Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, pas mbërritjes në atdhe të katër fëmijëve shqiptarë nga kampi Al Howl, në Siri:
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Shumë faleminderit që keni ardhur këtu! Natyrisht është një arsye e pazakonshme. Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Ajo që është edhe më e rëndësishme është që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët sesa vonë do të kthejmë edhe pjesën tjetër, këtu në Shqipëri.
– Zoti Kryeministër, fillimisht përgëzime për sjelljen e familjes Rasha dhe Endri Dumanit nga kampi, por nga investigimi i A2CNN, sepse kolegu Julian Kasapi ka qenë në kampin Al Hwol, kemi informacione që atje ka dhe persona të tjerë, fëmijë dhe gra që vazhdojnë të qëndrojnë në kamp dhe po të njëjtat burime konfirmojnë se disa prej tyre kanë tentuar të fshihen dhe duke sjellë mosgjetjen nga ana e agjentëve të Antiterrorit. Si do të vijohet me zbardhjen e emrave, apo sjelljen e tyre në atdhe?
E dyta, nëse më lejoni, në këtë mision tuajin, që ju në fakt e quani të vështirë, mision i qeverisë së Shqipërisë për të sjellë fëmijët, duket se media ka patur një rol të rëndësishëm, veçanërisht A2CNN që ju ka sjellë përmes pamjeve, me zë dhe figurë, lokacionet e sakta se ku mund t’i gjenit këto fëmijë dhe familjet e tyre në kampet në Siri. A mendoni që duhet një falënderim në këtë rast?
Kryeministri Edi Rama: Jo, më vjen keq, me gjithë respektin për punën tuaj, nuk kemi pritur që t’i gjejmë lokacionet nga lajmet. Ka një vit që punojmë ngushtësisht me struktura të specializuara në ato territore. S’kemi pasur për asnjë çast problemin e gjetjes së lokacioneve. Natyrisht që bëhet fjalë për operacione komplekse, që lidhen me futjen në territore ku duhen marrë parasysh më shumë se një faktor. Ju e dini që ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me regjimin e Damaskut. Duhet edhe lejekalimi i tyre. Po ashtu bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti në moment për njerëzit, gjë që ka kërkuar një përgatitje të posaçme dhe një punë shumë të detajuar të strukturës sonë që është marrë drejtpërdrejtë. Drejtori i Antiterrorit ka qenë vetë në territor për katër javë.
Përsa i përket pyetjes së parë, ajo që dua të them është që nuk ka dyshim që nxjerrja e atyre fëmijëve nga ai ferr, nuk është si nxjerrja e fëmijëve nga kopshti apo shkolla. Është proces shumë i komplikuar. Janë në mes edhe disa prej prindërve që mbeten në pozicionet e tyre të radikalizuara, janë në mes forcat kujdestare të kampit, që janë të tjera forca, nuk janë forca të njëjta me ato me të cilët duhet diskutuar për të kaluar pa surpriza dhe gryka zjarresh, segmente të caktuara. E gjitha është komplekse, por dua të përsëris që puna e bërë brenda në kamp ka qenë intensive nga struktura që ka arritur të hyjë atje, me prezencën e drejtorit tonë të Antiterrorit dhe një oficeri tjetër, së bashku dhe me shoqëruesit. Siç e kam thënë dhe sot paradite, e gjithë kjo është mundësuar falë strukturës së drejtuar nga gjenerali Abass Ibrahimi në Liban, i cili më ka konfirmuar sot se operacioni do të vazhdojë. Kemi diskutuar mbi të gjitha detajet që kemi në dispozicion dhe tani kemi një pamje të plotë. Është e vërtetë që disa fëmijë janë në vështirësitë e tyre, posaçërisht vajza që ju përmendët, por unë nuk dua të jap detaje, pasi janë detaje që mund të komprometojnë të gjitha ato marrëdhënie të ngritura, që janë marrëdhënie shumë delikate me të gjithë këto faktorë.
– Zoti Kryeministër, me lejen tuaj unë kam një pyetje përtej ngjarjes së sotme, që ishte shumë e rëndësishme, padyshim. Komisioneri Varlhey pati një reagim në Twitter, teksa ju ishit rrugës për t’u kthyer në atdhe. U shpreh se është i kënaqur që Kryeministri mirëpret opinionin e Komisionit të Venecias dhe këshillon se do të ishte e matur që të pritej ky opinion, përpara rivotimit në Kuvend.
Kryeministri Edi Rama: Unë e kam sqaruar Komisionerin në bisedat që kemi patur, si gjithmonë biseda të drejtpërdrejta, miqësore, pa dorashka, që parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë për arsye se ne kemi zgjedhjet në 25 prill dhe nuk ka asnjë mundësi të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta, i cili nuk ka qëllim të përmirësojë Kodin Zgjedhor, por të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist antishumicë dhe antiparlament, këtë proces. Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjellë kur të pjekë, opinionin e vet. Ai opinion do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe natyrisht, duke patur parasysh kohën që kemi në dispozicion, do të mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështjeje që mund të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk mund të hyjmë në asnjë aventurë, po e përsëris, sepse strukturat e reja të administrimit zgjedhor që kanë nisur punën, kanë nevojë të kenë të shkruar të zezë mbi të bardhë ligjin zgjedhor dhe implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet.
Mos harrojmë që është marrë dhe një angazhim për identifikimin biometrik. Koha është jashtëzakonisht e ngushtë, për të mos thënë e pamundur, por ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e refuzojmë në sekondën e parë që kalon afati i procedurës, Ilir Metën, me të gjithë këtë përpjekje që është tanimë një përpjeke botërisht e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe e një lideri absolut të një partie të degraduar.
– A ka qeveria një plan veprimi sesi do të riintegrohen këta fëmijë të kthyer nga kampet e Sirisë?
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi përgatitur strukturën e posaçme, prej disa javësh mund të them, sepse vendimi për të hyrë në territor është marrë në momentin e duhur, por, sidoqoftë, ne duhet të ishim gati qysh më parë dhe struktura është gati, jo vetëm për këta 4 fëmijë, por edhe për fëmijët e tjerë që presim nga pas, me të gjithë kujdesin e nevojshëm, me psikologë, mësues, me mjekë dhe sigurisht do të bashkëpunohet me të afërmit. Do të shikohet ecuria e këtyre fëmijëve, do të punohet hap pas hapi për t’i integruar pastaj në strukturat sociale, sipas gjykimit që do të japin edhe mjekët dhe psikologët.
– Zoti Kryeministër, ju sot keni riatdhesuar edhe një zonjë në moshë madhore dhe keni parashikuar të sillni dhe të tjera nëna që janë në atë kamp. A do të dorëzohen këto persona përpara drejtësisë, përsa kohë xhihadizmi në Kodin tonë Penal është i ndëshkueshëm rëndë?
Kryeministri Edi Rama: Nuk diskutohet që kush ka bërë krime do t’i nënshtrohet drejtësisë, por këto nuk janë çështje të miat. Rastet janë individuale dhe për çdo rast individual janë organe të tjera që kanë detyrimin dhe kompetencën të japin opinione dhe të ndjekin rrugët e tyre ligjore. Nuk diskutohet që kemi dy kategori qartësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, edhe mes të rriturve.
– Në këtë plan për riatdhesimin e shqiptarëve në Siri, a do të bëhet i mundur kthimi i shqiptarëve me kombësi shqiptare, por me shtetësi nga republika të tjera?
Kryeministri Edi Rama: Ne jemi duke ndjekur shtetasit shqiptarë. Përtej kësaj, situata do të ishte akoma më e komplikuar dhe e pamundur, sepse, siç thashë, nuk bëhet fjalë për një rrugë, por për një labirinth ku ka shumë faktorë dhe shumë pengesa për të kapërcyer. Ne po ndjekim të gjithë ata që janë shtetas të Republikës së Shqipërisë, të rritur, ose fëmijë.
– Mirë se erdhët bashkë me fëmijët! Thatë se keni intervistuar me strukturat shtetërore dhe keni identifikuar të gjithë fëmijët. Sa është numri i tyre dhe nga ky moment, a do të keni ju një vlerësim më të shtuar për strukturën tonë të Antiterrorit, e cila në këtë operacion, për herë të parë tregoi se ishte në të njëjtin nivel me agjencitë e tjera, pse jo dhe CIA-s?
Kryeministri Edi Rama: Struktura jonë e Antiterrorit e ka treguar edhe në raste të tjera, por sigurisht veprimtaria e saj është veprimtari kryesisht larg syve të publikut dhe lavdi Zotit, edhe syve të medias. Ndërkohë që nuk mund të jap asgjë ekzakte, sepse të gjitha identifikimet janë në përpunim e sipër nga strukturat përkatëse. Unë e thashë që punojmë ngushtësisht me strukturën speciale të gjeneralit Abass Ibrahim në Liban. Nga ana tjetër është një kategori shumë delikate dhe ne nuk mund të japim asnjë numër fiks, jo sepse nuk e kemi, por mes këtyre fëmijëve ka fëmijë që janë me prindër të gatshëm, me prindër jo të gatshëm dhe nuk duam të vëmë në rrezik jetët e tyre.
Ju faleminderit!