Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Maminas të Bashkisë së Shijakut, fermat dhe fermerët e zonës po rrisin kapacitet falë punës së tyre të palodhur, por dhe me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, e cila falë programit IPARD po mbështet këta fermerë në rritjen dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre. Kryeministri Rama u ndal sot në një nga fermat e kësaj zone, bashkë me Drejtoreshën e Përgjithshme të AZHBR-së, Frida Krifca, e cila me mbështetjen e AZHBR-së përmes Programit IPARD II, po ngre një pikë moderne grumbullimi me dhoma frigoriferike të standardeve europiane për mbledhjen, ruajtjen dhe përpunimin e fruta-perimeve .

Kompania “Kronos” synon që shumë shpejt, serat e saj t’i kthejë edhe në atraksion agroturistik, ku vizitorë vendas e të huaj mund të familjarizohen me proceset e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve të zonës. “Kompania sjell një risi në mënyrën e menaxhimit të serave, që janë sera me xham, shumë ekologjike. Të gjithë prodhimin e shet në tregun e Tiranës dhe objektivi është që më pas ta përpunojë në këtë pikë grumbullimi që po ngrihet këtu. Kjo pikë grumbullimi frigoriferike, kapanon me dy dhoma frigoriferike do përpunojë gjithë produktin e serës që prodhohet, por dhe të fermerëve të zonës. Bëhet fjalë për një ndërtim mbi 3000 metra katrorë. Ju jeni fermë model, në fakt dhe objektivi i ardhshëm është që të mund të bëhet dhe një qendër agroturistike, serat të jenë të vizitueshme, të  hapura për publikun dhe njerëzit të mund të shohin dhe si përpunohen këto produkte”, – u shpreh drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca.

Në përfundim të këtij investimit, 250 fermerë që punojnë në gjithë këtë zonë mendohet të grumbullojnë prodhimin e tyre në këtë pikë. “Gjithë kjo punë që është bërë me pikat e grumbullimit është transformuese, sepse ka krijuar një platformë komplet të re për bujqësinë dhe i ka dhënë lehtësi të madhe fermerëve që të prodhojnë e që të mblidhen në pikat e grumbullimit”, – u shpreh Kryeministri.

AZHBR-ja ka mbështetur 53 pika grumbullimi në gjithë vendin me synim shtimin e kapaciteteve ruajtëse e përpunuese të produkteve bujqësore. “Nëpërmjet pikave të grumbullimit, fermerët po mësojnë të mbledhin forcat, të bashkëpunojnë, të shesin bashkë e po krijohet një dinamikë e re në treg”, – theksoi Krifca.

***

Kreu i qeverisë Rama u ndal në një tjetër fermë në Maminas, për të parë nga afër serat e reja të ngritura nga kompania “Agro-Koni”, e cila me mbështetjen nga AZHBR-ja, përmes Programit IPARD II, ka ndërtuar një serrë ultramoderne për prodhimin e fidanëve perimorë.

Ruzhdiu, bashkë me djalin e tij menaxhojnë këtë fermë nga e cila furnizohen me fidanë fermerë nga e gjithë Shqipëria. Megjithatë, risia që po sjell ky bashkëpunim brezash është shartimi i bimëve. “Procesi më i rëndësishëm është një procesi i ri që kemi filluar ta bëjmë, është shartimi i bimëve. Si pasojë e lodhjes së madhe që kanë serat tona, kjo është një tendencë edhe e bujqësisë bashkëkohore. Procesi i shartimit presupozon që bima të ketë nënshartesë dhe mbishartesë. Kjo u ka pas bërë dhe më përpara nga të parët tanë, por kjo është një teknologji bashkëkohore. Tendenca është drejt kësaj dhe ne pikërisht kemi kërkuar ndihmë nga AHZBR-ja për ndërtimin e serës së re që të avancojmë, që, nëse tani në Shqipëri mbillen 5% fidan të shartuar, afërsisht të shkojë 10-%, 50% apo dhe 100%, sepse tendenca drejtë kësaj është. Ne afërsisht kemi 1000 fermerë që furnizohen. Po të llogariten edhe fermerët e vegjël shkojnë rreth 2500-3000”, – u shpreh Ruzhdiu.

Sera e re është e pajisur me një sistem digjital ngrohjeje, ventilimi, ujitjeje me karel lëvizës, ekran termik, plastmas dhe çdo element tjetër që përmban një serë në vendet e Bashkimit Europian. Ky sipërmarrës pohon se “gjatë periudhës së pandemisë, ne kemi pasur njerëz që vinin mbanin radhë për të marrë fidanë, sepse donin t’i mbillnin në bahçet e tyre”.

Kryeministri Rama theksoi faktin se “qeveria është në mbështetje të fermerëve për çdo gjë”, ndërsa drejtoresha e AZHBR-së thotë se “pjesa kryesore e investimeve që ne kemi kontraktuar kanë këtë lloj teknologjie që modernizojnë edhe fermën, por dhe agropërpunimin njëkohësisht”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.