Mbështetje e drejtpërdrejtë ndaj bizneseve prodhuese dhe agro-përpunuese

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor e Rural (AZHBR) vazhdon me sukses të mbështesë bizneset prodhuese dhe agro-përpunuese të zgjerojnë aktivitetin e tyre në të gjithë zinxhirin e prodhimit. Një nga këto biznese është kantina e prodhimit të verës “Çobo” në Berat. Falë edhe mbështetjes që ka marrë nga AZHBR-ja, kantina “Çobo” vijon të rrisë cilësinë e prodhimit me teknologji të avancuara të përpunimet të verës. Ruajtja e traditës është një nga synimet kryesore të kësaj kantine, e cila ka rinovuar mekanikën bujqësore, duke transformuar kështu dhe mënyrën e kryerjes së punës në fermë.

Kryeministri Rama, së bashku me Drejtoren e Përgjithshme të AZHBR-së, Frida Krifca, u ndal në ambientet e kësaj kantine ku u njoh me të gjithë linjën e prodhimit të verës. Krifca theksoi se mbështetja e AZHBR-së shkon nga prodhimi tek vendosja e linjave të reja të teknologjisë.

“Janë përfitues edhe i mekanikës bujqësore, bashkë me agregatet, çka e ka ndihmuar të transformojë mënyrën sesi kryen punët në fermë, që rrushi të rritet me rendimentin dhe me cilësinë e duhur, punë që më përpara kryheshin me mjete jo të duhurat apo punë krahu. Tani ka edhe linjën e re të prodhimit të shisheve dhe botet ku mund të stazhonojë verën, për të pasur një standard produkti të ri. Gjithë mbështetja ecën në zinxhir, që nga prodhimi ku është mbështetur me rreth 36 hektar vresht të reja, tek mekanika bujqësore që përmendëm”, – u shpreh Krifca, ndërsa nënvizoi se edhe me mbështetjen e AHBR-së, fermerët po aplikojnë në prodhim teknologji të avancuara.

***

Eksperiencën e fituar në Itali, dy emigrantë shqiptarë të kthyer në vend 5 vite më parë, po e vënë në zbatim në fermën e tyre të përpunimit të qumështit ku prodhohet një shumëllojshmëri djathërash, përfshirë edhe mozarella-n.

Pas vizitës në kantinën e verës, Kryeministri Rama, u ndal edhe tek baxho “Agi 11” në Poshnje, Dimal, e cila mbledh prodhimin e 1000 deri në 2000 fermerëve të zonës. Krahas mbështetjes nga skemat e AZHBR-së, për zhvillimin e biznesit të tyre kanë aplikuar dhe kanë marrë  mbështetje edhe nga fondet e Programit IPARD, të cilën e kanë investuar në teknologji të re.

“Falë mbështetjes nga Programi IPARD, janë përfitues të një teknologjie që bën të mundur tashmë prurjen e përpunimit të qumështit në një standard të ri. Kanë qenë emigrantë në Itali dhe atë çka kanë mësuar në Itali e kanë sjellë këtu, e kanë përshtatur në kushtet shqiptare, prodhojnë mozarella”, – u shpreh drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca.

Një tjetër risi në këtë fabrikë është edhe riciklimi i ujërave që përdoren për prodhimin e djathit. “Kemi investuar edhe në një impiant ku trajtojmë gjithë ujërat e fabrikës, që kthehen në ujë ë pastër për përdorim të fabrikës përsëri”, – u shpreh përfaqësuesi i kompanisë.

Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

***

Një tjetër pikë grumbullimi fruta-perimesh është ngritur në Bashkinë Dimal, për t’i shërbyer jo vetëm fermës që posedon vetë, por edhe fermerëve të zonës. “Natural“ nëpërmjet Programit IPARD II ka arritur të krijojë një pikë grumbullimi me standarde europiane, ku Kryeministri Rama ishte për të parë nga afër investimin dhe planin e saj për t’u kthyer edhe në agroturizëm.

“Është një pikë grumbullimi me kapacitete frigoriferike për përpunimin e produkteve fruta perime. Ka rreth 30 të punësuar që shërbejnë, ndërkohë që po e diversifikojnë pak edhe modelin e biznesit, janë të angazhuar dhe në agroturizëm.”, – u shpreh drejtoresha e AZHBR, Krifca.

“Natural“ po bëhet gati që produktet natyra të fermës t’i ndërthurë në recetat bio të agrobiznesit që po merr formë pranë serave dhe pikës së saj të grumbullimit.

“Ne po përpiqemi të përgatisim produktin nga prodhimi e deri tek konsumatori final. Produkt i standardizuar sipas kërkesave të tregut. Ideja është për të bërë ciklin e mbyllur. Kemi rreth 26 dhoma që do bëhen gati”, – u shpreh përfaqësuesi i kompanisë.

***

Njëzetenëntë vjeçari Mikel Hoxha është një nga ata shembujt frymëzues të të rinjve që me punë, vullnet e pasion munden të ngrenë diçka të bukur dhe fitimprurëse jo vetëm për vete, por edhe për familje të tjera të punësuara në aktivitetn e tij. Fidanishtja e Mikelit është një model suksesi në bujqësi.

Kryeministri Rama, së bashku me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca ishin në serat e fidanishtes ku jo vetëm u njohën me investimin, por shfrytëzuan rastin për të nxitur edhe të tjerë të rinj ta shohin bujqësinë si mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Nëpërmjet mbështetjes nga Programi IPARD II të Bashkimit Europian, i riu i kthyer nga emigracioni ka implementuar teknologji bashkohore për kultivimin e fisanëve në sera. “Prodhojmë 3 milionë fidanë në sezon”, – tha Mikeli.

“Është shumë e rëndësishme që mbështet rinia në bujqësi. Nëse je nën moshën 40% ti përfiton më shumë grant dhe kjo jepet jo pa qëllim, sepse duam të mbështesim rininë që do të aktivizohet në bujqësi. Janë pikërisht këta që do ta shtyjnë këtë proces përpara dhe modeli që kanë krijuar është i jashtëzakonshëm”, – u shpreh drejtoresha e AZHBR-së Krifca.

“IPARD-i është një nga programet e suksesshme që ka BE-ja në Shqipëri”, – tha ambasadori Soreca, teksa shtoi se janë “71 milionë euro që prej tetorit të vitit 2018 dhe që atëherë janë mbështetur 300 projekte. 160 projekte kanë përfunduar. Por ajo që është e mrekullueshme është të shikojmë në terren entuziazmin dhe angazhimin e fermerëve shqiptarë. Në fakt, sapo kam përfunduar një udhëtim nga veriu në jug, ku takova shumë nga këta përfitues të IPARD-it dhe është një kënaqësi e madhe që të shikojmë me ata njerëz që kanë përfituar, ecurinë e arritur. Duke i hedhur sytë drejt së ardhmes, IPARD do të bëhet edhe me anën e IPA 3 dhe është shumë e rëndësishme që qeveria të vijojë me të njëjtin angazhim dhe vullnet sa i përket të ardhmes, për regjistrin e fermerëve, por dhe cilësinë e ushqimit dhe sigurinë ushqimore, pasi është shumë e rëndësishme që produktet shqiptarë të eksportohen. BE-ja dhe IPARD-i do vazhdojë t’ju mbështesë në këtë rrugëtim”, – u shpreh ambasadori Soreca.

“Ishte një ditë vizitash në territoret e projekteve këtu në zonën e Beratit dhe tani në fund këtu, në Roskovec, për të parë nga afër gjithë kantieret e përfunduara apo në proces në fushën e zhvillimit bujqësor dhe rural. Është vërtetë inkurajuese që nga njëra anë, mbështetja e drejtpërdrejtë e qeverisë përmes AZHBR-së dhe nga ana tjetër, puna e AZHBR-së me Komisionin Europian që ka bërë të mundur thithjen e masës më të madhe të fondeve ndonjëherë për bujqësinë shqiptare, po vazhdojnë të krijojnë shembuj pas shembujsh të një të vërtetë shumë të thjeshtë, se dashuria për tokën, vullneti për punën dhe ambicia për zhvillim, nëse bëhen bashkë u japin njerëzve në fshat mundësinë e të ardhurave shumë më të larta, sesa do përfitonin duke ikur e duke punuar për të tjerët jashtë shtetit. Jo rastësisht ne e mbyllim këtu me këto shembuj të dy djemve të rinj, që vijnë nga një rrugë e vështirë si emigrantë, duke punuar për të tjerët për një copë bukë e sot janë zot të vetes e japin punë për 500 familje, falë pikërisht dashurisë për tokën, vullnetit dhe ambicies”, – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri siguroi për mbështetjen e vazhdueshme për të arritur objektin 1 miliardë eksporteve.

“Ne jemi këtu për të vazhduar t’i mbështesim. Ambicia jonë është që ta çojmë bujqësinë në 1 miliardë eksporte, një ambicie e konsiderueshme, por plotësisht e realizueshme brenda kësaj dekade ku kemi hyrë”, – theksoi Kryeminsitri, duke shprehur bindjen se në kjo është rruga që Shqipëria e 2030-ës të jetë një kampione në rajon në eksportet bujqësore.