Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave për situatën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore. Fjala e Kryeministri Edi Rama:
Së pari, doja të prekja një aspekt themelor të kësaj situate, që ka të bëjë me barrën e madhe psikologjike, e cila vazhdon të rëndojë në çdo familje e posaçërisht në të gjitha familjet e zonave të prekura, sidomos tek fëmijët.
Kam marrë një pafundësi mesazhesh lidhur me vështirësitë që kanë prindërit për të qetësuar fëmijët dhe besoj është e domosdoshme të kërkojmë rrugët për t’u fokusuar në aspektin psikologjik, duke u përpjekur të përcjellim sa më shumë qetësi, siguri dhe informacion, mbi të gjitha.
Është shumë e qartë nga të gjitha takimet me njerëzit dhe nga fakti që, sado të përpiqesh të shpjegosh dhe të japësh garanci, qoftë edhe kur janë të mbledhur me qindra, qoftë edhe kur janë të fokusuar tek dëgjimi i përgjigjeve, nuk mjafton. Të gjithë kërkojnë të njëjtën përgjigje dhe bëjnë të njëjtën pyetje. Duke qenë edhe aty krah për krah me njeri-tjetrin, duke të pasur përpara, madje edhe mund t’i japësh përgjigje një personi që e ke përballë dhe prapë të bën të njëjtën pyetje, “çfarë do të bëhet me ne”, “çfarë do të bëhet me shtëpinë”.
Mendoj që është e domosdoshme që Besa të bëjë një përpjekje të posaçme dhe të kontaktojë me sa më shumë grupe mësuesish, drejtpërdrejtë, për të kërkuar që në ditët e para të rifillimit të shkollës, fokusi të jetë tek lehtësimi i kësaj barre dhe tek një alternim midis procesit normal të mësimit dhe komunikimit. Duhet që në këto ditë, sidomos për më të vegjlit, mësimi të kalojë në plan të dytë dhe qenia sëbashku në shkollë e fëmijëve me mësuesit të përdoret për të lehtësuar sa më shumë nga ana psikologjike fëmijët, duke organizuar biseda, lojëra, shëtitje të përbashkëta. Duhet të kemi kohë që të rikuperojmë orët e mësimit në kuptimin strikt të fjalës dhe kjo është koha për të bërë sa më shumë në këtë aspekt.
Çdo klasë me nxënës në zonat e prekura, që nga klasat më ulëta deri tek klasat më të larta, ka nevojë për këtë asistencë njerëzore dhe për këtë komunikim njerëzor. Kështu që Besa, duhet bërë një punë e madhe në këtë drejtim, pa pushim, me takime me mësuesit e shkollave, me grupet e mësuesve për t’iu kërkuar që në këto ditë të para të fillimit të mësimit të fokusohen tek aspekti prindëror i rolit të tyre të gjithanshëm dhe të jenë sa më kreativë në përpjekjen për të lehtësuar barrën psikologjike, për t’i larguar sa më shumë nga ajo hija që i ndjek nga mbrapa, e frikës, e pasigurisë, e ankthit.
Nga ana tjetër mund të jemi disi të lehtësuar nga fakti që përgjigja e miqve për të sjellë këtu grupet e inspektorëve është goxha e fortë. Kemi grupe që kanë ardhur e janë në terren, grupe që po vijnë. Të gjithë kanë ofruar ekipe dhe është me shumë rëndësi të garantohet organizimi i plotë i punës, në aspektin e ndarjes së barrës dhe që këta ekspertë, që janë të gjithë ajka në vendet nga vijnë, janë të përgatitur për këto situata, janë super specialistë, të mund të bëjmë sa më shumë në njësi kohe sa më të shkurtër.
Unë u kam kërkuar të gjithëve dje dhe pastaj kemi filluar punën për të organizuar sa më shpejt një konferencë informimi publik me përfaqësuesit e të gjithë këtyre ekipeve, që të ekspozojnë me fotografi, fakte nga realiteti i punës së tyre dhe të japin sa më shumë shpjegime teknike, që njerëzit të fillojnë të dallojnë mes godinave të krisura dhe godinave të rrezikuara, në kuptimin që pamja e jashtme e godinave, pamja e jashtme e mureve nuk është domosdoshmërisht tregues i një situate të rrezikshme.
Pres me padurim dhe ankth rezultatin, për të parë sesa janë godinat realisht të rrezikuara dhe sa prej këtyre shfaqjeve mbi lëkurën e godinave, mbi fasadën e godinave, mbi muret është e lidhur më dëme sipërfaqësore, të cilat janë të riparueshme, por sigurisht kjo kërkon garanci të madhe dhe këtë garanci do të na e japin ekspertët e ardhur. Pavarësisht se këtu nuk është fjala për një shkencë të komplikuar, edhe ekspertët tanë e kanë të gjithë kapacitetin të dallojnë dhe të përcaktojnë nivelin e dëmit në raport me qëndrueshmërinë apo rrezikshmërinë e godinës, por me këtë nivel pasigurie psikologjike duhen patjetër katër sy, dy sy shqiptarë dhe dy sy të huaj, në mënyrë që njerëzit të jenë të garantuar.
Për këtë do të doja që Belinda, nëpërmjet edhe zëvendësministrit që është në procesin e koordinimit të këtyre ekipeve, por edhe të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces, me drejtuesin e plotfuqishëm për këtë zonë, Bledin me drejtuesit e tre shtabeve t’ju komunikojnë edhe njëherë ekipeve, nevojën për të krijuar një dosje rastesh me fotografi dhe me shpjegime, që të mund të ekspozohet për publikun në një konferencë në ditët në vijim të kësaj jave. Njëkohësisht të marrin masat për sallën, për lajmërimet dhe pjesëmarrjen, në kuptimin e pranisë aty të të gjithë personave që janë përfaqësues të pushteteve vendore dhe personave të tjerë nga institucionet qendrore që janë në këtë përpjekjeje në rrjetin e asistencës dhe të solidaritetit.
Sot mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit me disa përfaqësues nga qeveria këtu, me përfaqësuesit e organizatave solidare për njerëzit në nevojë që kanë grumbulluar një sasi të konsiderueshme kontributesh financiare, me përfaqësuesit e shoqatës së ndërtuesve, të shoqatës së inxhinierëve, të shoqatës së arkitektëve, me Dhomën e Tregtisë, Fondin e Zhvillimit, të sipërmarrjes, të shoqatës së sipërmarrësve që janë në sferën e tregtisë, për të filluar procesin e diskutimit dhe të harmonizimit të përpjekjeve, në mënyrë që kontributet e mbledhura të shtohen, në mënyrë që procesi i planifikimit të harmonizohet.
Ministria e Financave dhe kryetari i Komitetit Kombëtar, bashkërisht me një ekip ekspertësh po punojnë për rishikimin e buxhetit në funksion të këtij prioriteti të prioriteteve.
Ndërkohë që përgjigja, reagimi në ketë moment i miqve dhe partnereve, i organizatave ndërkombëtare është goxha inkurajues, sepse nevoja për të krijuar një bazë solide për financimin e të gjithë operacioneve të rindërtimit është e madhe dhe domosdoshmëria për të garantuar që të gjitha familjet të targetohen sipas nevojës dhe që procesi të mos marrë vite e vite, siç ka marrë edhe në vende shumë më të zhvilluara dhe shumë më të fuqishme se ne, të sigurohet.
Dajna është ngarkuar që të merret me të gjitha familjet e viktimave, për të zhvilluar bisedimet për akomodimin e tyre përfundimtar në shtëpitë e reja, që do të thotë që familjeve të dërrmuara të Thumanës, ju duhen dhënë opsione, nëse dëshirojnë të qëndrojnë aty, apo nëse dëshirojnë të vijnë në Tiranë. Ne i kemi zgjidhjet në të dyja rastet, por besoj që për familjet që kanë patur këto goditje kaq ekstreme, ikja nga ai vend do të ishte zgjidhja më e mirë, sepse qëndrimi në zonën ku humbën gjithë ata njerëz do ta bënte shumë të vështirë rikuperimin psikologjik të tyre, sidomos të fëmijëve.
Është me shumë rëndësi që ky proces të mbyllet urgjent. Maksimumi i maksimumit, brenda mesit të dhjetorit, të gjithë ata duhet të jenë nëpër shtëpi. E njëjta gjë me familjet në Durrës, e njëjta gjë me familjet në Tiranë. Ndërkohë që gjithçka vendosëm dje me aktet normative për trajtimin e tyre financiar duhet të garantohet që të jetë aktivizuar menjëherë.
Fondi prej 1 milionë lekësh të reja për çdo familje duhet të aktivizohet sot. Të mos harroni që janë edhe dy familje në Kosovë, që duhen kontaktuar dhe duhet ta marrin këtë fond. Ndërkohë që fëmijët duhet të marrin bursën mujore, – duke përfshirë edhe muajin nëntor pa diskutim, – prej 15 mijë lekësh të reja, që do ta kenë deri në fund të shkollimit të tyre, mbarimit të shkollës së mesme, ose mbarimit të universitetit sipas rastit.
Ndërkohë që për pensionistët, – është shumë e rëndësishme ta saktësoj edhe njëherë, – nuk bëhet fjala për një pension të veçantë të çfarëdoshëm, por për pensionin e veçantë të Republikës së Shqipërisë, që jepet me vendim qeverie për personalitete që kanë kontribuar në jetën e vendit dhe që është pensioni më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë ata që janë pensionistë në këto familje aktualisht, duhet të marrin këtë pension dhe shuma duhet të jetë e lëvrueshme menjëherë. Pra, nëse do të lëvrohet në dhjetor, brenda do të jetë dhe pensioni i nëntorit. Të jemi të qartë për këto detaje.
Të them të drejtën më mundon pak mungesa e një elementi, që në këndvështrimin tim është i vetmi element që mungon në këtë përpjekje për të organizuar të gjitha forcat, që është skepticizmi apo ngurrimi i opozitës për t’u përfshirë në këtë proces dhe për të patur përfaqësuesit e vet në gjithë këtë rrjet. Nuk e kuptoj dot atë qasje refuzuese ndaj nevojës që edhe forcat politike të ulen në një tryezë dhe të bëjnë përpjekje që të kuptohen me njëra-tjetrën dhe është koha që realisht të reflektohet mbi këtë. Kjo nuk është as politikë, në atë kuptim që fatkeqësisht i është dhënë politikës në këtë vend, sepse politika në fakt ka lindur pikërisht për këtë. Ka lindur pikërisht që njerëzit sëbashku të adresojnë sfida dhe të zgjidhin problemeve që nuk zgjidhen domosdoshmërish mirë, apo nuk zgjidhen dot fare, kur janë vetëm. Politika është instrument për të bërë mrekullia, nuk është ajo që fatkeqësisht është katandisur këtu.
Nga ana tjetër nuk e kuptoj ç’domethënë që të ulen në tryezë e gjithë përfaqësia e njerëzve të zgjedhur të këtij vendi qenka propagande. Propagandë është të lësh njerëzit në pasiguri, kur ke mundësi të bësh më shumë dhe ndërkohë flet për gjëra që u takojnë të tjerëve, u takojnë njerëzve që janë në terren për të garantuar që e gjithë kjo… por nuk dua të bëj asnjë polemike, sepse nuk më intereson fare dhe nuk kam asnjë nge të merrem me polemika. Edhe njëherë tjetër i bëj thirrje Lulzim Bashës, i bëj thirrje opozitës që të mos i kursejë popullit shqiptar këtë nevojë. Është një nevojë e popullit shqiptar kjo, nuk është realisht nevoja ime personale dhe nuk është se po kërkoj që kjo gjë të behët për mua, për ne. Është nevoja e njerëzve që të shikojnë kudo burim energjish pozitive, të shikojnë kudo bashkim , të shikojnë kudo njerëz që, nëse në ditë të mira e kanë të vështirë t‘i thonë edhe “mirëmëngjes” njëri-tjetrin, në këto ditë të vështira janë të gatshëm ta shohin njëri-tjetrin si qenie njerëzore dhe jo si pas statusit, sipas uniformës dhe ngjyrës.
Thirrja ime është të mos humbasim kohë dhe të mos ua kursejmë njerëzve këtë kërkesë natyrale në këto kushte. Për më tepër e kam parë me kënaqësi dhe e kam përshëndetur me respekt një mesazh të kryetarit të opozitës që bënte thirrje për bashkim. Mirërpo fjalët nuk mjaftojnë, duhet edhe veprat, aktet. Madje kur thuhen fjalët dhe mungojnë aktet, fjalët pastaj tingëllojnë si hipokrizi, gjë që unë nuk e vë aspak në dyshim, që nuk është rasti. Dua të besoj se mesazhi është i ndjerë dhe i sinqertë, sepse njerëz jemi të gjithë. Është një rast për të kuptuar dhe mbase për të mos harruar që edhe nga tjetër e barrikadës, njerëz janë, nuk janë monstër.
Më vjen shumë keq për rolin absolutisht problematik të mediave në këtë proces. Jo të gjitha, natyrisht. Më vjen shumë keq për klimën acaruese që krijojnë mjediset e debateve mediatike. Atyre që zakonisht janë debate politike, që këto ditë janë kthyer shpeshherë në debate surreale me lloj-lloj delirantesh që marrin pjesë në to dhe japin opinione bazuar në korrelacione surrele midis antikitetit romak dhe tërmetit të ditëve të fundit, apo opinione të tjera pa lidhje.
I kam parë sintezat e këtyre debateve në raportimin që marr dhe jam i mahnitur nga mungesa e mirëkuptimit të disa prej këtyre moderatorëve për nevojën e madhe që ka ky vend, ky popull, për të marrë mesazhe qetësie, për të dëgjuar zëra të arsyeshëm dhe për të pushuar për një moment nga veshët dhe nga sytë, pazari i kacafytjeve nëpër studio. Pa folur për shërbimin skandaloz që i bëhet ankthit dhe pasigurisë, por që i bëhet edhe mërzisë me përcjellje episodesh sporadike që mbeten pastaj të mbresuar mendja e njerëzve, sepse gjithë aspektet e tjera mbulohen në mënyre disproporcionale. Megjithatë kjo eshë puna e tyre. Ne nuk mund të bëjmë më shumë sesa të kërkojmë pak më shumë mirëkuptim, pak më shumë angazhim edhe nga ata.
Këto ditë kanë nxjerrë në pah një dobësi të pranueshme në Ministrinë e Brendshme, lidhur me gjithë hallkën e luftës kundër krimit kibernetik. Kapacitetet zero dhe aftësitë për të reaguar ndaj lajmeve të rrem, për të reaguar ndaj shprehjeve të urrejtjes, apo të racizmit madje, për të reaguar ndaj sulmeve kibernetike, zero. Është një nga pikat që duhet mbajtur shënim dhe në procesin që kemi në dorë, fatmirësisht, të reformimit strukturor në Policinë e Shtetit, në të gjithë hallkat duhet të kemi parasysh forcimin eksponencial të sektorit të luftës kibernetike. Krimi kibernetik është sot një shqetësim shumë i madh dhe në Shqipëri po e shohim këto ditë, sesa e rrezikshme është të jesh i ekspozuar ndaj krimit kibernetik, ndaj lajmeve të rreme, ndaj mashtruesve që shfaqen si benefaktorë dhe bamirës dhe që arrijnë deri në mashtrime financiare, ndaj atyre që përhapin panik dhe kështu me radhë.
Po ashtu është e domosdoshme që të mbajmë një marrëdhënie intensive me gjithë komunitetin ndërkombëtar, jo thjesht në aspektin e komunikimit tim apo të Gentit, por në çdo hallke. Kjo është një nga detyrat më të vështira ndoshta të ditës së nesërme, në kuptimin të momentit të pas kalimit të krizës akute, që ka drejtuesi i plotfuqishëm për këtë emergjencë, pasi na duhet që gjithë rrjetin e miqve dhe partnerëve ta mbajmë të mirëinformuar dhe të bëjmë çmos ta kanalizojmë në një drejtim të përbashkët, për të shmangur sa më shumë nga fragmentimi i ndihmues, për t’iu krijuar të gjithë kushtet që kanë nevojë, për t’i ndihmuar financiarisht, për t’i ndihmuar me burime njerëzore.
Duke kërkuar më pas një raportim për publikun nga disa prej jush, sepse ne ndërkohe jemi gjithë kohës në kontakt, duhet të ritheksoj aspektin psikologjik, është një betejë e madhe. Krisjet, çarjet, plasaritjet në godina janë po njësoj në mendjen e njerëzve. Janë fraktura, trauma të padukshme, të cilat kërkojnë një vëmendje të jashtëzakonshme dhe një punë shumë të madhe. Do dëshiroja që edhe Blendi që po merret me akomodimin dhe drejtimin e fatkeqëve në gjithë strukturat hoteliere, në bashkëpunim me Ogertën dhe Besën, të garantoni që kujdesi psikologjik të jetë i pranishëm në të gjithë këto struktura. Nuk është thjesht çështje psikologësh, në kuptimin e specialistëve sa mund të jenë, por është në aspektin e trajtimit me shumë kujdes të këtyre njerëzve nga stafet aty. Ata nuk janë turistë, nuk janë klientë, janë pacientë në këtë moment dhe duhet të trajtohen si të tillë, me mësuesit që do çojmë atje, me stafet që do çojmë atje. Ju lutem, sa më shpejt listën e ilaçeve të nevojshme nga të gjithë ata aty. Ata që janë në hotele dhe vuajnë nga sëmundje kronike për fazën që do të qëndrojnë aty do të kenë të garantuar të gjithë shërbimin përkatës.