Në Bashkinë e Durrësit ka nisur loti i dytë me 900 njësi individuale, shumica e të cilave, pjesë-pjesë, deri në fund të këtij viti do të rihapin dyert. Në Manzë, aty ku sot Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për ndërtimin e shtëpisë së një familjeje me 9 anëtarë, po ndërtohen 280 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Po ashtu edhe 300 shtëpi në zonën e Ishmit.
9 anëtarët e kësaj familje shumë shpejt do të akomodohen në një shtëpi 3+1, më të bukur, më të madhe e më të fortë se ajo që tërmeti dëmtoi. Kryeministri Rama tha se po bëhet maksimumi që çdo familje e dëmtuar të hyjë sa më shpejt në shtëpitë e reja. “Ne do bëjmë maksimumin e nuk do lëmë asnjë pa e futur në shtëpi me kushtet më të mira se sa ishin,” – shpreh Kryeministri Rama.
Ndërkohë në Manzë janë edhe ndërtesat kolektive për të cilat javën tjetër fillon procesi i prokurimit, informoi ministri i Shtetit për Rindërtimin Ahmetaj. “Kjo dhe Thumana janë dy zonat që kanë marrë goditje të drejtpërdrejtë nga tërmeti”, – theksoi ministri.
“Ajo që ndodhi ishte goditje shumë e madhe, por për fat të mirë, edhe punët që kemi bërë dhe mundësitë e reja që kemi krijuar, na dhanë mundësinë që me paratë tona, të shtetit, të bëjmë një pjesë. Pjesët e tjera janë dhe me të tjerë, kryesisht shkollat. Këto që kemi ndërtuar janë përsëri nga buxheti i shtetit. Durrësin, pjesën e apartamenteve me Emiratet, me Princin e Kurorës që është treguar shumë i gatshëm dhe do t’i mbyllim këto, por durimi është i pashmangshëm se njerëzit nganjëherë gabojnë kur thonë “ku janë”. Por prit se do projektohen, do bëhen procedurat, garat, kontrata. Na ra dhe karantina, se normalisht sot do i kishim mbaruar këto që janë filluar dhe të gjithë ata që kanë shtëpi individuale do të ishin futur në shtëpi për vitin e ri. Nuk e arrimë dot për të gjithë, por pjesën më të madhe do t’i fusim për vit të ri. D.m.th. do hyni më përpara, por vitin e ri do ta prisni në shtëpi më të mirë”, – u shpreh Kryeministri Rama.