Mbështetja për fermerët do të rritet vit pas viti

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Univerisitetin Bujqësor të Tiranës:

 

Sot erdhëm këtu në Universitetin Bujqësor sepse menduam që është e rëndësishme që ta ndajmë me gjithë bashkësinë e fermerëve në radhë të pare, por dhe me opinionin publik, atë çka është bërë, edhe për të rritur më tej besimin dhe ndjeshmërinë ndaj këtij procesi, i cili siç e tha edhe zotëria që foli si fermer, në fillim u pa me shumë mosbesim.

Natyrshëm që nuk mund të shihej ndryshe për deri sa kjo ishte një kërkesë shumë e kahershme e ky ishte një zotim shumë i kahershëm i shumë e shumë viteve, por ne themi atë që bëjmë e bëjmë atë që themi e në rast se jo gjithmonë arrijmë atë që duam të bëjmë, e bëjmë aq shpejt në kohë sa dëshirojmë, kjo nuk do të thotë as se e harruam apo as se nuk do të bëhet.

Sot më vjen vërtetë mirë që kemi disa prova të prekshme në këtë proces. Kemi provën e afro 20 mijë fermerëve që kanë përfituar nga procesi. Kemi provën e faktit kokëfortë se sistemi i shpejtë, transparent i krijuar nga e-albania funksionon për këdo që dëshiron të punojë e këdo që beson tek ky sistem pavarësisht se është në qytet apo është në fshat, pavarësisht se  është në qendër apo është në periferi të vendit. Kemi provën se në pak minuta me vetëm një dokument, mund të aksesohet fondi i naftës pa akcizë, pa taksë qarkullimi, pa taksë karboni për fermerët e se ky fond i vënë në dispozicion nga qeveria, ndryshe nga çfarë ka ndodhur një apo dy herë në të shkuarën që është tentuar të bëhet e njëjta gjë, shkon tek fermerët dhe ka një rrugë që është e gjitha në dritën e diellit, transparente, nga fillimi në fund e nuk ka shans që paratë e vëna në dispozicion për tokën të shkojnë për veturën apo për të tjera shpenzimet që nuk kanë të bëjnë me objektivin e me objektin e fondit.

Arsyeja tjetër pse mua personalisht, mu duk e rëndësishme të vija këtu sot është edhe vendi ku bëhet kjo, sepse besoj shumë që Universiteti Bujqësor është një nga pikat më strategjike ku projektohet zhvillimi i vendit, ku  jepet dija për një sector, i cili do të shkojë duke u zhvilluar e ku çdo vajzë e çdo djalë që vjen në dyert e këtij Universitet, ka mundësinë që duke ju përkushtuar studimit të degëve të këtij Universiteti, t’i krijojë vetes një fuqi të mjaftueshme për të hyrë në një treg, i cili bëhet gjithmonë e më dinamik, gjithmonë e më kompleks e ku kërkohet gjithmonë e më shumë dije.

Fatkeqësisht ka paragjykim për këtë Universitet dhe për degë të caktuara.

Rektori, skuadra drejtuese e Universitetit kanë shqetësimin e rënies së interest, por unë besoj që nëse ne arrijmë të përçojmë qartësisht mesazhin dhe përmbajtjen e mesazhit lidhur me të kundërtën, atëherë ky interes sigurisht që do të rritet sepse jemi në kushtet kur Shqipëria, falë riorganizimit të AZHBR-së, falë lidershipit të AZHBR-së, ka hyrë në një tjetër hapësirë financimi. Në hapësirën e financimit të BE për bujqësinë e nga vendi i fundit që ishte në gjithë rajonin tonë, të Ballkanit Perëndimor për thithje të fondeve apo më saktë për marrje të aprovimeve për të shpenzuar para të taksapaguesve europianë për bujqësinë, sot është në vendin e parë.

Jemi vendi i parë në rajon për para të miratuara për bujqësinë.

Mirëpo këto para të miratuara për bujqësinë nga BE kërkojnë dije për t’u marrë, përmes projekteve të mirëshkruara ku përveç asaj që shkruhet, duhet të provosh se ke një sipërmarrje bujqësore, të vogël ose të madhe, sipas kategorive të programeve, e cila funksionon e që një sipërmarrje e vogël ose e madhe bujqësore të funksionojë, gjithmonë e më shumë duhet që të ketë njerëz të ditur. Gjithmonë e më shumë duhet që eksperienca e jashtëzakonshme e fermerëve, të cilët janë rritur me tokën, të harmonizohet me dijen mbi mekanizmat e rinj të financimit që ka sjellë ky zhvillim i vendit në raport me Bashkimin Europian, e jo vetëm kaq, por performanca e këtyre sipërmarrjeve duhet të shkojë duke u rritur në mënyrë që të justifikojë kërkesën për fonde.

Ne themi që bota, Europa, e financon konsiderueshëm fshatin dhe bujqësinë. Kjo është e vërtetë, por nuk ka kokërr leku në botë e në Europë që ta japin, nëse nuk u krijon bindjen se ajo kokërr leku do shkojë në drejtimin e duhur, për sa i përket efikasitetit që do ketë në sektor.

Ne kemi vendosur një objektiv ambicioz, por plotësisht të realizueshëm për të shkuar në katër vitet e ardhshme në kufirin e një miliard eksporteve bujqësore. Sot jemi në 400. Kur e nisëm ishim më pak se sa gjysma e 400 dhe sot, ne kemi mundësinë që të synojmë për shumë më lartë, sepse nëse e nisëm me 150 milionë e vajtëm në 400, në momentet më të ngatërruara e më të vështira si rezultat i gjithë asaj rrëmuje që trashëguam në gjithë këtë sektor, pa diskutim që kemi mundësi ta çojmë në një miliard.

Trefishimi pothuajse i eksporteve në dy mandatet e para ka qenë një punë shumë e vështirë pikërisht sepse aty gjërat nga pikëpamja e qasjes së shtetit, nga pikëpamja e mbështetjes së shtetit, nga pikëpamja e përfshirjes së shtetit, gati-gati kanë filluar nga zero ndërkohë që kishte në territor, sipërmarrje, bashkime të vogla apo pak më të mëdha fermerësh që na e kishin dhënë provën që, jo vetëm kjo është e mundur, por Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që nëse i shfrytëzon si duhet burimet e veta, potencialet e veta në fshat, të bëhet një vend kampion në eksportet bujqësore të rajonit dhe sot, sado e çuditshme mund t’i duket atyre që nuk e ndjekin këtë fushë ne jemi të parët në rajon, kemi kaluar edhe Serbinë, që është një vend shumë më i madh e që dihet çfarë tradite ka në një sërë kulturash bujqësore, por në tërësinë e prodhimit bujqësor, ne kemi ende punë për të bërë për t’u harmonizuar sepse siç thotë ai që mua më ka mësuar alfabetin e bujqësisë Dhimo Kotja, në bujqësi sot nuk mund të jesh ujk i vetmuar sepse është e pamundur t’i rezistosh presionit të madh të konkurrencës, qoftë si vend, qoftë si individ. Nuk mundet dot të nisesh e të mbjellësh çfarë të thotë mendja, ose çfarë ke mbjellë dje, – kështu thotë Dhimo, unë thjeshtë e përsëris, – por duhet të informohesh më përpara e duhet të shikosh se cila është ose cilat janë kulturat që ty të japin mundësi të kesh akses e nga ana tjetër,  këtë akses ti e zgjeron, jo duke dalë në rrugë për t’u ankuar pse po i hedh prodhimet se shteti nuk po t’i blen, se shteti nuk blen prodhime në një sistem si ky që kemi zgjedhur që në vitin ’90, por duke shtuar radhët përmes harmonizimit të interesave private e jo në formën e vjetër të kooperativës së një sistemi tjetër që sigurisht nuk ka se si imagjinohet e aq më pak se si funksionon në këtë sistem.

Tani, masat që ne kemi marrë për ta stimuluar sektorin dhe shifrat e rritura në sektor si rezultat i këtyre masave janë historike. Janë historike sepse sot jemi në kushtet kur kemi jo më synim, por fakt, masat kyçe, lehtësuese, mbështetëse që fermerët i kanë kërkuar qysh në fillim të viteve ’90 kur e kuptuan se në këtë lloj sistemi të ri, bujqësia nuk mund të trajtohet njësoj si gjithë të tjerët sepse ka nevojë për një aleancë të qëndrueshme, mes fermerit dhe shtetit.

Nga ana tjetër, ne sot disponojmë masën më të madhe të financimit potencial për bujqësinë e këtu unë dua t’i them studentëve që janë të pranishëm, por dhe gjithë studentëve të tjerë të këtij universiteti, por dhe gjithë atyre që mendohen tani se ku duan të shkojnë nesër kur të hyjnë në universitet, se ky është vendi për të marrë dijet e nevojshme e për të fituar me dije e me punë shumë më tepër se sa një rrogë, ky është vendi, këtu në këtë universitet, duke u bërë një vlerë e shtuar për një sektor që do t’i ketë gjithmonë e më të mëdha nevojat për burime të kualifikuara njerëzore, duke u bërë vlerë e shtuar për të ndihmuar për projektet, për të analizuar performancat e kompanive apo të sipërmarrjeve bujqësore, për të ofruar konsulencë si agronom, si ekstensionit, si çfarë do në gjithë gamën e këtyre profesioneve dhe realisht për të fituar shumë më tepër se një rrogë.

Një njeri i ditur sot në bujqësi mund të fitojë shumëfishin e asaj që do fitonte po të ikte jashtë dhe të bënte një punë të zakonshme kudoqoftë. Natyrisht, kjo kërkon këmbë për të ecur, për të lëvizur, për të pasur kontakte me më shumë se një vend punë, por ama kjo është e bëshme.

Ashtu sikundër është plotësisht e qartë se në zhvillimin rural në tërësi, ne nuk flasim vetëm për prodhim bujqësor apo prodhim blegtoral, por edhe për dy industri të tjera të reja. Peshkimi nuk është industri e re, është traditë e vjetër, por si industri me impakt ekonomik për vendin është industri shumë e re. Kur ne e kemi nisur punën për ta krijuar këtë industri, që ishte një hapësirë varkash që lëviznin pa busull e që duhet të shkonin të furnizoheshin me naftë në Itali, për të peshkuar në Shqipëri, sepse nuk i përfillte njeri, eksportet ishin nën 20 milionë euro. Sot janë mbi 100 milionë euro. Sot, flota jonë e peshkimit është akoma larg së qeni ajo që unë mendoj, ëndërroj dhe jam i bindur që ne mund ta kemi, por nuk krahasohet me çfarë ishte më pare.

Një industri akoma më e re që është agroturizimi, i cili është industri që kërkon njerëz të ditur pranë atyre që investojnë, pranë atyre që shërbejnë. Sa më shumë dije t’i vihet në shërbim agroturizmit, aq më shumë tërheqëse do jenë produktet, sepse në fund të fundit nuk është çështja e një bujtine dhe dy kamarierëve e një pronari, por është çështja e një tërësie produktesh që bëjnë diferencën.

Skema, jo vetëm nuk do ndërpritet, por edhe do shtohet në mbështetje financiare. Objektivi është që, nëse sot kemi vënë në shërbim të fermerëve për naftën pa akcizë, pa taksë karboni, pa taksë qarkullimi, 10 milionë, në vitin 2025 të kemi shkuar në 15 milionë. Ky është objektivi. Nuk jemi në fushatë, zgjedhjet kanë mbaruar, kështu që sot unë flas këtu, së bashku me Milvën dhe të tjerët, në emër të një force që ka marrë mandatin të vazhdojë dhe 2025-sa është një vit ku jemi ne përsëri që japim llogari për çfarë themi dhe nuk i kam harruar dhe nuk i harrojmë çfarë kemi thënë përpara zgjedhjeve. Por tani zgjedhjet kanë mbaruar.

Ky është objektivi, jo ta ndërpresim, por ta rrisim çdo vit në mënyrë që të zgjerojmë numrin dhe të stimulojmë fermerët që të bëjnë ato pak gjëra që duhen bërë, që i kanë bërë 20 mijë fermerë, për t’u formalizuar dhe për të hyrë në një sistem ku nuk mund të zhvillohesh informalisht, me trastë apo i paregjistruar, pa NIPT e asgjë.

Ne duam ta trefishojmë sipërfaqen e serave dhe ta diversifikojmë më tutje prodhimin, çka është përsëri e mundur sepse e kemi parë se si ka funksionuar dhe çfarë ka sjellë përpjekja për rritjen e sipërfaqes së serave. Ne sot kemi një sipërfaqe serash domethënëse, por kemi potencial akoma më domethënës. Prandaj duhet të shkojmë në këtë drejtim.

Ne duam dhe do ta dyfishojmë financimin për të zgjeruar gamën e mbështetjes edhe nga skemat kombëtare, jo vetëm nga BE-ja. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, Shqipëria rurale, ju dhe gjithë bashkësia e fermerëve keni në dispozicion 146 milionë euro, falë AZHBR-së që ka arritur të krijojë një besueshmëri dhe besim të drejtpërdrejtë me Komisionin Europian. 146 milionë euro janë një shifër shumë e madhe, por kërkojnë një organizim shumë të mirë dhe një ndërveprim shumë më të madhe mes qeverisë, autoriteteve shtetërore dhe fermerëve.

 

Sistemet e informacionit janë shumë të rëndësishme. Ne kemi hyrë në një proces për t’u pajisur me 3 dronë super inteligjentë, që do ndryshojnë në mënyrë rrënjësore mënyrën sesi ky shtet mund të mbledhë informacion nga territori, sesi ky shtet mund të përpunojë informacion në kohë reale, sesi bëjë transparencë për gjithshka bëhet në territor pa pasur nevojë të nxjerrë asnjë inspektor në rrugë për të kontrolluar ndërtimin pa leje, për të kontrolluar prekjen e pyjeve, prekjen e lumenjve apo për të kontrolluar prodhimin. Me dronët super inteligjentë, ne do mundemi që në 24 orë të kemi informacion të plotë për gjithë sipërfaqen e tokës së punuar në Shqipëri dhe të kemi fotografi ajrore të detajuara deri në centimetrin e fundit katror të tokës, që të na tregojë jo vetëm sa sipërfaqe të punuar kemi sot, por edhe çfarë kulturash kemi në çdo metër katror, si dhe për të mundur të lehtësojmë maksimalisht ndërveprimin e tmerrshëm me Kadastrën tuaj dhe tuajën me Kadastrën, duke pasur qartësi për çdo parcelë. Këto sisteme do ju ndihmojnë shumë ju, shtetin dhe do ndihmojmë shumë ndërveprimet tona.

Ronald Regan gjithmonë përsëriste një anekdodë të tijën dhe thoshte: “9 fjalët më të tmerrshme në anglisht janë; Jam nga qeveria dhe kam ardhur për t’ju ndihmuar”. Natyrisht, me këtë donte të thoshte që në radhë të parë është individi që vendos për fatin e vet dhe qeveria është aty për të ndihmuar dhe për të mbështetur çdo individ që e tërheq qeverinë nga mbrapa.

Kjo ka vlerë të drejtpërdrejtë si koncept, kur vjen puna tek bujqësia. Nëse fermerët nuk e tërheqin qeverinë nga mbrapa, por presin që qeveria t’i tërheqë ata nga mbrapa, nuk ka sukses, ka vetëm status quo dhe dështim. Nëse fermerët e tërheqin qeverinë nga mbrapa, atëherë qeveria vihet në prove, është apo jo në gjendje t’I ndjekë. Fatmirësisht sot, këto fjalë që them unë nuk janë në ajër, sepse në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga Tropoja deri në Konispol ka fermerë dhe sipërmarrje bujqësore që e tërheqin qeverinë nga mbrapa, që kanë hapur rrugën dhe me forcën e shembullit na thonë ne “Ja ku jemi, bëjmë edhe pa ju, por, nëse ju na mbështesni, ne shkojmë shumë më larg për vetëm dhe familjet tona, por edhe për ju që duhet t’i përgjigjeni një vendi të tërë.”

Mesazhi im për të gjithë është që duhet në radhë të parë një besim i madh tek vetja dhe një vullnet i madh për të shkuar përpara, duke kuptuar njëherë e mirë se vetëm nuk realizohet dot ajo që mund të realizohet me të tjerët, në këtë sektor që kërkon gjithnjë e më shumë bashkim forcash e interesash, ku secili, në fund merr pjesën e tij të fitimit, por të gjithë së bashku vendosim si ta sheshim, ku ta shesim dhe kur ta shesim prodhimin që ka.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Uroj shumë dhe do bëjmë gjithshka që studentët e këtij universiteti të ndjehen gjithnjë e më mirë këtu dhe të jenë gjithnjë e më shumë vlerë e shtuar për sektorin. Kjo është jashtë teme, por prapë brenda temës, me ministren dhe rektorin kemi nisur një proces për të mundur që të afrojmë këtu Universitetin Bujqësor të Vjenës, një ndër universitetet më të mirë të botës për bujqësinë, me synimin që Universiteti Bujqësor i Tiranës të jetë një vend ku studentët shqiptarë, por edhe të huaj të vijnë dhe të kenë programe këtu të Universitetit të Vjenës, të marrin diploma të Universitetit të Vjenës dhe në një afat të mesëm, brenda kësaj dekade, ky të jetë Universiteti Bujqësor i Vjenës në Tiranë, ku flitet shqip, flitet anglisht nga të gjithë dhe ku Kampusi Universitar të jetë një kampus ndërkombëtar. Duket si ëndërr, por po nuk patëm kurajon të shohim ëndrra të mëdha, jemi të dënuar të jetojmë me zhgjendrra të dhimbshme.

Shumë faleminderit të gjithëve!