Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme në Kuvend për mbylljen e kazinove elektronike dhe të basteve të çfarëdolloji, përfshirë bastet online:

I dënuar për vrasje, plagosje, organizim të paligjshëm të lojërave të fatit dhe një sërë precedentësh të tjerë penalë;

I dënuar për pengmarrje, plagosje;

I dënuar për shkatërrim prone dhe prodhim, apo mbajtje pa leje të lëndëve plasëse;

I dënuar për trafik ndërkombëtar droge;

I dënuar për shfrytëzim prostitucioni;

I dënuar për trafik ndërkombëtar droge;

Janë skedat penale të pronarëve të kompanive të basteve. Personazhe të një bote që pak ka pasur të bëjë me ligjshmërinë dhe me mbarëvajtjen e shoqërisë, në një biznes, i cili u transformua në hapësirën e pakufishme të përfitimit të paligjshëm deri në vitin 2013.

Tamam ashtu siç e theksoi kryetari i komisionit të Ekonomisë dhe Financave, është e pavërtetë ajo çka është trumbetuar me të madhe nga të katër anët gjatë gjithë kësaj periudhe, se pas zhvillimit të operacionit “Fundi i Marrëzisë”, marrëzia është zhvilluar ende më, në kuptimin e marrjes së përmasave më të mëdha. Kjo është e pavërtetë. Këtë nuk e thonë faktet, këtë nuk e thonë shifrat.

E kundërta është e vërtetë, që 5 mijë pika të paligjshme operonin asokohe, qindra sallone të paligjshme operonin aso kohe, qindra e qindra milionë lëviznin aso kohe jashtë të gjithë kanaleve të rregullit dhe të ligjit.

Ajo që ne bëjmë sot është kundërpërgjigja e duhur, në emër të një shoqërie të prekur seriozisht nga ky fenomen që sjell sëmundje dhe që në Shqipëri ka përhapur një kancer social në të gjithë territorin, pikërisht për shkak se ka qenë i tëri jashtë kontrollit të duarve të vetme që e garantojnë këtë veprimtari në pjesën dërrmuese të vendeve normale, që janë duart e shtetit ekskluzivisht.

Kemi qenë këtu në këtë sallë, kur kemi bërë përpjekjen e parë për të ndaluar kazinotë elektronike. Në atë kohë, bastet nuk ishin pjesë e debatit tonë dhe jemi të gjithë, të paktën ata që ishin të pranishëm në sallë gjatë mandatit të parë, të vetëdijshëm se nuk ia dolëm dot të votojmë në bllok qysh atëherë, por bëmë një kompromis, – në këndvështrimin tim, të keq, kjo është dhe arsyeja pse sëbashku dhe me Erjon Braçen, për herë të parë dhe shpresoj të fundit theva dhe rregullin e votimit sipas vendimit të grupit, duke refuzuar, – për të mbyllur kazinotë në fund të dhjetorit që vjen, pra, në 31 dhjetor të atij viti.

Çfarë ndodhi në ndërkohë?

Në ndërkohë ndodhi që pak nga pak u krijua vetëdija e qartë se vendimi ishte i paplotë. Pak nga pak, bazuar dhe në shumë të dhëna, bazuar dhe në shumë fakte drithëruese u krijua bindja që edhe bastet duhet t’i bashkëngjiteshin kazinove elektronike e kjo histori të merrte fund njëherë e mirë.

68% e lojtarëve aktivë, që janë në botën e basteve, e kanë nisur lojën nga 10 deri në 15 vjeç. Kjo mjafton për të qenë të gjithë të bindur se ky vendim nuk është një vendim i Partisë Socialiste për socialistët, por është një vendim ku asnjë arsye në botë nuk mund ta mbante, përveç marrëzisë, opozitën jashtë kësaj salle sot.

Është një vendim, i cili ka një dobi të jashtëzakonshme dhe të shumanshme. I dobishëm për të mbrojtur fëmijët.

I dobishëm për të mbrojtur familjet.

I dobishëm për të mbrojtur ekonominë.

I dobishëm për të goditur krimin, në një nga vatrat e veta më aktive dhe natyrisht për të ndërprerë, për të tharë një nga burimet më të fuqishme të financimit të krimit të organizuar.

73% e lojtarëve të fatit pohojnë, – flasim në Shqipëri dhe Shqipëria ka shifra shumë më të rënda, sesa mesatarja e vendeve të tjera, – se përjetojnë stres dhe situata nervozizmi që i nxjerrin jashtë kontrollit dhe për këtë nuk ka nevojë të kërkojmë gjatë nëpër lagje, sidomos nëpër periferi e në provinca, por mjafton të pyesim gratë, të pyesim vajzat, të pyesim prindër, për të marrë  përgjigje.  Nuk është e rastit që këtë vendim, si pak herë vendime në Shqipërinë e politikës së polarizuar, e mbështet mbi 70% e popullsisë, por e mbështesin  92% e grave shqiptare. Domethënë, nuk ka të majtë, nuk ka të djathtë, nuk ka më “ne”, nuk ka më “ata”. Ky është një vendim që shkon përtej të gjitha dallimeve të politikës dhe të debatit të përditshëm politik apo shoqëror në Shqipëri.

Një në katër lojtarë pranojnë se të paktën një herë kanë menduar të vrasin veten, në anketimin e bërë për këtë qëllim dhe gati gjysma e lojtarëve pohojnë se jeta e tyre familjare është një stres i vazhdueshëm për të gënjyer, për të fshehur skedina, për të bërë “sikur” dhe një stres që përfundon rëndom në skandale dhe në divorce.

Diçka tjetër që ka mbetur pa u thënë në këtë debat, është diçka që e pohojnë kryetarët e bashkive të vendeve apo qyteteve më të vogla. Pikat e basteve në qytetet më të vogla kanë si klientë të pandarë një numër të konsiderueshëm burrash apo djemsh nga familje me ndihmë ekonomike. Ndihma ekonomike merret dhe hidhet në bixhoz.

Kjo është arsyeja, pse ne duhet të forcojmë ligjin për ndihmën ekonomike në dy drejtime. Së pari, të garantojmë që nuk ka burrë që prek ndihmë ekonomike. Ndihmën ekonomike do ta marrin gratë dhe do ta çojnë në shtëpi. Në ligj kjo është shkruar si shprehje e vullnetit të mirë, por duhet gjetur rruga që të garantohet sepse nuk funksionon si e tillë kudo, për fat të keq.  Nga ana tjetër, duhet në ligj të garantojmë se pas mundësisë së dytë për punë të refuzuar, ti e humbet ndihmën ekonomike dhe nuk mund të regjistrohesh si punëkërkues i papunë muajin e ardhshëm, por vetëm vitin e ardhshëm, se ajo që ndodh është një lojë e vazhdueshme macja me miun.

Kemi pasur një rezultat shembullor këtë vit dhe e kemi kaluar tanimë targetin për punësimin nëpërmjet zyrave të punës, duke kapërcyer kufirin që i kishim vënë vetes, 25 mijë të punësuar vetëm nga zyrat e punës. Por mundësia është për shumë më tepër dhe nuk arrihet shumë më tepër për shkak se zhvillohet një lojë macja me miun. Refuzon punën që i ofrohet, del nga ndihma ekonomike në gusht, rifutet në shtator. Kjo nuk mund të jetë kështu. Refuzon një mundësi për punë, por në refuzimin e mundësisë së dytë, si në të gjitha vendet, edhe në vendet më sociale, edhe në Suedi që është shteti më social i botës, nuk mund të vazhdosh të marrësh ndihmën ekonomike, në rast se refuzon në mënyrë kronike të marrësh punën që të ofrohet.

Ministri i Financave dhe të Ekonomisë nënvizoi disa aspekte të tjera që lidhen me qasjen tonë ndaj të papunëve që do të krijojë mbyllja e basteve dhe e bixhozit në tërësi. Një program i ri është duke u ndërtuar dhe viti i ardhshëm do të jetë një vit i rëndësishëm transformimi në raport me punëkërkimin, për t’i dhënë dhe një përgjigje adekuate asaj nevojës së madhe për krah pune të kualifikuar. Në këtë aspekt, edhe këta që do të dalin të papunë e s’do të jenë të gatshëm vetë të dalin në tregun e punës, do të marrin përfitimet e tyre.

Pas pak minutash është minuta e të vërtetës lidhur me shpifjen e thënë dhe të përsëritur nga kazani këtu mbrapa Parlamentit, kazani i madh i shpifjeve dhe kazan më kazan, kanal më kanal, portal më portal, nga lloj-lloj personazhesh të cilët e rokanisën kokën e këtij populli me teorinë që kjo mbyllje është një dardhë që e ka bishtin mbrapa, duke u thënë dhe u stërthënë njerëzve se po mbyllen bastet sportive, apo … se unë kam parë që këtu vihen baste edhe për gjëra të tjera të çuditshme, për gara me qen, për gara me kuaj, për luftë gjelash. Me siguri, edhe për kacafytje gjysmagjelash po t’i kishim lënë, do viheshin baste dhe një bast do ta fitonte padiskutim Partia Demokratike, kush shpif më shumë në njësinë e kohës. S’do kishte gola, s’do kishte korne, s’do kishte penallti as në Egjipt, as në Malajzi, që do të mund të konkurronin golat, kornet, penalltitë e shpifjeve të Partisë Demokratike. Mirëpo, vota në bllok e Partisë Socialiste do të tregojë sot, qartë, se kush janë këta që s’janë.

Këta që s’janë, kush janë?!

Këta që janë të angazhuar me mish e me shpirt, me gjithë atë mish e me atë pak shpirt që u ka mbetur, për të çoroditur, helmuar, sakatuar psikologjikisht këtë milet me shpifje nga mëngjesi deri në darkë; “Krimi, krimi, krimi”; “Droga, droga, droga”; “Leku, leku, leku”. Tre gjërat që i kanë të fiksuara në kokë, sepse janë tre gjërat me të cilat janë marrë vetë, ose nuk kanë arritur dot t’i luftojnë kur ishin vetë.

Më e bukura nga të gjitha që kam dëgjuar këto ditë ka qenë shprehja se e bën Edi Rama këtë për të tërhequr vëmendjen. Pra, e gjithë kjo luftë frontale që bëhet për të goditur një industri kriminale, apo të kriminalizuar, bashkë me goditjen e grupeve të krimit të organizuar, bashkë me fillimin e planit të nxirje-jetës së të fortëve, janë të gjitha për të tërhequr vëmendjen.

Po nga duam ta tërheqim vëmendjen?!

Ku është vëmendja?!

Nga Babalja? Na iku Babalja nga ekrani. Nuk po e ndjek më populli me interes telenovelën, në momentin kur po bëhej gati të dilte një aktor tjetër nga Ezeli i Partisë Demokratike, nga skllavja Izaura në versionin Luli dhe Mona. Nga këto po e tërheqim ne vëmendjen dhe po merremi me gjëra, që në fakt nuk janë ndonjë gjë e madhe, se thonë ç’po bëjnë këta. Janë dhe këta analistët, kështu me gjyzlykët poshtë dhe sytë lart, që thonë, çfarë po bëjnë këta?

Çfarë po bëjmë ne?

Ne po bëjmë atë që nuk e ka bërë askush në 20 e kusur vite. Ne po bëjmë luftë frontale me të këqija të rrënjosua thellë në këtë shoqëri, që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u mundur sa hap e mbyll sytë, por që po luftohen si kurë më parë. E meqë krimi lulëzoi në kohën time dhe të Erjon Braçes, – timen në fakt, se Erjoni ka pas shumë kohë, – le të më thonë një emër nga të gjithë këta emrat e këtyre të serisë narko-babale, një emër që u krijua dhe u bë i famshëm në botën e paligjshmërisë me ardhjen në qeveri të Partisë Socialiste. Një!

Këta kanë vite të tëra që janë strukturuar. Këta kanë vite të tëra që janë organizuar. E vërteta është që s’kemi kohë shumë të merremi me këta, jo më tani të bëjmë operacione që të tërheqim vëmendjen nga kino-SHQUIP-i, por duhet t’ua kujtojmë shqiptarëve, çfarë është bërë në vitin 2009, çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2009.

Në zgjedhjet e vitit 2009 nuk ka ndodhur që kandidatët për deputetë flisnin në telefon me një “X”, apo me një “Y”, – se dhe kjo historia e telefonave është bërë një çmenduri më vete, kjo është pjesa audio e kino-SHQUIP-it, – ka ndodhur që janë hapur burgjet. Në vitin 2009 janë hapur burgjet. Në zgjedhjet e vitit 2009, – e di shumë mirë këtu Paulin Sterkaj, e di shumë mirë, këtu, cilido nga deputetët që ka qenë në fushatë dhe përmenda Paulinin se bashkërisht kemi bërë beteja natën për të mbrojtur njerëzit nga lloj-lloj personazhesh, – u hapën burgjet. Kjo nuk është diçka e thënë nga ne. Kjo është diçka e raportuar nga ambasada amerikane në Departamentin e Shtetit. Dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra kriminelë të nxjerrë me leje lindjeje për një javë, për të shkuar dhe për të bërë punën që bënë në 2009-ën në zona të tëra të vendit. Ne në atë kohë kishim brenda Partisë Socialiste, grupin e mbrojtjes së votës. Nga kush e mbrojtëm votën? Nga cilët?

Grupin e mbrojtjes së njerëzve që votonin për ne, sidomos nëpër periferi. Nga kush i mbronim, nga sloganet, apo nga mitingjet?

Jo, i mbronim, përpiqeshim, nga presioni i madh i të inkriminuarve, i atyre që dolën nga burgjet, u liruan dhe bënin fushatë në krah të ministrit të Drejtësisë, në kah të ministrit të Brendshëm, në krah të ministrave të tjerë. Kjo është e vërteta.

Për t’u rikthyer këtu, nuk ka më asnjë lloj basti, nuk ka më asnjë lloj kazinoje, nuk ka më asnjë lloj VLT-je në Republikën e Shqipërisë. Ajo që ne po bëjmë aktualisht me grupin e punës të ngritur për zbatimin e ligjit që nga 1 janari, përveç vendosjes së një gatishmërie në të gjithë territorin për mbylljen e çdo njësie, është dhe ngritja e një skuadre digjitale për mbylljen e të gjitha faqeve të basteve online jashtë vendit. Pra, një pjesë e madhe e parave që luhen dhe që janë luajtur denbabaden dhe që kurrë s’kanë hyrë në radarin e taksave dhe në radarin e ekonomisë shqiptare, por janë para të ikura dhe janë shumë para të ikura, janë baste që vendosen nëpër faqe Hong-Kongu e nëpër faqe në kontinente të tjera. Edhe këto do bëjmë çmos që t’i mbyllim. Teknikisht nuk është fort e lehtë, sepse janë faqe që ndryshojnë kode në mënyrë të vazhdueshme, por do të kemi në njësinë përkatëse, që do të reformohet rrënjësisht, Njësia e Monitorimit, një skuadër që do të rrijë atje, kokë për kokë, orë për orë. Ata ndërro, ne mbyll! Ata ndërro, ne mbyll! Ata ndërro, ne mbyll!

Kjo është e vërteta lakuriqe që do ta konfirmojë vota e Partisë Socialiste.

Shumë faleminderit dhe respekt për të gjithë, në mënyrë të posaçme për deputetët e Komisionit të Ekonomisë, që kaluan një periudhë stresi të veçantë me shumë mesazhe shqetësuese të llojeve të ndryshme dhe atyre që i kanë çuar ato mesazhe, që i kanë orkestruar ato mesazhe, që i kanë porositur ato mesazhe nga jashtë, apo nga brenda burgut, u japim përgjigje tani, me ndalimin përfundimtar të bixhozit dhe në vijim do ju japim shumë përgjigje të tjera të njëpasnjëshme, siç nuk i kanë parë në ëndrrën e tyre më të keqe.

Faleminderit!

* * *

[Ndërhyrje e Kryeministrit gjatë shqyrtimit nen për nen të ligjit] Në fazën e diskutimin në Komision ligji ka marrë edhe një përmirësim tjetër, ndër disa, por një përmirësim tjetër shumë të rëndësishëm me definicionin e hotelit apo resortit me 5 yje që mund të ketë dëshirën e aplikimit për kazino. Besoj që, paralelisht me këtë, propozimi për të rritur më tutje taksën është i duhur, pasi shkon në sensin e garantimit të një pjesëmarrjeje të arsyeshme të publikut, përmes përfitimit nga taksa e një loje luksi, po themi, në këtë rast. Kështu që, shumë dakord me sqarimin që u bë, që të jetë pjesë e integruar e paketës fiskale që do të vijë në Parlament. Me këtë vendoset një standard i qartë dhe i konsoliduar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.