Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama vizitoi në Kavajë dy sipërmarrje, të cilat falë politikave nxitëse fiskale të qeverisë po shtojnë kapacitetet prodhuese dhe numrin e punonjësve.

Një nga sipërmarrjet fason, vetëm me pak muaj aktivitet në prodhimin e këpucëve, pritet të punësojë 600 vetë në një turn. Një ndihmë për sipërmarrësin Alfred Doraci ka qenë Fondi për Nxitjen e Punësimit dhe Zyra e Punës në Kavajë, përmes së cilës sipërmarrësi kishte punësuar në një ditë, 34 vetë. “Nga Fondi i Punësimit, ne kemi pasur një favor shumë të madh për arsyen e vetme, sepse vetëm sot ne kemi marrë 34 vetë në punë. Është investim shumë i madh. Perspektiva është për 600 punëtorë, në një turn. Perspektiva është që shumë njerëz të punësohen. Kavaja në këto 25 vjet, nuk është parë me sy,” – shprehet sipërmarrësi.

Kryetari Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi e sheh zhvillimin e sipërmarrjes lokale të lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik në tërësi të Kavajës dhe premton mbështetje. “Është një fabrikë moderne, që do mbajë 600 punëtorë. Kemi një kënaqësi të madhe që biznesi kavajas ecën përpara, që të zhvillojë ekonominë e Kavajës.”

Roshi informon se së shpejti një tjetër fabrikë për prodhimin e veshjeve do të hapet në Kavajë. “Do të punësohen 200 punonjës. Është bërë kontrata para një muaji dhe muajin që vjen fillon fabrika. Kështu do të vazhdojmë lidhjen midis investitorëve të huaj me qytetin e Kavajës.”

Kryeministri Rama garanton mbështetje të plotë për të gjitha projektet e bashkisë dhe të sipërmarrjes, që rrisin punësimin real. “Ky ka qenë në drejtimin e duhur para shumë të tjerëve, sepse e kemi filluar bashkëpunimin bashkë për përcaktimin e zonave ku do mbështesim pikërisht ndërtimin e këtyre ndërmarrjeve. Synimi është për t’i çuar tek prodhimi me cikël të plotë. Ne do ta mbështesim shumë fort bashkinë, sepse bashkia e Kavajës është shumë e qartë në këtë drejtim. Krijimin e vendeve të punës e ka parë të lidhur me nxitjen e investimeve të drejtpërdrejta. Ne i jemi shumë mirënjohës për këtë, sepse 600 vende të reja pune këtu në këtë realitet, nuk është vetëm puna e 600 familjarëve që do të kenë një mundësi më shumë, por puna e thyerjes së një mentaliteti, se që nga koha e fabrikës së xhamave këtu u bë fabrikë vetëm për fara kungulli dhe për dy gishta.”

Ajo që shihet si shqetësim edhe nga ky sipërmarrës është mungesa e profesionistëve. Sipas tij, iniciativat e reja të qeverisë për nxitjen e arsimit profesional janë një ndihmë shumë e madhe për biznesin prodhues në vend. “Ne kemi pasur shumë probleme nga ana profesionale, po ky ligj na ka ndihmuar shumë, sepse i marrim 3 muaj dhe i mësojmë. Duke i mësuar 3 muaj na lehtëson. Shkollat profesionale, zero. Kërkojmë shkollat profesionale, sepse kjo na ndihmon, na ul koston. Fillimi është kosto më e vështirë tek çdo lloj aktiviteti.”

Arsimi profesional, garanton Kryeministri, është prioritet dhe qeveria ka një qasje krejt të re që garanton suksesin në tregun e punës. “Arsimin profesional e kemi prioritet dhe e kemi sipas modelit gjerman. Gjysma e kohës në shkollë, gjysma e kohës në fabrikë gjatë javës, pra, jo vetëm teori. Ndërkohë, kjo ju ndihmon ju dhe gjithë fabrikat e tjera që t’i merrni në punë dhe t’i përgatisni ndërkohë që ata janë në shkollë dhe në momentin që mbarojnë shkollën, ju i keni gati.”

***

Për sipërmarrësin Aqif Çaça, i cili ka vite në përpunimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij, paketa fiskale ka qenë një ndihmë shumë e madhe. Ashtu siç ai vetë i pohon Kryeministrit, heqja e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve ka bërë që ai në biznesin e tij, pas shumë vitesh aktivitet, për herë të parë të arrijë të blejë pajisje të reja të standardeve europiane. Sipërmarrësi Çaça thotë se ndër vite ka qenë i detyruar të importojë makineri pajisje të përdorura nga sipërmarrjet në Europë, ndërsa tani falë legjislacionit të ri të qeverisë mund të importojë për fabrikën e tij makineri të reja. Kjo sigurisht shkurton kostot, por edhe bën që sipërmarrësi të planifikojë shtimin e aktivitetit të tij me produkte të reja në treg. “Tani pres dy makineritë që vijnë nga Vjena dhe letrat i kam bërë gati. Është një ndihmë e madhe. Ne punonim me makineri të përdorura nga Europa, tani po investoj për makineri të reja. Është hera e parë, viti i parë që po investoj për makineri të reja, me heqjen e TVSH-së. S’është pak se i thonë 300 mijë euro, që i thonë 60 mijë euro heqje e TVSH-së. Shumë shpejt kemi për të bërë një repart tjetër për prodhimin e djathit.”

Siç dëshmon edhe vetë sipërmarrësi, por edhe treguesit statistikorë, vlerëson Kryeministri, politikat fiskale të qeverisë po nxisin prodhimin dhe punësimin real. Kryeministri siguron sipërmarrjen se edhe programi i ri i qeverisë do të jetë një nxitje më shumë për industrinë agropërpunuese. “Janar- maj të 2015-ës jemi 38% më lartë me importet e makinerive sesa viti i kaluar. Me Bankën Europiane për ndërtim dhe Zhvillim si dhe me bankat e nivelit të dytë dhe me ndihmën e AZHBR-së do të futet shteti për të garantuar riskun dhe për të bërë një ulje drastike të interesit. Do hyjmë me 50% sipërmarrësi, 50% bankat, por garancia shtetërore dhe interesi minimal do të jetë e gjitha e fokusuar tek grumbullimi dhe agro-përpunimi.”

Edhe këto sipërmarrje, nënvizon Kryeministri, janë vetëm dy dëshmitë e radhës sesi politikat fiskle dhe skemat mbështetëse të qeverisë janë një mbështetje reale për sipërmarrjen.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.