Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Maturantët e shkëlqyer të Tiranës ishin miqtë e radhës të Kryeministrit Edi Rama, në Parkun e Pallatit të Brigadave.

Kryeministri Rama u bë pjesë e gëzimit të të rinjve, për të festuar një nga momentet e shënuara, mbarimin e Maturës, që ai e quajti “një stacion i rëndësishëm, por të parë të jetës së tyre”. Edhe më të veçantë e bëri këtë mbrëmje, prania e nxënësve që ia dolën t’i mbyllin studimet e mesme shkëlqyeshëm, me notën 10-të, diçka që sot, theksoi Kryeministri, e meritoni të quheni “heronj”.

“Në Shqipëri heronjtë më të mëdhenj janë ata që jetojnë mjedisin e vështirë të shkollës e të oborrit të shkollës, sot dhe marrin vetëm 10-ta. Që të jetosh në lagjen, në oborrin, në korridoret e në klasat ku ju keni jetuar për gjithë këto vite, deri sa morët edhe maturën shkëlqyeshëm dhe të marrësh vetëm 10-ta, do të thotë vërtetë që të bësh diçka heroike. E, unë ju konsideroj vërtet heronj,” – u shpreh Kryeministri, në përshëndetjen drejtuar të rinjve.

Ndërsa u bëri të rinjve, një prezantim të shkurtër të historikut të Pallatit të Brigadave, i cili e nisi rrugëtimin si Pallati i Mbretit, për t’u kthyer në një mjedis, deri së fundi i përdorur vetëm për ceremoni zyrtare me pjesëmarrje të kufizuar, Kryeministri theksoi se  këndej e tutje, ai do të jetë një mjedis, kushtuar “njerëzve të zakonshëm që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme”.

“Ne do të jemi shumë të lumtur të jemi këtu, për të nderuar me të gjitha ato aspekte të veçanta që ka një ceremonial i lartë shtetëror, njerëzit e zakonshëm që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Sepse, në fund të fundit, vendet e përparuara nuk dallohen për njerëzit e jashtëzakonshëm, por dallohen për faktin se njerëzit e zakonshëm bëjnë gjëra të jashtëzakonshme,” – u shpreh Kryeministri.

Dhe tek njerëzit e zakonshëm, por me vullnet të jashtëzakonshëm, Kryeministri vlerësoi edhe maturantët e shkëlqyer, të cilët arritën të përmbushin vendimin e tyre për të qenë më të mirët, si pikënisja e duhur për të qenë edhe profesionistë të mirë në të ardhmen, por duke i inkurajuar që të mos harrojnë të jenë edhe qytetarë të mirë, njëherësh.

“Ato 10-at tuaja, sigurisht kanë mbrapa presionin e mamit, kanë mbrapa shtytjen e babit, kanë mbrapa gjithë përkujdesjen e familjes, por në fund të fundit janë rezultatet e një vendimi që ju keni marrë për të qenë këta që jeni. Në qoftë se këtë vendim e keni marrë kohë më parë dhe sot keni në dorë dokumentin që provon se e keni zbatuar 100% vendimin që keni marrë. Unë dua të besoj se pjesë e këtij vendimi për të qenë ata që doni të jeni është dhe për të qenë jo vetëm studentë të mirë, më pastaj, as vetëm profesionistë të mirë, por edhe qytetarë të mirë. Sepse një njeri i mirë apo një profesionist i mirë nuk është domosdoshmërisht një qytetar i mirë,” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri i siguroi të rinjtë se do të kenë mbështetjen e Qeverisë, në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm drejt dijes. Këtu, Kryeministri u ndal në reformën e sapoprezantuar në Arsimin e Lartë, duke sqaruar një moment me rëndësie të veçantë për ta, që lidhet me financimin me bursë nga Qeveria, të nxënësve të shkëlqyer.

“Po vendosim një gur themeli shumë të rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të Arsimit të Lartë, veçanërisht për atë pikë të reformës që imponon Qeverinë që të financojë mbështetje me bursa, të gjithë studentëve të shkëlqyer. E, në mënyrë të merituar, të gjithë ata që do të vazhdojnë studimet në Shqipëri, në momentin që do të kalojë  kjo reformë, do t’i gëzohen këtij privilegji të merituar, që e krijojnë, siç e keni krijuar deri më sot, me punën e tyre. Po ashtu, ne do të vazhdojmë të mbështesim edhe ata që do të shkojnë jashtë, brenda atij kuadri të përcaktuar për ato shkolla që parasheh norma, ndërkohë që do të bëjmë çmos që ta zgjerojmë normën, duke bërë të mundur që më shumë të përfshihen edhe në mbështetjen financiare për studimet jashtë,” – u shpreh Kryeministri.

Ndërsa, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e vendosi theksin në ndërtimin e një partneriteti të ri mes shkollës dhe prindërve, që do të jetë, theksoi ajo, kyçi i suksesit.

Maturantët falënderuan Kryeministrin për këtë mbrëmje të veçantë për ta. Ata shprehën entuziazmin për të ardhmen dhe qartësi mbresëlënëse për atë ku duan dhe çfarë duan të arrijnë.

“Ju falënderojmë zoti Kryeministër, sepse nuk jemi vlerësuar kurrë kaq shumë. Kështu që jam e lumtur që jam këtu dhe bashkë me mua, të gjithë të rinjtë e Shqipërisë,” – u shpreh një maturante.

“Ata njerëz, që janë aq të çmendur sa të mendojnë se mund të ndryshojnë botën, janë të vetmit që mund ta bëjnë dhe ne rinia e Shqipërisë jemi ata që do t’i sjellim ndryshimin vendit tonë, sepse jemi më të mirët në atë që dimë të bëjmë më mirë,” – ishte premtimi i  një tjetër maturanteje.

Mbrëmja, e cila kaloi mes entuziazmit të të rinjve, u mbyll me shkrepjen e fotove me ta, për të cilat Kryeministri Rama u shpreh se “në qoftë se do të më thoshit çfarë do të ishte “selfie” më i bukur që do të zgjidhje për Shqipërinë, ju them që do të ishte një nga fytyrat tuaja.”

Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm edhe dy zëvendësministrat e Arsimit, Nora Malaj dhe Arbër Mazniku.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.