Kryeministri Edi Rama në takimin e përjavshëm me qytetarë, që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre, duke i adresuar në platformën e bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al”
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit që jeni të pranishëm për të dëshmuar rastet tuaja në marrëdhënie me platformën e bashkëqeverisjes. Ky është takimi javor i platformës me qytetarët, që synon sensibilizimin e të gjithë qytetarëve, lidhur me platformën e bashkëqeverisjes, si një instrument në duart e tyre për të zgjidhur çdo problem që ata kanë me administratën, duke adresuar çdo ngërç apo pengesë në funksion të së drejtës së çdo qytetari për të marrë shërbimin e merituar. I kërkoj Ledianës që të bëjë prezantimin e rastit të parë.
Ledjana Allka, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zoti Nushi nga qyteti i Korçës ankohet se është gjobitur padrejtësisht nga inspektimi tatimor si punonjës i padeklaruar, por ndërkohë Zoti Nushi ushtron profesionin si kontabilist i miratuar dhe nga një akt marrëveshje lidhur me subjektin nuk mund të konsiderohet si një punonjës i padeklaruar. Pas verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezultoi se ankesa ishte e drejtë dhe iu dha mundësia subjektit që të bëjë ankimimin e gjobës. Pas shqyrtimit të gjithë dokumentacioneve, Drejtoria e Apelimit Tatimor dhe kabineti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mori vendimin e shfuqizimit të gjobës. Vlen për t’u theksuar edhe se Drejtoria e investigimit të Antikorrupsionit ka propozuar fillimin e procedurës disiplinore për tre inspektorët që kanë kryer inspektimin.
Zoti Ylli Nushi: Vij nga qyteti i Bilishtit, zona e Devollit dhe jam kontabilist i miratuar. Para 10 ditësh pata një kontroll në biznesin që unë përfaqësoj nga tre inspektorë të Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe pas dhënies së të gjithë dokumentacionit që ata kanë kërkuar, në fund fare kanë gjobitur biznesin me 200 mijë leke të reja për mossigurim të kontabilistit. Problemi kryesor është se pasi unë i kam përcaktuar dhe ligjin dhe nenin për të drejtën e përfaqësimit, gjithashtu dhe ligjin e auditimit dhe të organizmit të profesionit të lirë, ata nuk kanë dashur të marrin këtë informacion, ose ndoshta dhe me dashje e kanë shkelur informacion të ligjit dhe kanë shpërfillur të drejtën e përfaqësimit të biznesit. Mendova se është një abuzim total i ligjit, pasi të mos dish një nen apo një ligj nuk është problem për një nëpunës, por quhet faj në qoftë se ti e bën më dashje një shkelje. Për këtë arsye, përveç apelimit të kësaj gjobe të padrejtë në Drejtorinë e Apelimit Tatimor mendova të bëj denoncimin tim pranë platformës së bashkëqeverisjes, pasi ishte një rast i pastër abuzimi. Ju falënderoj për këtë platformë, pasi gjeta një zgjidhje të shpejtë. I ftoj të gjithë qytetarët për çdo lloji problemi, halli e çdo shkelje që mund të kenë të mos hezitojnë, por të bëjnë denoncimin e tyre pranë kësaj platforme, pasi vërtetë mund të marrin zgjidhjen shumë herë më shpejt në kohë. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu dhe për të sjellë këtë rast. Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që pasi zgjidhin problemin nuk përtojnë të na japin një dorë, duke ardhur deri këtu, për të na ndihmuar që të përcjellim mesazhin. Tjetër është kur njerëzit e dëgjojnë nga unë, apo nga ne që punojmë çdo ditë për këtë platformë dhe tjetër është kur e dëgjojnë drejtpërdrejte nga qytetarët. Nga ana tjetër, rëndësia e këtij ndërveprimi është e dyfishtë. Në rastin konkret, Ylli ka marrë të drejtën e vet, por na ka ndihmuar që të adresojmë shkeljen, jo thjesht në funksion të së drejtës së tij, por edhe në funksion të disiplinës profesionale dhe të etikës së përfaqësuesve të shtetit. Të tre inspektorët janë në procesin e hetimit administrativ dhe në bazë të konkluzioneve të hetimit, sigurisht që ndaj tyre do të merren masa. Masat shkojnë nga ndjekje penale, lirim nga detyra, deri në paralajmërime për lirim nga detyra. Këto përcaktohen sipas gjetjeve të hetimit administrativ dhe ndihmojnë për të çuar tek të gjithë nëpunësit e shtetit, mesazhin se të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit, jo thjeshtë në letër, por edhe në realitetin e përditshëm, ku administrata duhet ta njohë dhe ta mbrojë barazinë e tyre përpara ligjit.
Fatmir Shehu, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zoti Col Qokaj kishte depozituar formularin e deklarimit në 2005-n për pronën e tij, ndodhur ne Laprakë. Ky formular është depozituar pranë ish drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t Tirana Veri dhe për këtë pronë, Zoti Qokaj kishte bërë dhe procedurat ligjore për ta përfituar nëpërmjet vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave që i njeh të drejtën e kalimit nga pronë shtet, në posedues informal. Për pronën në fjalë, Zoti Qokaj kishte bërë pagesën e të gjitha taksave dhe detyrimeve, ku së fundi ka paguar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, e cila nënkuptonte vijueshmërinë më tej me pagesën e detyrimit me emetimin e lejes së legalizimit nga drejtoria vendore e Kadastrës Tirana Veri. Por ky veprim dhe ky detyrim nuk u bë nga drejtoria vendore dhe për këtë Zoti Qoka bëri një aplikim në platformën e bashkëqeverisjes. Pas ndjekjes së rastit nga ana jonë, u mundësua emetimi i lejes së legalizimit dhe vijimi me tej me përcjelljen e lejes së legalizimit për regjistrim nga sektori përkatës në drejtorinë vendore Tirana Veri.
Zoti Col Qokaj: Që në 2005-n kam aplikuar, nuk më është dhënë e drejta për të marrë lejen e legalizimit. Të gjithë ata rreth meje e kanë marrë, janë pajisur me leje, ndërsa unë kam qenë “shko e hajde” përditë. Jam përcjellë dhe nuk jam trajtuar mirë. Duke parë gjendjen e tillë, jam drejtuar te portali. Ata e nxorën nga sirtari [lejen] e ma dhanë. Ju falënderojmë për krijimin e asaj strukture që na ndihmoi për të zgjidhur hallet dhe problemet e qytetarëve dhe timin, pasi aty mora lejen e legalizimit. Leja ishte aprovuar në fillim të muajit korrik dhe unë e mora para 10 ditëve. Faleminderit Zoti kryeministër!
Kryeministri Edi Rama: Respekte dhe shumë faleminderit për praninë këtu. Njësoj si në rastin e parë dhe në këtë rast, çështja po hetohet dhe personat përgjegjës, që kanë vonuar shërbimin, sigurisht që do i nënshtrohen masave që do dalin nga përfundimet e hetimit administrativ.
Dorina Ferazoviç, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në dhjetor të vitit 2017, Zoti Dritan Bukaqeja u paraqit në Zyrën e Kujdesit ndaj Klientit në Shkodër për të paraqitur një ankesë për ndërrimin e matësit, pasi rezultonte që matësi të kishte defekt në matje. Specialistët e OSHE-së, në fillim të janarit të vitit 2018 bënë ndërrimin e matësit me një matës të ri. Por në muajin janar, Zoti Bukaqeja u faturua dyfish dhe matësin e ri dhe me të dhënat e matësit të vjetër. Me tu konstatuar kjo gjë, në mars të vitit 2018, ai u paraqit për të bërë një ankesë në zyrat e OSSHE-së. Duke pritur disa muaj dhe pasi nuk mori zgjidhje, u paraqit përsëri në janar të vitit 2019, por deri në 9 shtator që ju drejtua platformës së bashkëqeverisjes përsëri nuk gjeti zgjidhje. Me t’u paraqitur rasti, nga ana koordinatoreve u dërgua për trajtim dhe verifikim në zyrat e OSSHE-së, e cila së bashku me strukturat përkatëse në Drejtorinë Rajonale Shkodër bënë verifikimin e rastit dhe në datë 13 shtator 2019 iu kthye përgjigje nëpërmjet emailit që rasti i tij ishte i zgjidhur. Për këtë rast ka nisur hetimi administrativ për personat përgjegjës.
Zoti Dritan Bukaqeja: Problemi ynë ishte që ne po faturoheshim me matësin e ri, por dhe me të vjetrin, i cili vazhdonte të shënonte. Arrita ta paraqes si rast tek platforma. Thashë ta provoj dhe unë, pavarësisht se nuk kisha dhe shumë besim të them të drejtën, sepse nuk e dija sa funksiononte si platformë. E pashë që funksionoi dhe faleminderit. Ju bëj thirrje të gjithë të tjerëve që, nëse kanë raste të tilla të ngjashme, ta provojnë edhe ata si unë, se ndofta zgjidhja është aty.
Kryeministri Edi Rama: Në rast se e drejta është aty dhe zgjidhja është aty, nuk diskutohet dhe më vjen mirë që ju e thatë në mënyrë të drejtpërdrejtë që nuk kishit besim në fillim, por nuk kushton asgjë, pasi janë dy -tre minuta punë për të provuar vërtetësinë e gjithë këtyre përpjekjeve dhe njëkohësisht për të verifikuar vërtetësinë e fjalëve që themi çdo javë përmes këtij takimi të përjavshëm. Ama një gjë është e sigurt që pas aplikimit vihen në lëvizje koordinatorët e bashkëqeverisjes, titullari përkatës i institucionit, apo ministri përkatës dhe kujtdo që i takon e drejta, merr të drejtën.
Fatbardha Tuga, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do të prezantoj sot i përket qytetarit Spiro Çakalli nga qyteti i Durrësit. Ai iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, pasi prej disa kohësh përpara vendit ku ushtronte aktivitetin e tij ishte vendosur një objekt tip kioskë në mënyrë të paligjshme, duke përbërë kështu shqetësim për ushtrimin e aktivitetit nga familja Çakalli. Rasti u paraqit menjëherë pranë Bashkisë Durrës dhe me anë të strukturave të saj dhe konkretisht, Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit, pasi kryen verifikimet e nevojshme, bënë të mundur largimin e këtij objekti të paligjshëm.
Bashkëshortja e Zotit Spiro Çakallit: Për këtë problem, për një kohë të gjatë u drejtova në bashki dhe institucionet përkatëse dhe në asnjë derë nuk më dhanë një përgjigje për heqjen e kioskës. E mërzitur nga mosmarrja e një përgjigjeje, ju drejtova portalit të bashkëqeverisjes dhe këtu gjeta zgjidhje dhe për këtë ju falënderoj shumë.
Kryeministri Edi Rama: Një gabim bëni që portalin e lini për në fund, ndërkohë që portalin është mirë që ta përdorni në fillim. Nuk ka asnjë vlerë që të humbisni kohë, nerva, energji dhe të mërziteni duke ardhur vërdallë sa një derë, në një derë tjetër. Që në momentin e parë që institucioni që duhet të japi përgjigjen nuk ta jep përgjigjen, mos prit, por harxho 2-3 minuta për të aplikuar dhe për të përcjellë ankesën tek Shqipëriaqëduam.al. Dy-tre minuta dhe siç ju mund ta dëshmoni, brenda 10 ditësh merr përgjigjen, dhe në raste kur kalohet 10- ditshi për arsye të natyrës shkresore dhe burokratike, po qe se përgjigja e parë thotë që me çështjen tuaj do të merremi dhe në telefonatën e parë, një nga koordinatorët thotë që “ju keni të drejtë”, nuk ka diskutim që vjen zgjidhja.
Ajo që i bëj apel të gjithëve është, mos kërkoni rrugë të shkurtra që nxjerrin gjatë, mos kërkoni miq, mos kërkoni parti, mos kërkoni absolutisht të zgjidhni problemin për të marrë të drejtën që ju takon, duke nxjerrë nga xhepi, qoftë edhe 10 qindarka, por thjeshtë drejtohuni portalit. Është një klik që nuk kushton asnjë lek dhe nuk kushton asgjë, thjesht e vetëm vë në lëvizje qeverinë në dispozicionin tënd si qytetarë.
Enada Vruzhi, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në tetor të vitit 2018, ish drejtoria e ALUIZNIT Tirana 2 ka emetuar 3 leje legalizimi në emër të Zotit Sadullah Kërluku. Më pas, qytetari ka vijuar të interesohet, duke depozituar kërkesa pranë drejtorisë Tirana Veri, pas momentit të ristrukturimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por pa sukses. Këto kërkesa ai i ka depozituar periodikisht për periudhën shkurt deri në gusht të këtij viti. Ndodhur në këto kushte, ai ju drejtua platformës dhe brenda 10 ditëve është pajisur me tre certifikata pronësie.
Zoti Sadullah Kërluku: Që vjet që u bë legalizimi dhe kjo u bë në sajë të Kryeministrit, i çova në hipotekë. Ata të hipotekës më thonin bëj kërkesë për ankesë. E bëja një muaj kërkesën, shkoja prapë e kështu me radhë dhe nuk mu dha zgjidhja. Ju drejtova portalit të bashkëqeverisjes, më erdhi përgjigja brenda 10 ditëve dhe mora certifikatat e pronësisë. Pas shumë sorollatjeve mu dha zgjidhja. Kjo zgjidhje, – tek e cila unë nuk besoja se do të vinte – po i drejtohem dhe qytetarëve të tjerë që qenka një zgjidhje ideale. Me portalin gjen zgjidhje.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin dhe me vjen mirë që ke pritur, por ke marr 3 certifikata përnjëherë. Ke pasur një fat trinjak. Përtej shakasë më vjen shumë mirë që mund të them sot, se në nivelin e qeverisë dhe institucioneve qendrore, numri i adresimit të qytetarëve – ankesa, kërkesa, apo dhe adresime të natyrave të tjera, se nuk janë vetëm ankesa, – ka arritur në 45 mijë e 326 dhe 44 mijë e 224 kanë marr përgjigje. Ka vetëm një diferencë për rreth njëmijë që janë në proces, çka tregon se kemi arritur të garantojmë në radhë të parë, respektin e shtetit për qytetarët, të cilët nuk e hedhin fjalën në erë, apo nuk e lëshojnë ankesën në drejtim të paditur, por kur na adresohen, marrim përgjigje. Kjo është A-ja. Nga ana tjetër, 30 mijë e 427 ankesa kanë marrë përgjigje pozitive.
Rastet e tjera janë raste kur ndodh shpesh që qytetarët janë të dëshpëruar nga sistemi i drejtësisë, për shembull dhe na drejtohen, por aty nuk kemi mundësi të ndërhyjmë. Nuk kemi mundësi të ndërhyjmë. Ju e patë vetë javën e kaluar, një rast flagrant i shkeljes së ligjit dhe jo vetëm i shkeljes së ligjit, por i transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit. Por, kur vjen puna tek ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, kjo është e pamundur për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetuta përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe përcakton qartë edhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të na duket, ose pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon, i dëshpëruar pas një padrejtësie në dyert e gjykatave.
Fatkeqësisht po shohim që pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ të përkohshëm, por shumë të rendë mbi qytetarët, sepse shumë prokurorë dhe gjykatës që janë të zhytur deri në fyt dhe që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans të kalojnë vettingun, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton “të kapim çfarë të kapim”.
Dua ta theksoj sot atë që kam thënë qysh ditën e parë, duke mirëkuptuar dhe mungesën e durimit të qytetarëve, duke mirëkuptuar shpeshherë edhe qytetarët e dëshpëruar që thonë “pse kjo ishte?” dhe që nuk kuptojnë, apo janë të papredispozuar psikologjikisht që të kuptojnë se ndërtimi i një sistemi të ri drejtësie kërkon kohë. Ajo që kam thënë qysh në krye të herës ka qënë që vettingu do pastrojë dhe sistemi i pastruar do të ndëshkojë ata që pastrohen nga vettingu.
Më vjen shumë mirë që ky është kthyer tani në një kusht detyrues nga Bashkimi Europian dhe të jenë të sigurt të gjithë se ata, të cilët vettingu i përjashton, do të rikthehen përpara prokurorëve dhe gjykatësve për të dhënë llogari për pasuritë e tyre të pajustifikueshme. Të jenë të sigurt të gjithë ata që bëjnë krime, edhe sot që flasim, ndaj qytetarëve, për të përfituar para të zezë, deri dhe për të marrë “rroga”, se ato s’janë rroga, por për të marrë shpërblime të majme nga organizatat kriminale, se drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do harrojë, të jenë të sigurt.
Ashtu sikundër më vjen shumë mirë të theksoj se ka arritur në 793 numri i masave ndëshkimore, të marra falë hetimeve administrative që vijnë pasi u jepet e drejtë qytetarëve nga platforma. Janë 46 masa disiplinore në proces për nëpunës, për shefa, apo drejtues zyrash, që u kanë rënë në qafë qytetarëve. Siç ishte rasti i Yllit nga Devolli, apo siç ishte rasti tjetër kur është sorollatur për të marrë certifikatën që i takon, hetimet do të nxjerrin fajtorët, të cilët do të ndëshkohen sipas shkallës së fajit që kanë bërë. Ky është ndërveprimi.
U them të gjithë atyre që përqeshin dhe i bien shkurt e thonë, pse kështu duhet të funksionojë shteti, duke shkuar deri tek Kryeministri, duke shkuar deri tek qeveria, ndërkohë që duhet që gjërat të funksionojnë menjëherë në momentin e parë, se edhe në vendet më të zhvilluara, që kanë administrata shumë më efikase sesa e jona, përsëri makineria nuk është perfekte, se po të ishte makineria perfektë, s’do të kishte me qindra, mijëra, miliona letra në vit që ju shkojnë senatorëve dhe kongresmenëve nga qytetarët. S’do kishte zyrë ankesash Shtëpia e Bardhë dhe letra që i shkojnë Presidentit të Shteteve të Bashkuara. S’do kishte zyra ankesash edhe të gjithë vendet e tjerë.
Ndërkohë që ajo që ne kemi bërë është një transformim i zyrave tradicionale të ankesave me letra që nuk i lexonte askush dhe mbeteshin nëpër sirtarë, në një zyrë ankese dixhitale që çdo qytetar e ka në xhep, e ka në telefonin e vet, ose e ka disa hapa larg shtëpisë, tek një qendër interneti, apo tek njësia administrative. Mjafton që të bëjë ankesën dhe vë gjithë qeverinë në lëvizje. Deri dje, për të vënë në lëvizje një ministër e për të vënë në lëvizje qeverinë, apo një drejtor, duhej të merrje një deputet në telefon, apo një mik i fortë, një kunat, një xhaxha, apo një hallë a një vjehërr e të parit të punës. Sot nuk ka rëndësi fare se kush je, nuk ka rëndësi fare për kë voton, s’ka rëndësi fare, nëse je pasur apo i varfër, në qytet apo në fshat, je burrë apo grua, je fizikisht mirë, a je invalid, mjafton të klikosh tek platforma dhe ke shtetin në krah. Nëse të takon e drejta, ti të drejtën e merr. Kjo është ajo që vlen.
Sot janë mbi 115 mijë ata, të cilët kanë hyrë dhe e kanë vizituar platformën dhe ka afro 20 mijë regjistrime të reja njerëzish, që pasi e kanë provuar vetë suksesin, janë të lidhur me platformën dhe e dinë shumë mirë rrugën. Nuk ka nevojë t’i bien gjatë, as për mbi faturimin, as për rillogariten e pensionit, as për certifikatën, as për një padrejtësi nga një inspektor i caktuar, as për nevojën për t’i lexuar mirë ligjin atyre që duhet ta mishërojnë gjithë dijen e ligjit, kur vijnë tek dera e një biznesi, apo tek dera e një qytetari.
Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu!
Mirëserdhët dhe shumë faleminderit për mundimin që keni marrë dhe faleminderit koordinatorëve për punën!