Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama nga Aeroporti “Nënë Tereza” mbi planin e vaksinimit, në pritje të 7020 dozave të vaksinave nga kontrata me kompaninë Pfizer, të cilat do të pasohen me lëvrime të tjera në javët në vijim:

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma! Faleminderit që morët mundimin të vini deri këtu! Duke qenë se sot vazhdojmë me lëvrimin e një sasie tjetër nga kompania Pfizer, besoj se është e rëndësishme që të shpjegojmë ecurinë e kësaj situate. Fillimisht mbërritën 1170 doza, sot mbërrijnë 7020 doza dhe sipas skedulit të ri, të dhënë nga kompania, pas atij momenti të përgjithshëm bllokimi për të gjithë Europën, vazhdojmë në javët në vijim për të përmbyllur brenda marsit të gjitha dozat, të cilat i kemi deklaruar fillimisht e për të vazhduar më tutje në prill, maj e me radhë.

Ajo që është e rëndësishme të shpjegohet, për të kuptuar qartë të gjithë qytëtarët që me të drejtë e presin me padurim vaksinën, ne jemi ndërkohë intensivisht në komunikim për të arritur një marrëveshje me AstraZeneca dhe komunikimet janë në disa rrafshe. Përveç rrafshit të komunifikimit të drejtpërdrejtë me kompanitë, komunikimet zhvillohen edhe me shtete të tjera. Sot kemi marrë një konfirmim me shkrim nga një shtet mik për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, që, gjithmonë sipas këtij komunikimi, do fillojnë të lëvrohen në muajin prill. Po e jap këtë si informacion, pa dashur të konfirmoj asgjë, përderisa nuk kemi firmosur dhe nuk kemi vulosur marrëveshjen, sepse në një situatë si kjo që ndryshon çdo ditë, çdo fjalë mund të duket si propagandë, si hedhje hi syve, si fushatë elektorale. Konfirmimi është si rezultat i një komunikimi shumë intensiv. Shpresoj shumë që në ditët në vijim të mund kemi një kontakt në nivel të lartë drejtpërdrejtë me qeverinë e këtij shteti dhe aty, sigurisht që gjithçka do jetë publike, nuk do jetë një kontakt sekret. Për momentin është mirë të respektojmë këto norma të reja, të vendosura nga kjo situatë, ku 90% e punës bëhet me kode dhe me biseda sekrete.

Po ashtu jemi duke pritur që, sipas kontratës, kompania Pfizer të na lejojë të përmbyllim edhe marrëveshjen, në kuptimin ta zbatojmë sepse marrëveshja është e përmbyllur, me shtetin tjetër që na solli ato dozat e para dhe siç ju kisha bërë me dije, ishin vetëm 1/3 e dozave të premtuara, të cilat janë gati, mirëpo në kontratën që Pfizer-i bën me vendet e tjera, për çdo lëvizje duhet aprovimi i Pfizer-it dhe ne nuk mund të aktivizojmë këtë sasi, pa aprovimin e Pfizer-it.

Me ardhjen e këtyre dozave sot dhe me pasjen e një qartësie për ato 40 mijë doza që janë konfirmuar, ne do fillojmë shtrirjen e vaksinimit menjëherë gjatë kësaj jave në Vlorë dhe Shkodër. Dhe hap pas hapi, në varësi nga kalendari i ministres dhe në disa pika të tjera, në Elbasan, në Fier. Paralelisht me vaksinimin e mjekëve dhe bluzave të bardha, infermierë apo njerëz që punojnë në Urgjencën Kombëtare e janë drejtpërdrejtë në front, do bëjmë edhe fillimin e vaksinimit të më të moshuarve. Kemi të gjitha arsyet të jemi të bindur që ne mund ta realizojmë ende, flas për hapësirën kohore, objektivin për vaksinimin e plotë për 14 muaj. Është vetëm çështje konfirmimi të sasive dhe disponimit të sasive, por me këtë lëvrim të kësaj periudhe të parë të Pfizer-it, do injektojmë masivisht vaksinën. Me shpresë që në javët në vijim do marrim konfirmime të tjera të rëndësishme nga AstaZeneca në radhë të pare, por edhe nga komunikimet që po bëjmë me disa shtete të tjera mike.

Kjo është pak a shumë pasqyra. Do më falni për anën misterioze të bisedës, por besoj që tani edhe ju u mësuat me këtë. Situata është e tillë.

Siç e shihni, problemi i vaksinës mbetet problem serioz në mbarë Europën, por një gjë dua t’ua përsëris atyre që nguten të japin mend për një çështje që qartësisht nuk e kanë idenë se çfarë është. E para, kjo nuk është çështje fondesh. Ne nuk kemi asnjë problem fondesh. Pra, vaksina nuk është në ndonjë treg që pret që blerësit të shkojnë dhe ta marrin. Kjo nuk është një çështje vendesh të pasura apo të varfra, sepse ne nuk jemi ndër vendet e pasura dhe ne kemi një kontratë me kompanitë dhe ne po vazhdojmë të marrim vaksina Pfizer. Ju e patë jo më larg se dje që Presidenti i Serbisë shkoi në kufirin me Maqedoninë e Veriut me një kuti me 4000 doza, për t’i dhënë mundësi Maqedonisë së Veriut të fillojë atë që ne e kemi filluar më parë. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut nuk ka një kontratë me Pfizer-in dhe pret një lëvrim të vaksinës kineze në ditët apo javët në vijim. Ashtu sikundër në rajonin tonë janë edhe disa vende të tjera, të cilat nuk e kanë ende mundësinë të fillojnë vaksinimin dhe nuk kanë në horizont asnjë gjë konkrete për momentin, për fat të keq dhe sigurisht, për turpin e më të mëdhenjve dhe më të pasurve të këtij planeti, po themi, që të mos më fusni prapë në sherre të padobishme dhe të pakërkuara me Bashkimin Europian, që mbetet pika jonë e referimit, që mbetet në një hall në madh në këtë aspekt.

Tanimë, kur të gjithë të tjerët po e thonë, nuk ka nevojë ta them dhe unë atë që thashë qysh në krye të herës, duke parë faktet, jo për të dalë kundër Bashkimit Europian, por për të thënë një vërtetë të hidhur, por të qartë. Është krejtësisht e padrejtë, e pajustifikueshme që popujt në këtë zonë në mes të Eurpës, të rrethuar nga kufinjtë e Bashkimit Europian, të rrijnë të numërojnë sa vaksina u bënë në Greqi, në Itali e nëpër Europë, ndërkohë që vetë presin të bëjnë vaksinën e pare, apo siç është rasti i Shqipërisë, me të drejtë duan që të bëhen më shumë vaksinime, apo të shikojnë sesi Serbia bën mijëra e mijëra vaksinime me vaksinë kineze. Serbia ka bërë zgjedhjen e vet, nuk ka asgjë këtu për të diskutuar, por është në mes të Europës dhe nëse i është drejtuar Kinës, në atë konjukturë që Serbia është, kjo ka ndodhur sepse përndryshe, edhe Serbia sot do ishte njësoj si ne.

Kjo është situate. Jeni të mirëpritur të bëni pyetje derisa të vijnë kutitë. Lajmi mirë është që nuk është një kuti, siç ishte herën e parë. Se një kuti ishte dhe atje në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë që u mblodh gjithë ata njerëz, se vaksina është bërë si ari i kësaj kohe, por janë disa kuti. Do vijnë disa kuti më shumë e disa më shumë, derisa e gjithë gjëja të futet në atë hulli që unë shpresoj që do futemi shumë shpejt. Pastaj, sigurisht do matemi me sfidën sa do jemi në gjendje të vaksinojmë ditë për ditë. Edhe aty, përsëri do provojmë që jemi të mirëpërgatitur që t’i arrijmë dhe ne numrat që dëshironi dhe ju, që dëshirojnë të gjithë, që dëshiroj dhe unë, në kushtet ku objektikisht kemi bërë maksimumin. Imagjinoni sikur sot, ne të ishim në situatën që as kishim kontratë, as nuk dinim nga do vinin vaksinat, as kishim lajme nga COVAX-i, që e kemi parapaguar që vjet, se çfarë do bëhej këtu.

Para se të vija këtu, pashë një raport të familjeve që janë pa drita në SHBA, sot që flasim, si rezultat i stuhive të borës. Që në SHBA nuk ka krahasim gjendja e linjave që këtu, ne filluam të investojmë për herë të parë që nga koha e elekrifikimit, që janë linja të dobëta në pjesë të caktuara të vendit dhe që një erë dhe një stuhi i këput, i nxjerr jashtë funksionit. Nuk ishin të gjitha shtetet e SHBA-së në raportin që lexova. Unë mblodha shifrat, ishin afro 3 milionë konsumatorë familjarë pa drita. Sigurisht që nga stuhitë e borës këto gjëra ndodhin, siç nga stuhitë e borës ndodh që të bllokohet rruga. Bllokohen rrugët në çdo vend, sepse asnjë vend nuk ka shpikur mbulesë plasmasi special mbi rrugë që bora të qëndrojë sipër e Andi Bushati të kthehet nga skitë, ose kur katëgoria e tij kthehet nga skitë dhe ndjehet në vrasës në potencë i atyre që qeverisin. Asnjë borëpastruese deri më sot në të gjithë zinxhirin e industrisë së prodhimit të borëpastrueseve nuk ka arritur shkenca ta bëjë që ta mbledhi borën në ajër.

Ndërkohë që këtu ka pasur propozime që të hidhej kripë përpara se të binte bora. E dinit që stuhia e borës do vinte dhe pse u bllokua rruga, ta hidhnit kripën përpara. Ose këtu janë sytë aq të mprehtë, saqë jo vetëm e shquajnë menjëherë, por preken që në Shqipëri përdoren akoma lopata. Po çfarë të përdoren, raketa? Lopatat përdoren në çdo vend. Athinën besoj e patë gjendjen në të cilën ishte, bllokim nga të katërta anët. Për kuriozitet pashë me shpejtësi nëpër pasqyra e nuk pashë ndonjë analizë apo analist që të shprehte kështu instikte vrastare për qeveritarët apo që të ishte një problem i ngritur si ç’është ky shtet që lë borën të bjerë.

Ndërkohë që këtu kemi qenë, për të mos bërë asnjë krahasim të tepër, por kur bëj krahasime me Austrinë, Gjermaninë, Spanjën, Greqinë apo vende që kanë qenë shumë më shumë të përgatitura me dekada dhe vende me fenomenin e borës të pranishëm me shekuj, e bëj për të thënë që kur ndodh atje, po këtu? Mund të kishte ndodhur edhe këtu që të bllokohej komplet Rruga e Kombit, siç ishte bllokuar Autostrada 2 në Spanjë, në janar. Mund të kishte ndodhur edhe këtu që, larg qoftë, të kishim patur humbje jetë njerëzish. Ndërkohë, në janar kërkojeni sa jetë të humbura njerëzish ka në vende të Bashkimit Europian, jo në vende të tjera, nga bora, nga stuhitë, nga i ftohti. Fatmirësisht nuk ndodhi për rrethana të caktuara që nuk kanë lidhje me meritën tone, por ama rrugët u zhbllokuan në kohë rekord, u bënë të kalueshme. Sepse u punua. Ministrja në mes të borës dhe stuhisë futet në borëpastruese që të dëgjohet kur flet. Këtu bëhet nami. Ndërkohë që ajo e shpreh vetë e thotë që po hipi në borëpastruese se ndryshe nuk dëgjohem, sepse ishte stuhi. Të hipësh në borëpastruese, është keq. Të mos shkosh atje, është keq.

Megjithatë e rëndësishme është që kjo është një pakicë e zhurmshme që nuk bën ligjin në Republikën e Shqipërisë. Kjo ka rëndësi.

Ju bëtë një krahasim me SHBA për shkak të situatës nga stuhia por, pavarësisht motit të keq, atje, vaksinimi ka nisur në popullatë. Ndërkohë që në Shqipëri, edhe këtu, për shkak të motit të keq jemi në një situatë ku vaksinimi po ndodh vetëm tek stafet mjekësore. Dimë të themi se kur do të fillojë vaksinimi në popullsi, sigurisht sipas planit të vaksinimit nga më të moshuarit tek grupet e riskut dhe a kemi një shifër, pavarësisht shifrave që ju përmendët, sa do të jetë sasia e vaksinave që do të vijnë deri në fillim të pranverës? Sepse ekspertët thonë që në fillim të pranverës, ndoshta edhe për shkak të motit, mund të kemi një ulje të përhapjes së infeksionit. A keni një shifër si për Pfizer-in, ashtu edhe për AstraZeneca? 

Kryeministri Edi Rama: edhe njëherë, krahasimi që bëra me SHBA-në ishte për të thënë që në një vend aq të zhvilluar dhe aq të padiskutueshëm nga pikëpamja e kapacitetit për t’i shërbyer popullit, janë afro 3milionë banorë pa drita nga stuhitë e dëborës dhe është fenomen që ndodh gjithmonë. E këto gjëra nuk është nevoja fare të thuhen sepse nuk jemi në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Jemi në Shqipërinë ku në çdo telekomandë ka me qindra kanale dhe në çdo mrokull të xhepave mundesh të marrësh lajme nga e gjithë bota. Ҫuditërisht, kur i shikojnë këta gojështhururit e zeshën në kanale, në portale, në sociale, që bëjnë një zhurmë të neveritshme, gjëra që ndodhin matanë Shqipërisë nuk ju bëjnë përshtypje dhe nuk iu shërbejnë fare që çdo gjë që ndodh në Shqipëri ta bëjnë sikur është fundi i botës, sikur është kiameti më i madh. Për këtë e bëra shembullin, sepse është e qartë që stuhitë e borës sjellin kudo dy efekte imediate. Edhe në Gjermani, Suedi e kudo sjellin dy gjëra, bllokimin e rrugës dhe goditje të furnizmit me energji elektrike. Kuptohet që kapacitetet reaguese janë ato që përcaktojnë eficencën e shërbimit dhe unë besoj që, nëse krahasojmë sot situatën e asaj stuhie që ishte vërtetë shumë e fortë me situatat pas rënies së bores, jo shumë larg, po shumë pak vite më parë e më tutje në kohë dhe nuk ka krahasim. Merrni kronikat tuaja. Ju i keni raportuar, ju keni qenë në terren dhe nxirrini makinat që bënin patinazh apo ski në Rrugën e Kombit, të kthyer në pistë akulli. Apo në rrugë të tjera ku të doni. Sigurisht që SHBA-ja po vaksinon. Janë vendi ku është prodhuar vaksin. Janë vendi ku është prodhuar vaksina, janë vendi që ka rezidencën qendrore të Pfizer-it, janë vendi që ka nxjerrë urdhër ekzekutiv të Presidentit që deri kur të përfundojë vaksinimi i amerikanëve, nuk ka vaksina për të tjerët. Dini ju ndonjë formë sesi mund të përballohet një krahasim i tillë?

Me të drejtë ju shihni SHBA-në që po bën vaksinim masiv, ndërsa unë shikoj rajonin. Në këtë lagjen tone, këtu në mes të Europës, jemi vetëm ne dhe Serbia që kemi kontratë dhe që sidoqoftë po bëjmë vaksinim. Numrat e Serbisë janë shumë të lartë sot, për shkak se Serbia ka marrë vaksinën kineze, që ka bërë një zgjedhje që as nuk e diskutoj, as e gjykoj dhe as nuk e shoh, jam fare neutral. Nuk është zgjedhja jonë kjo. Edhe nëse do ishte zgjedhja jonë, duhet të kuptoni që edhe vaksina kineze nuk është në një treg që shkon e blihet. Është dhe ajo jo e lehtë për t’u marrë. Edhe ata që duan ta marrin, presin për një kohë të gjatë, nuk e marrin aq kollaj.

Ne vazhdojmë të besojmë që jemi në hapat e duhur, me përjashtim të faktit që patëm një sfazim në kohë prej disa javësh si rezultat i bllokimit të përgjithshëm që bëri Pfizer-i për gjithë Europën, jo vetëm për ne.

Përsa i përket shtresave të popullsisë, do fillojmë në javët e ardhshme, paralelisht me vaksinimin e mjekëve dhe infermiereve, edhe vaksinimin tek më të moshuarit. Do fillojë me shtëpitë e më të moshuarve, ndërkohë që edhe për të sensibilizuar, edhe për të respektuar disa që hyjnë tek kategoria e parë e më të moshuarve që i kanë dhënë këtij vendi jo pak, do të bëjmë edhe vaksinim të një pjese të tyre, njerëz, të cilët nuk duhet t’i kujtojmë për sa shumë dhanë thjesht kur ndahen nga kjo botë e që kemi detyrimin t’i ruajmë aq sa mundemi e aq sa kemi në dorë ne t’i ruajmë, sepse ne nuk jemi Zoti. Sigurisht, me ardhjen e dozave të tjera do të shtrihemi paralelisht. Rëndësi ka që me mjekët dhe me infermierët, me çfarë do të marrim, çfarë është e garantuar dhe e konfirmuar, mbyllet komplet dhe ndërkohë fillojmë dhe me më të moshuarit.

– Zoti Kryeministër, ju e prekët dhe pak çështjen e vaksinës kineze, thatë se dhe për marrjen e vaksinës kineze duhen kohë dhe negociata, por mos ndoshta orientimi drejt vaksinave perëndimore Pfizer, negociatat me AstraZeneca, është një vendim ndoshta më shumë gjeopolitik? 

Kryeministri Edi Rama: Mbase, por ne kemi qenë që në fillim dhe vazhdojë të jemi shumë të qartë, që ne ndjekim atë që është korniza ku ne ndihemi pjesë e ku ne duam të integrohemi plotësisht, që është korniza e Bashkimit Europian. Mos harroni edhe një gjë, që Sinovak nuk është i aprovuar. Kështu që në këto kushte, ne mendojmë që nuk jemi as pozicionin që duhet të ndihemi që kemi humbur një shans apo një kohë, sepse edhe vaksinën kineze po e kërkojnë shumë shtete, nuk është se kinezët po presin, kush po na e kërkon. Dhe nuk diskutohet që e parë në aspektin e marrëdhënieve, ne sigurisht mund ta bënim këtë përçapje, mbase do mund të duhet ta bëjmë në një moment të dytë, nuk e përjashtoj, por nuk do doja që ta bënim sepse do të ishte shumë e rëndë kjo për BE-në. Për mua, mendoj që ishte shumë e rëndë që Maqedonia e Veriut, jo se bëri një zgjedhje të lirë mes disa vaksinave, por u detyra që t’i drejtohet Kinës për të marrë vaksinën kineze. Ishte e rëndë, jo për Maqedoninë e Veriut, por për BE-në.

Ashtu sikundër është e rëndë për BE-në që Serbia është në gjendje të çoje 4000 vaksina Pfizer në Maqedoninë e Veriut dhe Bashkimi Europian, akoma sot që flasim, nuk është në gjendje të shpërndajë nga një kuti në të gjithë vendet e rajonit. Mos më bëj të flas më shumë, të lutem.

– Nëse krahasojmë shirat e popullsisë, në krahasim me numrin e të infektuarve në Shqipëri, shifrat janë të larta, njësoj si ndoshta edhe shifrat në Greqi, gjithnjë nëse e krahasojmë me numrin e popullsisë. Greqia, vendi ynë fqinj ka marrë vendimin që në qytete të caktuara të vendosë dhe karantinën në ato që i konsideron si zona të kuqe, ndërsa në Shqipëri aludohet se është ngushtuar numri i orës policore, megjithatë ne nuk futemi në një karantinë, kjo për shkak se po lirohet pak ngaqë zgjedhjet janë pranë. 

Kryeministri Edi Rama: Kush e aludon këtë? Se nuk e kam dëgjuar këtë gjë, që liria është për zgjedhjet. Shëndeti është mbi zgjedhjet e mbi gjithçka tjetër, por ne besojmë që në kushtet që jemi sot për sot, nëse mbajmë këtë ekuilibër, nuk kemi nevojë të karantinohemi për 1001 arsye që i kam dëgjuar me shumë vëmendje edhe nga ekspertët tanë dhe i kam dëgjuar me shumë vëmendje edhe nga të tjerë me të cilët komunikoj për të mësuar, se unë nuk jam ekspert i kësaj fushe. E ndërkohë, gjithnjë e më shumë po fiton terren shqetësimi i një tjetër pandemie që është pandemia psikike. Është reale kjo, nuk është për të qeshur. Që do të thotë i efekteve traumatike të gjithë kësaj kohe e të gjithë këtyre shtrëngimeve, shqetësimeve tek psikika e kësaj dynjaje. Duhet të kemi parasysh dhe një gjë tjetër. Kur Greqia u mbyll, ose kur një vend i BE-së u mbyll, ka një “konto europiane” që përgjigjet.

Janë të gjithë këta komponentë që duhet t’i marrim në konsideratë. Është kollaj të themi ta mbyllim, por pse, për çfarë arsyeje? Nëse numrat qëndrojnë në ekuilibër brenda parashikueshmërisë dhe nëse spitalet vazhdojnë shërbejnë brenda skenarëve të parashikuar, atëherë, jeta duhet të vazhdojë me ato masa kufizuese që kemi përcaktuar në mënyrë që njerëzit të marrin frymë, në mënyrë që njerëzit t’i kryejnë ndërveprimet e tyre sociale të kufizuara, por sidoqoftë t’i kryejnë në mënyrë që fëmijët të vazhdojnë të shkojnë në shkollë, të rinjtë të vazhdojnë të shkojnë në shkollë. Duhet t’i kemi parasysh të gjithë këto e prandaj arsyetimi i ekspertëve tanë, i Komitetit tonë Teknik është tërësor, nuk është thjesht një arsyetim mekanik. Sigurisht, nëse njerëzit nuk do kufizohen, nuk do vënë maskën kur dalin nga shtëpia, nuk do respektojnë ato rregulla minimale, atëherë, patjetër që ora policore do shkojë duke u ulur dhe kufizimi do shkojë duke u rritur. Larg qoftë të duhet që të bëhet dhe njëherë, një karantinim i përgjithshëm, edhe sikur jo zgjedhje, por sikur ditë votimi të jetë. Kjo nuk do të thotë tani që të spekulohet, që plani i fshehtë i Ramës “karantinë për kutitë e votimit” se nuk është kjo ideja. Po flas në rrethanat që jemi. Duhet t’i kemi parasysh të gjithë këto e të shohim hap pas hapi dinamikën. Dinamika sot na lejon që të mendojmë që jemi në ekuilibër, se gjithmonë duhet të kemi parasysh të gjithë ekuilibrat, se nuk mund të jetë ilaçi më i dëmshëm sesa sëmundja vetë, se nuk ka më asnjë kuptim. Ne na duhet t’i krijojmë njerëzve mundësi të shkojnë në punë, të marrin frymë, të dalin, të marrin ajër. Nëse shikoni studimet e fundit janë alarmante përsa i përket efekteve psikologjike e rëndimit të psikikës së njerëzve nga e gjithë kjo histori kufizimesh e traumash, të dukshme e të padukshme. Kështu që duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në ekuilibër e secili të japi kontributin e vetë.

– Javën e kaluar keni deklaruar se do të nisni një reformë në Sistemin Shëndetësor, atë të autonomisë së spitaleve, por a mendoni se mjafton kjo reformë apo duhet dhe një reformë më e thellë, për të larguar ryshfetin në shëndetësi? Në momentin që flasim kanë qenë në fakt, qytetarë që u duhet të marrin dhe kredi për të paguar operacione. 

Kryeministri Edi Rama: Ҫdo me thënë qytetarë që marrin kredi për të paguar operacionet?

– Marr shkas në fakt, edhe nga rastet e fundit të spitaleve COVID ku kanë dalë dhe përgjime sa i përket parave që qytetarët duhet të paguajnë për të marrë një shërbim shëndetësor. A mendoni që reforma që keni publikuar javën e kaluar, që do të nisi një autonomi në spitale, apo duhet një reformë dhe më e thellë?

Kryeministri Edi Rama: Kush është kjo reforma më e thellë? E para, lajmi i mirë është që ka shenja shumë inkurajuese të fillimit të funksionimit të institucioneve të drejtësisë së re dhe këtu i referohem rastit të atij mjekut, të rastit liberal të djathtë, që e paska futur Edi Rama në burg, sikundër ai u shpreh fatkeqësisht. Shumë fatkeqësisht dhe nga ana tjetër, lajmi i mirë është që denoncimet funksionojnë. Kështu që unë do isha i lumtur të shikoja çdo ditë denoncime dhe jo llafe që ndyjnë të gjithë bluzat e bardha e që bëjnë pis mjekë dhe infermierë që janë heronj, duan apo nuk dua ata që bëjnë këto llafe.

Unë jam i bindur që Tirja apo doktori në fjalë, liberali i djathtë që ishte edhe shef pavioni, përveç të tjerave, që tregon qartë që ne nuk merremi me të djathtë apo të majtë, por respektojmë profesionin, të mos ishin të vetmit, por të vazhdojnë të vihen përpara përgjegjësisë, por si ndodh kjo?

Kjo bëhet në të dyja shinat; njëra shinë është që sistemi duhet të vazhdojë të forcohet e reforma që unë kam thënë është reforma e duhur dhe është e thellë, sa nuk ka, sepse ndryshon komplet mënyrën e menaxhimit të fondeve dhe të spitaleve e të vlerësimit brenda përbrenda sistemit. Gjë që është e konfirmuar nga i njëjti model suksesi në shumë vende, por le të marrim Turqinë që e ka pasur problemin e Tireve dhe të këtyre shefave të pavionit një problem shumë të madh. Turqia ka bërë një kapërcim epokal, duke ndjekur të njëjtën rrugë që po ndjekim ne, sepse ne e kemi mësuar duke parë Turqinë, duke parë vende të tjera. Nuk mund të bësh reformë të thellë, siç është autonomia spitalore, kur s’ke ilaçe, kur s’ke batanije, kur s’ke uniforma për mjekët dhe inferemierët, kur s’ke banjo nëpër spitale, kur s’ke ngrohje, kur s’ke spitale siç ishte realiteti.  Nuk ke si ta bësh këtë.

Duhet të ndërtosh infrastrukturën, duhet të ndërtosh zinxhirët e shërbimit dhe pastaj kalon në fazën tjetër dhe pastaj ne jemi gati. Janë faza të ndara. Kjo bën që mjeku dhe infermieri në spitalin publik të jenë si në pronën e tyre, që do të thotë, të jenë maksimalisht të motivuar të performojnë pa orar, sepse nga mënyra sesi ndryshon menaxhimi financiar, paga sipas performancës ju rritet shumë. E natyrisht që pagat ne i kemi rritur jo pak, por nuk janë të mjaftueshme.

Nga ana tjetër, mënyra se si funksionon ekonomia spitalore bën që kontrolli mbi të gjithë performancën e trupës të jetë shumë më i fortë dhe fenomene të tilla të reduktohen në mënyrë drastike. Ama, shina tjetër është denoncimi. Qytetarët që janë vënë përpara Tires duhet të bëjnë një zgjedhje shumë të qartë dhe shumë të drejtë, që në vend se të shkojnë pas Tires, e kanë kontaktin deri në nivelin më të lartë për të vënë alarmin, që nga unë, tek ministrja, tek drejtori i spitalit, tek policia, tek prokuroria, apo tek mediat, investigative apo joinvestigative. Sepse është e sigurtë që numrin tuaj dhe kujtdo këtu mund ta gjejnë dhe mund të gjejnë dhe shumë numra të tjerë gazetarësh e mediash dhe është e sigurtë që cilido nga ju, nëse merr një mesazh të tillë, do të vihet në lëvizje vetvetiu dhe nuk do të thotë “po e fshi se kam punë të tjera”. Do të vihet në lëvizje vetë, ose do t’ia çojë dikujt tjetër dhe kështu të krijohet një ambient mbytës për këto lloj monstrash që nuk duhet të lejohen të fryhen e të fryhen, duke pirë gjakun realisht të njerëzve që janë aty për të marrë shërbim, por duhen shtypur. Reforma dhe sistemi është ajo që unë besoj. Por ndërkohë që sistemi kërkon kohën e vet për t’u ndërtuar, shina tjetër është e pazëvendësueshme dhe janë dy lajme fantastike. “Tire”-t kanë ekzistuar historikisht dhe nuk janë fenomene të sotme dhe kanë qënë më shumë, që të jemi të qartë, por sot është një kohë tjetër, fatmirësisht, në këtë aspekt, ku rrugët e komunikimit janë eksponencialisht më të shumta, më të aksesueshme nga të gjithë, ku çdo njeri ka një spiun në xhep dhe e përdor për të komunikuar atë që i ndodh dhe ku media ka gadishmërinë që në këtë aspekt të veprojë. Kështu që unë jam besimplotë që rruga është e duhura dhe beteja nuk mbaron kaq kollaj. Është një betejë që do kohën e vet.

Po e mbyll duke thënë që të gjitha gjërat që ne themi kur vjen puna për “aq e kaq”, janë siç janë tani që flasim. Por siç na mësoi muaji i shkuar, në këtë rrugë ka të papritura që nuk varen nga ne. Ajo që thamë për COVAX-in është siç është sot, por hajde gjeje çdo të thotë 25 deri në 30% tani, pastaj më vonë. Pra, të gjitha merrini me rezervë. Çka nuk ka për të marrë me rezervë është që ne jemi intensivisht në komunikim, për të garantuar një masë të konsiderueshme, shumë të konsiderueshme vaksinash, që të hymë në një vaksinim masiv më herët sesa vonë dhe që të jemi në një ritëm shumë të lartë njësoj si Serbia, meqë e kemi në rajon, apo njësoj si Greqia, meqë e kemi në anën tjetër, pa humbur kohë.

Ne duam që kurba të shkojë në kreshendo. Po punojmë për këtë, realisht, ditë natë. Realisht, jo metaforikisht, sepse kur zë gjumi këtë anë të botës, është ajo ana tjetër që është zgjuar dhe nga të gjitha anët, me kontaktet, me komunikimet etj. kemi arsye që të jemi optimistë. Shpresoj që këtë javë të kemi lajme të reja konfirmuese definitivisht, ose javën tjetër. Por të gjitha këto janë siç janë sot. Papritur e pa kujtuar, nesër, gjithçka mund të ndryshojë sepse është bërë kjo punë tamam si ato bursat që ngjiten dhe bien dhe si ato rrugët e arit në Alaskë.

E rëndësishme është të vazhdojmë të vaksinojmë që ta mbyllim komplet të gjithë trupën e mjekëve dhe infermierëve, që të fillojmë me më të moshuarit. Pastaj, këtu jemi, të japim informacionin siç është informacioni. Pastaj kush nuk do të besojë apo kush do të hedhi vickla dhe të shesi dengla, “jo, po, fushata, jo, po, propaganda”, “jo aq, po kaq”, këto ne nuk i ndalojmë dot, siç nuk ndalojmë dot Andi Bushatin që të ketë tundimin që të kryejë ndonjë vrasje, sikundër u shpreh.

 Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.