe ku mbrohesh nga shiu, shtëpia, por është kapital dhe gjithë ato para që janë investuar për të ndërtuar atë shtëpi, nuk janë më të vdekura, por bëhen të gjalla dhe vlejnë për secilin si kapital i qarkullueshëm, duke bashkëpunuar me bankat. Ky është legalizimi. Për këtë arsye ne do ta çojmë përpara këtë proces me shpejtësi dhe vendosmëri, pa e lidhur drejtpërdrejtë me paranë.
Tani më lini të shpjegoj dhe pjesën e parave. Së pari, gjithë ajo pjesë për të cilën ju keni paguar nga një herë, dy herë e tre herë, nuk ekziston më. Të gjithë procedurat e legalizimit bëhen falas. Së dyti, të gjithë penalitetet që janë parashikuar në ligjin e vjetër, ne do t’i heqim dhe nuk do të paguajmë më asnjë lloj leku për penalitete, vonesa e ku e di unë se çfarë.
Së treti, taksën e ndikimit në infrastrukturë që është një taksë që paguhet nga çdo njeri që legalizon për t’i kaluar pastaj, bashkisë apo komunës që të investojë për kopshtet, për çerdhet për shkollat, ne nuk do ta përfshijmë më në këtë proces. Pra, nuk do të jeni më të detyruar ta paguani këtë taksë, por kjo do të jetë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me bashkinë, me komunën, – do t’i paguhet bashkisë e komunës, por nuk do të pengojë procesin e legalizimit.
Së fundi, kush ka ndërtuar në token e vet, nuk do të paguajë absolutisht asgjë. Kush ka ndërtuar në tokën e shtetit apo në tokën e pronarit të vjetër, ka një procedurë tjetër. Ka një procedurë tjetër, për arsye shumë të thjeshtë, sepse nga njëra anë të mos harrojmë që kemi një grup të madh njerëzish që kërkojnë legalizim, por kemi dhe një grup njerëzish që kërkojnë kthim dhe kompensim pronash. Për gjeneratën tjetër të shqiptarëve, qoftë të njërës palë, qoftë të palës tjetër, ne nuk duhet të lemë një konflikt të hapur. Pra, ata që duan të legalizojnë shtëpinë, le ta legalizojnë shtëpinë, ata që duan të kompensohen duhet në një mënyrë ose në një tjetër që t’i kompensojë shteti. Por përsëri në qoftë se je në tokën e shtetit, apo në tokën e dikujt tjetër, ke disa zgjedhje:
Së pari, kush paguan vlerën, e cila është më e ulëta që ka qenë ndonjëherë për 300 metra katrorë. Pra, shtëpia 300 metra katrorë. Pastaj mbi 300 metra katrorë toka kalon në vlerën e tregut, sepse ajo kthehet në pasuri përtej nevojës për legalizim. Kështu ka qenë dhe kështu e kemi lënë. Pra, kush paguan menjëherë ka 20 % ulje nga çmimi, plus mund të paguajë 30 deri në 50 % letra me vlerë. Pra, praktikisht, ai katër milionëshi i vjetër që është mesatarja për t’u bërë pronar, ka një reduktim shumë të rëndësishëm. Kush nuk do të paguajë menjëherë, por do të paguajë pas një viti, e merr përsëri legalizimin. Pra, pavarësisht se nuk paguan menjëherë asgjë, bëhet pronar. Merr letrën dhe ka mundësinë të paguajë pas një viti, por nuk përfiton më pas një viti nga ulja 20 %, por përfiton vetëm pjesën e letrave me vlerë. Kush, pas një viti nuk paguan, nuk përfton më asnjë ulje, as nga njëra, as nga tjetra dhe shtëpinë e ka të vetën, por në hipotekë e ka me një kufizim hipotekor, që do të thotë se ai kufizim është aty deri ditën kur i ke lekët për ta shlyer. Ndërkohë që një shtëpi me kufizim hipotekor, është pronë që mund të shitet, është pronë që mund të jepet me qera, është pronë me të cilën ti mund të shkosh në bankë, por kuptohet që kufizimin do ta marrë përsipër, ai me të cilin ti hyn në marrëdhënie. Pra, në qoftë se dikush do të blejë shtëpinë tënde, do ta blejë bashkë me borxhin që ti i ke shtetit, për kur të ketë mundësi të paguajë. Që do të thotë se legalizimi është falas. Nuk është më që po nuk pagove, nuk legalizohesh. Nuk është më, që derdh lekët e pastaj shihemi. Secili bëhet pronar i shtëpisë së tij kështu. Pra, edhe kur dikush vjen dhe thotë që “nuk kam asnjërën nga mundësitë që më parashtroni ju”, atëherë përsëri shtëpia legalizohet me kufizim hipotekor, që do të thotë se e ke aty dhe në vite, në një mënyrë ose një tjetër, do e shlyesh, duke ia hequr përfundimisht fëmijëve të tu mundësinë që të gjenden nesër në një konflikt, me fëmijën e pronarit, që vjen e thotë “kjo është shtëpia ime, kjo është toka ime , etj, etj.” Në momentin kur familja i paguan ato para për tokën e tjetrit, apo për tokën e shtetit që ato para do t’i përdorë për t’ia dhënë atyre të tjerëve, e ka mbyllur përfundimisht për të gjithë brezat historinë e të drejtës mbi tokën.
Besoj që ky proces është i qartë dhe pavarësisht se ka një përpjekje të vazhdueshme për të çoroditur gjithë ata që duan një legalizim, nga ana e atyre që mbajtën peng 20 vjet dhe që ua u morën 20 vjet votën shumicës së atyre që kërkonin legalizim, me idenë se do i legalizonin, ne jemi shumë të kënaqur që askush nuk e ha sapunin për djathë dhe fluksi i njerëzve që vinë dhe interesohen është rritur me herë. Që tregon që ju që jeni bërë specialistë e që po qe puna për legalizimet jeni juristët më të mirë në Shqipëri dhe e dini shumë mirë se ku dhe si funksionin procesi, e keni shumë të qartë se kjo është rruga. E kjo është një rrugë pa kthim që ta mbyllim një orë e më parë këtë proces dhe çdo muaj ne të rrisim numrin e njerëzve që marrin dokumentin e pronësisë, siç do e marrin këtu sot një pjesë e juaja dhe në atë pronë të fillojmë të mendojmë si do e zhvillojmë ekonominë. Jo thjesht e mora pronën dhe nuk do vijë të ma prishë njeri, por si ta marr këtë pronë, ta fus në ekonomi dhe të stimuloj familjen time. Sepse nuk mund të rrihet me sytë nga qielli për të pritur punë. Jemi në një sistem ku njeriu duhet të mendojë dhe duhet të gjejë rrugën për t’u vetëpunësuar në radhë të parë. Jemi në një sistem ku shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh. Punëdhënësi në këtë sistem është sipërmarrja private dhe vetëpunësimi është një rrugë që njeriu mund ta ndjekë, por duhet të ketë një të ardhur minimale. Por për kaq shumë familje që të ardhurat i kanë bërë shtëpi dhe sot jetojnë në varfëri, nuk ka mundësi të vetëpunësohen, nëse nuk kanë një shumë parash fillestare, dhe këtë shumë parash fillestare e garanton ky titull pronësie. Sepse me këtë titull pronësie mund të shkosh në bankë e të thuash:“Unë e kam këtë kapital. Ja po ja u jap, më jepni një kredi. Kjo është garancia dhe unë me këtë kredi, do filloj të bëj një aktivitet e do filloj të bëj një aktivitet e do të filloj t’ja u shlyej kredinë.” Siç po funksionon kudo. Kjo nuk është një fantazi e një shpikje e jona. Kjo është ajo që ka ndodhur në vende të tjera që kanë kaluar në këtë proces. Nuk është Shqipëria, vendi i parë në botë që ka ndërtime pa leje, apo që bën legalizim. Ka plot vende të tjera. Sigurisht, nuk janë në Evropë, por janë në Amerikën latine, janë në pjesë të tjera të botës në zhvillim, ku legalizimet kanë funksionuar si një shtysë e fortë ekonomike për familjet e varfra. Sepse normalisht sot nëse ke një shtëpi që e ke ndërtuar në vite dhe ke lënë aty gjithë kursimet dhe je i varfër nesër, në momentin kur ajo shtëpi është titull pronësie, ti mund të dalësh nga varfëria, duke e përdorur shtëpinë si kapital dhe duke nga banka mundësinë që ti të futesh në një aktivitet. Kjo vlen për më të rinjtë këtu, sepse baballarët tuaj e ndërtuan shtëpinë, 20 vjet, 15 vjet, 10 vjet, bënë gjithçka mundën, tani ju që jeni këtu e bëni xhiro e që prisni t’u vijë nga qielli puna, duhet ta coni përpara këtë punë. E them këtë me gjysmë humori e me shumë dashamirësi, se është e rëndësishme të kuptohet që tani nga ky moment e mbrapa, kush ka shtëpi të vetën është pronar. Nuk është më një person që ruhet se mos ia prishin. Është një pronar që ka një kapital në dorë.
Më lejoni që të fillojmë që të japim disa dokumente pronësie që janë kryesisht dokumente të bazuar tek aplikimet e shumë viteve më parë e që i japin fund zvarritjeve barbare të shumë familjeve. Besoj që i takon nderi dhe privilegji që t’u japin dokumentin e parë, kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjushit, duke thënë dhe disa fjalë si një nga nxitësit kryesorë të këtij procesi. Dua t’u them diçka që është një detaj; kur bënim programin e fushatës sonë, programin e Rilindjes, tek pjesa e legalizimeve, Vangjushi ka qënë shtytësi kryesor i kalimit tek skema e legalizimeve falas. Koha po na jep të drejtë. Faktet sot na japin të drejtë. Prova që do të jetë në dorën e dhjetëra, mijëra familjeve, në fund, do të na japë të drejtë.
Jam shumë i kënaqur që nga kjo do të përfitojnë dhe shumë demokratë, shumë familje që e kanë dhënë votën symbyllur 20 vjet. E di që nuk do ta ndërrojnë votën, prapë aty do të shkojë, por do të shkojnë me dinjitet si pronarë dhe jo të vazhdojnë të shkojnë me idenë që do t’ua japi legalizimin Shabani. Ndoshta ka dhe këtu ndonjë nga ato “Shaban tapitë “ që jepnin ata para zgjedhjeve. Ato mbajini, futini në kornizë në xham dhe lërjani kujtim fëmijëve për t’u thënë “ ja se si dikur na shalonin në rrena njerëzit që iu jepnim votën”. Është për ta mbajtur mend që mos ta përsërisin prapë. Se mund t’u dalin të tjerë të thonë do të bëjmë kështu e ashtu. Për shembull në zgjedhje të tjera, ti mund ta kesh shtëpinë me tapi e mund të vijnë e të thonë: “do të bëjmë një pishinë falas.” Ti edhe mund ta hash rrenën, por e rëndësishmja është që ti ndërkohë shtëpinë do ta kesh e nuk do ta luajë njeri.
***
Kryeministri Rama ishte sot paradite në komunën Maminas dhe në zonën informale të njohur si ish-Këneta të Durrësit, ku shpërndau për banorët titujt e pronësisë. Fillimisht, Kryeministri u ndal dhe zhvilloi një takim me banorë të komunës së Maminasit, të cilëve iu prezantoi paketën e ndryshimeve në ligjin për legalizimet, të miratuar pak ditë më parë nga qeveria.
Këto ndryshime, që janë në të njëjtën kohë një zotim i mbajtur ndaj qytetarëve, do të bëjnë të mundur që mijëra familje që presin prej vitesh legalizimin, të bëhen pronarë legjitimë të shtëpive të tyre. Kryeministri theksoi se ky proces, i cili do të vijojë të zbatohet me shpejtësi, në të gjitha zonat me ndërtime informale në vend, – do ti japë fund një historie që mban peng ekonominë familjare, e për rrjedhojë ekonominë e vendit.
Kryeministri shpjegoi për ta, se prona e tyre, deri më sot inekzistente në dokumentat e shtetit, me legalizimin do të kthehet në një kapital të qarkullueshëm e të shfrytëzueshëm për ekonominë e tyre familjare. “Marrja e një dokumenti pronësie nuk është thjeshtë siguria që shtëpia bëhet e paprekshme por është kthimi i shtëpisë, nga një strehe në një kapital të qarkullueshëm, që do të thotë që me atë shtëpi që legalizohet, familja ka në dispozicion një kapital me të cilin mund ti drejtohet bankës për të marrë një kredi dhe për të pasur në dispozicion një shumë parash që ndryshe nuk mund ta ketë për të hapur një biznes të vogël, për të çuar përpara një biznes të vogël, për të financuar shkollimin e fëmijëve për të bërë blerje dhe shitje të natyrave të ndryshme, pra kalohet nga një pronë e cila nuk ekziston në letra dhe që praktikisht ka vetëm vlerën e strehës për familjen, në një pronë e cila ekziston në letra dhe që është e qarkullueshme si kapital.” tha ai.
Teksa shprehu keqardhjen që mijëra familjarë kanë paguar, nën presionin e abuzivizmit dhe korrupsionit, dy apo më shumë herë për të realizuar këtë proces, Kryeministri theksoi se histori të tilla nuk do të përsëriten më. procesi i legalizimit do të bëhet falas.
Në këtë takim, Kryeministri shoqërohej edhe nga Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, Ministri i Mjedisit Koka si dhe drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame, të cilët shpjeguan për banorët, në mënyrë më të detajuar ecurinë dhe aspekte të procesit të legalizimit. Kështu Lame u shpreh se në qarkun e Durrësit numërohen 38 mijë vetedeklarime, të cilat nuk ishin mbledhur tek ALUIZNI, por në komuna. Ai tha se vetëm gjatë 3 muajve, në zyrat e ALUIZI-t janë rritur kërkesat, çka dëshmon se është rritur besimin i qytetarëve tek qeveria. Drejtori i ALUIZI-t theksoi se do tu jepet përparësi rasteve, të cilat kanë shumë vite që presin, duke sjellë edhe shembullin e një banori i cili kishte aplikuar në vitin 2006, me shpresën se do të merrte një zgjidhje nga qeveria e kaluar. “Kur po kontrollonim dokumentacionin e këtij subjekti, si shumica që kanë aplikuar qe ne 2006, fotografitë të objektit siç është standardi, në dosje i shkreti kishte futur edhe shtëpinë e vetë me flamurin e PD-së sipër se ka thënë 2006-ta do ma bëjnë këta po ta bëj me flamur dhe nuk e di flamurin le të na thotë vetë e ka akoma mbi shtëpi apo jo.” tha ai.
Ndërsa Ministra Gjermeni u shpreh se ministria që ajo drejton, si edhe e gjithë administrata e ALUIZNI-t, janë më të angazhuara se kurrë për të qëndruar në krye të këtij procesi e për ta realizuar atë me sukses të plotë, në përmbushje të premtimit ndaj qytetarëve.
Ndërkohë, banorët që morën certifikatat e shumëpritura, nga vetë kryeministri, falënderuan me mirënjohje qeverinë, për të cilën shprehën besimin se do ta finalizojë me sukses dhe në kohë sa më të shpejtë këtë proces të rëndësishëm për qytetarët. “Unë kam 10 vjet që kam aplikuar kam qenë emigrant dhe gjithë mundin dhe djersen time e kam këtu – ky është edhe dokumenti që kam aplikuar përpara 10 vjetësh, sot jam shumë i kënaqur shume i gëzuar dhe ju uroj suksese për punën, në fillim nuk kam pas besim por fal punës së Qeverisë, falë punonjësve të ALUIZNI-t që na kanë ndihmuar na kanë qëndruar afër, për pak kohë kanë bërë të mundur marrjen e dokumentit të pronësisë.”, u shpreh një prej tyre.
Ndërsa banori, i cili kishte aplikuar në vitin 2006 shprehu mirënjohjen për qeverinë që më në fund i përmbylli me sukses një proces, që për të ishte shndërruar në një ëndërr. “Falënderoj Qeverinë shqiptare për premtimin që na dha, falënderoj drejtorin e ALUIZNI-t Durrës sepse pagesën e kam bërë në datën 1 Prill, por nuk ishte rrenë por ishte e vërtet, edhe certifikatën e marr sot. Shumë faleminderit dhe suksese edhe për premtimet. Flamuri u mbyll me 23 qershor.” – u shpreh ai, teksa mori në dorë dokumentin e legalizimit.
Në këto takime në Maminas dhe në zonën e ish-Kënetës Kryeministri shoqërohej nga deputetët e Durrësit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Dako.
***
Për banorët e zonës së Ish kënetës, certifikata e legalizimeve u shpërndanë nga Kryeministri Rama si dhe nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka, Ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni dhe kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.
Teksa mori falënderimet e banorëve të Ish Kënetës, Kryeministri sqaroi për ta edhe një tjetër aspekt të rëndësishëm, atë të pagesës së detyrimeve të energjisë elektrike. Kryeministri bëri të ditur se nuk do të tolerohen më vjedhjet e energjisë elektrike, për të cilat do të ketë forcim të masave ligjore dhe se do të inkurajohet dhe shpërblehet shlyerja e këtyre detyrimeve nga ana e familjarëve.
Kështu, kryeministri shpjegoi se kush do të paguajë energjinë elektrike, do të ketë një ulje prej 400 mije lekësh të vjetra në vlerën e paguar për legalizimet. Lidhur me këtë, kryeministri u shpreh:
“Një element tjetër që dua tua them. Në të gjithë së bashku duhet të jemi të vetëdijshëm se Shqipëria është sot një luftë për jetë a vdekje , në kuptimin më të vërtetë të fjalës për sa i takon sigurisë energjetike. Jemi një vend, ku energjia vidhet si në “haradoz” sic thoshin dikur. E jemi në një vend që po nuk i dhamë fund vjedhjes së energjisë do të gjendemi në një krizë nga ku nuk na shpëton dot askush. Prandaj ne kemi marrë masat dhe do të vazhdojmë të forcojmë masat ligjore, kundër vjedhjes së energjisë. Ne sigurisht ndryshe nga paraardhësit, nuk e kemi filluar nga të varfërit. Ju kujtohet sa herë donin të merrnin masa, çonin një bandë me thika në shtëpitë e më të varfërve, qoftë në Bathore, qoftë në Kënetë dhe bënin të fortin me më hallexhinjtë. Ndërkohë që vjedhja më e madhe e energjisë sot në Shqipëri, nuk vjen nga familjet e varfëra por vjen nga bizneset, që paguajnë sa një familje e varfër me sahate të manipuluara. Ndërkohë shumë shpejt parlamenti do të miratojë ndryshim rrënjësor në Kodin Penal që nuk do të ketë më gjobë për vjedhje energjie, por do të ketë vetëm burg. Kush kapet që vjedh energjinë do të shkojë në burg dhe do të paguajë gjobë. Nga ana tjetër, Ne jemi të vetëdijshëm që për ju dhe familje të varfera, si shumë nga familjet e kënetës, kjo nuk është më një fjalë goje. Prandaj ka dhe një ulje tjetër tek ato 4 milionë lekët e vjetra e legalizimit, në rastet kur je në tokën e tjetrit apo në tokën e shtetit. Është një ulje prej 400 mije lekësh. Pra kush do të paguajë menjëherë, jo vetëm do të ketë 20 % ulje, jo vetëm do të ketë mundësinë të paguajë me letra me vlerë 30-50 %, por do të ketë dhe një 400 mijë lekësh më pak, në mënyrë që të paguajë energjinë dhe pas dy vitesh, ti hiqet kufizimi nga hipoteka. Pra ju do të paguani energjinë, ne do tu japim mundësinë që të paguani më pak për legalizimet. Ne besojmë që shteti dhe qeveria janë aty, në rradhë të parë për të ndihmuar familjet si ju, jo për tu përdorur siç ju kanë përdorur për vite të tëra, si mish për top për fushata elektorale. Jo për tu përdorur, siç ju kanë përdorur për vite të tëra si vatra ku është ushqyer urrejtja dhe dasia mes demokratëve dhe socialistëve. Socialistë dhe demokratë, në Kënetë, në Paskuqan, në Bathore, në të gjithë zonat informale janë shqiptare që duan të legalizohen. Janë familje që kanë ndërtuar shtëpitë me kursimet e tyre të gjakut ne emigracion, apo me kursimet nga buka e gojës dhe që si shqiptarë kërkojnë të legalizohen pa dallim. Ishte kënaqësi që i dhamë një dokument legalizmi në Maminas një zotërie që kishte aplikuar që në vitin 2006, madje kishte vënë edhe flamurin e PD tek ndërtimi i vet dhe këtë fotografi e dërguar tek ALUIZNI, me shpresën se do e shikonin dhe do thoshin ky qenka i joni dhe do tia jepnin dokumentin. Por jo, as dokument kishte marrë i shkreti, as i kishte shkuar njeri ndonjëherë në shtëpi. Sepse ata kanë bërë legalizime, por kanë legalizuar atje ku nuk duhej të legalizonin. Kanë legalizuar për ata që kanë ndërtuar pa leje për qëllime fitimi në kurriz të tyre. Juve keni ndërtuar pa leje, por jo për qëllime fitimi. Legalizimin e parë në këtë qark e kanë bërë mu në lulishten e Durrësit, në tokën e shtetit, në tokën e të gjithëve ne. Kanë legalizuar në monumentet e kulturës, kanë legalizuar mbi kanale, kanë legalizuar në mes të plazhit. Turpe kombëtare. Ndërkohë që ne sot ia dhamë dokumentin atij zotërisë dhe i thamë , – vazhdo tunde flamurin e PD se ajo lidhet me lirinë tënde, pavarësisht se ai tha, – e hoqa më 23 qershor. “
Kryeministri tha për banorët e Kënetës se qeveria do të ecë në rrugën e premtimeve të mbajtura, ku ndër më kryesoret janë tre: “Unë besoj që ne kemi bërë një numër të madh zotimesh , por janë tre zotime të mëdha për të cilat, ne jeni absolutisht të ndërgjegjshëm se do të ndryshojnë shumë fatet e njerëzve të zakonshëm në Shqipëri. Zotimi i parë, kush fiton më pak, paguan më pak, kush fiton më shumë , paguan më shumë e që solli uljen e taksave për 97 % të shqiptarëve që kanë një rrogë në privat apo në shtet, – është realitet sot. Sot infermieret, mësueset, policët, kanë më shumë para në xhep në fund të muajit sepse paguajnë më pak taksa. Zotimi i dytë është ky që do të bëjë pronarë dhjetëra mijëra familje dhe që do të fusë në ekonomi, para që deri më sot janë kapital i vdekur sepse paratë nuk figurojnë asgjëkund. Dhë zotimi i tretë është shëndetësia falas për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajë. E ky është një zotim që do ta mbajmë brenda këtij mandati.”