Deklaratë për shtyp e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Qeveria mbetet e angazhuar për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme përsa i përket lehtësimit dhe eliminimit të çdo lloj burokracie të tepërt, të panevojshme dhe si pasojë, të lodhshme për qytetarët, qoftë kur bëhet fjalë për marrjen e shërbimeve publike nga ana e institucioneve shtetërore, qoftë kur bëhet fjalë për procedura administrative.
Në kuadër të angazhimit tonë për lehtësimin e marrëdhënies së qytetarëve me administratën publike, Këshilli i Ministrave bën sot një hap tjetër të rëndësishëm, duke vendosur se:
Për të gjithë ata qytetarë që duhet të marrin apo dorëzojnë dokumente në zyrat e administratës, këtë javë, ne shtojmë listën e këtyre dokumenteve që mund të tërhiqen online në portalin e-Albania, si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet publike të cilave u nevojiten ato.
Vërtetimet e pensionit dhe Kartën e Shëndetit, qytetarët mund t’i tërheqin, duke filluar nga kjo javë në portalin e- Albania.
Më e rëndësishmja, asnjë institucion shtetëror nuk do t’ua kërkojë më, këto dokumente qytetarëve, për nevoja të procedurave të tyre, duke u kursyer në këtë mënyrë sorollatjet e panevojshme, të gjithë atyre që marrin këto shërbime.