Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për Projektin e Zhvillimit të Integruar Urban dhe Turizmit në zonën e jugut:

Ellen e nisi me Bob Dylan, tani unë i bie të jem Patti Smith që ngatërron tekstin.

Por do mundohem të jem koherent, nga fillimi në fund, me shpresën që të gjithë ata që na ndjekin nuk do ta lexojnë edhe këtë aktivitet si një paradë suksesi, por si një përpjekje të mëtejshme dhe shumë mirë të strukturuar, falë bashkëpunimit me ekipin e Bankës Botërore për të çelur një tjetër shteg me shumë rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe rritjen e punësimit.

Pa mbështetjen e Bankës Botërore, Shqipëria do të ishte sot pa asnjë diskutim një vend me një situatë ekonomike shumë më të vështirë, me një infrastrukturë shumë më problematike, me një sistem energjetik të falimentuar dhe me një aparat të përgjithshëm shtetëror shumë më pak funksional, e me radhë…

Banka Botërore nuk është një Bankë si gjithë të tjerat ku jepen para, por është një burim i rëndësishëm strategjik i dhënies dhe marrjes së dijeve dhe nuk është vetëm ndihma financiare, por, për mua, mbi të gjitha, partneriteti strategjik që ne kemi konsoliduar në këto vite, në funksion të gjetjes së zgjidhjeve më optimale për probleme të mëdha dhe të rënda që kemi trashëguar.

Mjafton të nënvizoj tre reforma të rëndësishme, që, faktikisht, kanë garantuar kthesën që ka marrë vendi dhe që pa Bankën Botërore do të kishin qenë të pamundura:

Reforma në energji;

Reforma në pensione;

Reforma kundër informalitetit.

Janë tre reforma që kanë filluar të japin rezultatet e para, por, që, mbi të gjitha kanë dhënë një rezultat shumë kuptimplotë.

Hemorragjia e vazhdueshme, që, faktikisht, çoi drejt falimentimit dhe kolapsit financiar dhe energjetik sektorin e energjisë, është ndalur dhe sektori sot është në një rimëkëmbje të përditshme.

Hemorragjia e vazhdueshme që kërcënonte seriozisht themelet e financave të vendit, me skemën e vjetër të pensioneve, faktikisht, është ndalur dhe skema sot garanton qëndrueshmëri dhe hap pas hapi edhe lehtësim të një barre që ishte në kufijtë e të papërballueshmes deri dje.

Reforma kundër informalitetit, një reformë komplekse, shumë e vështirë, ka dhënë disa rezultate për të cilat mbetemi seriozisht të pakënaqur, por pikërisht duke iu referuar atyre, kemi të gjitha arsyet që të jemi optimistë se edhe në këtë drejtim do të bëjmë pa diskutim sukses.

Reformat që ne kemi ndërmarrë janë reforma që janë zvarritur dhe janë vonuar për shumë vite, duke krijuar kosto dhe pasoja të cilat mund të ishin shmangur nëse këto reforma do të ishin bërë vite më parë.

Por, unë dua ta rinënvizoj që, nëse sot mund t’i gjykojmë me optimizëm qasjet e përcaktuara në këto reforma, kjo i dedikohet padiskutim partneritetit me Bankën Botërore, që, e përsëris, nuk është thjesht një mbështetës dhe garantues i padiskutueshëm i qeverisë dhe i vendit tonë, nga pikëpamja financiare, por është një burim i paçmueshëm dijeje, eksperience dhe këshillash të duhura.

Sigurisht që, shumëkush që e dëgjon këtë mund të mendojë se ky është thjesht komplimenti i radhës në një aktivitet ku në fund ne do të firmosim për të marrë ca para më shumë, por në fakt nuk vjen nga kjo. Banka Botërore nuk ka lënë kudo gjurmë të pashlyeshme pozitive dhe nuk është se gjatë gjithë viteve në Shqipëri ka bërë vetë gjëra për t’u admiruar. Por është fakt që, me ekipin e Bankës ne kemi ndërtuar një partneritet real dhe një ndërveprim thelbësor duke i parë gjërat një nga një sëbashku dhe duke pasur një dialog të vazhdueshëm prej të cilit, e them me plot gojën, ne kemi mësuar shumë.

E nëse do të vinim në balancë paratë që kemi marrë, me ato që kemi mësuar besoj se mund të thuhet pa frikë se gabojmë, që balanca është vërtet perfekte.

Vetëm pak ditë më parë edhe një tjetër agjenci globale e rankimit, “Moody’s”, njohu progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe faktikisht vlerësoi pikërisht disa prej gjërave themelore që ne kemi bërë sëbashku me Bankën Botërore.

Nëse këtë vit, Shqipëria u rankua për herë të parë, si asnjëherë më parë, në vendin e 58 për sa i përket klimës së biznesit, nga raporti i “Doing Business”, kjo do të ishte e pamundur nëse ne nuk do të kishim pasur këshillat dhe ndihmën e drejtpërdrejtë teknike të ekipit të Bankës Botërore.

Por, dua ta përsëris që, këto nuk janë arsye për t’u kënaqur. Këto janë arsye për të qenë edhe më të pakënaqur, sepse janë arsye që na japin gjithë të drejtën që të mendojmë se kemi mundësi të bëjmë ende shumë më tepër, padyshim, me vetëdijen se shumë më tepër mbetet për t’u bërë.

Sot, nënshkrimi i një marrëveshjeje të re me Bankën, për Menaxhimin e Integruar Urban dhe Turizmin në Shqipëri na çon në drejtimin e duhur, pikërisht për të bërë shumë më tepër në një drejtim ku kemi bërë jo pak, sepse kemi çelur një kapitull të ri përmes Programit të Rilindjes Urbane. Një program që, si çdo gjë që sjell ndryshim, diskutohet shumë; si çdo gjë që prodhon ndryshim, ka edhe kritikë më të flaktë, sepse eksperienca jonë na ka treguar shumë qartë që, nëse nuk do të të kritikojnë mos bëj asgjë dhe sa më shumë të mos bësh, aq më konsensual bëhesh, por e vërteta është që, në rastin konkret, ky kapitull i ri që çelet me këtë marrëveshje thellon një program që ka filluar të japë rezultate shumë të rëndësishme në aspektin e perceptimit të vetvetes në komunitete deri dje të braktisura dhe perceptimit të të tjerëve për zona që deri dje ishin faktikisht të pavizitueshme.

Kam parasysh këtu se projekti me Bankën do të prekë dy qendra strategjike për trashëgiminë tonë kulturore dhe të mbrojtura nga UNESCO, pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore botërore, si Gjirokastra dhe Berati; do të prekë Sarandën, si portë hyrëse për turizmin në të gjithë zonën e jugut të Shqipërisë; patjetër do të vazhdojë me Butrintin, si një qendër me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit në atë zonë dhe do të shtrihet me kërkesën tonë dhe me mirëkuptimin e partnerëve tanë në Përmet, në të gjithë zonën, ku ne besojmë se ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe tërësisht të pashfrytëzuar turistik.

Por, nga ana tjetër, ky projekt vjen natyrshëm dhe i bashkëngjitet projektit të Programit tonë Kombëtar të Rilindjes Urbane, falë të cilit, ne kemi mundur të financojmë një qasje të re dhe të integruar për zhvillimin e turizmit në bazë të një Plani të Përgjithshëm Kombëtar për territorin që Shqipëria e ka për herë të parë pas 25 vjetësh dhe të Strategjisë të Shqipërisë 2030, e cila është miratuar disa kohë më parë, duke pasur patjetër si një udhërrëfyes të rëndësishëm planin e integruar ndërsektorial për bregdetin.

Këto plane, të cilat janë krijuar për të mos mbetur në radhën e gjatë të planeve që thjesht i përkasin si potencial industrisë së riciklimit të letrës, faktikisht, shmangin investimet e copëzuara në infrastrukturë dhe i japin mundësi institucioneve që të funksionojë, të mirëkoordinuara në kushtet kur sot ne kemi një Shqipëri të re nga pikëpamja e administrimit vendor, me 61 njësi që i kanë të gjitha potencialet për të qenë njësi të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në nivelin e qeverisjes vendore, në vend të afro 400 bashkive e komunave që ishin pjesë e një historie që i kushtoi shumë Shqipërisë në të gjitha aspektet.

Ecja paralele e Planit Kombëtar dhe e Planit të Bregdetit me Programin Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe me Projektin që sot nënshkruhet me Bankën Botërore na jep mundësinë që, jo vetëm ta shohim, por dhe ta jetësojmë një model, sa kompleks, aq edhe koherent dhe të thjeshtë të zhvillimit të turizmit, përmes zhvillimit urban social dhe ekonomik të të gjithë zonave ku Shqipëria mund të përfitojë jashtëzakonisht shumë më tepër nga industria e turizmit.

Faktikisht, është një nga ato rastet e rralla kur qeveria shqiptare investon më shumë se sa Banka Botërore, falë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve që ka edhe një mbështetje të posaçme nga Ministri ynë i Financave, falë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe falë edhe harmonizimit të burimeve financiare me njësitë e qeverisjes vendore. Janë disafish më shumë fondet e investuara nga qeveria në këtë Projekt ku Banka Botërore hyn, për nga pikëpamja financiare, si një “junior partner”.

Kjo është patjetër një arsye që, një herë të vetme, në shumë e shumë herë të tjera, ne të ndihemi “senior partner” në raport me Bankën.

Sigurisht që, nuk duhet harruar edhe fakti që kemi tani një Plan për shtrirjen brenda muajit Mars 2017 në të gjitha njësitë vendore të një rrjeti, që gradualisht do të materializohet në të gjitha Bashkitë, të zyrave të ndërlidhjes të Bashkimit Europian. Zyra ndërlidhjeje ku do të mundësohet edhe aplikimi i pavarur dhe i drejtpërdrejtë i bashkive për të financuar projektet e tyre nga fondet europiane.

Kjo është një gjë që vjen për herë të parë si një instrument i ri në dispozicion të qeverisjes vendore. Faktikisht i bën burimet financiare të bashkive të pakufizuara, patjetër me vetëdijen që kufiri ynë i vetëm që duhet ta shtyjmë sa më shumë të mundemi çdo ditë është kufiri i dijes. Dija jonë lidhur me gjithë këtë potencial të madh financimi dhe me instrumentet alternativë të financimit vazhdon të mbetet shumë e kufizuar. Kjo është një arsye për ta përsëritur për të tretën herë rolin e madh që ka Banka Botërore në mbështetjen e qeverisë dhe në tërësi të niveleve të qeverisjes në Shqipëri, me dije.

Ne kemi bërë një përpjekje që të mos numërojmë veten për turistë, siç ndodhte në të shkuarën, ku, çdonjëri prej nesh ishte një turist që numërohej si i tillë sa herë hynte në Shqipëri gjatë sezonit të turistik, por të numërojmë ata që janë realisht turistë.

Shifrat na flasin shumë qartë për pse ne duhet të jemi të pakënaqur, sepse kemi një rritje të ndjeshme të turizmit dhe të numrit të turistëve. Mjafton të themi se nga 2014-ta në 2015-ën numri i turistëve është rritur me gjysmë milioni. Në 2016-ën, të dhënat e deritanishme që ende nuk janë finalizuar plotësisht, flasin për rritjen e 20% mbi 2015-ën, që do të thotë se, faktikisht, potenciali është shumë i madh.

Por, nga ana tjetër, ne e dinë shumë mirë se në vitin që po lëmë pas agjencitë tona turistike patën 25% më shumë kërkesa se sa ç’mund të ofronte Shqipëria. Këtu ka një hendek të madh që përcakton dhe hendekun mes kontributit të turizmit në ekonominë tonë, me afro 6% dhe kontributit të turizmit në vende si, Greqia apo Kroacia me afro 15%, ndërkohë që mesatarja globale është 10%, ose saktësisht, siç e kam këtu të shkuar 9.8%.

Ellen e tha në fjalimin e saj të inspiruar nga Bob Dylan dhe unë do ta rimarr, duke mbyllur rolin e Patti Smith në këtë paraqitje, impaktin e programit në punësim.

Faktikisht, sot, mund të numërohen rreth 51 mijë të punësuar në sektorin e turizmit, në 2015, ende nuk kemi një shifër përfundimtare në 2016-ën, por, padiskutim që ne mund të shkojmë deri në 250 mijë të punësuar në 2025-ën dhe objektivi ynë është që të jemi 100 mijë plus deri në 2021-shin, që, jo rastësisht me fjalën time, përkon edhe me mbylljen e mandatit të dytë qeverisës, për të cilin askush nuk ka dyshim se do ta ushtrojmë me përgjegjësinë më të plotë.

Edhe një herë shumë respekt për përfaqësuesit e Bankës që janë këtu sot me ne, për Drejtoren Rajonale, për Drejtoren e Zyrës në Tiranë dhe të gjithë atyre që mund të mendojnë se unë në të gjitha këto raste flas më mirë se c’duhet për Bankën Botërore, iu them se kjo më vjen dhe nga një kompleks i të kaluarës kur kam folur shumë herë jo mirë për Bankën Botërore.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.