Komunikim i Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetsisë dhe Mbojtjes Sociale Ogerta Manastirliu me gazetarë, lidhur me masat e reja anti-COVID:
Kryeministri Edi Rama:
Sot kemi një komunikim të posaçëm lidhur me situatën e epidemisë dhe përpara se sa Ministrja e Shëndetsisë të bëjë një përmbledhje dhe të japim edhe mesazhin për çka do të ndryshojë, dua të them disa gjëra.
Situata e përgjithshme në Europë dhe me gjerë ka rifilluar të bëhet shqetësuese. Ishte diçka përgjithësisht e parashikuar që me ardhjen e vjeshtës, numrat do të fillonin të rriteshin. Nëse në disa vende po rikthehen masat shtrënguese dhe po shfaqet kërcënimi i një karantine të përgjithshme, ajo çka ne duhet me çdo kush të përpiqemi së bashku dhe të parandalojmë, është një karantinë e përgjithshme.
Një karantinë e përgjithshme e dytë do të ishte shumë e vështirë për vendin, për ekonominë e familjeve dhe patjetër për shtetin. Nuk dua të bëj historikun e asaj që ka ndodhur, por dua të kujtoj që në fazën e parë, ne ia dolëm me shumë sukses të përballim goditjen e furisë së parë të armikut të padukshëm dhe në ndërkohë të sistemojmë sipas të gjithë skenarëve të përshkallëzimit të ekonomisë, të gjithë sistemin tonë mbrojtës në vijën e parë në spital.
Nëse në krye të herës ishte reparti i Infektivit që ishte aty si stacioni i mbrojtjes, sot kemi plot katër spitale të specializuar COVID në Tiranë, spitalet që janë në funksion 24 orë në 24, ku mjekët dhe inferemiret po bëjnë një punë heroike, qoftë në Infektiv, qoftë tek “Shefqet Ndroqi” dhe dy spitale të tjera. Kemi një Urgjencë Kombëtare që është në lartësinë e detyrës dhe e trajnuar specifikisht dhe imtësisht për epideminë, siç e dëshmojnë 100 mijë misione të kryera në terren, sipas specifikave dhe 520 mijë thirrje të trajtuara.
Investimet e bëra për administrimin e kësaj situate kanë rritur kapacitetet në pajisje, si dhe në të gjithë sistemin e logjistikës së spitaleve. Po ashtu janë sot të dyfishuara ekipet e shërbimit në terren.
Kemi 36 autoambulanca të specializuara që janë në proces mbërritjeje.
150 personel mjeksor më shumë, pa llogaritur të gjithë rrjetin e bluzave të bardha, që janë në dispozicion për një emergjencë më të madhe.
Kapacitet e terapisë intensive dhe subintensive janë sot me 500 shtretër të dedikuar, 80% e të cilëve janë të pajisur me linja oksigjeni.
67% është rritur kapaciteti i aparaturave jetëshpëtuese respiratore.
Janë siguruar të gjitha ilaçet dhe terapitë efikase, sipas protokollit të shërbimeve në një masë të konsiderueshme, duke marrë në konsideratë më të keqen.
Janë forcuar ndjeshëm kapacitetet e testimit dhe të hetimit epidemiologjik. Nga muaji qershor, kur mesatarja mujore ka qenë 8800 testime, aktualisht jemi në 24 mijë testime dhe kjo do të vijojë sipas strategjisë së vjeshtë-dimrit, me rritjen e mëtejshme të testimeve, gjurmimin, identifikimin, izolimin e rasteve.
Kemi mbështetur drejtëpëdrejti 1900 mjekë dhe infermierë dhe 268 epidemiologë me bonusin 1000 euro plus mbi rrogën, që vazhdojnë ta marrin çdo muaj, si dhe 754 persona të stafit mbështetës me bonusin 500 euro mbi rrogën, që vazhdojnë ta marrin çdo muaj.
Siç jeni informuar, kemi angazhuar një fond të kosiderueshëm për vaksinimin kundër gripit sezonal, falas, për të gjitha grupet e rrezikuara, proces që ka nisur.
Jemi ndër vendet e para që ka angazhuar financën për të siguruar vaksinën, kur ajo do të jetë në dispozicion. E dini që për vaksinën, të gjitha vendet angazhojnë një shumë dhe zënë një radhë dhe për fat të mirë kemi vepruar shpejt dhe jemi në një grup të parë të vendeve, në radhë për të marrë vaksinën kur ajo del.
Situata epidemiologjike botërisht, ju e shikoni në Europë se çfarë po ndodh, e shikoni në Itali se çfarë po ndodh, në Francë se çfarë po ndodh, pa llogaritur Britaninë, Amerikën, por edhe në Austri mësova që sot, në mëngjes herët është lajmëruar një valë tjetër masash shtrënguese, mbyllje kompanish të mëdha, vendosje e punonjësve në kushte pune nga shtëpia, ndërkohë që Austria, vetëm pak kohë më parë ngjante komplet e çliruar nga virusi. Ne ishim për misionin e OSBE-së dhe na bëri shumë përshtypje që jo vetëm jashtë, por as brenda nuk kishte as maska dhe as dukej gjëkundi që kishte një gjurmë epidemie.
E ja ku jemi përsëri sot, se ky armik i padukshëm mbetet i paparashikueshëm dhe jemi të detyruar që ta ndjekim hap pas hapi këtë proces, duke u adaptuar në çdo situatë.
Situata në vend është larg së qeni një situatë që ne mund ta ndjekim pa u shqetësuar, edhe pse nuk është sot, në kushtet kur kemi një shqetësim disporpocional, le të themi, me parashikueshmërinë që deri më sot ka qenē e përputhur me realitetin. Por të gjithë të kenë parasysh që me ftohjen e sezonit, me uljen e temperaturave, me spostimin e masave të mëdha të njerëzve nga jashtë brenda dhe me rritjen e kohës dhe numrit të njerezve që qëndrojnë në mjedise të mbyllura, me ajrin e kondicionuar, rrezikshmëria e infektimit rritet në mënyrë eksponenciale. Ne duhet të jemi absolutisht të vetëdijshëm që duhet të hedhim një hap dhe t’i qëndrojmë strikt rregullit të ri që do të vendosim nëse nuk duam që të rimbyllemi.
E çdokush, qoftë edhe personat që në mënyrë të habitshme vazhdojnë të mendojnë që kjo është një lojë e madhe, një konspiracion i madh ndërkombëtar i Iluminatit, duhet të mendojë për ekonominë e familjes së tyre. Nëse nuk arrijnë dot të mendojnë për shëndetin e tyre dhe të familjes së tyre, duhet të mendojnë për ekonominë e familjes së tyre. Një mbyllje e përgjithshme nuk do të kursejë askënd, as ata. E për këtë arsye, më mirë sot të hedhim një hap tjetër dhe të jemi të gjithë bashkë solidarë, të vëmendshëm dhe kërkues ndaj njeri-tjetrit, sesa nesër të gjendemi brenda mureve dhe të shikojmë rihapjen e kanalit prej nga do të rrjedhin në drejtim të paditur të ardhurat e familjes, por edhe të ardhurat e ekonomisë së përgjithshme kombëtare.
Mos harroni që jemi në kushtet kur kemi angazhuar gjithçka për të përballuar pasojat e tërmetit. Mjafton t’i hidhni një sy shumës së dedikuar nga buxheti i shtetit me të cilën po ndërtohen shkolla, po ndërtohen banesa. Mos harroni që kemi angazhuar gjithçka që kemi patur mundësi, edhe për të përballuar pasojat e mbylljes së përgjithshme dhe mundësitë nuk janë të pakufishme dhe nuk mundet dot të shkojmë drejt një mbyllje të përgjithshme, si cjapi tek kasapi.
Kini parasysh se para dy ditësh është shënuar dita me numrin më të lartë të infektimeve në botë, si asnjë ditë tjetër, 338 mijë e disa raste. Ne kemi punuar në mënyrë intensive.
Unë nuk kam dashur të stresoj qytetarët, duke e përfshirë në komunikimin e përditshëm mbrojtjen antiCOVID. Ministrja vazhdon të qëndrojë në krye të detyrës, pa orar. Të gjithë ata që janë angazhuar në sistemin e Ministrisë së Shëndetsisë për këtë çështje vazhdojnë të qëndrojnë në krye të detyrës, pa orar. Puna është bërë fantastike nga pikëpamja e volumit të energjive të harxhuara dhe nga pikëpamja e masave të marra, duke u munduar që të krijojmë një balancë mes informacionit dhe lehtësimit psikologjik të njerëzve nga kjo situatë që ka krijuar dhe rëndesë psikologjike.
Edhe falja e gjobave që bëmë, edhe intensiteti i ulët i kontrolleve në mjedise të mbyllura duhet lexuar si një përpjekje për të mirëkuptuar stresin e njerezve, të bizneseve të vogla, të shërbimeve, të kompanive dhe natyrisht, në dëshirën e mirë që vetëdija e çdo qytetari, vetëdija e çdo pronari të cilësdo hapësirë private, vetëdija e çdo përgjegjësi të çdo hapësire publike të brendshme të bëjë punën e vet, pa patur nevojë për masa represive, për grupe kontrollesh e kështu me radhë. Por fatkeqësisht, një pjesë nuk e kanë kuptuar kështu, por ja kanë “hedhur” vetes dhe familjes së tyre, por edhe shoqërisë, duke mos bërë gjërat më elementare, vendosjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe ruajtjen e distancave në mjedise të hapura.
Maska nuk ka qenë as këtu, as pothuajse në të gjithe vendet, e detyrueshme jashtë. Nuk është konsideruar as e domosdoshme nga ekspertët ndërkombëtare dhe siç e dini është një temë e diskutuar në të gjithë botën.
Nga java e ardhshme maska do të jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë, restorantit, apo barit ku je ulur në tavolinë për të konsumuar atë pjesë të kohës aty. Maska do të jetë e detyrueshme në çdo mjedis, në çdo rrugë, në çdo hapësirë publike dhe masa ndëshkimore do të zbatohet për të gjithë tek fatura e dritave.
Të mos ketë asnjë iluzion, asnjë individ që mund t’i shmanget gjobës. Nuk po bëj këtu një rezyme të vendeve që kanë filluar ta aplikojnë maskën edhe jashtë. Italia përpara pak ditësh e vendosi detyrim-përcaktim, të gjithë vendet e rajonit po shkojnë drejt kësaj mase dhe t’ju tregoj sesa gjoba janë vënë në Itali vetëm në një javë.
Unë mendoj që gjoba duhet të jetë e fundit dhe nuk duhet të jetë arsyeja gjoba, pse njerezit duhet të venë maske. Duhet të jetë ekonomia e tyre familjare, nëse për shëndetin nga një vesh ju hyn dhe nga një vesh ju del.
Implementimin e kësaj mase do ta bëjë Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake. Nuk do të përdorim inspektorë, sepse jemi në një betejë për të sistemuar marrëdhëniet me të gjitha shërbimet dhe me të gjitha bizneset, duke ua hequr nga qafa ata inspektorë që ndryshe nga shumica e tyre shkatërrojnë këto marrëdhënie dhe cenojnë dinjitetin e njerëzve dhe të shtetit, por Policia e Shtetit, së bashku me Policinë Bashkiake do të survejojnë të gjithë territorin dhe do të jenë me tolerancë zero për maskat, në rrugë, në autobus, në makinë, në trotuar, në shesh, në park dhe brenda nuk diskutohet.
Nëse për bizneset, gjoba do të vendoset në rrugën tradicionale, për individët, gjoba do t’i faturohet në faturën e dritave. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër.
Kush ankohet për gjobën, e kam thënë gjithmonë, mjafton mos ta marrë. Por ne nuk mund të rrezikojmë sot, kaq shumë, për hir të disave që, fatkeqësisht, në këtë proces janë shumicë. E nuk e dime, nuk e di askush sa do të jetë impakti i përzierjes së gripit sezonal me goditjen e virusit dhe do të përgatitemi për më të keqen. Por unë do të luftoj me mish e me shpirt, bashkë me ministren, bashkë me qytetarët e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, që mos ta mbyllim prapë Shqipërinë, që të mos mbyllim prapë asnjë biznes e asnjë aktivitet, të mos mbyllim prapë shkollat, sepse e dimë shumë mirë se çfarë pasojash ka, ekonomike, financiare dhe psikologjike e gjitha kjo. Ama ne nuk mund të presim që të ndërgjegjësohen njerëzit që e marrin për dobësi nivelin e ulët të valës ndëshkimore, që është e qëllimshme dhe që për shëndetin e tyre dhe të familjes së tyre nuk arrijnë dot të kuptojnë se ky është minimumi i minimumit.
Më mirë një maskë sot se mbyllja e dyqanit, nesër.
Më mirë një maskë sot se mbyllja e shkollës, nesër.
Më mirë një maskë sot se mbyllja e qytetit dhe vendit, nesër.
Shumë e thjeshtë.
Unë s’kam mbajtur maskë jashtë, do mbaj maskë jashtë. Brenda nuk diskutohet.
Siç e shihni, kjo është një tendencë e përgjithshme që ne nuk mund t’i shmangemi. Jo më larg se dje kam parë një sërë vendesh që janë kthyer tek jo më shumë se 5 veta tek oraret e kufizuara të shërbimeve paradite, mbasdite, tek mbyllja e të gjithë restoranteve e bareve në orën 8 të darkë, 9 të darkës. Nuk dua që të shkojmë në këto masa sot dhe mundësisht ta kalojmë dimrin pa këto masa.
Dëgjova që duan dasma. Është gjëja më e natyrshme, por shikoni pak masat për ndalimin e të gjitha llojeve të ceremonive martesore në mjedise jo private dhe me më shumë se 12 persona. Shikoni në Itali dhe gjithë Europën. Duan muzikë. Shkoni gjejeni një vend me muzikë në cilindo vend të Europës. Këto nuk janë dëshira dhe teka. Janë masa elementare. Ne jemi në kushtet që ta përballojmë këtë fazë që kemi përpara të vjeshtë-dimrit dhe ardhjen e gripit sezonal, pa e mbyllur.
Objektivi i çdo shqiptari duhet të jetë të mos rimbyllem në shtëpi, të mos rimbyll dyqanet, të mos detyrohem të mbyll në shtëpi fëmijët, të mos rikthehem në shtëpi se u mbyll shkolla, universiteti, të mos humbas prapë kohë se do mbyllen gjykatat e me radhë.
E për të gjitha këto çfarë duhet?
Një maskë. Asgjë më shumë. Një maskë e thjeshtë që mund ta gjesh në dyqan, ose mund ta bësh vetë. Dhe një mbrojtje dhe ruajtje e distancave për veten tënde.
Duke komunikuar gjithë kohën me grupin e ekspertëve dhe duke marrë së fundmi prej tyre opinionin që është koha për të bërë të detyrueshme maskën, sepse ka dhe një gjë tjetë, që duke abuzuar me faktin që nuk lejohet jashtë, mund të mos e mbajnë as Brenda dhe nuk ka papërgjegjshmëri më të madhe për pronarët e pikave të mëdha të shërbimit, sesa të mos ndalojnë njerëzit që të hyjnë pa maskë në supermarket, apo në një pikë tjetër shërbimi që ka prurje më të madhe se 1-2 persona.
Kjo është ajo çka unë kisha për të thënë për momentin. Ministrja do të bëjë një panoramë më të detajuar, do të japë argumenta nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Komitetit të Ekspertëve.
***
Kryeministri Edi Rama: Një sqarim përpara se të bëni pyetje, nëse keni.
E bëmë këtë komunikim sot, për t’i dhënë pak kohë njerëzve që të përgatiten, të informohen e të jenë gati. Ditën e mërkurë, ne do të publikojmë masën dhe masat ndëshkimore dhe nga dita e enjte, të gjithë me maskë, sapo nxjerrin veten nga shtëpia, kudo. Gjobat do të zbatohen në kohë reale. Nuk do ketë më asnjë mundësi për t’ju shmangur gjobave, sepse do t’i zbatojmë me OSHEE-në.
– Zoti Kryeministër, ju theksoni vazhdimisht që synohet të parandalohet një vetëizolim i dytë i Shqipërisë. A keni biseduar me komunitetin e ekspertëve se cila është kjo shifër të infektuarisht që do ta çonte Shqipërinë në një izolim të dytë?
Pyetja e dytë; Pak ditë më parë krye demokrati Lulzim Basha, në planin e tij ekonomik prezantoi edhe një pikë që lidhet me shëndetësinë. Ai kërkoi bërien e 2500 testimeve, gjithashtu dhe një bonus, një rimbusim për të gjithë ata pacientë, të gjithë ata të infektuar që shërbimin e marrin në shtëpi, pra, t’u rimburohet shërbimi mjekësor.
Kryeministri Edi Rama: Le të qëndrojmë në seriozitetin e çështjes e mos ta ngatërrojmë pokerin e Lulëzim Bashës me çështje serioze, sepse janë dy gjëra që nuk kanë përputhshmëri me njëra tjetrën. Lulzim Basha vepron si në poker ku ngre potin. Këtu jemi për të vepruar si shoqëri dhe si shtet, për të ngritur vigjilencën e nuk janë vetëm numrat e infektimeve, por janë dhe numrat e shtrimeve dhe numrat e atyre që marrin terapi intensive, që krijojnë atë që ka filluar të artikulohet në disa vende si semafori që përcakton dritat që krijojnë mundësinë e lëvizjes, që ndalojnë lëvizjen, ose që e bllokojnë lëvizjen.
Kështu që pa shkuar deri atje, të jemi këtu njëherë ku jemi sot. Jemi në hyrjen e një sezoni të ndryshimit të klimës dhe të ardhjes së gripit sezonal. Kjo do të bëjë natyrshëm që të gjithë të spostothen më shumë brenda se jashtë, atu ku ajri i kondicionuar përbën një nga elementët më të rrezikshëm për infektim, në rast se nuk merr masat. Me futjen e gripit në mes mund të kemi pasoja të forta, që mund të na detyrojnë të mbyllemi përsëri, gjë që unë jam i fundit në këtë vend që e dëshiroj. Prandaj të mbledhim mirë mendjen të gjithë, përfshirë edhe mua dhe maskën kudo, përveçse në shtëpi.
Ndoshta e dëgjuat, Kryeministri italian ju tha italianëve, edhe kur ju vijnë miqtë në shtëpi, mbani maskë. Unë nuk po ju them këtë, por po ju them maskën kudo, përveçse në shtëpi dhe përveçse në kohën që në restorant apo në klub je ulur për të konsumuar diçka me të tjerë e nuk mund ta konsumosh me maskë. Kudo!
Kjo është ajo që dua të përcjell sot, duke ju lutur të gjithëve, aman mos na çoni prapë në tunelin e karantinës së përgjithshme, sepse kostoja e të gjithëve dhe kostoja e përbashkët është e pamerituar për shumicën që respekton rregullat.
– Zoti Kryeministër, ju thatë që maska do të vendosen kudo, përveç shtëpive, bareve dhe restoranteve. Edhe në studio televizive?
Pyetja e dytë; A do ketë një rritje të masës ndëshkimore?
Kryeministri Edi Rama: Ministrja e theksoi që me daljen e aktit përkatës, tanimë që është marrë opinioni dhe direktiva nga ekspertët, ditën e mërkurë, do të ketë dhe përjashtime shumë specifike për të cilat do të informoheni në momentin kur të dalë, që të mos bëjmë këtu përjashtime me fjalë për një rast, apo një tjetër. Por edhe në televizione, ku jeni shumë njerëz që punoni, ju lutem shumë, duhet vënë maska padiskutim. Natyrisht për studiot, masat specifike do të na thonë se si do të veprohet. Sigurisht që nuk mund të – besoj unë, – të kemi intervista në studio me maska, por është shumë e rëndësishme që masat specifike, përjashtimet specifike të jenë shumë, shumë rigoroze e të reduktuara në maksimum.
Maska të kthehet në normalitetin e këtyre muajve, të paktën deri në shkurt, kur fillon del gjethi dhe dielli, se në varësi nga numrat e nga situata nuk na kushton asnjë gjë që ta përballojmë këtë bezdi, për të parandaluar një kosto të tepërt për ekonominë e çdokujt dhe për shëndetin e atyre që mund të goditen. E keni parë, është një virus i hatashëm në mënyrën se si sillet. Ka njerëz që nuk ndjejnë asgjë, ka njerëz që e kalojnë lehtë, ka njerëz që e kalojnë rëndë, por ka edhe njerëz që ndërrojnë jetë. Nuk dua t’ju sjell këtu shembuj, se ju i dini, i njihni, njerëz që na kanë tronditur me faktin që kanë ndërruar jetë. Kështu që, pse duhet të diskutojmë një bezdi, kur bëhet fjalë për të parandaluar një pasojë shumë të gjithanshme, shumë më të madhe sesa bezdia e mbajtjes së maskës.
Unë kam qenë shumë i lumtur që maska nuk ishte e detyrueshme dhe e domosdoshme në asnjë vend dhe me ekspertët, sa herë kam komunikuar, i thoja, aman vetëm në ajër të pastër, të paktën të kemi mundësi që të mjaftohemi me distancat e me higjienën. Por me sa kuptoj, arsyeja që e sjell sot, kudo, edhe në vendet që nuk e kanë bërë akoma, brenda pak ditësh, pak javësh, të jeni të sigurt që do ta bëjnë maskën, është se një pjesë sado e vogël që nuk e mban, e bën dëmin. Ndërkohë që ti mund ta mbash e të ruash distancat, por ta bën hatanë tjetri.
Besoj se do kemi mirëkuptimin e njerëzve në këtë proces.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe ju lutem na jepni si gjithmonë, por në këtë rast me pak më shumë focus, ndihmën tuaj që të përcjellim në mënyrë intensive këto ditë, mesazhin që nga dita e enjte, maskat do të jenë të detyrueshme për të gjithë, nga Kryeministri deri tek qytetari në skajin më të largët, në çdo moment jashtë shtëpisë, në rrugë, në park, në trotuar, mjedis i hapur, shesh, mjedis i mbyllur nuk diskutohet. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policitë Bashkiake do të implementojë, do të jetësojë këtë masë, duke ndëshkuar të gjitha rastet e shkeljeve, të cilat do të faturohen drejtpërdrejtë tek dritat, pra, do t’i bashkëngjiten faturës së dritave, në mënyrë që jo vetëm punonjësit e shtetit dhe individët që kanë bizneset, por dhe individët që janë jashtë këtyre kategorive të mos kenë asnjë mundësi të mendojnë që gjobën do ta marri era. Do të zbatohen pikë për pikë e për punonjësit e shtetit, masa do të jetë edhe më e rëndë, sepse punonjësi i shtetit duhet të jetë i pari që të tregojë shembullin në zbatimin e ligjeve dhe të urdhërave të qeverisë.
Të mërkurën do të publikohet Akti Normativ, edhe me shqetësimet tuaja specifike, por, sikur të ulej pak zëri nëpër studio, duke mbajtur parasysh edhe këshillën e ministrit të Mjedisit për punën e valëve, do të ishte dhe kjo, një ndihmë e madhe.
Faleminderit!