Mbërrijnë 8190 vaksina nga kontrata me kompaninë Pfizer

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama mbi situatën e pandemisë e planin e vaksinimit, në pritje të 8190 dozave të vaksinave nga kontrata me kompaninë Pfizer: 

Përshëndetje! Ne marrim një tjetër sasi të vaksinës Pfizer dhe siç kemi thënë, brenda muajit mars do bëhet lëvrimi I sasisë prej 41 mijë e disa qindra doza.

Ndërkohë vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të vaksinës AstraZeneca. Po ashtu jemi në komunikim intensiv dhe me dy shtete të tjera, me synimin që të shtojmë sasinë e vaksinave, në mënyrë që të mos kemi asnjë moment ndalim apo rënie të tempit, përkundrazi, të rrisim tempin progresivisht me objektivin e shpallur që të vaksinojmë të gjtihë popullatën brenda 14 muajve.

Objektivi I 14 muajve është shumë ambicioz në kushtet që ndodhemi, për faktin se, siç ju e shihni, çdo ditë lufta për të siguruar doza vaksinash është shumë e fortë nga të kartërta anët dhe sasitë në raport me kërkesat mbeten shumë të vogla. Sidoqoftë, ne nuk hyjmë tek ata që dorëzohemi, përkundrazi. Kam shumë besim se më shpejt se vonë do kemi lajme shumë të mira. Mirëpo, deri tani, situate është kjo.

Vazhdojmë furnizimin me vaksinën Pfizer, vazhdojmë vaksinimin, tanimë të shtrirë në të gjithë territorin, të bluzave të bardha. Jemi në përfundim të vaksinimit të të gjithë të moshuarve në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit dhe personelit të tyre dhe kemi filluar dhe vaksinimin e kategorisë +80 vjeç.

Sot që flasim, 70% e prodhimit të përgjithshëm të vaksinave janë në duart e vetëm 10 shteteve. Të gjitha shtetet e tjera që kanë patur akses në dozat e mundshme kanë ndarë mes tyre vetëm 30% të volumit të përgjithshëm, ndërkohë që sot mbetet e pandryshuar shifra e  140 shteteve, përfshirë vendet e rajonit, që akoma nuk kanë asnjë dozë në dispozicion.

E them këtë për ta futur në konktekst gjithë këtë përpjekje, sepse dozat që ne kemi marrë dhe që po marrim, kanë një rëndësi jetike për të gjithë personelin shëndetësor, për të gjithë ata që janë vaksuar dhe nuk ka dyshim që mes këtyre sasive dhe sasisë që kemi domosdoshmërinë të vaksinojmë, të njerëzve që do duhet të vaksinohen, sepse nuk është me detyrim, mbetet një raport i zhdrejtë për momentin. Jemi të vetëdijshëm për këtë dhe kjo është arsyeja e pagjumësisë së gjithë kësaj periudhe, në sensin e përpjekjes së vazhdueshme për të mos e ulur ritmin, po përkundrazi, për ta rritur progresivisht.

Nga të gjitha të dhënat e deritanishme nga autoritetet e shëndetësisë nuk kemi patur asnjë rast të asnjë lloj shqetësimi për personat e vaksinuar. Nga eksperienca ime personale, antitrupat zhvillohet në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit.

– Me vaksinat që mbërriten sot dhe vaksinat që priten të mbërrijnë nga vendi mik, por gjithashtu nga marrëveshjet që ne kemi me kompaninë Pfizer, shikon qeveria mundësinë për të ulur target grupin? E kemi nisur me mjekët, kemi vazhduar pastaj me personat 80+. Shihet mundësia që të ulet kategoria e personave, mosha e tyre? Duke patur parasysh që sa më shumë afrohet data 25 prill, ka filluar të tensionohet dhe situate politike. Më herët, gjatë mëngjesit të sotëm, ju Kryeministër latë hapur mundëisnë e diskutimit në lidhje me pjesëmarrjen në votime të shtetasve, të cilëve u ka skaduar dokumenti biometrik, pra, mundësia e shtyrjes së vlefshmërisë së këtyre dokumentave deri më 30 prill. Më vonë, Presidenti Meta nga Vlora citoj “me pasaporta, me karta, me shpata, shqiptarët do votojnë më 25 prill”. Si e komentoni ju këtë deklaratë të Presidentit?

Kryeministri Edi Rama: Me lejen tuaj, unë do dëshijoja të fokusohesha tek arsyeja që jemi këtu, arsye madhore dhe tek kjo luftë për të siguruar vaksina për shqiptarët, që është një luftë sigurisht jo me shpata. Luftat me shpata janë për fëmijët e kopshtit ose për ata, të cilët kanë shkëputje të lidhjes me mburojën e trurit. Këtu bëhet fjalë për një luftë, e cila është luftë e madhe tregtare, politike, komunikimi dhe unë dua që çdo natë, kur kam mendimin e fundit, mendimi I fundit të jetë që bëra e bëmë gjithshka  edhe sot që në këtë luftë të mos mbetemi prapa. Kjo është lufta për mua sot. Të tjerat janë sigurisht, ngjarje rrethanore me perosnazhe rrethanorë që nuk e meritojnë shkëputjen e vëmendjes nga kjo luftë kryesore.

Përsa i përket fashave, sigurisht që targeti I parë, siç e ka shpjeguar ministrja dhe siç është e mirëshkruar në strategjinë e vaksinimit dhe siç ndodh në të gjitha vendet e tjera, sepse ne nuk kemi shpikur asgjë, kemi parë eksperiencat e të gjtihavendeve të tjera dhe më të moshuarit 65+, por, nëse flasim për 65+, nuk fillojmë nga 65, por fillojmë nga lart për të shkuar tek 65, sepse më të rrezikuarit janë ata që janë në moshën më madhore. Sa më e madhe është mosha, aq më i madh rreziku. Kjo është logjika e të gjitha fushatave të vaksinimit në të gjitha vendet e botës. Nëse ke të gjitha dozat për të gjithë ata që janë 65+, nuk ka problem, shtrihesh pa problem në të gjithë fashën. Nëse nuk i ke të gjtiha dozat, por shumë më pak, siç është rasti ynë konkretisht, atëherë fillon nga lart e zbret. Për këtë arsye, e kam përsëritur dhe do ta përsëris, edhe vaksinimi që iu bë atyre perosnave të njohur publikë nuk përfshiu persona po aq të njohur dhe po me aq kontribute nën 80 vjeç, për të ruajtur barazinë mes njerëzve. E vetmja gjë që mbetet si diskutim i hapur absurd ishte pse u fillua nga Alfred Moisiu, që i fillon emri me A, nuk i filluat me të panjohur. Nuk bëhet fjalë për mijëra njerëz, por 20-25 njerëz mes disa qindrash që hyjnë në grupin e parë. Edhe dje, në mjedisin e stadiumit ku u krye vaksinimi kishte persona të njohur e të panjohur, njerëz të zakonshëm në moshë shumë të thyer që u morën nga mjekët e familjes për t’u vaksinuar.

Unë kam shumë besim dhe nuk e them kot, por bazuar në faktet që ne njohim, që shumë shpejt do jemi në gjendje të japim lajmin e garantimit të një saise të konsiderueshme vaksinash. Po punojmë në disa fronte. Me një shtet mik jemi shumë afër. Me shumë gjasë në ditët në vijim, se kur nuk e kemi konfirmuar, por lë të themi në 10-15 ditët në vijim do bëj një vizitë atje dhe me shumë gjasë do marrim konfirmimin përfundimtar për sasinë e 360 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca, që na është dhënë e konfirmuar në nivelin ministror. Njëkohësisht me një shtet tjetër jemi shumë afër, mund të jetë më shpejt se kjo e para, mund të jetë më vonë, sepse janë dinamika të shfrenuara që çfarë sjell viti nuk e sjell minuti, si i thonë fjalës. Njëkohësisht, ministri për Rindërtimin, që është ngarkuar qysh në krye të herës edhe me gjithë procesin e rimëkëmbjes nga pandemia dhe që koordinon për llogari të zyrës së Kryeministrit Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe që është drejtpërdrejtë i përfshirë në këtë proces, nesër do të këtë kontakt të parë të nivelit të lartë me shtetin e tretë me të cilin sot kemi pasur një komunikim goxha inkurajues. Të gjitha këto janë thjesht informacion i cunguar për ju, pasi, përderisa nuk kemi asgjë të konkretizuar, përveç konfirmimit për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca së shpejti, por së shpejti kur nuk e kemi, atëherë detyrimisht informacioni që ne japim është i paplotë ose i pakënaqshëm deri në fund. Kjo është situate deri më sot.

– Ju e keni përjashtuar disa javë më parë mundësinë e marrjes së vaksinave nga Kina dhe Rusia, por ndoshta, për të përshpejtuar procesin e vaksinimit, a po merret në konsideratë nga qeveria shqiptare furnizimi me vaksina nga këto dy vende?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen sepse e kam ndjekur edhe këtë debat, diskutim ose muhabet. Dua të bëj një sqarim për të gjithë. Askush të mos mendojë që vaksina kineze apo ruse është në tezga që mjafton vetëm të shkosh dhe të paraqitesh e të paguash për t’i marrë. Nuk është kështu. Edhe ndonjë shtet që ka lidhur ose ka deklaruar në parim marrëveshje nuk ka marrë akoma gjë. Sasitë edhe për ato vaksina janë të kufizuara. Merrni numrin e të vaksinuarve në Rusi, në krahasim me popullsinë, nuk është një numër i atillë që të bëjë të besosh se sasitë në dispozicion janë të mëdha. Pra, është çështje prodhimi për të gjithë.

E dyta, mbase është keqkuptuar apo është interpretuar në një formë që nuk ka qenë adekuate e nuk është adekuate, ajo çka unë kam thënë, duke harruar atë që kam theksuar që në krye të herës që ne nuk kemi asnjë arsye në botë dhe nuk kemi asnjë mundësi që të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalizimin e shkencëtarëve kinezë dhe shkencëtarëve rus. Nga pikëpamja e vlerës të këtyre vaksinave, ne nuk kemi asnjë dyshim dhe kontestim, por kini parasysh që nga njëra anë janë vaksina ende të pa aprovuara në nivelin e OBSH-së. Kjo nuk do të thotë se ne po i rrimë larg ngaqë apo janë të pa aprovuara dhe nga ana tjetër, ne nuk mendojmë dhe nuk kemi arsye ta mendojmë që ne, duke qenë të linjëzuar krejtësisht me Bashkimin Europian, kemi ndonjë precedencë apo ndonjë prioritet në radhën shumë të gjatë edhe për ato vaksina. Kështu që unë nuk kam ndryshuar mendim dhe arsyeja është në këto që thashë. Nuk është çështje gjeopolitike, në sensin banal të fjalës, por kjo është një luftë politike në vetvete, jo për ne. Në të gjithë planetin bëhet një luftë politike me vaksinën, në arenën globale dhe brenda për brenda vendeve. Ju e shikoni edhe këtu që hidhen lloj – lloj tezash dhe dënglash. Është një luftë ekonomike, tregtare sepse nuk ka sasi. Pas këtyre të dyjave është dhe një luftë që varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga niveli i marrëdhënieve të një vendi me një vend apo një vend tjetër dhe nga raportet personale, pa diskutim. Duket çudi, por varet dhe nga raportet personale.

Në të gjitha rastet, unë dua ta bëj shumë të qartë, nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë. Nuk kemi hedhur dhe nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve, sepse jemi të vetëdijshëm që janë hapa që nuk kanë arsye objektive. Nuk ka asnjë arsye objektive që të na çojnë në rezultat. Për më shumë nuk dëshiroj të komentoj, por e kam thënë dhe e përsëris, kjo është një situatë që sigurisht mund të ishte shumë më ndryshe. Nuk jemi ne që e kemi vendimmarrjen, natyrisht dhe patjetër që nuk jemi ne që mund ta rregullojmë sepse jemi shumë të vegjël për të marrë vendime apo për të rregulluar në nivelin europian. Unë mendoj që është një fatalitet politik europian fakti që Maqedonia e veriut detyrohet të kthejë sytë nga Kina dhe nga Rusia në mungesë të dozave për të filluar. Kështu mund të numëroj edhe shumë vende të tjera, përfshirë edhe vetë Kosovën. Sidoqoftë, duke e parë gjënë në dinamikë, të jeni të sigurt që ne i bëmë të gjitha lëvizjet e mundshme për të siguruar vaksinën. Vaksina kineze është qartësisht e suksesshme. Mjafton të shikojmë Turqinë, Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite e mjafton të shikojmë që të gjitha të dhënat lidhur me efektet e saj janë shumë pozitive. Po kështu, fjalët që thuhet për vaksinën ruse janë fjalë që bëjnë vlerësim pozitiv. Ama shikoni vendet që janë shprehur se e kanë kthyer kokën në atë drejtim apo se kanë bërë kërkesa në atë drejtim dhe nuk rezulton që pjesa më e madhe e tyre të ketë marrë vaksina akoma.

Ne të gjitha këto analiza i bëjmë. Nuk është absolutisht një pozicion refraktar apo nuk jemi absolutisht me idenë që kurrë mos u vaksinofshim, por ne nuk marrim vaksina të tjera, përveç Pfizer apo AstraZeneca dhe nuk pranojmë vaksina kineze apo ruse. Nuk është e vërtetë. Por një gjë duhet ta dinë të gjithë. Kjo nuk është çështje parash. Çmimet e vaksinave po rriten sepse kërkesa është shumë e ethshme dhe oferta është shumë e vogël. Por, sado të rriten çmimet e vaksinave, nuk ka asnjë mundësi që ne të lëmë një dozë të vetme në dispozicion apo sadoqofshin ato dhe të lëmë një shqiptar të vetëm të presë përtej asaj që ne kemi mundësi ta bëjmë, sepse çmimi është rritur.

E them këtë për t’ju thënë njerëzve që komentojnë apo që vazhdojnë diskutojnë që kjo është çështje fuqie ekonomike, kjo është çështje buxheti, kjo është çështje çmimi. Jo! Nuk janë në treg. Nuk ka një treg diku që të shkosh e t’i blesh. Nuk ka dyer të hapura që janë para nesh e ne nuk po kapërcejmë pragun. Për të hapur dyert, për të marrë vaksinën, duhet një angazhim i gjithanshëm e një këmbëngulje e tmerrshme. Domethënë, kam menduar që gjëja më e vështirë që mund të më ndodhte mua në këtë pozicion ishte të gjeja fondet për të mbështetur rindërtimin, në krahasim me përpjekjen për të gjetur të gjitha vaksinat e nevojshme, ajo tani mua më duket sikur ka qenë një proces krejt normal. Do isha gati të kthehesha një herë apo tre here atje dhe të mos kisha këtë barrë, sëbashku me kolegët.

Është realisht një çmenduri. Nuk është çështja për të gjetur fonde apo për të gjetur diçka që të tjerët e kanë. Është çështja për të gjetur diçka që nuk e ka askush e këtu pastaj, ajo shprehja e vjetër me të cilën ne qeshnim kur ishin në moshën tënde, që njeriu bëhet ujk për njeriun, është e përditshmja e luftës për vaksinat. Shteti ujk për shtetin, njeriu ujk për njeriun. Është e lehtë të thuash solidariteti, barazia, por në fakt jemi përpara faktit që nevoja është kaq e madhe e të gjithëve dhe bëhet fjalë për një sasi të vogël që rri aty dhe një kompani e madhe ujqish, që secili është në vete, që duan të marrin sa më shumë nga ajo sasi e vogël që është aty. Merreni me mend tani se çfarë bëhet.

– Zoti Kryeministër, ju e keni konsideruar kriminale sjelljen e politikanëve të cilët në kuadër të fushatës elektorale, mbledhin në salla të vogla shumë njerëz pa respektuar distancën fizike e pa mbajtur maska por në kushtet kur janë marrë disa masa ndaj tyre, janë vendosur disa gjoba dhe shohim që takimet vijojnë, a mendoni se duhet të ashpërsohet masa ndaj këtyre politikanëve?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që ata, të cilët jua hapin dyert e lokaleve këtyre politikanëve, nuk duhet t’ua hapin dyert sepse janë ata që paguajnë. Nuk e di a jeni në dijeni të këtij fakti. Janë ata që paguajnë, janë ata që dëmtohen, janë ata, të cilëve u rrezikohet t’u mbyllet biznesi fare dhe janë ata të parët që duhet të refuzojnë këtë gjë.

Kur mendon që Presidenti, babai i gjithë kësaj familjeje, rojtari i të gjitha palëve, garanti i shëndetit kushtetues të këtij vendi, është i pari që jep shembullin katasrofik, kjo është fatkeqësi.

Unë, nga ana ime, ajo që bëj është që t’ju kujtoj çdo ditë të gjithë kolegëve të mi që nuk na duhen ato që humbasim nga kontakti me më shumë se 10 vetë përballë shëndetit të njerëzve dhe përballë kësaj sfide të madhe. Në djall vafshin të gjitha. Kjo është A-ja dhe Zh-ja. Prandaj, personalisht nuk bëj në asnjë moment kapërcime të kësaj vije. Nga ana tjetër është një sfidë shumë e madhe dhe unë po mendoj, nuk e di si mund të realizohet në kushtet e kësaj lloj hapësire shumë të ngushtë njerëzillëku në arenën politike, që forcat politike, të paktën forcat kryesore që janë në garë, të merren vesh që çfarë do bëjmë e si do ta bëjmë deri në 25 prill. Mos harroni që është automatike që çdo shtrëngim masash do të interpretohet si një reagim diktatorial i Edi Ramës, për të zvogëluar hapësirën e fitimtarëve që po vijnë për të marrë Pallatin e Brigadave, për t’u shtrirë në krevatin e perandorit.

Kjo sigurisht nuk është problem i kostos personale se atë, një më pak një më shumë, por është problemi i efektit. Mund ta shtrëngosh masën, por, nëse nuk ka vetëdije njerëzore, nuk ka vetëdije qytetare, nëse nuk ka vetëdije politike, nëse nuk ka përgjegjshmëri nga ata që medemek përfaqësojnë njerëzit dhe kjo është një medemek shumë i madh, për fat të keq, atëherë mund ta shkruash masën, por prapë mund të mos funksionojë e po nuk funksionoi është më keq.

Jemi duke diskutuar, të shohim nëse do gjejmë një rrugë që të merremi vesh. Natyrisht, duke iu referuar ekspertëve, natyrisht, duke marrë mendimet e ekspertëve të tjerë që nuk janë në Komitetin e Ekspertëve, përderisa Komiteti i Ekspertëve, nga ata të cilët duhet të respektojnë masat më shumë se mua më rezulton me ndonjë përjashtim që është ndëshkuar, përfaqësuesit e shumicës i respektojnë, atëherë le të flasin dhe ekspertët e tjerë. Le të kemi një ide të përbashkët si do zhvillohet kjo fushatë, kush do jenë kornizat e veprimit në komunikimin me publikun që të ketë një balancë, të ketë një marrëveshje, në kuptimin për rregullat që do ndiqen nga të gjithë dhe të gjithë t’i respektojnë rregullat që bien dakord vetë. Se çdo gjë, në këto kushte kur ka në pak ditë një fushatë elektorale që bëhet nga ana e qeverisë, detyrimisht kontestohet për 1001 arsye. Edhe për arsyen e thjeshtë se në fushatë çdo gjë që ndodh, tendenca është ta kthesh në një favor dhe në disfavor për kundërshtarin.

Ta shohim nëse do mundemi të bëjmë diçka në këtë drejtim. Do ishte shumë mirë për të gjithë. Sepse një fushatë elektorale që del nga kontrolli, përshembull, parafytyroni që Presidenti mund të lërë Mercedesin që e përdor aktualisht pa eskortë kur shkon në ato takimet misterioze, mund të marrë kalin, mund të angazhojë 200-300 nga këta të dekoratave, t’u japi nga një shpatë, të nisen me kuaj e me shpata, atëherë është e vështirë që ta frenosh po nuk pati një konsensus si do bëhet kjo. Dhe rreziku për kuajt bëhet imediat, sepse mund të tërbohen dhe kuajt. Kalojmë pastaj në një situatë tjetër, ku tërbimi i Presidentit afekton edhe kuajt dhe kemi një problem të dyfishtë. Kështu që duhet ta shikojmë.

Paralelisht me vaksinimin, rëndësi mjaft të madhe ka dhe mbajtja e maskave dhe distancimi social nga ana e qytetarëve. Ndërkohë shifrat flasin kundër këtyre. Pra, kemi ende shifra të larta dhe pozitivitet mjaft të lartë. Mendohet se përtej kufizimit të orarit, do të kemi edhe masa shtrënguese, duke qenë se shifrat nuk po i binden asaj që kërkohet nga Komiteti i Ekspertëve. A ka Shqipëria forcën ekonomike ta përballojë një karantinë të dytë?

Kryeministri Edi Rama: Unë jam larg së qeni ekspert, por disa gjëra të thjeshta nga kjo periudhë i kemi mësuar përmendësh. Efektetet e këtyre masave që kemi marrë së fundi nuk priten të nesërmen. Efektet e ngushtimit të orës policore, efektet e maskës në të gjitha mjediset e jashtme, e vërtetë që nuk respektohet 100%, por respektohet më tepër sesa të mos ishte, do t’i shohim në atë hark kohor kur ato japin impakt, siç ndodhi me rritjet që ishin të pritshme. Për ne nuk ishte asgjë e papritur. Në trendet e vëna përpara nesh nga Komiteti dhe nga ekspertët e Ministrisë së Shëndetsisë ka qenë e qartë që gjithçka ndodhi në fund të vitit do të sillte rritje të numrave. Pra, janë cikle që nuk i japin menjëherë efektet aty për aty. Ministrja e ka shpjeguar më shumë sesa njëherë përpara qeverisë si ndodh në kohë impakti i masave që merr sot. Nuk është se sot e more masën, ule orën policore, vure më shumë fokus tek maska dhe brenda  një jave të erdhën rezultatet. Nuk ndodh kështu.