Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Alpet shqiptare janë ndër destinacionet më të bukura turistike, që Shqipëria ofron për vizitorë vendas dhe të huaj. Tashmë, zhvillimi i turizmit në këtë zonë atraktive do të orientohet nga një masterplan i mirëstudiuar, qëllimi i të cilit është të ofrojë një plan zhvillimi social -ekonomik të qëndrueshëm për komunitetet e Alpeve Shqiptare. Plani përfshin 16 destinacione turistike, që janë ndërthurje e të gjithë potencialeve këtej dhe andej kufirit, mes Shqipërisë dhe Kosovës, synon përmirësimin e infrastrukturës, si dhe ofrimin e shërbimeve të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Tropojë, ku mori pjesë në prezantimin e këtij masterplani.

Specialistja e planifikimit urban Romina Sahiti u shpreh se ky projekt studimor i hap rrugën një zhvillimi të qëndrueshëm të zonës dhe të turizmit, si dhe ekonomisë lokale e asaj kombëtare. Gjithashtu i shndërron Alpet në një destination turistik nga më atraktivët, përgjatë gjithë vitit. “Plani Kombëtar i Alpeve synon sektorin e turizmit dhe jo vetëm, do të adresojë edhe sektorët e tjerë me ndikim. Bërthamat e atraksionit dhe tërheqëset kryesore do të përqendrohen në zhvillimin më autentik, në ruajtjen e identitetit të zonës,” – tha ajo.

Kryeministri Edi Rama theksoi se me gjithë vitet e humbura në dëm të kësaj zone, zhvillimi i potencialeve të jashtëzakonshme turistike është në rrugën e duhur. “Sikur të ishin bërë punët me radhë, siç kemi filluar, kjo që kemi bërë ne këtu, që është porta pritëse e të gjithë zonës, të ishte bërë çerek shekulli përpara, sot deri në fshatin më të fundit do ishte Zvicër. Kjo është e gjithë historia. Ne, për fat të keq erdhëm më vonë seç do duhej të vinim për ta bërë këtë punë, por kjo është rruga. Fatmirësisht jemi në kohë, sepse potencialet, pavarësisht dëmtimeve, janë ende të jashtëzakonshme.”

Masterplani i Alpeve prek 4 bashki dhe 12 Njësi Administrative.

Ndërkohë, Rilindja Urbane ka transformuar totalisht qytetin verior. Në kuadër të këtij program është bërë rikualifikimi i sheshit qendror, është ndërtuar pedonalja e re e qytetit dhe rehabilitimi i fasadave. Projekti po vijon me sistemin e ndriçimit dhe gjelbërimit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.