Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ka vijuar sot, me Korçën, firmosja e kontratave për investuesit e biznesmenët, të cilat kanë përfituar nga skemat e mbështetjes financiare në bujqësi dhe blegtori. Kryeministri Edi Rama, shoqëruar nga zёvendёskryeministri Niko Peleshi, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe Drejtoresha e AZHBR-sё, Suela Popa, nё takimin me fermerë të rajonit të Korçës, i inkurajoi ata që të fokusohen nё realizimin e sa më shumë projekteve, si mënyra e duhur për të siguruar mbështetje financiare dhe sukses, nё kёtё rrugë të re të bashkëveprimit ndërmjet fermerëve dhe Qeverisë.

“Sot është momenti kur duhet bërë një zgjedhje shumë e qartë; Ose vazhdimi në rrugën e vjetër, që fondet e shtetit të thërrmohen dhe të shpërndahen si lëmosha partiake tek disa qindra duar, për të garantuar një mbijetesë minimale, pa asnjë vazhdimësi, asnjë vend të ri pune, asnjë rritje reale e prodhimit, asnjë rritje reale e eksportit; Ose të fokusohemi tek shembujt e suksesit, për t’i bërë edhe më të suksesshëm, duke rritur vendet e punës, duke rritur prodhimin, duke shtuar zinxhirin e vlerës dhe në fund, duke rritur edhe eksportet. E, faktikisht, ne këtë do të bëjmë! – u shpreh Kryeministri.

Por për të kaluar nga bujqësia e mbijetesës tek bujqësia që gjeneron mirëqenie, theksoi Kryeministri, kjo kërkon që një pjesë të të ardhurave të investohen tek dija.

“Drejtoritë tona të bujqësisë të kthehen në zyra konsulence, për t’i treguar fermerëve sesi të aplikojnë, jo vetëm te AZHBR, që tashmë funksionon si një instrument i BE, por edhe në fonde të tjera që do të koordinohen përmes Ministrisë dhe AZHBR-së. Por është shumë e rëndësishme, që të filloni të mendoni që një pjesë sado të vogël të të ardhurave ta vini tek dija,” – u shpreh Kryeministri.

Ndërsa solli nё vëmendje rritjen inkurajuese, vetëm në 300 ditë, të eksportit të produkteve bujqësore shqiptare Kryeministri shprehu bindjen se me përgjegjshmërinë që ka rifituar shteti dhe potencialin që bujqësia ka, ekzistojnë të gjitha mundësitë për shumëfishimin e tyre.

“Vetëm me një ndryshim fillestar që është bërë në këto 300 ditë të para, vetëm me një vëmendje më të madhe dhe me një përgjegjshmëri që e ka rifituar sot shteti, brenda këtyre 300 ditëve, ne kemi disa shifra shumë inkurajuese. Jemi në afro 30 % më shumë eksport të prodhimeve bujqësore dhe i kemi të gjitha mundësitë që shifrat e eksportit t’i shumëfishojmë”.

Gjithashtu, një tjetër aspekt me shumë rёndёsi, Kryeministri vlerësoi rajonalizimin e kulturave bujqësore, çka do të forconte avantazhet konkurruese të çdo rajoni.

“Do të orientojmë financimet drejt rajonalizimit, për të nxitur dhe mbështetur rajonalizimin dhe për të nxitur dhe mbështetur rajonet dhe fermerët në çdo rajon, që të fokusohen tek ato kultura që janë më të përshtatshme për rajonin. Në këtë mënyrë të kemi një hartë të prodhimit bujqësor, të jetë një hartë e harmonizuar jo më me diktat nga lart, si dikur, por me imponimin që bën gjeografia, imponimin që bën klima, me imponimin që bën domosdoshmëria që ne të jemi konkurrues,” – theksoi Kryeministri.

Mbështetja e investimeve, orientimi kah suksesit dhe rajonalizimi, u theksuan edhe nga Ministri Panariti, si drejtime themelore të politikes së re nё bujqësi.

“Përqasja jonë ndaj mbështetjes së bujqësisë është tërësisht e re. Ne jemi shumë pragmatist, ne mbështesim rezultatin, ne mbështesim prodhimin, ne mbështesim përpjekjen e materializuar me produkt. Kjo është diferenca e madhe që në bëjmë me skemat e mëparshme dhe ky është një ndryshim i madh që ne do t’i japim bujqësisë. Në skemat e mbështetjes së bujqësisë do t’i orientojmë drejt rajonalizimit të prodhimit bujqësor. Natyrisht, çdo qark ka ato që quhen avantazhe konkurruese dhe krahasuese. Mbështetur kjo, edhe mbi traditat historike, por edhe mbi kushtet klimatike dhe strukturën e tokës,” – u shpreh Ministri Panariti.

Firmosja e kontratave të investimit u krye në pemishten e një biznesmeni, i cili i është kthyer investimit nё fshatit, duke përfituar në këtë mënyrë, siç u shpreh ai, më shumë të ardhura nga biznesi i tij.

Drejtoresha e AZHBR-sё, Suela Popa tha se skemat e reja mbështetëse të vitit 2014 përcjellin pikërisht këtë mesazh: Orientimin drejt investimeve në bujqësi.

“Sigurisht që do të promovohen dhe do të mbështeten financiarisht nga qeveria shqiptare, por, po ashtu, edhe nga fondet komunitare, të gjitha ato projekte të cilat janë të orientuara drejt ngritjes së infrastrukturës bashkëkohore. Ne jemi të fokusuar drejt rritjes sё infrastrukturës në bujqësi,” – u shpreh Popa.

Iniciativën për të investuar nё bujqësi e pёrshёndeti edhe zёvendёskryeministri Peleshi, i cili ftoi edhe të tjerët të ndjekin kёtё shembull, pasi, theksoi ai,  investimi në bujqësi është një investim me kthyeshmëri të shpejtë dhe tё sigurt.

“Unë jam dyfish i kënaqur qe jam sot këtu. Në fakt, ky rajon duket se më në fund është duke zbuluar potencialin e vet më të madh të zhvillimit, që është fusha e Korçës, e cila është fusha e dytë më e madhe në Shqipëri. Ashtu si Kosta(fermeri), qё mbas afro 20 vitesh zbuloi që biznesi i vërtetë është këtu në këtë fushë, besoj që edhe shumë nga ju dhe shumë të tjerë do ta kuptojnë që investimi në bujqësi është një investim me kthyeshmëri të shpejtë, i sigurt, sidomos në këtë zonë që ka një potencial të madh zhvillimi,” –
zёvendёskryeministri.

Gjatë vizitës nё rajonin e Korçës, Kryeministri Rama vizituar edhe disa biznese të Libonikut, të cilat janë të gjitha të mbështetura nga qeveria shqiptare. Kryeministri u ndal edhe nё fermën e mbarёshtrimit të lopëve, me kapacitet 600 litër qumësht në ditë, një
tjetër shembull suksesi i një sipërmarrjeje familjare i një fermeri të zonës, i cili ka aplikuar pranë AZHBR-sё për mbështetje financiare.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.