Komunikim live i Kryeministrit Edi Rama me qytetarë, në rrjetet sociale, Facebook dhe Instagram:
Mirëdita!
Jemi live në FB, Instagram dhe besova që ishte një ditë e mirë për të bërë një bashkëbisedim me ju.
Jeni të mirëpritur të bëni pyetje mbi temën kryesore, por edhe mbi çdo gjë tjetër që dëshironi.
Në vlerësimin e fundit të raportit prestigjioz ndërkombëtar, Indeksi i Demokracisë, Njjësia e Inteligjencës së prestigjiozes “The Economist”, Shqipëria, për herë të parë pas tre dekadash ka një rritje dhe një kapërcim, sepse ka dalë nga kategoria regjim hibrid, për të kaluar në një kategori më të lartë.
Faktikisht, në 2006-ën, Shqipëria ka figuruar për herë të parë në renditjen e “The Economist dhe deri në 2013-ën, trendi i vlerësimit të Indeksit të Demokracisë ka qenë në rënie të vazhdueshme. Vetëm pas vitit 2013 dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme, mjafton të shihet që grafiku i këtij trendi ka nisur një ngjitje të qëndrueshme.
Vlerësimi i vitit 2020, që çuditërisht ose aspak çuditërisht ka zënë pak ose aspak vend në pasqyrat e kanaleve, portaleve, socialeve, pasi ato janë kryesisht për amplifikimin e lajmeve të këqija, për amplifikimin e gjysmë të vërtetave që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, apo për amplifikimin e gënjeshtrave. Është një vlerësim që shënon arritjen më të lartë deri tani të Indeksit të Demokracisë, pasi sjell kalimin në një kategori tjetër të klasifikimit të zhvillimit të demokracisë.
E faktikisht jemi futur në të njëjtën klasë, sipas Indeksit, jo sipas meje, me shtetet anëtare të BE-së dhe me SHBA-në, ndërsa vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina renditen ende tek kategoria e regjimeve hibride.
Shqipëria futet në të njëjtën klasë me vendet e BE-së, që nga Italia deri tek SHBA-ja, në kategorinë e një demokracie më të zhvilluar, ku respektohen përgjithësisht të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Madje, për shkak se vijmë nga më poshtë, – natyrisht, kjo nuk është për të bërë garë dhe për të thënë jemi më mirë se ata, absolutisht jo, sepse nuk jemi më mirë dhe kjo nuk hyn në mënyrën time, as të të menduarit dhe as të komunikuarit, por meqenëse vijmë nga më poshtë edhe përmirësimi në ngresimin e Indeksit të Demokracisë na bën ndër të paktat që kanë përmirësim, të tjerët e kanë arritur një stabilitet të lartë nuk diskutohet, në një kohë kur shumë vende të tjera kanë përkeqësim, sidomos gjatë periudhës së pandemisë globale.
Akoma më e bukur, për të bërë një vlerësim me ndihmën e një arbitri kolektiv, siç është “The Economist” dhe për të parë kontrastin midis gjithë bolorisë së këtushme dhe gjithë zallahisë e mjegullës që krijohet këtu nga tymi dhe nga balta, vlerësohet qeveria për reformat demokratizuese dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe reforma elektorale. Pra, ajo reformë aq shumë, jo vetëm e diskutuar, por edhe mallkuar nga një palë, dy, tre apo pesë palë vendas dhe të huaj, konsiderohet si një ndër arsyet kryesore të këtij përmirësimi. Sepse Shqipëria, me reformën dhe faktikisht dhe thelbësisht, me çmontimin e formulës së vjetër të koalicioneve dhe standardizimin e koalicioneve si në çdo vend të OSBE-së, jo vetëm në BE, ka hyrë në një klasë tjetër, edhe në këtë aspekt. Pra, ajo reforma që u tha dhe u stërtha që ishte një mënyrë për të kapur edhe zgjedhjet dhe për të lincuar grupimet kundërshtare me regjimin – se këtu përdoret dhe fjala “regjim” dhe përdoret rëndom, – faktikisht ka garantuar kalimin në një stad tjetër. Kjo është e vërteta, pasi kjo reformë ka bërë që të respektohet adresa e votës dhe të mos ketë më voto për njërin, nxirr tjetrin dhe pastaj del në fund një i tretë.
Fakti që Shqipëria pati fatkeqësinë e madhe, të dyfishtë, të përballimit në pak më shumë se një vit sot, të jo vetëm fatkeqësisë globale të pandemisë, por dhe fatkeqësisë natyrore të tërmetit, e rrit dhe më shumë në sytë e mi vlerën e këtij vlerësimi dhe të këtij përmirësimi në renditjen e Indeksit të Demokracisë, sepse në kohë krizash kaq të thella dhe tronditëse si tërmeti që godet zemrën e vendit dhe prek brenda një perimetri ku është e fokusuar një pjesë e konsiderueshme e kapitalit njerëzor, financiar të vendit, ruajtja dhe plotësimi i mekanizmave që mbrojnë liritë dhe të drejtat. Plus përkrah paralelisht me masat kufizuese për një popullsi të tërë, si në rastin e mbrojtjes nga armiku i padukshëm, bëhet edhe më i vështirë dhe dëmet e mëdha të shkaktuara në njerëz dhe në burime financiare nga tërmeti dhe pandemia, sigurisht, impaktojnë jo thjeshtë ekonominë, por mund të kenë pasoja që shtrihen edhe në vetë mekanizmin e sistemit demokratik.
Nga ana tjetër kemi një lajm tjetër, paralelisht me këtë, që na flet për ekonominë. Për atë ekonomi që unë dua të jem shumë i qartë, ju lutem, askush të mos mendojë se kur unë flas për ekonominë dhe kur unë flas për arritjet në ekonomi, përpiqem t’ju them “jini të lumtur”, “jini të kënaqur”, “duartrokisni”, “mjaftohuni me kaq”.
Absolutisht jo!
Jam shumë i vetëdijshëm që këtu nuk ka vend, as për të qenë të lumtur dhe as për të qenë të kënaqur. Kam më i pakënaquri ndër të gjithë ju, sepse besoj shumë që potenciali i madh është aty dhe puna për t’u bërë është ende shumë më e madhe nga ajo që kemi bërë.
Por ama, institucionet ndërkombëtare, vlerësimet e tyre i bëjnë objektivisht mbi bazë shifrash dhe faktesh, jo mbi bazë axhendash politike e as mbi bazë emocionesh që janë plotësisht të mirëkuptueshme kur këto vijnë nga brenda barkut të vendit dhe raporti i sapodalë i Standard & Poor’s, një nga agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare të vlerësimit të ekonomisë, konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual, pra, konfirmon qëndrueshmëri, B+ dhe perspektivën e qëndrueshme. Gjë që nuk ndodh po të shikoni në klasifikimin e përgjithshëm në plot vende të tjera, ku ose kanë humbur pozicionin në një kategori të caktuar, ose konsiderohen me perspektivë të paqëndrueshme.
Agjencia ndërkombëtarë e vlerësimit Standard and Poor’s parashikon që këtë vit, ekonomia shqiptare do të rritet me rreth 4.5%, natyrisht, me supozimin që nuk do ketë një tjetër valë të fortë infektimesh që të na detyrojë që të mbyllemi. Ndërkohë që ne jemi ende më optimistë se kaq për ekonominë në vitin 2021, por kjo është temë tjetër.
Standard & Poor’s thekson se: “qeveria arriti të sigurojë kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe të emetojë një Eurobond të suksesshëm në tregjet ndërkombëtare, për të financuar hendekun fiskal, të krijuar nga goditjet e për të ndaluar presionet mbi bilancet e pagesat”.
Shumë shpesh, kur flitet për borxhin e flitet për kreditë, diskutimi bëhet në formën më banale të mundshme, a thua se marrja e kredive, se dalja në tregun e kapitaleve është e para, e dëmshme dhe e dyta, e kollajshme. Në fakt jo. E të mos harrojmë asnjëherë, çështja kryesore e një vendi nuk është sa e ka borxhin, por sa fuqi ka ta financojë borxhin. Japonia e ka 200% borxhin, por kjo nuk e pengon Japoninë të shohë një perspektivë shumë të qëndrueshme, sepse kapacitetin e financimit të borxhit e ka fantastik.
Po ashtu, Standard & Poor’s vlerëson se përpjekjet e qeverisë ndihmojnë për të konsoliduar ekonominë në vitet e ardhshme, teksa ka filluar zbatimi i një sërë sistemesh, përfshirë atë të fiskalizimit, për të siguruar miradministrim fiskal. E thënë ndryshe, në vijimësinë e çfarë jemi përpjekur të themi gjatë gjithë kësaj kohe, është se janë vënë bazat, të dashur miq. Janë vënë bazat që nuk kanë qenë kurrë më parë dhe situata, sot, në Shqipëri është në të gjithë sektorët, por dhe në ekonomi, njësoj si situata e një kantieri rindërtimi. Pra, aty ku deri dje kishte rrënoja, kishte baltë, kishte terren të paqëndrueshëm që kërkonte ndërhyrje për t’u veshur me shtresa speciale që të garantonin konsolidimin gjeologjik, si në Thumanë përshembull, sot ka infrastrukturë nëntokësore të ndërtuar, ka ngrehina që po dalin hap pas hapi mbi sipërfaqe, po hidhen katet, po shkohet tek çatitë, po fillojnë pallatet. Por a është një lagje e banueshme ajo në Thumanë?
A është një lagje e banueshme sot, ajo në Fushë Krujë?
A është një lagje e banueshme, ajo në Vaqar?
A është një lagje e banueshme, ajo tek “5 Maji”?
Absolutisht jo!
Ama perspektiva është aty dhe nuk ka kohë për pushim, nuk ka kohë për gjumë. Duhet punë që të mbarojë pikërisht i gjithë projekti dhe njerëzit përfundimisht t’i banojnë këto lagje. Çfarë dua të them me këtë?
Standard & Poor’s thotë, ka filluar zbatimi një sërë sistemesh, përfshirë fiskalizimin. Fiskalizimi është ai sistemi i shumëgoditur nga këta që flenë gjumë e flasin përgjumësh edhe kur janë në këmbë, edhe nga një pjesë e komunitetit të biznesit. Por, në fakt, këto janë infrastruktura dhe sistemet që do ta bëjnë ekonominë tonë në vitet e ardhshme një ekonomi që do të ketë shumë më tepër për të dhënë për të gjithë, sipas natyrisht punës, kontributit e të tjera. Kjo sjell modernizim të sistemit fiskal dhe sjell një rritje të të ardhurave ndaj prodhimit të përgjithshëm. Të ardhura për arkën e përbashkët mbi 30%. Në fund të ditës, nuk është çështja se sa paguajnë ata që paguajnë taksa, por sa ne arrijmë që edhe ata që janë mësuar të mospaguajnë apo ata që i ikin detyrimeve, të paguajnë pjesën e tyre të detyrimeve e të zgjerohet baza fiskale pa rritur taksat. Ne nuk kemi taksa për të rritur e flasim për një vend që e ka bërë zero taksën mbi biznesin e vogël. Ka bërë zero TVSH-në mbi biznesin deri në 100 mijë dollarë dhe ka zeruar taksimin mbi biznesin deri në 140 mijë dollarë në vit xhiro. Flasim për një vend që ka një sistem taksimi progresiv, kush fiton më pak, paguan më pak, kush fiton më shumë, paguan më shumë. Kush punon më shumë duhet të marrë atë që i takon dhe kjo është sfida jonë e mëtejshme, pasi ne vërtetë e kemi rritur dhe sot që flasim kemi hyrë në vitin e parë me një pagë minimale 300 mijë lekë, por nuk bëhet fjalë që të kërkojmë nga ata që marrin 300 mijë lekë pagë minimale, që të jenë të lumtur apo të kënaqur, apo të mos jenë të frustruar, të stresuar e të mos kërkojnë më shumë. Por sistemi që po ngremë, zgjerimi i bazës, vendosja e gjithë atyre sistemeve të brendshme të atyre godinave që janë ende në ndërtim, do të bëjë që paga minimale të shkojë duke u rritur çdo vit në vitet e ardhshme.
Nga ana tjetër, këto konstatime të këtyre organizatave që nuk mund të dyshohen për objektivitetin e tyre, që janë pika referimi të të gjitha vendeve, vërtetojnë se vendi ka hyrë në një proces zhvillimi që përshpejtohet. Këtu tek përshpejtimi, ju të gjithë doni shumë më shpejt. Unë dua edhe më shpejt se ju, por duhet të kuptojmë që një bebe nuk bëhet 10 vjeç që vitin e parë. Që do të thotë se ka nevojë gjithë ky organizëm që ne po rrisim, të marrë kohën e vet e natyrisht të përballojë sfidat e veta, të kalojë sëmundjet që e prekin e të fuqizohet.
Renditja e Transparency International, e treta në radhën e këtyre që po diskutoj me ju, për Indeksin e Korrupsionit. Shqipëria është vlerësuar këtë vit, 2 pozicione më lart se vitin e kaluar. 2 pozicione më lart duken pak, janë pak për mua. Jam i vetëdijshëm që korrupsioni mbetet një problem serioz dhe atakimi seriozisht i korrupsionit është një domosdoshmëri, për të pasur një impakt serioz mbi gjithë infrastrukturën e ekonomisë në radhë të parë, por jo vetëm të ekonomisë, por mbi gjithë ngrehinën e lirive e të drejtave.
Ku përparim 2 vende ka ndodhur paralelisht ose me përkeqësimin, ose me qëndrimin në vend të shumë vendeve të tjera në rajon. Nuk po përmend të tjerët, meqë është një vlerësim negativ, por në krahasim me të gjitha vendet e rajonit, Shqipëria, edhe në këtë aspekt ka trend rritës nga raporti i vitit 2013, gjë që nuk ka ndodhur me vendet e tjera. Ky është fakt dhe mund të shihet, të merret, të analizohet e të ballafaqohet. Asnjëherë, kur unë i referohem 2013-ës, nuk dua të mendoni që – po e përsëris, – ju kërkoj të thoni, “shiko çfarë mrekullie”.
Nuk është bërë asnjë mrekulli. Nuk ka shkop magjik, nuk ka gjëra që mund të bëhen sa hap e mbyll sytë. Gjërat kërkojnë punë, kohë dhe durim, por e vërteta është që duke parë 2013-ën e duke u kujtuar që ishim si mbas tërmetit, në aspektin e llogarive të shtetit, por dhe në çdo sektor, duke parë sa shumë gërmadha janë pastruar, duke parë sa shumë është bërë për të vendosur bazat e infrastrukturës, kanalizimet e ujësjellësit në Thumanë, nuk duken sot, por janë aty dhe në momentin kur do të mbarojë puna me ndërtesat, do të vihen në funksion. Pra, ka shumë gjëra sot që nuk preken drejtpërdrejt nga ai që merr 300 mijë lekë pagë mininale, por janë aty dhe janë aty pikërisht për të ngritur të gjithë arkitekturën nga një projekt në një realitet e për të sjellë më shumë.
Tani, t’jua them apo mos t’jua them? Duhet të kem vështirësi t’jua them që në raportin e financuar nga Bashkimi Europian, Shqipëria në rajon është vendi me përqindjen më të lartë të punësimit për vitin 2019. Është fakt!
Dhe kjo konfirmon raportin e Bankës Botërore; Shqipëria, vendi me papunësinë më të ulët në rajon. Është fakt!
Çështja natyrisht mbetet, jo thjeshtë si të krijojmë vende pune, por si t’i paguajmë vendet e punës më mirë. Si të rrisim të ardhurat nga puna, sidomos të atyre që punojnë shumë e këtu kam parasysh ata që punojë realisht shumë në sektorin privat dhe marrin pak në raport me punën që bëjnë.
Një gjë që ka ndikuar qartë në vlerësimet që po ndaj me ju të Shqipërisë, është edhe reagimi i shpejtë i qeverisë dhe mbledhja e një shifre rekord kontributesh pas tërmetit, si dhe vënia në dispozicion për qytetarët dhe bizneset e paketave të rimëkëmbjes gjatë pandemisë. Këto nuk i them unë. Të gjithë këto të shumëpërfolura, të gjitha këto të keqpërfolura rëndom çdo ditë. Është fakt!
“Shpërndarja transparente e ndihmës ekonomike, duke forcuar mekanizmat e kontrollit dhe aksesin në informacion se si po përdoren këto para, kanë forcuar aspekte të rëndësishme të demokracisë në vend”.
Kur unë e them, kur ne e themi, ndihma ekonomike nuk jepet më si dikur, me këshilla bashkiake politike ku merrnin ndihmën ekonomike anëtarët e këshillit, ku merrnin ndihmën ekonomike anëtarët e partisë që kishte shumicën, ku merrnin ndihmën ekonomike ata, të cilëve pastaj u kërkohej votë në këmbim të ndihmës ekonomike. Ndihma ekonomike prej disa vitesh është një sistem dixhital, me pikëzim, me gjurmim dhe me një objektivitet të lartë në përcaktimin se kush e merr dhe kush jo dhe totalisht transparent.
Po ashtu, vetë kategoria ku vendi tani bën pjesë, që është kategoria e demokracive me të meta, tregon se puna që kemi përpara është e jashtëzakonshme. Por një gjë është e sigurtë;
A mund të ketë kthim pas?
Kurrën e kurrës!
A ka kohë për pushim dhe për të rifilluar nga e para e për t’u gjendur prapë tek një tërmet tjetër apo tek një infeksion tjetër, jo më nga Zoti, por nga politika e të shkuarës?
Kurrën e kurrës!
Këto janë gjërat që doja të ndaja. Jeni të lirë të pyesni për çdo temë që ju dëshironi, përfshirë dhe këto që unë ndava me ju. Ju kam në Instagram dhe në Facebook.
– “Oratori më i modh me të hedh hi syve”, – thotë Armandi.
Çfarë po oratoroj unë dhe për çfarë po të hedh hi syve? Këto janë thjesht dhe vetëm komunikime nga çfarë kanë shkruar të tjerët, që as nuk më njohin, as nuk më kanë komshi në Surrel, as nuk janë anëtarë të PS-së. As nuk flasin shqip fare, por thjesht shohin fakte, vlerësojnë shifra dhe japin konkluzione për ne dhe për gjithë vendet e botës dhe gjithë bota ju referohet. Çfarë lidhje ka kjo me oratorinë?
Ndërkohë që mora një përmbledhje nga pyetjet që ishin bërë përpara fillimit dhe dua të ndalem pak tek vaksinat, sepse janë disa të interesuar Po marr si referencë Tomorr Doçi.
Zoti Doçi thotë: “Pse nuk bëhen bashkë, për të sjellë vaksinat për popullin, politikanët si në Shqipëri dhe në Kosovë? Ku janë VIP-at që e njohin botën? Ku janë miliarderët si në Kosovë dhe në Shqipëri dhe Shqipërisë i duheni tani dhe jo vetëm për Kryeministrin.”
Çfarë lidhje kanë këto me vaksinat? Ky hyn bërja bashkë dhe çfarë po i pengon vaksinave mosbërja bashkë? Çfarë lidhje kanë VIP-at dhe miliarderët me vaksinat?
– “Vende që kanë miliona banorë”, – thotë Edison Myrteza, – “arrijnë të kryejnë mijëra vaksinime çdo ditë. Po Shqipëria, e cila është me një popullsi sa një lagje e një kryeqyteti europian, 700 vaksinime për gati një muaj. Dembelizëm, paaftësi apo thjesht sa për të thënë?”
Po vendet e tjera të rajonit që nuk kanë bërë asnjë vaksinim janë dembelë? Janë të paaftë? Apo thjesht nuk duan as ta thonë sa për ta thënë që po kryejnë vaksinime? Si flitet e logjikohet kështu!
Nuk ka lidhje jemi bashkë apo nuk jemi bashkë ne politikanët në Shqipëri dhe në Kosovë. Nuk ka lidhje me VIP-at, nuk ka lidhje me miliarderët e nuk ka lidhje me lagjet, sa të mëdha e të vogla janë. Kjo ka lidhje me një temë që mjafton të shikosh çfarë ndodh në Europë me vaksinën, për të kuptuar pse duhet të jeni krenarë për qeverinë e Republikës së Shqipërisë që, pavarësisht se është qeveria e njërit prej 6 vendeve të rajonit në mes të Europës, të rrethuar nga kufijtë e BE-së, që u la jashtë skemës europiane të shpërndarjes së vaksinave, në pritje të Godo COVAX-it, siguroi kontratën e drejtpërdrejtë me Pfizer dhe e filloi vaksinimin në fillim të janarit, falë një marrëveshjeje me një vend partner. Ndërkohë shikoni çfarë ndodh në Bosnje. Deklaruan dje që do marrin 2000 doza Sputnik nga Rusia, sepse deri tani nuk kanë asgjë. Shikoni çfarë po ndodh me Maqedoninë e Veriut. Deklaruan se do t’i drejtohen Kinës, për të marrë vaksinën kineze. Nuk kam asgjë, përkundrazi, respekt për shkencëtarët rusë dhe kinezë, por i them këto, për të thënë që nuk i kanë fare vaksinat, as sa një lagje, as sa një shkallë pallati. Ndërkohë që ne kemi kontratën, kemi filluar. Ka pasur një vonesë, jo për Shqipërinë, jo nga dembelizmi, jo nga paaftësia, jo ngaqë nuk jemi bashkë, jo ngaqë miliarderët nuk paguajnë, jo ngaqë nuk kemi lekë, se këtu nuk është çështje lekësh. Këtu është çështje sasish, jo lekësh. Sepse nuk ka vaksina nëpër supermarkatat e botës e nuk po shkojmë ne t’i blejmë. Nuk ka vaksina stoqe nëpër fabrika, që nuk po shkojmë ne t’i blejmë. Por ka shumë më pak vaksina sesa ka kërkesa dhe prandaj, vonesa ishte e përgjithshme, për gjithë Europën. Brukseli, Gjermania, Italia thanë do hedhim në gjyq kompaninë dhe kompanitë, pse nuk respektuan skedulin.
Sidoqoftë, erdhi një parti e parë, për të mos ndaluar procesin dhe ndërkohë, 700 thotë zotëria, por janë 700 mjekë dhe infermierë.
Janë 700 njerëz që çdo ditë përballen me rrezikun e vdekjes. Brenda shkurtit, kompania thotë se do të sjellë dhe 40 mijë të tjera që kanë dhënë garanci në kontratë. Në 15 shkurt do të vijnë 10 mijë e kusur të tjera e brenda shkurtit dhe 30 mijë të tjera. Do të vazhdojë vaksinimi e do të shtrihet me intensitet kudo. Unë vazhdoj të them që ne jemi akoma në kohë, pavarësisht vonesave që na janë krijuar jo ngaqë nuk jemi bashkë, as ngaqë nuk duam të paguajmë, por nga fakti që kompania prodhon shumë më pak sesa janë nevojat në gjithë botën, që brenda 14 muajve, ne të kryejmë vaksinimin e gjithë atyre që duan të vaksinohen.
– Azgan Belishova pyet me të drejtë: “Pyetja 1 milionë dollarëshe, që bëjnë gjithë njerëzit, kur do fillojë drejtësia e re të hetojë politikën? Gjithmonë nëse do fillojë.”
Kush e ka pritur drejtësinë e re të bëjë hatanë në një kohë kaq të shkurtër, ka faktikisht pritur diçka që nuk mund të ndodhte sepse paralelisht me Azgan Belishovën, dikush tjetër shkruan diçka që është fakt. Unë nuk e njoh fare kush është Vjola Canaj në Vlorë dhe i kërkoj ndjesë që i sjell këtu emrin, por i shkruan Stiven Jonaj dhe thotë: “Ma shpjegon dot, çfarë bën në punë akoma gjyqtarja Vjola Canaj në Vlorë? Më e korruptuara, po bën kërdinë në Vlorë. Ajo po liron kriminelët”.
Nuk e di fare kush është Vjola Canaj, nuk e di a është më e korruptuara, më pak e korruptuara apo aspak e korruptuara, por tani ne po flasim e në një gjykatë të vendit, ju siguroj unë që po bëhet një krim nga një gjykatës. Sot, në këtë moment ju siguroj që në një gjykatë të vendit është duke u kryer një krim. Që do të thotë që kryhen çdo ditë krime nga gjykatës, të cilët e dinë që nuk e kalojnë vetting-un e të cilët mendojnë se do t’i shpëtojnë drejtësisë sidoqoftë, se ose nuk do futen në vetting, ose do digjen nga vetting-u, por ndërkohë do kapin çfarë të kapin.
Sistemi nuk është ende i pastruar dhe institucionet e reja, SPAK-u, Këshillat e Prokurorisë, të Gjyqtarëve e të tjera, kanë filluar të strukturojnë punën e tyre. Çfarë, duhet të presësh mrekulli, sa hap e mbyll sytë?! Një ndërtim pa leje bën dhe të duhen nganjëherë vite, jo të ngresh një shtet me ligje, me struktura, aty ku ke gjetur një situatë si pas tërmetit, rrumpallë totale.
Drejtësia e re do të fillojë të funksionojë, ashtu siç e kërkoj unë, siç e duam të gjithë e do të jetë e prekshme, përtej atyre gjërave që po ndodhin ndërkohë, se ka gjëra pozitive që po ndodhin ndërkohë, kur pas pastrimit apo paralelisht me pastrimin të fillojë goditja e këtyre gjykatësve e prokurorëve të korruptuar, të cilët kanë dalë llum një pjesë nga sistemi, falë vetting-ut apo s’janë futur fare në vetting sepse janë llum. Duhet t’i thërrasi drejtësia dhe t’i thotë “duhet të na shpjegosh e duhet t’i shpjegosh popullit, përpara ligjit, çfarë janë këto 18 apartamente” e të tjera.
Dikush shkruan: “Je person negativ, nuk pranon kritika, bën bllok në Facebook. Je frikacak, ke frikë nga e vërteta”.
Ka një dallim të madh mes kritikës dhe sharjes. Sharja nuk është kritikë, sharja është brutalitet, por, sidoqoftë, në ka njëri më të sharë e më të kritikuar se unë, ma thoni kush është?
Normale të jem unë më i shari dhe i kritikuari, sepse jam në këtë pozicion.
Unë nuk merrem me “bllok” në Facebook. Faqja e facebookut ka një roje të etikës, që po të kapi duke folur si në pyll, të bën bllok, patjetër. Ky është një mjedis publik dhe ndotësit e këtij mjedisit, ata që vijnë, hyjnë lirisht këtu dhe e përdorin aksesin për të bërë ndotje të mjedisit, janë të padëshirueshëm. Shumë e thjeshtë!
Një tjetër thotë “bllokoi kush shan”. Unë as nuk i bllokoj, as nuk i zhbllokoj. Ka të tjerë që merren me këtë punë.
Është një pyetje për rrugën e Lurës. Dikush thotë e harrove rrugën e Lurës, tjetri thotë e ke thënë për propagandë.
Rruga e Lurës është në proces dhe rrugët nuk fillojnë kur vjen atje ekskavatori. Punët nuk fillojnë kur i shikoni ju në Facebook apo TV. Kam parë edhe shumë, por këto janë demokratikas, që thonë “tani u zgjove”, “tani fillove”.
Asnjë nga punët që shihni sot, nuk ka filluar sot. Rrugët fillojnë kur merret vendimi që do fillojë kjo rrugë apo cilado vepër. Pastaj bëhet studimi, pastaj gara për projektin. Fituesi i garës së projektit bën projektin, bëhet oponenca e projektit, bëhet sigurimi i financimit, futja në planin e realizimit, gara për rrugën, kontrata dhe pastaj vjen ekskavatori.
Rruga e Thethit është në punë. Rruga e Thethit më në fund po bëhet rrugë turistike, si në të gjitha vendet e bekuara ku ka pasuri si Thethi.
Dikush shkruan për lojërat e fatit.
Nuk hapen lojërat e fatit, nuk hapen kazinotë nëpër lagje. Është e pavërtetë.
Dikush tjetër thotë “i vetmi defekt që ke është që je Juventin”.
Çdo kal i kuq e ka një huq. Mos u shqetësoni për këtë. Sikur të kisha vetëm këtë defekt, lum si unë e lum si ju, por kam edhe defekte të tjera plot.
Duke e mbyllur, duhet t’ju them të gjithëve që ka shumë arsye për të qënë të pakënaqur.
Unë kam shumë arsye personalisht të jem shumë i pakënaqur, sepse mundësitë janë për më shumë, nevojat janë për shumë më shumë dhe fuqitë janë për shumë, shumë më shumë, por nuk ka asnjë arsye për t’u ndalur;
nuk ka asnjë arsye për t’ia futur gjumit;
nuk ka asnjë arsye për të bërë pushim;
nuk ka asnjë arsye për të pritur që të zgjohen të tjerët nga gjumi.
Ka shumë arsye për të qenë të pakënaqur dhe nje arsyje të madhe për të vazhduar përpara. Puna që kemi bërë, që nuk është arsyeja për të qenë të kënaqur, por është prova e padiskutueshme që kjo është rruga. Duhet të shtrëngojmë dhëmbët, të bëjmë durim, të punojmë dhe çdo ditë të arrimë nga pak, në çdo hap të bëjmë gjenë e duhur për të arritur aty ku duam. Formula magjike nuk ka. E kur flas për formulat magjike, dua t’ju ilustroj një formulë magjike që ta keni parasysh. Është shumë interesante. E keni dëgjuar dhe do ta dëgjoni në ndër formulat magjike të tjera nga miku im i fjetur, Lulzim Basha. “Do të ulim sigurimet shoqërore dhe do të rrisim pensionet”.
Pensionet financohen nga sigurimet shoqërore dhe sot, Shqipëria ka ende një deficit të trashëguar, sepse paguan më shumë pensione sesa mbledh. A mund të ndodh të ulësh prodhimin e qumështit dhe të rrisësh prodhimin e djathit dhe që të jetë djathë, jo të jetë kubik prej niseshteje? Nuk ndodh!
Ose ndodh në gjumin e Lulit dhe të gjithë atyre që duan t’i bien shkurt, siç në fakt i ka rënë shkurt, gjithmonë, opozita e sotme, sa herë ka pasur çelësat në dorë. E prandaj Shqipërisë i ka dalë më gjatë. Nëse gjerat që janë bërë këto 7 vite e pak, do të ishin bërë 17 apo 27 vite më parë, sot do ishim duke folur për gjëra të tjera. Por i kanë rënë shkurt, herë me Suden, herë me Vebiun, herë me Saliun dhe ka më shkurt, sesa me Lulin? Prandaj po ju del gjatë. Por, nëse kanë zgjedhur ta bëjnë gjatë rrugën e tyre, për t’i rënë shkurt, nuk munden dot ta bëjnë të gjatë rrugën e Shqipërisë, duke i kërkuar Shqipërisë që t’i bjerë shkurt.
Kjo ishte edhe përgjigja ime e fundit për Nestin Qirjazin, i cili kërkonte mendim për strategjinë ekonomike të Lulit.
Strategjia ekonomike e Lulit është: “Do ulim prodhimin e qumështit dhe do rrisim prodhimin e djathit”.
Gjithë të mirat!