Fjala e Kryeministrit Rama në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar:
Kënaqësi që jemi në mbledhjen e 10-të të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Që në 7 janar, kur ky Këshill ka bërë mbledhjen e tij të parë, ka rezultuar në vazhdimësi një instrument i rëndësishëm i ndërveprimit mes gjithë aktorëve institucionalë dhe faktorëve me rëndësi të dorës së parë në adresimin e çështjeve themelore të ekonomisë dhe në trajtimin e kuadrit të reformave tona që synojnë rritjen e ekonomisë, përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe padyshim, rritjen e punësimit dhe të mirëqenies, si rezultat i drejtpërdrejtë dhe parësor në këtë proces.
Sigurisht që, publiku nuk ka qenë gjithnjë dëshmitar i këtyre mbledhjeve që kemi preferuar përgjithësisht t’i bëjmë si mbledhje të vërteta pune dhe jo si takime mediatike. Por këtu, në vijimësi, ne nuk kemi munguar të shprehim vlerësimin tonë, qoftë ndaj partnerëve të pazëvendësueshëm në këtë rrugëtim të vështirë, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore e me radhë institucione të përfaqësuara këtu dhe qoftë edhe drejtpërdrejt ndaj sipërmarrjes, përmes përfaqësuesve të saj.
Sikundër, në këtë instancë kemi mundur të diskutojmë me shumë seriozitet, por edhe me mundësinë e jashtëzakonshme të ndërveprimit dhe të ballafaqimit të këndvështrimeve shpesh të ndryshme dhe ndonjëherë edhe të kundërta programin me Fondit Monetar Ndërkombëtar, mekanizmat e monitorimit të Qeverisë, ligjin e ri për TVSH-në, reformën e pensioneve, reformat e tjera strukturore, masat për luftën me ekonominë informale dhe një seri çështjesh dhe temash të tjera.
I jam posaçërisht mirënjohës sot Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Shoqatës “Biznes Albania” për avancimin e një analize teknike lidhur me paketën fiskale dhe për komentet e tyre adresuar, qoftë në tërësi, qoftë sipas sektorëve.
Sot, parapëlqyem ta ndajmë me publikun këtë pjesë të parë të mbledhjes së radhës të Këshillit Ekonomik Kombëtar, pikërisht, sepse është mbledhja e fundit e vitit, por edhe sepse flitet për tema madhore të punës së këtij Këshilli, sigurisht të punës së Qeverisë, siç është Paketa Fiskale, buxheti i vitit 2015 dhe i fundit, por jo për nga rëndësia, projektligji për sektorin e energjisë elektrike, që do të paraqitet i detajuar nga Ministri i Energjisë dhe pastaj do të kalojë në rrugën e vet drejt miratimit në Parlament.
Duke filluar pikërisht nga projektligji për sektorin e energjisë elektrike dua të nënvizoj disa aspekte, qoftë aktivitetit korent të qeverisë, qoftë dhe të synimeve tona për sa i përket çdonjërit prej këtyre aspekteve.
Në radhë të parë, më në fund, Shqipëria përgatitet të kalojë një ligj që garanton përmbushjen e detyrimit të Shqipërisë si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Arsyet e krijimit të këtij Traktati, që ndryshe njihet me emrin “Paketa e 3-të e energjisë” janë të shprehura qartazi nga Komisioni Europian dhe nënvizuar qartë me qëllim ripërkufizimin e rregullave dhe masave të aplikuara që synojnë garantimin e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e konsumatorit në sektorin e energjisë elektrike. Këto dy aspekte, nga njëra anë konkurrenca e ndershme dhe nga ana tjetër mbrojtja e konsumatorit të energjisë elektrike, janë dhe dy aspektet që orientojnë të gjithë projektligjin që duhet të shihet edhe si një pjesë tjetër komplementare me operacionin e thellë kundër hajdutërisë dhe hajdutëve të energjisë në vendin tonë. Sepse, operacioni kundër hajdutërisë dhe hajdutëve të energjisë në Shqipëri synon nga njëra anë të vendosë, më në fund, pas kaq shumë vitesh jashtë gjithë binarëve të ligjit dhe binarëve të arsyes ekonomike dhe sociale, vendosjen në binarët e shtetit modern të raportit me këtë pasuri kolosale të vendit tonë, që në vend që të ishte burim përfitimi dhe mirëqenie për shqiptarët është kthyer në një burim problemesh dhe stresesh të pafundme për Shqipërinë. Nga ana tjetër, projektligji siguron një bazë solide për zhvillimin e sektorit, duke krijuar premisën që sektori të hapet për krijimin dhe funksionimin e tregjeve të shumicës, për lehtësimin e procedurave lidhur me shfrytëzimin e burimeve të reja prodhuese me fuqi të vogël, për hapjen e mëtejshme të tregut të energjisë për të gjithë konsumatorët dhe e fundit përsëri jo nga rëndësia, strukturimin e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike si një institucion modern dhe europian që garanton sistemin, por garanton edhe përdoruesin.
Pikërisht për të shkuar përpara me një qasje komplekse dhe për ta kthyer këtë sektor nga sektori i problemeve më madhore për vendin, në sektorin e prodhimit të një vlere të shtuar të pasurisë dhe të mirëqenies së këtij vendi është paraparë dhe një afat kohor, deri në vitin 2018, që do të dali, përfundimisht dhe plotësisht në tregun e liberalizuar për konsumatorët jo familjarë të lidhur me nivel tensioni mbi 0.4 kilovat.
Dua të nënvizoj që projektligji as parashikon dhe as do të parashikojë asnjë falje faturash, por, në të kundërt, përfshijnë dispozita specifike për ekzekutimin e faturave të energjisë elektrike. Këtu dua që të ndaj me ju dhe të shfrytëzoj rastin për të ndarë me publikun bindjen se jo vetëm në këtë operacion duhet të jemi të gjithë sëbashku, pa asnjë dallim, sepse nga ky operacion nuk varet fati i qeverisë apo fati i një pjesë të shoqërisë, por varet fati i vendit tonë dhe varet shumë se çfarë do të jetë Shqipëria pas disa vitesh. Por edhe sepse ky operacion është themeli i pazëvendësueshëm për të ngritur gjithë ngrehinën e re të sektorit të energjisë.
Sigurisht, do të ishim dritëshkurtër në rast se do të mendonim që ky operacion në vetvete mjafton. Nga ana tjetër, dua që të gjithë ta dinë se jemi shumë të vetëdijshëm jo vetëm që ky operacion në vetvete nuk mjafton, por që ky operacion është vetëm një pjesë e një plani të mirëpërcaktuar, me një vizion të qartë dhe një programi të ndërtuar me një ndërveprim të plotë me institucionet financiarë dhe me një ekspertizë të nivelit më të lartë botëror, duke marrë në konsideratë dhe eksperiencat e vendeve të ndryshme, eksperiencat e suksesit dhe të dështimit për t’ja dalë në fund që t’i heqim Shqipërisë njollën e zezë të një vendi që vjedh vetveten prej 20 vitesh, duke vjedhur pasurinë e vet më strategjike. Njëkohësisht, që ta kthejmë këtë burim që na ka falur Zoti apo natyra në një burim fitimi dhe mirëqenieje për popullin tonë.
Sot unë isha në Librazhd. Librazhdi është një nga zonat më të varfra të vendit tonë. E sjell këtu përpara jush Librazhdin për t’ju thënë që është dhe një nga zonat me paguesit më të rregullt të energjisë elektrike në Shqipëri. Jam i mbushur me inkurajim dhe me shpresë nga kontakti me shumë njerëz, njerëz të varfër, njerëz shpesh të papunë, që takova sot në Librazhd dhe që kryefjalën e bashkëbisedimit kishin inkurajimin për të mos u kthyer pas në këtë operacion. Sepse janë ata njerëzit e ndershëm dhe të urtë të këtij vendi që për kaq shumë vite kanë mbajtur në kurriz barrën edhe për hajdutët dhe për gjithë spekulantët dhe shkelësit e ligjit që me gjithfarë alibish e kanë detyruar këtë vend në tërësi të paguajë një çmim marramendës të kësaj marrëzie, që është vjedhja masive e energjisë. Por, nga ana tjetër, kanë detyruar çdo njeri të ndershëm, çdo konsumator korrekt që të paguajë dhe për ta. Prandaj jemi katandisur sot, në këtë far derexheje ku kemi një sektor që ka akumuluar 1.1 miliardë dollarë borxhe, borxhe të drejtpërdrejta, apo borxhe indirekte, borxhe të sistemit apo borxhe mes sistemit dhe sistemit bankar apo vetë sistemit tonë shtetëror.
Duke dalë tek buxheti ne sot kemi një deficit të ulur me 48 % në raport me një vit më parë. Një buxhet, që krijon hapësirë për rreth 80 miliardë lekë investime publike pa llogaritur dhe miliardat që do të paguajmë për të plotësuar detyrimin tonë ndaj sipërmarrjes për borxhet e prapambetura që edhe ato janë investim i drejtpërdrejtë në ekonomi.
Por kur mendon që i gjithë ky vend me të gjithë të ardhurat e veta arrin të mobilizojë vetëm 80 miliardë lekë nga investimet publike dhe 20 miliard lekë, ndër to, ia dedikon sektorit të energjisë, kurse nga ana tjetër çdo vit janë 20 miliardë të tjera që i humbasin pikërisht për shkak të vjedhjeve dhe të humbjeve në këtë sektor është për të vënë ulërimën. Është për të vënë ulërimën përpara kujtdo që ka kurajën të mundohet të provojë të kundërtën, përpara kujtdo që ka kurajën të pretendojë se Shqipëria mund të vazhdojë ende me avazin e vjetër, në emër të varfërisë, në emër të pamundësisë, në emër të kujt di unë se kujt tjetër.
E pra, ja dy shifra shumë domethënëse për të mbyllur çdo gojë që varet nga mendja dhe që nuk i merr urdhrat nga marrëzia.
98 % e pensionistëve të këtij vendi, që janë njerëzit më të varfër në këtë vend, paguajnë rregullisht faturat energjisë elektrike. 95% e personave me aftësi të kufizuar, invalidë, paraplegjikë, tetraplegjikë që janë pjesa më vulnerabël e këtij vendi paguajnë rregullisht energjinë elektrike. Atëherë kush është më i varfër se këta? Kush ka gojë të thotë se këta le ta paguajnë po unë s’e paguaj dot? Kujt mund t’i tolerohet që të vazhdojë ta vjedhë energjinë elektrike me çfarëdo qoftë arsyeje kur këta, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar, janë kampionët në respektimin e ligjit dhe në pagesën e faturës së energjisë? Apo pse janë më të dobëtit, apo pse i tremben më shumë ligjit, ndërkohë që këtu në këtë vend ligji në fakt ka funksionuar si kamxhik për më të dobëtit. Duhet të vazhdojmë po njësoj? Ndërkohë që nga ana tjetër, së fundi kam parë dhe shifrat e operacionit kundër hajdutërisë dhe i hedh poshtë të gjithë akuzat dhe të gjithë spekulimet se medemek ky aksion po merret me fukarenjtë. Kjo është e pavërtetë! Janë ndaluar, janë arrestuar, janë sot prapa hekurave në shumicën dërrmuese njerëz që janë kapur duke bërë biznes me energji të vjedhur dhe jo fukarenj.
Por sigurisht që operacioni nuk është ndërtuar për të kapur vetëm njerëzit që bëjnë biznes me energjinë, por për të kapur çdo hajdut të energjisë elektrike. Operacioni do të vazhdojë pa asnjë lloj dyshimi. Se 20 miliardë që vidhen çdo vit, plus 20 miliardë që buxheti i shtetit ia dedikon sektorit, çfarë janë tjetër, përveçse mundi, sakrifica dhe sensi etik i bashkëjetesës brenda kuadrit të një shteti, të njerëzve që i paguajnë detyrimet, përveçse një seri borxhesh të lëna në kurriz të shqiptarëve.
Ne nuk kemi asnjë mundësi, asnjë tagër, asnjë mandat që të tolerojmë asnjë hajdut. Nuk e kemi. Dua ta përsëris që ne këtu nuk qeverisim as për vete dhe nuk e kemi qeverisjen në dispozicion të marrjes së mandatit tonë të radhës. Mandati ynë i rradhës do të vijë vetëm nëse ne do të respektojmë këtë mandat dhe vetëm nëse ne do t’i qëndrojmë detyrimeve që kemi në raport me popullin shqiptar për atë votë që na dha një vit më parë, për të bërë shtet, për të ndërtuar Shqipërinë europiane.
Se kemi shumë qejf ta përdorim fjalën “europiane, europiane, europiane”, por europiane është në radhë të parë që të mos jetosh në kurriz të tjetrit, duke vjedhur atë që tjetri paguan. Kjo është europiane në radhë të parë. Nga ana tjetër kam dëgjuar njerëz që thonë hapni njëherë vende pune, pastaj kapni hajdutët e energjisë. Po si hapen vendet e punës nëse nuk kemi më shumë investime private, vendase dhe të huaja? Dhe si mund të kemi më shumë investime të huaja, se mirë investitorët privatë në Shqipëri, shqiptarët, janë mësuar të marrin shumë rrisqe, por si do t’i marrin këto rrisqe investitorët e huaj e do vijnë t’i hedhin paratë këtu, në një vend ku vidhet energjia elektrike? Në një vend që energjia elektrike është një nga elementet që cënon drejtpërdrejtë konkurrencën dhe në një vend që nuk ka siguri energjetike? Kjo është e pamundur. Ashtu sikundër kam dëgjuar njerëz që thonë, dakort kërkojini ju paratë për energji elektrike, por më parë siguroni që i gjithë sistemi të funksionojë perfekt. Por si të garantojmë ne që sistemi të funksionojë perfekt nëse ne nuk investojmë në sistem dhe si mund të investojmë ne në sistem nëse nuk mbledhim paratë? Fatkeqësia e madhe kombëtare që lidhet drejtpërdrejtë me gropën e krijuar gjatë gjithë këtyre viteve nga hajdutëria e bërë me bekimin e qeverisë, ka qenë pikërisht qeverisja për mandatin tjetër. Qeverisim sot, jo për të bërë detyrat sot, por si të marrim mandatin tjetër. E për të marrë mandatin tjetër pranojmë të bashkëjetojmë me hajdutët, madje t’u shkelim syrin hajdutëve që të mos na mërziten hajdutët se mbase nuk na japin votën pastaj, e na marrin në qafë dhe ne humbasim pushtetin. Kurrë mos pastë njeri pushtet në këtë vend, me këtë forma! E kurrë mos i ardhtë pushteti njeriu në këtë vend, në qoftë se çmimi për të marrë pushtetin “edhe njëherë, edhe njëherë, edhe njëherë”, – është t’ja fusim Shqipërisë zjarrin nga poshtë.
Nga ana tjetër, dhe këtu dua ta mbyll me këtë pjesë, unë jam shumë i vetëdijshëm edhe për faktin se sot ka plot nga ata të cilët nuk e kanë vjedhur energjinë elektrike, por dhe nuk e kanë paguar energjinë elektrike, për arsye nga më të ndryshmet dhe kanë akumuluar borxhe të mëdha.
Sigurisht që duhet një mekanizëm, për të cilin ne po punojmë, për të ristrukturuar këto borxhe në raport me kompaninë. Por fjalët “falje të kamatave”, “falje të borxheve”, “falje të këtyre”, “falje të atyre”, nuk duhet t’i konsiderojmë si opsion. E dini pse? Sepse kemi bërë një analizë dhe Ministri i Energjisë mund të dëshmojë për këtë, dua ta përgëzoj për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe për faktin se më në fund pas 20 vjetësh nuk kemi një operacion, por kemi një program të plotë të rimëkëmbjes të sektorit energjetik. Çfarë kemi analizuar? Çfarë kanë sjellë faljet në të shkuarën, të kamatvonesave dhe këto teoritë e legalizimeve pa qenë të gatshëm për të ndaluar vjedhjet dhe abuzimet? Kanë sjellë vjedhje dhe abuzime më shumë, kanë sjellë rënie të menjëhershme të arkëtimeve nga 15%, nga 20%, nga 25 %, menjëherë. Është normale, është reagimi më normal. E për këtë arsye ne do t’u japim të gjithë mundësinë e dytë, atyre që duan të futen në sistem.
Por mundësia e dytë do të jetë e lidhur me gatishmërinë për t’u futur në sistem dhe njëkohësisht, me pagesën e pjesës që secilit i takon.
Shumë shpejt, ministri i Energjisë do të bëjë publik mekanizmin dhe sëbashku do të garantojmë që kompania të veprojë ashtu siç duhet. Jemi të vetëdijshëm edhe për mangësitë e kompanisë. Edhe për mangësitë në sjellje, në qasje, në reagim të kompanisë, kur vjen puna për t’i shërbyer klientit. Ndërkohë që kompania ka bërë progres të konsiderueshëm në aspektin e tërheqjes së litarëve që ishin hedhur të tërë dhe ishte një anije në det të hapur, që e përplasnin dallgët e interesave nga të katër anët, shërbimi ndaj klientit lë shumë për të dëshiruar. Por askush që ka punuar një muaj nuk mund të pretendojë që gjithçka të kthehet sa hap e mbyll sytë, nga një katrahurë në një funksionim tërësisht normal. Pikërisht pse kompania në nivelin e shërbimit të klientit është larg së qeni ajo që duhet, ne do të marrim përsipër si përgjegjësi nga ana e shtetit, jo si politikë bamirësie, se nuk ka të drejtë njeri të bëjë bamirësi me paratë e popullit shqiptar, lehtësimin e procesit të trajtimit të borxheve. Është përgjegjësi. Jo falje, por përgjegjësi. Kështu do të hyjmë në një ndërveprim me konsumatorët që duan të futen në sistem dhe nuk duan të shkojnë në burg.
Përsa i përket paketës fiskale, kam dëgjuar me shumë vëmendje të gjitha kritikat, vërejtjet dhe sugjerimet, dashamirëse ose jo dashamirëse. Dashamirëse konsideroj ato që vijnë nga sipërmarrja, në kuptimin që sigurisht sipërmarrja sheh interesin e vet dhe për këtë është krijuar që të shohë interesin e vet, jo të shohi interesin e Qeverisë dhe ju siguroj që në këtë Qeveri i kemi të gjitha kapacitet për të bërë maksimumin, por nuk kemi mundësi të shkojmë përtej maksimumit. Në këtë vend, besojmë tani për tani jo për shkakun tonë, por për shkak të 20 viteve ecje qorrazi në rrugën e një zhvillimi të paqëndrueshëm, maksimumi është i përcaktuar.
Përpjekja për të ikur përtej maksimumit, me delirin që të bëjmë një superfuqi energjetike, të bëjmë një superfuqi bërthamore, të bëjmë një superfuqi këtu e atje, na solli aty ku ne e gjetëm vendin, një përpjekje delirante për një Shqipëri që në vend që të ecte në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, u zhyt në borxhe dhe ju e dini shumë mirë dhe për këtë arsye, unë besoj se sipërmarrja, e para, nuk duhet ta harrojë kur flet për këtë Qeveri, që kjo është e para Qeveri në Republikën e Shqipërisë që respekton detyrimet ndaj sipërmarrjes. 720 milionë dollarë që i gjetëm përpara si plaçkë, po i quaj plaçkë, – ju e dini në shqip ka një fjalë tjetër, – të lënë në derë, nuk thamë që ç’ne në derën tonë, se nuk është e jona kjo. Por e morëm si detyrim tonin dhe do i paguajmë një për një, 720 milionë dollarë sipërmarrjes, për rrugët, për ilaçet e papaguara, për shërbimet në shkollë të papaguara e për gjithfarë, për TVSH-të e parimbursuera ejt., etj., etj., që deri dje, kur shkonit në komisionet parlamentare, ju thonin do ta bëni këtë për patriotizëm, se nuk jeni patriotë në qoftë se nuk investoni nga lekët tuaja për të bërë rrugët elektorale të Qeverisë. Kurse ne nuk ju themi kështu. Ne ju themi: Qindarkë për qindarkë do të merrni lekët mbrapsht.
Kemi dismbursuar deri tani rreth 260 milionë dollarë, kemi gati për të shkuar deri në fund të dhjetorit në shumën e parashikuar për këtë vit, por pritëm vëzhgimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për mënyrën se si është bërë dhënia e parave. Jam shumë krenar sot, këtu t’ju them që ekipi vëzhgues i FMN-së që ka ndjekur të gjitha procedurat ka dalë në konkluzionin që kjo është bërë në mënyrë transparente, jo klienteliste siç bëhej deri dje, se e dini mirë që edhe ajo pjesë TVSH-je që rimbursohej, rimbursohej në bashkëpunim, po themi, njësoj si vjedhja në bashkëpunim. Po kjo nuk ishte vjedhje në bashkëpunim, por ishte përfitim në bashkëpunim mes juve që ju takonte dhe atyre që ishin këtu në këtë godinë dhe nuk ju takonte. Pasi FMN ka dhënë vlerësimin e plotë pozitiv për mënyrën si është vepruar deri tani, do të vazhdojmë tani me disbursimin e parave të tjera dhe kjo duhet ta bëjë, besoj unë, sipërmarrjen të vetëdijshme se kjo Qeveri po bën maksimumin.
Ndërkohë që unë jam i vetëdijshëm se maksimumi sot, një vit pas marrjes së kësaj përgjegjësie, është ende qartësisht i kufizuar. I kufizuar nga detyrime të prapambetura, i kufizuar nga rikthimi i Qeverisë në përgjegjshmëri dhe i kufizuar edhe nga vetëdija se nuk jemi këtu për të bërë rrush e kumbulla të ardhmen. Se deri dje është bërë rrush e kumbulla jo buxheti i shtetit, por e ardhmja. Merr nga e ardhmja dhe hidhe rrugëve për të bërë propagandë.
Sot, duke u kthyer me Ministrin e Transportit kemi qëndruar tek pjesa e mbetur e rrugës së Elbasanit, që juve e dini mirë që u inaugurua, u bë me tunel, madje më kujtohet njëri që doli e tha: kalova dy herë tunelin, se unë kam gjyzlykë dhe kujtova se ma bënin gjyzlykët të madh. Hoqa gjyzlykët dhe e pashë që ishte i madh.
Ndërkohë që, pjesa e mbetur e rrugës është dashur të ribëhet projekti nga e para. Projekt i bërë pa asnjë lloj analize gjeologjike, ku filluan të shfaqen dhe rrëshqitjet dhe kompania kur erdhi në fillim e tha, ju lutem shumë, nuk kemi pasur mundësi as të hapim gojën, tani po ju themi ribëni projektin se nuk funksion, unë mendova se qahej kompania, s’ishte e vërtetë. Dhe si rruga që lidh Tiranën me Elbasanin, po ju them se të gjitha rrugët, shikoni rrugën e daljes nga Tirana në rrugën nga ana e Elbasanit, është dashur të rimerremi me projektin nga e para. Se rrugën kryesore që hyn në kryeqytet e kishin bërë si shteg dhish me katër rrota. Gjërat duhen parë dhe nga ana jonë, ashtu siç i shohim nga ana juaj.
Megjithatë dhe këtu dua të vazhdoj me paketën fiskale, se dëgjoj rritje taksash, rritje taksash, rritje taksash. Shikoj edhe qytetarë që duken që në pamje të parë që nuk paguajnë asnjë taksë, që ankohen për rritje taksash, rritje taksash, rritje taksash.
Çfarë taksash kemi rritur ne?
Ne kemi rritur tre taksa që nuk afektojnë në asnjë sens, qasjen tonë dhe çfarë ne u kemi thënë njerëzve.
Kemi rritur me 10 lekë taksën e qarkullimit dhe të karbonit, pra, tek nafta, gjë që e bëmë edhe vjet. Kur e bëmë vjet, u hodhën të gjithë, do mbyllen furrat e bukës, nuk do vijnë më anije në Shqipëri se nuk do kenë me çfarë të kthehen, makinat nuk do dalin më në rrugë, nuk kemi ku gjejmë biçikleta, do na hanë minjtë.
Ku jemi?
Pra, do rritej çmimi i naftës në një masë të atillë që papritur e pakujtuar, ne do ishim këtu në një luftë me minjtë se kush do të hante njëri-tjetrin. Jo vetëm që çmimi i naftës nuk u rrit, por, nëse sot një vit kishim një çmim, po ju marr mesataren, 1920 lekë, shikojeni çmimin e naftës ku e keni sot. Është mesatarisht, përsëri duke marrë mesataren, rreth 60 lekë më i ulët. Sigurisht është konjuktura ndërkombëtare, por ne konjukturën ndërkombëtare e dinim edhe atëherë, e dimë edhe sot. Unë i siguroj shqiptarët se nga kjo taksë 10 lekë nuk do të ndjejnë absolutisht asgjë, as ata dhe jo ekonomia e vendit. E ndërkohë, sigurisht do të ulemi në një bisedë serioze me distributorët e naftës, sepse kemi edhe një element tjetër të rëndësishëm për të diskutuar me ta, lidhur me raportin mes çmimit këtu dhe konjukturës ndërkombëtare dhe çmimit në rajon. Por që kjo nuk ka të bëjë me taksën.
Së dyti, akciza e duhanit. E kemi thënë përpara dhe e them prapë dhe prapë, në qoftë se do kemi mundësi, ne do ta rrisim akcizën e duhanit edhe një herë tjetër dhe sa herë të jetë e mundshme, deri ku të jetë limiti i mundshëm, sepse ne jemi kundër duhanit. Është e hapur, e qartë, e drejtpërdrejtë. Ne nuk e konsiderojmë këtë rëndim të konsumatori, e konsiderojmë lehtësim të konsumatorit, të shëndetit të tij dhe duam të shpëtojmë sa më shumë njerëz nga kanceri dhe nga katastrofa që prodhon në trupin e njeriut, kjo flamë. E, për më tepër, s’jemi fare jashtë tendencës europiane dhe jashtë tendencës ndërkombëtare. Dihet botërisht sesi shkon kjo punë, në gjithë historikun e raporteve çmim dhe produkt tek duhani.
Së treti, tek depozitat. Jemi vendi më absurd në Europë dhe në Ballkan dhe këtu besoj më jepni të drejtë. Kemi një nivel depozitash të paimagjinueshëm, 9 miliardë dollarë depozita. Ne duam të stimulojmë nxjerrjen e këtyre dhe investimin. Është e thjeshtë fare. Është e drejtpërdrejtë.
Por ama, qoftë tek e para, qoftë tek e dyta dhe qoftë tek e treta nuk jemi duke prekur as mësuesit, as infermierët dhe askënd nga e gjithë ajo masë e 97% të shqiptarëve që përfituan nga kalimi nga taksa e sheshtë tek taksimi i ndershëm.
Dhe do të bëjmë edhe një llogari tjetër, por nuk do ta bëjmë këtu. Do ta bëjmë në parlament ditën e enjte dhe më pastaj, sesi është e vërteta lidhur me taksat në xhepin e atyre shqiptarëve që ju kemi thënë: ne, juve do t’ju ulim taksat.
Ndërkohë që juve që jeni këtu, të biznesit, ju kemi thënë: do t’jua rrisim taksat. Nuk ju kemi gënjyer. Kur kemi thënë taksim të ndershëm, kemi thënë do t’jua rrisim. Kemi shkuar nga 10 në 15 dhe më duket se nuk kemi bërë ndonjë gjë që juve nuk e keni mbajtur dot. Përkundrazi, gëzohem shumë, ju shoh në formë dhe të kënaqur për një gjë tjetër dhe këtu duhet të na e jepni neve këtë benefit, që rimbursimin e TVSH-së, i dashur Nikolin, e keni siç nuk e keni parë në ëndrrën tuaj më të bukur, për 20 vjet rresht. Apo jo!
Ky është një nga vlerësimet që bën edhe misioni i FMN-së, TVSH e rimbursuar drejtpërdrejt. Fatmirësisht kam dëgjuar fjalë që mund të kenë bazë, mund të mos kenë bazë, sigurisht kanë edhe bazë, korrupsion këtu, korrupsion atje, por nuk kam dëgjuar ndonjë sipërmarrës të më thotë që mu desh të paguaj për të marrë rimbursimin e TSH-së. Ndërkohë që nuk po ju them juve, nuk dua t’ju vë në pozitë, por kolegë tuaj mund të japin dëshmi plot si e kanë ndarë TVSH-në me ata të TVSH-së përpara, për të marrë, nuk e di si e kishit, e filluat 90 me 10 dhe në fund kaluat 50 me 50 për ta marrë. Mund edhe mos ta merrnit, se mund të ishte me dhimbje koke ai, jo s’dal dot tani, por do dal ditën e hënë.
Rimbursimi i TVSH-së është i plotë, i menjëhershëm dhe madje kemi akoma për të bërë në këtë drejtim për disa sektorë dhe do ta bëjmë. Kështu që në pikëpamje të qeverisjes besoj që kemi bërë një avancim serioz.
Siç rrisim këto tre taksa, ulim apo zerojmë 15 të tjera në paketën tonë fiskale. Të gjitha të lidhura drejtpërdrejt me prodhimin.
Nga ana tjetër ka edhe një element tjetër që ju duhet ta llogarisni. Ne jua kemi bërë këtë si llogari kur ishim në opozitë dhe ju thoshim: shiko, ju nuk e keni 10%. Dhe ju qeshnit. Por atëherë nuk flisnit dot, se nuk e dinit do fitonim ne apo s’do fitonim ne dhe ata që ju dëgjonin apo shikonin nga televizori mund t’ju thërrisnin e t’ju thoshin pse fole. Ju kemi bërë llogarinë dhe ju kemi thënë: po, 10% është, e sheshtë, por është 10% që i jepni shtetit. Kurse ajo që u jepni njerëzve të pushtetit, jua kemi bërë llogarinë, kemi edhe këtu prezent njerëz, po nuk po tregoj kush është, që kanë paguar edhe 300%, në formën e gjobave arbitrare.
Jemi shumë krenarë edhe për faktin që nuk jemi Qeveri dhe nuk kemi një administratë tatimore që bazohet tek gjobat dhe turret tek ju për të bërë planin, ka ardhur njeri ju, tu thotë aman plani, por meqë kemi planin hajde të ndajmë bashkë ndonjë lek. E pra, në këtë aspekt, besoj që i kemi qëndruar edhe një diskutimi, që kemi bërë dhe një marrëveshje me Dhomën Amerikane të Tregtisë dhe megjithëse Dhoma Amerikane e Tregtisë mund të ketë akoma, se përndryshe nuk do të ishte Dhomë Amerikane, rezerva ndaj Qeverisë, ne, në këtë pikë, jemi shumë kryelartë sepse nuk kemi një qeveri gjobalish dhe gjobash. Ashtu sikundër nga ana tjetër, unë kërkesën e hershme të Dhomës Amerikane të Tregtisë për lehtësimin e mëtejshëm dhe thjeshtimin e procedurave tatimore, e kam parë, të gjithë e kemi parë, si kërkese legjitime dhe jemi në vazhdimësi në kërkim të lehtësimit të vazhdueshëm të masave, qoftë procedurat në doganë, qoftë tek procedurat e tatimeve.
Vendosja e detyrimeve që administrata tatimore të publikojë vendimet e gjykatave, në lidhje me çështjet tatimore dhe uljen e gjobave për mosregjistrim, mungesë pajisjesh, mosdeklarim të punonjësve, që e kanë sugjeruar Dhoma Amerikane e Tregtisë, duke synuar transparencën. E dyta, uljen deri pesëfish të masave administrative të barrës për tatimpaguesit, janë legjitime. Por dua të nënvizoj diçka: Kemi një kryefjalë që e kemi dhe ne. Juve këtë kryefjalë e përdorni për të justifikuar betejën tuaj që të na pengoni që ne të jemi më të rreptë, që thoni të ulim informalitetin. Është e vërtetë dhe ne këtë e kemi kryefjalë. Por nuk është sfidë vetëm e jona, por është një sfidë e përbashkët.
Ne mund të bëjmë zgjedhjen që kanë bërë paraardhësit tanë, të zgjidhnim rrugën e lehtë dhe të bënim kompromis me ata që vjedhin, me ata që shmangen, me ata që gënjejnë kur vjen puna tek faturat e me radhë, por ne nuk kemi zgjedhur këtë.
Përsa i përket informalitetit dua të jap një shifër që ka të bëjë dhe me informalitetin. Sepse po dëgjoj shumë propagandë, nuk është hapur asnjë vend pune, janë mbyllur me mijëra vende pune. Shifra më e fundit, jo e qeverisë, ose më saktë shifër zyrtare, por jo e prodhuar nga unë apo nga zyrat këtu, por e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, nuk është bërë asnjë ndryshim, që të thuhet që ka ikur një “profesionist” se kështu quhen ata që largohen dhe ka ardhur një “militant” se kështu quhen ata që vihen, përkundrazi janë të njëjtët njerëz, drejtoresha, nëndrejtorët, e me radhë, – raporton 81 mijë e disa qindra, se kam shifrën e saktë, vende të reja pune të regjistruar. Që janë vende pune të hapura, edhe nga ato të mallkuarat Zyrat e Punës, janë edhe vende pune në konceptin që e kemi thënë disa herë gjatë fushatës që quhen vende pune sipas standarde evropiane, me njerëz që nuk punojnë në të zezë, por punojnë në të bardhë. Formalizim i ekonomisë, – 81 mijë.
E nëse të gjithë shifrat e tjera janë shifra që edhe mund të diskutohen, “po thuhet e vërteta”, “s’po thuhet e vërteta”, kjo është një shifër që është tërësisht e verifikueshme, sepse është borderoja e shtetit shqiptar. Nuk është shifër e nxjerrë nga kalkulime, nga konkluzione, nga deduksione. Në borderonë e shtetit shqiptar janë 81 mijë e disa qindra vende të reja pune. Kur kemi folur për 300 mijë vende të reja pune, kemi ditur për çfarë flasim dhe kemi thënë qartësisht se bëhet fjalë për vend pune sipas konceptit europian të vendit të punës.
Sigurisht që është një target shumë ambicioz, por unë vazhdoj të besoj edhe më shumë sot se dje që do ta realizojmë. Por që ta realizojmë na duhen jo thjesht formalizim se ka një kufi dhe ajo, por investime të mëdha strategjike. E që të kemi investime të mëdha strategjike me shumë punësim, na duhet të kthehemi tek energjia, të kthehemi tek moszaptimi i tokës së tjetrit, të kthehemi tek moslënia e ndërtimeve pa leje që të kërcënojnë vizualisht çdo njeri që kalon në rrugët e Shqipërisë, të kthehemi tek shteti ligjor që quhet shtet policor sot, e kështu me radhë.
Për të mos u zgajtur më tutje, dua ta mbyll me tre elementë. E para, Shqipëria kapërceu këtë vit 40 vende në klasifikimin e BB për mjedisin e të bërit biznes. Në fund të këtij viti Ministri i Ekonomisë do të shpall një plan me 10 pika për nxitjen e rritjes ekonomike dhe lehtësimin e mëtejshëm të të investuarit në Shqipëri.
Ne jemi të bindur se do të jemi prapë këtu, vitin e ardhshëm dhe do të kemi vazhduar të ngjitemi në vendet e pëlqyeshme të të bërit biznes.
E dyta, e dhëna tjetër, përsëri nga Banka Botërore, lidhur me lehtësinë e pagimit të taksave. Kemi bërë progres në lehtësinë e pagimit të taksave, do të bëjmë edhe më shumë vitin e ardhshëm sepse do të kemi të tjera gjera që do të futen në veprim.
E treta, raporti i Bankës Evropiane për Zhvillim, takova dhe Presidentin dje në Vjenë, thotë qartë që Shqipëria është një vend lider për reformat në rajon. Lidershipin për reformat në rajon, e kemi marrë zotim. Kemi thënë do ta bëjmë Shqipërinë, model frymëzues suksesi. Këto janë konstatime të institucioneve që janë të pavarura. Sigurisht, që nuk do të ishim këtu sot, në këtë pikë që unë e konsideroj pikë të rëndësishme që shënon thellimin e kthesës sonë, pa dy pjesëmarrëse të rregullta të Këshillit tonë Kombëtar, Drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve që dua ta përgëzoj publikisht dhe Drejtoren e Përgjithshme të Doganave, që po ashtu dua ta përgëzoj publikisht, sepse janë protagoniste në vijë të parë të një realizmi shumë ambicioz në fillim të të ardhurave dhe të luftës kundër informalitetit, korrupsionit dhe kontrabandës. Shpresoj shumë që viti i ardhshëm, që është edhe më i vështirë nga pikëpamja e realizmit të të ardhurave, të shënojë hapa të tjerë konkretë, jo vetëm nga pikëpamja e realizmit të të ardhurave, por edhe nga lufta kundër informalitetit, nga lehtësimi i procedurave, nga raportet komplet të reja me biznesin.
Sigurisht që ne nuk do të jemi kurrë dakord me gjithçka, se përndryshe pastaj nuk do të kishte kuptim që ne të merreshim me qeverisjen dhe ju të merreshit me biznes, por absolutisht duhet të biem dakord për disa gjëra themelore. E më e para gjë, që për mua ka rëndësi themelore, është që sot duhet të biem dakord se raporti qeveri-sipërmarrje, është komplet tjetër nga ç ’ishte 1 vit më parë. As ne nuk jemi të lumtur me ju, as ju nuk jeni të lumtur me ne, por ama bashkërisht jemi të kënaqur me faktin që ju bëni punën tuaj, ne bëjmë punën tonë dhe shteti nuk sillet me ju si rrugaç, si xhandar, si forcë eprore. Ndërkohë që edhe ju e keni pak më të vështirë me shtetin që të silleni siç disa ndër ju silleshin apo shumë ndër ju silleshin kur gjenin ato rrugicat e pushtetit.
E shoh me shumë entuziazëm edhe pjesëmarrjen tuaj aktive, jo vetëm në komisionet parlamentare, por edhe ne tryezat e opozitës. Ju kam thënë atëherë kur ishim në opozitë që e konsideroja akt trimërie, në pragun e heroizmit, faktin që disa prej jush merrnin pjesë në tryezat tona dhe ajo që disave prej jush ju kushtoi pse merrnin pjesë në tryezat tona, nuk do i kushtonte askujt kur ne të ishim në qeveri dhe ky është fakt.
Jemi shumë të kënaqur që ju shohim në tryezat e opozitës duke debatuar, duke kërkuar mbështetjen e opozitës për të luftuar me qeverinë për të mos bërë disa nga gjërat për të cilat ju s’jeni dakord, etj, etj..
Sigurisht tani jeni në një farë momenti të vështirë, sepse opozita nuk është në parlament, ju s’keni nge për protesta, por kjo do të kalojë. Rëndësi ka që nga pikëpamja e demokracisë ekonomike, ne kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara. E demokratizmin e ekonomisë do ta çojmë më tutje me më shumë konkurrencë, me më shumë respekt reciprok dhe me radhë.
Faleminderit edhe njëherë për gjithçka që keni bërë gjatë këtij viti. Faleminderit edhe për gjithë kritikat, gjithë vërejtjet, gjithë përpjekjet që keni bërë për të na thënë të kundërtën apo të ndryshmen sepse kjo na ndihmon që të kemi më shumë bindje që kemi drejtë, kur s’na bindin argumentat, por dhe të përmirësojmë punën tonë. Ne na duhet të kemi një demokraci ekonomike sa më të plotë sepse besojmë shumë tek demokracia në tërësi dhe tek demokracia ekonomike në veçanti.
Ju faleminderit, edhe mediave.