Konferenca e përbashkët për media e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në Tiranë:
Kryeministri Edi Rama:
Mirëdita!
I nderuar Kryeministër,
I dashur Zoran!
Është një kënaqësi e veçantë, jo sepse kështu duhet thënë sipas protokollit, por, sepse me të vërtetë, mirëseardhja juaj dhe e delegacionit tuaj është vërtet kënaqësi.
Ju vini këtu pas një arritjeje historike, madhështore, që është fryt i lidershipit tuaj dhe i lidershipit të mikut tonë të përbashkët, Kryeministrit Cipras; Marrëveshja e Prespës, e cila i dha fund një ngërçi shumëvjeçar, hapi rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe çliroi energjinë e madhe, pozitive, për ecurinë e mëtejshme në rrugën e përbashkët të integrimit në Bashkimin Europian.
Më vjen shumë mirë që Shqipëria ishte siç i takonte, ndër të para që ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut. Për ne, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një vend fqinj, por një shtet mik dhe strategjikisht i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm, marrëdhënia me të cilin kultivohet tanimë përmes parimeve dhe vlerave më të mira që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Europës dhe që do të jenë sëbashku në tryezën e familjes europiane.
Unë ju jam mirënjohës, shqiptarët ju janë mirënjohës për faktin se, me një kurajo të pazakontë dhe me një vizion largpamës, ju çelët rrugën e një harmonie të munguar dhe aq të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Për ne, seanca e Kuvendit tuaj, ku u fol shqip, ishte simbolikisht, por edhe përmbajtësisht një moment historik dhe një arsye më shumë që ne të vazhdojmë të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Republikës sonë.
Ne jemi sëbashku, në një moment të veçantë, në momentin kur shkojmë drejt një pragu të shumëpritur të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian dhe puna e përbashkët që po bëjmë, shkëmbimi i ekspertizës, përvoja e krijuar dhe e bashkëndarë hap pas hapi na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë.
Më vjen shumë mirë që ne kemi dakordësi për të ecur përpara në krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, por jo vetëm, duke finalizuar një proces teknikisht të komplikuar, por strategjikisht të domosdoshëm të lehtësimit maksimal të kufirit.
Siç e kemi diskutuar, ne e kemi nisur një proces me Kosovën, për fat të keq i keqkuptuar tek-tuk, kur kemi folur për një model Shengen, por që për ne është vetëm zanafilla e një procesi që duhet të shtrihet në të gjithë rajonin dhe që ne e kemi të gjithë vullnetin dhe dëshirën ta materializojmë në radhë të parë me fqinjët tanë, jo vetëm me Kosovën, por dhe me Maqedoninë e Veriut dhe me Malin e Zi, me urimin dhe me bindjen, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces dhe që kufijtë mes vendeve tona duhet të jenë po aq fluidë, saç janë kufijtë mes vendeve të Bashkimit Europian.
Nëse këtë gjë do të na duhet ta bëjmë kur të jemi anëtarë të Bashkimit Europian me të gjithë vendet e Bashkimit Europian, askush nuk na pengon që ta bëjmë mes vedi sot, jo nesër.
Më vjen shumë mirë që kemi dakordësi për këtë dhe që do të punojmë sëbashku dhe që më herët se vonë do t’u japim qytetarëve tanë mundësinë që të hyjnë dhe të dalin në të dy shtetet pa asnjë pengesë, pa asnjë kontroll, pa asnjë problem, njësoj siç hyjnë dhe dalin në shtetet e tyre, qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Ne organizuam përpara 15 muajsh mbledhjen e parë të dy qeverive dhe ka ardhur koha që të përgatitemi për të dytën, natyrisht, duke pritur ftesën tuaj zyrtare. Sepse jeni ju që duhet të na mikprisni dhe që duhet të paguani shpenzimet e drekës, por besoj se do të keni dakordësi të plotë mes partive të koalicionit për të ndarë shpenzimet.
Ne, sot, praktikisht kemi zhvilluar një takim, jo rutinë, por një takim përmbajtësor dhe do vazhdojmë të diskutojmë dhe më pas, pasi janë shumë gjëra që mund të bëjmë sëbashku, siç e theksoi Kryeministri, në një moment jashtëzakonisht pozitiv për Maqedoninë e Veriut, në pikëpamje të një hopi të ri në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe të rritjes së investimeve të huaja. Shikojmë edhe një rritje të ndjeshme të volumit tregtar mes dy vendeve, 11% në vitin e kaluar, është shumë pak në krahasim me mundësitë tona dhe me potencialin, por është shumë krahasuar me më parë.
Ashtu sikundër edhe një sërë veprash në infrastrukturë na bashkojnë në interes të përbashkët. Ne jemi tanimë në kantier në Rrugën e Arbrit dhe shtrirja në segmentin Bllatë-Shkup është një nevojë strategjike dhe që, sigurisht, sipas mundësive dhe sipas planeve të qeverisë tuaj do të hyjë në proces në momentin e duhur, që unë kam shumë besim se do jetë jo i largët.
Së fundmi, dua të rikthehem tek ajo që është edhe, besoj unë, baza e patjetërsueshme e kësaj miqësie që ka vetëm mundësinë të forcohet, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Miratimi i ligjit për gjuhët dhe nisja e zbatimit të tij, klima ndëretnike e përmirësuar rrënjësisht dhe kalimi nga letrat në vepra, falë vullnetit tuaj, janë padiskutim arsye të qenësishme që ne të fuqizojmë çdo ditë këtë marrëdhënie.
Padiskutim që kurajoja dhe vullneti për të kthyer fjalët në vepra e karakterizon lidershipin e sotëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe dakordimi për gjuhën shqipe, i shtrirë në përdorimin e saj në nivel të gjerë zyrtar administrativ dhe që i jep akses dhe barazi të gjithë qytetarëve në raport me administratën, është fantastik. Me të njëjtin angazhim, ne do të vazhdojmë. Më vjen jashtëzakonisht mirë që, duke vlerësuar dhe vendimin për hapjen e konsullatës së nderit në Manastir, si shembulli i forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, të konfirmoj nga ana tjetër, edhe të gjithë vullnetin, dëshirën dhe angazhimin që pakica maqedonase që jeton në Shqipëri të gëzojë absolutisht frytet më të mira të të gjithë kësaj klime pozitive, për të rritur pemën e miqësisë tradicionale, që është një miqësi që do të forcohet dhe që është përmbajtësisht strategjik.
I dashur Zoran,
Shumë faleminderit për praninë tënde në Tiranë!
Shumë faleminderit miqve që kanë ardhur bashkë me ty dhe duke të kaluar fjalën, dua të shpreh besimin e madh se përmes këtij bashkëpunimi, ne mësojmë shumë dhe mësimet që marrim nga njëri-tjetri në çdo aspekt do të na vlejnë edhe më shumë në të ardhmen.
Zoran Zaev: I dashur Edi,
Të nderuar anëtarë të kabinetit,
Të nderuar të pranishëm;
Të nderuar gazetarë!
Më lejoni fillimisht të shpreh mirënjohjen dhe kënaqësinë tonë që jemi këtu, në shtetin tonë mik të Shqipërisë. Më lejoni në emër të qytetarëve të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në ermin tim personal t’ju falënderoj edhe si popull, edhe si vend, që ishte ndër vendet e para që ratifikoi me procedurë të përshpejtuar Protokollin për Anëtarësim në NATO të vendit tonë, Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo dha një mesazh të fuqishëm miqësor dhe për këtë ju jemi shumë mirënjohës.
Presim që deri në fund të vitit, Republika e Maqedonisë së Veriut t’i bashkëngjitet Aleancës ku bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë që prej vitit 2009, të jemi vendi i 30-të fuqiplotë i NATO-s. Ky është një nga qëllimet strategjike të vendit. Paralelisht me këto pritshmëri, shpresat tona janë të fokusuara në qershor të vitit 2019 për hapjen e bisedimeve aderuese me Bashkimin Europian.
Qershori i vitit 2019 është vit i rëndësishëm për perspektivat euopiane për dy shtetet tona, si për Republikën e Maqedonisë së Veriut, po ashtu edhe për Republikën e Shqipërisë. Për ne, procesi i besueshëm aderues nënkupton qëndrueshmëri të kritereve për demonstrim të shoqërisë me pjekuri demokratike dhe në bazë të meritave, përkatësisht rezultatet e arritura të reformave, nëse plotësojmë ne detyrat tona, atëherë presim që edhe BE-ja të ketë qasje pozitive ndaj dy vendeve tona.
Në shtetin tonë arritëm të vendosim nivelet e një shoqërie për të gjithë dhe punojmë në përpjekje për një konsensus maksimal edhe me opozitën në të gjitha reformat ligjore të nevojshme për eurointegrimin.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut Marrëveshja kornizë e Ohrit funksionon, mbetet vetëm kohezioni në shoqërinë tonë dhe zbatimi i saj në administratë, që vërtet të ndërtohet një shoqëri “një për të gjithë”.
Përvoja na dëshmoi se dialogu dhe bashkëpunimi i arsyeshëm ndërmjet të gjithë aktorëve në shoqëri, sidomos ndërmjet pushtetit dhe opozitës, është ajo që siguron rrugën përpara të shtetit dhe konsiderojmë që kjo është mënyra që të gjitha shtetet e Ballkanit të ecin përpara dhe të realizojnë qëllimin e tyre strategjik europian.
Këtu vijmë si miq sot dhe japim mesazhin miqësor për të gjithë faktorët e Shqipërisë, që nëpërmjet dialogut të kenë zgjidhje. Unë si Zoran Zaev nuk isha në opozitë para 100 vitesh, por isha në opozitë para 21 muajsh dhe asnjëherë nuk lejuam që të japim përshtypje para institucioneve europiane se jemi kundër për fillimin e bisedimeve të vendit tonë me BE. Pa marrë parasysh nëse jemi opozitë apo në pushtet, patjetër të plotësojmë atë qëllim strategjik.
Ne jemi miq të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe vërtetë i dëshirojmë vetëm të mira Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Sot, pas takimit me Kryeministrin Rama, fuqizojmë qëndrimin e përbashkët dhe ka hapësirë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve. Republika e Shqipërisë është njëri nga miqtë më të afërt, por dhe partner me të cilin jam i bindur se mundemi të punojmë dhe në atë drejtim të sigurojmë prosperitet dhe siguri, perspektiva europiane të vendeve tona dhe të rajonit. Si udhëheqës politikë, ne e dimë detyrën tonë. Qytetarët nga politika presin të krijojmë kushte për përparimin e ekonomisë dhe një standard më të mirë për jetë.
Bashkëpunimi mes Shqipërisë, siç tha edhe Edi, është rritur në ekonomi me 11.5%. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm, por për të patur një potencial më të madh duhet të punojmë më shumë.
Integrimet e hapura në NATO në Republikën e Maqedonisë së Veriut, veçse kanë efektin pozitiv. Rritet numri i investitorëve të huaj, të cilët janë të interesuar të investojnë në vendin tonë. Në vitin 2018 kishim një investim të jashtëzakonshëm prej disa milionësh që është dyfish më shumë se para dy vitesh, ose para qeverisë që kishim në vend, ose shumë më shumë se viti 2013-2014, që llogariten si vitet më të suksesshme të ekonomisë industriale, për 11-12 % GDP, për 7,11%, tani është një rritje shumë e madhe.
Gjithashtu ecëm përpara me bashkëpunimin në Tiranë ndërmjet rajonit, që të shohë dhe Bashkimi Europian ku kemi edhe synimin tonë dhe nëse kemi një ekonomi më të fuqishme, kjo do të jetë një argument tjetër në aspiratat europiane të dy vendeve tona. Nëse rajoni jonë bashkëpunon në ekonomi dhe avancohet, do të thotë, Europa do na respektojë shumë më shumë dhe do të kemi të gjithë përfitimet tona si rajon.
Gjithsesi avancimi dhe bashkëpunimi bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë motivojnë biznesin e të dy vendeve për një bashkëpunim akoma më të afërt. Projekti “One stop shop” në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë presim të rrisë lëvizshmërinë e njerëzve dhe qarkullimin e mallrave të tregtisë së përgjithshme.
Vazhdojmë të punojmë me përkushtim edhe në lidhjen e brendshme, ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore dhe asaj rrugore, para së gjithash atë në kuadër të Korridorit 8. Po punojmë në rrugën Kërçovë – Ohër. Shpresoj që shumë shpejt do të ndërtojmë dhe hekurudhën Kërçove – Lin, po punojmë dhe në fazën finale të dokumentacionit të rrugës të aksit Kërçovë – Dibër, kufirit me Shqipërinë që është një pikë strategjike për lidhjen e vendeve tona. Me ato që hapëm me kuotat ekonomike, hapëm mundësinë që të përgatisim institucionet tona të kenë besueshmërinë e tyre, sidomos kur bëjnë qarkullimin e mallrave, që të mund të kemi një qarkullim më të përsosur, më fleksibël, sepse obligimi ynë i përbashkët është të përforcojmë zonën ekonomike në kuadër të Procesit të Berlinit, fillimisht për interes të qytetarëve tanë, por për pozicionimin më të mirë në Bashkimi Europian.
Nevojitet të mbajmë fokusin në ndryshimet pozitive demokratike që do të na çojnë drejt Europës. Republika e Maqedonisë së Veriut këtë po e bën, kurse tek Republika e Shqipërisë shohim edhe potencial, edhe partneritet në këtë proces, në integrimin e plotë në të gjithë rajonin, sidomos të vendeve tona miqësore.
Ju faleminderit shumë!
Kryeministër Zaev, ju e përmendët në fjalën tuaj dialogun, por, fatkeqësisht, në fjalorët politike nëpër botë është përfshirë termi “skenari maqedonas”, një gjë e cila po ndodh në Shqipëri, është përfolur shumë një skenar maqedonas nga ana e opozitës shqiptare, e inspiruar nga opozita maqedonase. Si e shikoni këtë zhvillim të fundit në Shqipëri me djegien e mandateve?
Kryeministër Rama, kohët e fundit po artikulohet shumë influenca ruse, madje kreu i SHISH në një mbledhje me dyer të mbyllura të Komisionit të Sigurisë ka folur për tentime të kapjes së niveleve të larta në administratë. Ju tashmë e keni raportin e SHISH në zyrën tuaj. Nga ajo që mund të thoni, sa reale është kjo influencë dhe çfarë masash po merr qeveria për të ndalur influencën e Rusisë? Duke qenë se dhe Maqedonia ka një situatë të ngjashme, mund të përgjigjet e Kryeministri Zaev.
Kryeministri Zoran Zaev: Siç edhe thashë, ne ishim opozitë para 21 muajsh në vendin tim. Kam nderin të jem kryeministër i vendit tim dhe nuk është shumë larg për t’u kujtuar se çfarë ndodhi, madje të bëjmë dhe një paralele me vendin tuaj. Edhe një herë theksoj, ne jemi miq të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Ne kemi ardhur si miq këtu sot, por duhet të potencoj se në kohën kur unë isha opozitë, raportet e Departamentit të Shtetit, raportet e Bashkimit Europian flisnin për një regjim hibrid në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë asaj kohe, e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njësoj sikur është e mundur dhe në Republikën e Shqipërisë, por gjithmonë kur flisja me komisionerin Hahn si shef i opozitës, flisja me deputetët europianë, me Federica Mogherini, me gjithë lidershpin e Bashkimit Europian, lusja për vendin tim që t’i jepej një datë e bisedimeve, sepse ky ishte një qëllim strategjik i vendit tim, pa dallim konfrontimeve tona të brendshme si shtet. Në të vërtetë, unë e kuptoj të gjithë opozitën, domethënë kudo qoftë ajo. Të kemi kujdesin tonë ndaj shtetit, pa marrë parasysh a jemi në pushtet, apo jemi në opozitë. Prandaj obligimi i të gjithëve është shteti dhe për shkak të saj ekzistojmë si parti politike, por ekzistojmë dhe për shkak të qytetarëve dhe në emër të kësaj, si mik i Republikës së Shqipërisë, në të vërtetë dëshiroj gjithë të mirat për këtë vend miqësor, për këtë popull miqësor. Çdokush ka të drejtën e demonstratave, ajo është mjet i demokracisë, por gjithmonë të kemi kujdes për ardhmërinë e vendit.
Vendi im është kandidat që në 2005-n. Qytetarët e Shqipërisë, vite të tëra presin që të hapen kapitujt, që të vijnë fondet, që të hymë në të ashtuquajturën vitet e arta, kur Bashkimi Europian nëpërmjet bisedimeve do të ngrejë të gjithë standardin ekonomik. Prandaj të bëhemi vend anëtar fuqiplotë i BE-së. Prandaj ndava anët pozitive të vendit tonë dhe në fund nënkupton e gjithë kjo, standard, nënkupton investime të huaja, vende të reja të punës, paga më të larta për qytetarët. Prandaj e di, dy vendet tona miqësore, qëllimi i parë strategjik është që të marrim fillimin e bisedimeve me BE dhe shpresojmë që të kemi sukses në këtë drejtim.
Kryeministri Edi Rama: Rusia nuk është një vend tifoz i Bashkimit Europian, i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe natyrshëm nuk mund të ketë tifozllëk për ecurinë europiane të asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjala e të cilës është të bashkohemi me familjen europiane. Sa herë që kjo axhendë cenohet, aq herë, kush nuk është tifoz i Europës, i Bashkimit Europian, i integrimit të plotë europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet. Kaq.
Zoti Rama, ndërsa jeni në pritje të ftesës së dytë për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive nga Kryeministri Zaev, a mund të na bëni një pasqyrë se si ka qenë ecuria e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e parë të dy qeverive?
Zoti Zaev, cili është qëndrimi politik i qeverisë suaj përsa i përket Shengenit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjatë takimit, ju keni diskutuar edhe për këto çështje, keni folur me terma konkretë se kur pritet të nisë zbatimi i saj, duke patur parasysh që Shqipëria dhe Kosova e nisin këtë në mes të këtij viti?
Kryeministri Edi Rama: Nuk u zgjata në prezantimin tim në të gjitha detajet e ecurisë së marrëdhënieve tona dhe në ecurinë e marrëveshjeve mes nesh, por di të them vetëm kaq, marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka qenë kurrë më e mirë se sot, më produktive se sot dhe mbi të gjitha, më premtuese se sot. Kjo është ajo që është e qartë si drita e diellit.
Kryeministri Zoran Zaev: Vetëm një koment, sepse nuk dhashë një koment për takimin mes qeverive. Takimi do të mbahet në verë, pas zgjedhjeve presidenciale që do të ndodhin në Maqedoni dhe pas zgjedhjeve lokale që do të ndodhin në Shqipëri. Do të kemi takimin e përbashkët mes qeverive, ku institucionet tona do të shfrytëzojnë momentin për konstatime shumë pozitive, për obligime të përfunduara mes institucioneve. Njëra nga këto çështje është hapja e One Stop Shop, pra, nga pika kufitare e përbashkët e Qafë Thanës ku më së paku do duhet të përgjysmojmë kohën e pritjes së pasagjereve dhe qarkullimit të mallrave mes dy vendeve, që tani është e pakëndshme gjatë pritjeve të gjata. Këtë e kemi obligim ta mundësojmë. Sa i përket këtyre institucioneve, nënkupton vetëm një kontroll, nuk do të kalohet në dy kontrolle. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për mallrat dhe ky është një hap përpara për avancimin e lirisë së qarkullimit që Procesi i Berlinit, të gjitha këto 6 vende të Ballkanit Perëndimor dëshirojmë të arrimë.
Gjithsesi, qëllimi ynë i përbashkët është integrimi i plotë në Bashkimin Europian dhe me këtë, integrimin e plotë të qytetarëve, shmangien e kufijve dhe bashkëngjitjen në familjen europiane dhe hapat që ne po bëjmë vërtetë na çojnë drejt kësaj rruge. Hapi i radhës do të jetë përgatitja e institucioneve tona, të delegojnë besueshmërinë e plotë në institucionet e Republikës së Shqipërisë, ashtu siç është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Nëse në Republikën e Shqipërisë konstatojmë se ky ushqim që del nga Shqipëria për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është e konfirmuar sipas standardeve të Republikës së Shqipërisë, për ne kjo mjafton, nuk ka nevojë që të konfirmohet edhe nga shteti ynë dhe anasjelltas. Njëkohësisht kjo vlen edhe për institucionet e tjera. Kjo, 10 deri në 20% do të zvogëlojë kohëpritjen e mallrave që janë në qarkullim mes dy kufijve. Prandaj për hapjen, për një mobilitet të tërësishëm mes qytetarëve ose mallrave, bashkëpunimeve ekonomike, janë në drejtimin e duhur dhe në të vërtetë kurrë nuk kanë qenë më mirë.
Ashtu siç tha miku im Edi, detyra jonë është që ato të jenë të përkryera, që përfundimisht do të kemi një profit të kompanive, do të rrisin prodhimin bruto vendor, do të rrisin ekonominë, do të ketë paga më të larta, do të ketë vende cilësore, do të ketë ekonomi më të zhvilluar, por gjithsesi edhe të eksportit të përgjithshëm të rajonit tonë ndaj vendeve europiane.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit!