Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Foshnjat e porsalindura dhe nënat e reja të qytetit të Korçës dhe jo vetëm, përfitojnë shërbim më të mirë në maternitetin e ri të qytetit i cili tashmë është pjesë e korpusit të spitalit rajonal të Korçës.

Me një investim të buxhetit të shtetit, me vlerë 1,5 milionë euro për infrastrukturën dhe 800 mijë euro për pajisjet, materniteti i ri garanton standardet europiane të shërbimit dhe kujdesit ndaj nënës dhe fëmijës.

Kryeministri Edi Rama ishte në Korçë dhe ndalesa e parë ishte në maternitet, i cili ka një kapacitet prej 45 shtretërish, dy salla lindjeje, dy salla operacioni, repartin e Neonatologjisë,  Reanimacionit, etj., si dhe është i pajisur me aparaturat moderne për kabinetet e Obstetrisë, Gjinekologjisë dhe sallat e operacionit.

“Kushtet në spitalin e vjetër ishin të degraduara. Është si nata me ditën. Vetë mjekët e thonë. Investimi që kemi kryer është 1.5 milionë euro për infrastrukturën dhe 800 mijë euro vetëm për pajisjet për maternitetin. Ndërkohë që spitali rajonal i Korçës ka përfituar në  investimin për pajisjet bio-mjekësore në vlerën 800 mijë euro, në pajisje laboratorike dhe në pajisje për urgjencën dhe shërbimet e patologjisë,” shprehet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

Gjithashtu ajo shpjegoi se me sistemin e ri të organizmit të sapolindurit regjistrohen menjëherë, duke përfituar direkt edhe çekun e bebes. “Tek recepsioni ndodhet edhe një punonjëse e gjendjes civile, ku direkt regjistrohen fëmijët që lindin dhe merret çeku. Punonjësja e gjendjes civile është në kohë reale në spital për të bërë të gjithë procesin e regjistrimit,” shtoi Manastirliu.

Mjekët pohojnë se kushtet e reja nuk kanë të krahasuar me ato të mëparshmet, ku mungesat ishin të theksuara dhe për pasojë cilësia e shërbimit linte për të dëshiruar. “Është një investim shumë i madh, shumë i mirë. Aparaturat janë të gjitha moderne. Çdo gjë është e re. Kemi punuar në kushte shumë të vështira,” – thotë një prej mjekëve që prej dekadash punon në këtë spital.

Në maternitetin e ri janë shtuar reparte shërbimi që nuk kanë ekzistuar më parë, siç është ai i reanimacionit për të porsalindurit. “Më parë nuk kemi patur reanimacion. Të gjithë bebet e sëmura transferoheshin në Tiranë, ndërsa tani trajtohen këtu. Aparatët për mbështetjen pulmonare të bebes janë më të mirët e kohës,” shprehet një nga mjekët pediatër neonatolog.

Stafit të mjekëve të këtij materniteti do t’i bashkohen edhe 15 mjekë të rinj, pas përfundimit të specializimit në fund të shkurtit.

Kryeministri Edi Rama u dorëzoi personalisht çekun e bebes disa nënave të reja, të cilat shprehen shumë të kënaqura me shërbimin dhe përkujdesin e marrë në mjediset e reja të maternitetit. “Në krahasim me maternitetin e vjetër, materniteti i ri është i mrekullueshëm. Janë kushtet më të mira që mund të ketë një nënë, apo një fëmijë,” pohon një nënë që ka sjellë në jetë fëmijën e dytë.

Gjithashtu pajisjet e reja të standardeve europiane me të cilat kryhen ndërhyrjet ofrojnë më shumë garanci për jetën e pacienteve dhe mbarëvajtjen e procesit post operator. “Instrumentet e reja nuk kanë të krahasuar. Ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë janë për vitin 2018 mbi 80 mijë ndërhyrje operatore të kryera sipas standardeve. Më shumë siguri për pacientin dhe kushte më të mira pune për mjekët dhe padyshim ulje e rrezikut për infeksionet post operatore,” shprehet ministrja Manastirliu.

Lidhur me këtë fakt, Kryeministri Edi Rama tha se zërat abuzivë nuk kanë munguar, por e rëndësishme është që mjekëve u janë krijuar të gjitha kushtet për të realizuar ndërhyrje të standardeve më të larta. “Është një histori e pabesueshme. Ne kemi investuar dhe i kemi kërkuar ndihmë privatit që të garantojmë cilësinë më të lartë të instrumenteve mjekësore që ju po e thoni vetë ishin që në kohën e dashurisë shqiptaro-kineze dhe faktikisht privati ka bërë investimin, ne paguajmë çdo vit. Garantohet një ulje drastike e infeksioneve post operatore, që ju e dini më mirë se unë, garantohet që ju punoni në kushte optimale, me instrumente optimale dhe ne hamë dynjanë. Por, e rëndësishme është që ju jeni në rregull,” u shpreh Kryeministri Rama.

“Këtë vit, Kukësi, Berati dhe Lezha kanë maternitetet e reja. Ndërkohë kemi mbyllur projektet për maternitetin e Pogradecit, gjithashtu edhe për një investim për spitalin e Gjirokastrës,” tha ministrja Manastirliu. ​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.