Diskutimet e zhvilluara në mbledhjen e tretë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit:
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!
Shumë faleminderit për praninë tuaj!
Sot është mbledhja e tretë e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit. Në këtë mbledhje besoj se jemi në kushtet kur, jo vetëm mund të diskutojmë siç kemi bërë në mbledhje të shkuara, por do të ndajmë së bashku një përmbledhje të punës konkrete që është bërë, qoftë në aspektin e përgatitjes të të gjithë kuadrit ligjor dhe administrativ, qoftë në aspektin e planifikimit.
Por përpara se t’i jap fjalën drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën për një përditësim të situatës, dëshiroj të ndaj me ju mendimin se në kushtet kur Kryetari i Komitetit të Rindërtimit, zoti Ahmetaj është emëruar ministër shteti për Rindërtimin, besoj se ja vlen që të caktohet një Sekretar i Komitetit dhe me shumë kënaqësi unë do të propozoja që zoti Hoxholli, – me të cilin ndajmë një eksperiencë shumë pozitive pune, por që përfaqëson edhe pjesën tjetër të një trupi për të çuar përpara procesin, pra organizatat solidare me njerëzit në nevojë, – të jetë sekretar i komitetit të rindërtimit, duke garantuar kështu, një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë edhe në procesin e koordinimit, për të realizuar po kështu edhe një ndërveprim konkret, në çdo hap, me të gjithë aktorët e tjerë, në radhë të parë me qeverinë dhe duke garantuar po ashtu praninë e një syri më të vëmendshëm dhe më të dedikuar në aspektet e transparencës.
Ndërkohë, po ja kaloj fjalën drejtuesit të plotfuqishëm të Komitetit të Emergjencës, zotit Çuçi dhe pastaj me radhë zotit Ahmetaj dhe zonjës Margariti për të prezantuar se çfarë është bërë dhe njëkohësisht për të krijuar një ide edhe për publikun të përgatitjeve në aspektin e planifikimit të rindërtimit.
Kryetari i Komitetit Kombëtar të Emergjencës, Bledi Çuci: Ju faleminderit kryeministër! Më lejoni që të bëj një raport të përmbledhur dhe përditsuar për gjendjen ku ndodhen sot të gjithë të prekurit nga tërmeti i datës 26 nëntor, duke filluar me pjesën më të rëndësishme që lidhet me strehimin dhe akomodimin e të dëmtuarve, të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre, për shkak të dëmtimeve që ka sjellë tërmeti.
Në hotele, sot janë 3613 banorë dhe në çadra janë 10225. Numrin më të lartë e ka qarku i Durrësit, përfshi këtu edhe Krujën me 6078, pastaj qarku i Tiranës me 2421, dhe qarku i Lezhës me 1709 banorë, të cilët janë të akomoduar në çadra.
Theksoj këtu faktin që banorët e akomoduar në çadra janë të zonave rurale dhe është vullneti i tyre për të qëndruar në çadra sepse janë të lidhur ngushtësisht me tokën, me bagëtinë dhe me shtëpinë, e cila është e dëmtuar.
Për sa i takon një procesi shumë të rëndësishëm që lidhet me vlerësimin e dëmeve, deri dje nga statistika, kemi rreth 39310 objekte.
Sot, ndërkohë po të shohim sistemin i cili është live, do të shkuar mbi 40 mijë. Nga këto, objekte të pabanueshme kanë qenë, në qarkun Durrës 3580; në qarkun Tiranë 1352; në qarkun Lezhë 1232. Ndërkohë që të dhënat përditësohen çdo sekond. Në këtë sistem ka dosje për çdo banesë të verifikuar me anë të konstatimit me foto dhe me firma të inxhinierëve dhe të grupeve që kanë inspektuar.
Në lidhje me objektet e shembura deri më sot; janë shembur 72 objekte.
Në qarkun Durrës janë shembur 55 objekte.
Në qarkun Tiranë janë shembur 10 objekte
Në qarkun Lezhë janë shembur 7 objekte.
Sa i takon masave afatgjata të strehimit, siç jeni në dijeni ne po aplikojmë bonusin e qerasë për të gjithë ata të cilët shtëpitë e tyre janë dëmtuar dhe deri më sot shifrat e bonusit, janë si më poshtë:
Në qarkun Durrës, bashkinë Durrës kemi 1310 familje përfituese nga bonusi i qerasë.
Në bashkinë Shijak, kemi 1187 familje përfituese të bonusit të qerasë.
Në qarkun Tiranë, bashkia e Tiranës ka 2274 familje përfituese të bonusit të qerasë.
Bashkia e Vorës 499 familje përfituese, bashkia Kavajë 976 familje përfituese, bashkia Kamëz 270 familje përfituese.
Në qarkun e Lezhës, kemi bashkinë e Kurbinit me 610 familje përfituese. Në bashkinë Lezhë kemi 160 familje përfituese.
Përsa i takon veprimeve të para dhe të shpejta që lidhen me meremetime dhe riparime, pa shkuar në rikonstruksione të thella, të pallateve që kanë pësuar dëmtime, që ne i konsiderojmë të lehta, por që kanë nevojë për ndërhyrje imediate kemi aplikuar një procedurë të përshpejtuar për të dhënë leje nga ana e bashkive. Deri më sot në bashkinë e Tiranës janë dhënë 887 leje, edhe ne zonën urbane dhe në zonën rurale dhe në bashkinë Durrës janë dhënë 12 leje, 6 nga të cilat kanë filluar të zbatohen.
Në lidhje me pjesën e shëndetësisë, aktualisht 8 është numri i pacientëve të shtruar në spitalin universitar të traumës.
3 është numri i pacientëve të shtruar për trajtim të specializuar jashtë vendit dhe kemi pastaj një numër të madh vizitash të kryera në njësitë akomoduese, ku kemi një shërbim 24 orë të grupeve të mjekëve dhe infermierëve që asistojmë qytetarët e akomoduar.
Përsa i takon arsimit, 53 shkolla janë dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe në këto shkolla është pezulluar mësimdhënia, duke akomoduar të gjithë nxënësit nëpër shkolla të afërta dhe në asnjë ditë nuk i ka munguar mësimi nxënësve që janë larguar për shkak të dëmtimeve që ka pësuar shkolla.
Përkatësisht qarku më i goditur është qarku i Durrësit. Kemi 32 shkolla në qarkun e Durrësit. Në qarkun e Tiranës kemi 14 shkolla. Në qarkun e Lezhës kemi 7 shkolla. 28 shkolla janë meremetuar në qarkun e Durrësit dhe mësimi vijon normalisht tashmë.
Nga ana tjetër po punojmë me shumë intensitet së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë për përfundimin e atij raportit të rëndësishëm, atë që quhet Post Disaster Need Assessment Report, një raport që u bë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, BE, BB dhe të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara. Besoj që sipas kalanderit që kemi bërë edhe me ministrin për rindërtimin, i cili do tua shpjegojë edhe në detaje, besoj se draftin e parë të këtij raporti kaq të rëndësishëm që do të çojë pastaj në nivelin e konferencës së donatorëve do ta keni në mes të janarit.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj: Prezantimi do fokusohet kryesisht tek shtyllat kryesore të axhendës që tani deri kur do përfundojë rindërtimi që është një periudhë që patjetër do kalojë një vit e gjysmë, dy vjet, të paktën nga ajo që po shohim sot.
Unë do përsëris shumë shkurt, në mënyrë të përmbledhur, raportin që do përdoret edhe si platformë për të bashkëbiseduar dhe bashkëpunuar me donatorët, përveç atyre shtetërorë.
Janë inspektuar gjithsej 40711 godina. E gjithë kjo do na vlejë, jo vetëm për vlerësimin, por edhe për planifikimin e rindërtimit. Ministri Çuçi e tregoi sistemin e unifikuar të vlerësimit, që është një sistem bashkëkohor dhe na çon deri te qelizat më të vogla të dëmtimit në territor dhe do na ndihmojë për të vlerësuar dhe planifikuar ndërtimet, ku, sa dhe në çfarë tipologjie.
Ndërkohë vlerësimi i thelluar do bëhet nga dy entitete: Instituti i Ndërtimit dhe Bashkia e Tiranës, që do duhet të bashkëpunojmë për të pasur të njëjtën metodologji. Vlerësimi i thelluar është një koncept ligjor, nuk është thjesht koncept urbanistik, ose vlerësim teknik.
PDNA është shumë e rëndësishme për ne, e para për çfarë do kërkojmë të diskutojmë me donatorët dhe e dyta, planifikimi buxhetor për 2020, por edhe 2021 dhe përtej dhe sigurisht edhe pilotat e ndërhyrjes, programet e ndërhyrjes, territoret e ndërhyrjes.
Mendoj që drafti i dytë paraprak do jetë gati në 15 janar. Do të na duhet që brenda janarit të kemi përfundimtarin, në mënyrë që kur të jemi duke diskutuar dhe duke iu afruar datës së Konferencës së Donatorëve, të kemi varantin final.
Donacionet, deri dje, janë rreth 65 milionë lekë. Janë 6165 donatorë, pra vazhdon të rritet, sigurisht modestisht, sepse janë donatorë të vegjël që e heqin atë që donojnë nga përditshmëria e tyre.
Dua të theksoj që, është hera e parë që një qeverie, në 30 vite, i duhet të bëjë një program të kësaj natyre, legjislacion të kësaj natyre, procedura të kësaj natyre. Nuk ka ndodhur kurrë. Vende si Greqia, Turqia, apo Italia i kanë bërë me kohë. Neve ne na u desh ta bënim nga e para që nga legjislacioni, që nga programet, që nga procedurat.
Programet që janë përfshirë në ligjin e posaçëm janë: Programi i objekteve të reja, programi i infrastrukturës publike dhe kritike, krijimi i fondit të banesave, programi i granteve të ndërtimit dhe masat ekonomiko-social për rimëkëmbjen.
Pastrimi i territorit është shumë i rëndësishëm. Durrësi dhe Tirana janë pastruar krejtësisht. Laçi, Thumana kanë mbaruar, një proces që është bërë falas.
Lejet e ndërtimit, për mua kjo pjesë është e rëndësishme për të parë që ndërkohë që jemi duke folur, për shkak të ndryshimit të procedurave, pra, kemi procedurë të përshpejtuar të miratimit, janë 1020 leje për meremetim.
Tirana, Durrësi të gjitha bashkitë e dëmtuara kanë filluar procesin, ku qytetarë, apo dhe kompani, firma ndërtimi kanë marrë leje për meremetim. Programi shoqërohet me një paketë lehtësimi fiskal. Kemi përjashtuar nga detyrimet e TVSH dhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturës të gjitha kompanitë që do ndërtojnë brenda programit të rindërtimit.
Hapat e rindërtimit nuk janë të thjeshta dhe do duan kohën e vet. Koha është “count down”. Kemi shumë pak dhe jemi detyruar të numërojmë nga lart poshtë, për të ardhur te dita ku çdo familje të ketë të rindërtuar banesën.
Kalendari i planit të rindërtimit është i detajuar. Ne mendojmë në bazë të gjithë diskutimeve me autoritetet e përfshira, që, marsi ose fillimi i prillit të jetë fillimi i ndërtimit masiv në territor. Ndërsa në zonat rurale mendohet të jetë gati dy muaj përpara.
Kemi diskutuar edhe për transparencën. Kemi punuar me Microsoft për një platformë transparence, jo vetëm të burimeve. Do iu lutesha që, – përveç qeverisë, që e sheh si detyrim gjithë transparencën për veten se çfarë bën, sa donacione ka, cilët janë donatorët, që nga individët, deri tek shtetet dhe ku do shkojë e gjitha, çdo cent që donohet, në çfarë programi do shkojnë, deri te familjet që do përfitojnë nga këto programe, – të njëjtën gjë të bëjnë edhe të gjitha organizatat, në mënyrë që diskutimi të referohet për çdo institucion qeveritar, fondacion, apo individ, të gjithë të gjejnë veten te ajo platformë transparence.
Kryeministri Edi Rama: Disa elementë për t’u nënvizuar. Vlen ta ndajmë me publikun mesazhin që, përmes këtij aplikacioni mund të ndjekin në kohë reale të gjithë ecurinë e programit të rindërtimit, duke filluar nga të interesuarit, deri te qytetarët që janë të interesuar për të pasur informacion për këtë proces.
Së dyti, dua ta nënvizoj, sepse ministri përmendi 1-2 vjet dhe kjo 1-2 vjet është e ndarë. Objektivi është që, brenda vitit 2020 të gjithë ata që sot jetojnë në fshat që për arsye legjitime nuk janë spostuar në sistemin e qirave të zonave urbane dhe thjeshtë kanë kërkuar një çadër dimërore në oborret e tyre, duhet të futen në shtëpi të reja.
Asnjë nuk mundet dot ta lejojmë që të kalojë vitin e ri 2021 në çadër. Ky është objektivi i parë dhe besoj që, siç do ta shihni edhe nga prezantimi i ministres, ne do të jemi gati që, me hyrjen e pranverës, maksimalisht marsin, të fillojmë të bëjmë spostimin e familjeve që jetojnë në fshat, në çadra, në shtëpitë e reja.
Së dyti, në këtë pikë të dytë, spitalet, qendrat shëndetësore, shkollat, duhet të rindërtohen të gjitha brenda 9-mujorit të parë, që do të thotë që, viti i ri shkollor, për fëmijët të cilët kanë humbur shkollën e tyre për shkak të rrënimit nga tërmeti, duhet të nisë në shkolla të reja, shumë më të mira se ato që kishin përpara tërmetit.
Së treti, në këtë pikë të dytë, lagjet e reja, ambicia është që brenda 6-mujorit të parë t’i kemi në kantier. Natyrisht do të kërkojnë më shumë kohë, afërmendsh, se bëhet fjalë për ndërhyrje masive, por, objektivi është që, deri në fund të vitit 2021 të kenë filluar në pjesën më të madhe akomodimet e banorëve që sot janë me qera në zonën urbane në apartamentet e reja.
Pika e tretë lidhet me donacionet, sepse u përmend vetëm pjesa e donacioneve të vogla, pra sasia e donacioneve që është mbledhur nga donatorë shumë të vegjël, por që në këtë rast meritojnë vlerësimin më të madh, sepse kanë ndarë diçka nga buxheti i tyre i vogël familjar, apo i biznesit të tyre për rindërtimin, ndërkohë që do doja të ktheheshim pak te “slide” i donacioneve për të qartësuar situatën sa i përket donacioneve që janë në drejtim të shtetit.
Pra, kemi 65.57 milion lekë të reja nga donatorë të vegjël, 6165 donatorë.
Kemi 414 milionë lekë të reja, 8.64 milion euro dhe 1.01 milion dollarë nga donatorë më të mëdhenj dhe kemi 21 milion angazhime të marra nga donatorë ndërkombëtarë.
Natyrisht që kjo e donatorëve ndërkombëtarë është një shifër që do lëvizë dhe unë shpresoj të lëvizë në mënyrë të konsiderueshme, si rezultat i ndërveprimeve që ne po bëjmë edhe tani që flasim dhe patjetër edhe me kurorëzimin e Konferencës së Donatorëve të thirrur nga presidentja e KE për të gjitha vendet e BE dhe me disa aktivitete të tjera në vendet e Lindjes së Mesme, ku jemi aktualisht shumë aktivë.
Mbetet për t’u parë vendimi përfundimtar i organizatorëve të Konferencës së Donatorëve në kuadër të BE nëse do të përfshijnë donatorë jashtë BE, apo jo, është në diskutim kjo gjë tani që flasim dhe shtuar këtu donacionet e mbledhura nga organizatat, të cilat besoj që kemi dakordësi do publikohen në të njëjtën faqe, natyrisht të ndara, në mënyrë që edhe organizatat të kenë një raport transparence dhe koherence me donatorë të tyre, por edhe publiku të ketë një qartësi për shumën tërësore të donacioneve, kemi një bazë jo të vogël për të ecur me shpejtësi me fazën kritike të rindërtimit, që lidhet me nxjerrjen sa më shpejt nga çadrat të njerëzve që jetojnë në fshat.
Pika tjetër e rëndësishme për t’u nënvizuar është, njëra anë, fillimi i punës për meremetimet e godinave me shumë njësi banimi, pra pallate banimi, nisur nga vetë kompanitë ndërtuese, me procedurë të përshpejtuar, por me një ekzigjencë të qartë për të respektuar eurokodin në të gjitha projektet, gjë që ka bërë që disa prej projekteve të propozuara të kthehen mbrapsht për t’u futur në kornizën e eurokodit dhe këto janë meremetime që bëhen me shpenzimet e vetë kompanive.
Ndërkohë që, për sa i përket procesit të vendimmarrjes përfundimtare për të ardhmen e çdo godine me shumë njësi banimi në radhë të parë, por dhe të tjerave, është angazhuar fondi për atë që quhet studim i thelluar, që kërkon një grup ekspertësh konstruktorë, që do firmosë me përgjegjësinë e tyre profesionale për mundësinë e rikuperimit, apo për shembjen e një godine të caktuar. Për këtë i është deleguar Institutit të Ndërtimit përgjegjësia për të proceduar me shpejtësi me fondin dhe për të siguruar që grupet duhet të kenë të gjitha instrumentet e nevojshme, qoftë në aspektin e dokumentacionit, qoftë në aspektin financiar që të na japin sa më shpejt rezultat.
Këtu shtoj se puna për verifikimin po bëhet në mënyrë mbresëlënëse.
Siç e prezantoi drejtuesi i plotfuqishëm për emergjencën, është një punë që falë teknologjisë zhvillohet në kohë reale si aktivitet në terren dhe si inventarizim.
Natyrisht, kërkon një proces edhe monitorimi, gjë që ne po e bëjmë për të shmangur abuzime dhe vlerësime të përcipta që mund të përkthehen në kosto financiare të panevojshme.
Duke qenë se edhe në prezantimin që pashë me shpejtësi, Sekretariati i Komitetit Kombëtar do duhet të angazhohet për gjithë procesin e funksionimit të këtij ndërveprimi dhe të garantimit të transparencës, më vjen shumë mirë që duke i adresuar këtë zotit Hoxholli ne realizojmë një qëllim të mirë të minutës së parë të këtij Komiteti që, jo thjesht qeveria të bëjë transparencën mbi vetveten, por sytë e organizatave dhe të shoqërisë përmes organizatave të jenë në vëzhgim të përditshëm të të gjithë procesit të shpenzimit të të ardhurave dhe këtu flasim, jo vetëm për të ardhurat nga donacionet, por edhe për të ardhurat nga buxheti i shtetit, ose nga burime të tjera që kalojnë përmes instrumenteve të angazhimit dhe të zbatimit të qeverisë.
Po ia kaloj fjalën ministres Margariti për të bërë një prezantim goxha voluminoz, por njëkohësisht sa më të fokusuar në shpjegim, lidhur me gjithçka është bërë për të garantuar një planifikim të shpejtë, cilësor dhe transformues, sepse e kam thënë, që ditën e parë e kemi ndarë së bashku, është ndjesia dhe dëshira legjitime e gjithë njerëzve që rindërtimi të mos jetë rikthim aty ku ishim, por të jetë një kapërcim i madh nga pikëpamja e planifikimit, nga pikëpamja e cilësisë së ndërtimit, nga pikëpamja e kushteve të jetesës që do u ofrohen banorëve.
Besoj që për familjet e varfra, apo për shtresën e mesme që ka humbur shtëpinë nga tërmeti ne do garantojmë kushte më të mira se ato që kishim.
Mjafton të shohim faktin se në masën më të madhe familjet që janë sistemuar me qira sot kanë kushte më të mira se ato që kishin në shtëpitë që kanë humbur për të kuptuar se çfarë kemi parasysh. Dhe e vërteta është që, tërmeti ka goditur në masë më të madhe familjet më të varfra, ose familje me të ardhura modeste dhe prandaj besoj që, është një shtysë edhe më e madhe që kjo katastrofë për këto familje të shikohet dhe të vihet në jetë si një mundësi e madhe për t’iu dhënë atyre një nivel të ri jetese nga pikëpamja e kushteve të banimit, nga pikëpamja e kushteve të shkollimit të fëmijëve të tyre, nga pikëpamja e shërbimit. Kam parasysh këtu spitalin e Laçit, tipike në këtë situatë, një godinë e amortizuar, e cila do të jetë 100% më e mirë më cilësore, më dinjitoze, më e sigurtë sesa ajo që ishte para tërmetit, sepse do ndërtohet nga e para dhe do të garantojë kushte shumë më të mira sesa ato që ishin më parë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti: Siç tha zoti Kryeministër, ka qenë gjithmonë në fokusin tonë, që në javën e parë pas tërmetit, të fillonim me hapa sa më të shpejtë të planifikimit, jo vetëm për të dhënë shpresën dhe për të dhënë një model se ku duhet të rimëkëmbim plagën e tërmetit, por më tepër për të krijuar modele të qëndrueshme dhe modelet për një zhvillim që shkon përtej tërmetit.
Numrat e mbledhur nga Shtabi i Emergjencës janë vërtet dinamikë, po themi që në dy javët e para kanë qenë një pasqyrë shumë e qartë për ne, për cilat zona duhet të ecim shpejt me planifikimin. Në procesin e rindërtimit ka nevojë për hapa të qenësishëm.
Të gjitha këto të dhëna janë pjesë e procesit që na janë dashur për të filluar dhe për krijuar hapat e rindërtimit.
Ky është një proces që flasim për planifikim. Hapat janë dhe këto pjesë e planifikimit të gjerë për të filluar nga nevojat deri në punimet e ndërtimit deri në një afat të gjatë, siç e tha dhe ministri i Rindërtimit, deri në 1 vit e gjysmë, ose dhe dy vjet.
Në këtë moment jemi në identifikimin dhe miratimin e siteve dhe duke përgatitur dosjet e çdo siti. Kemi bërë një detajim të planifikuar, jo vetëm të hapave, por të gjitha institucioneve publike dhe jopublike që do përfshihen në këtë proces dhe kemi filluar menjëherë që në javët e para me identifikimet e këtyre siteve që do fokusohemi së bashku me arkitektët dhe inxhinierët e përfshirë, jo vetëm në procesin e identifikimit të thelluar, por dhe gjithë procesit e krijimit të masterplaneve dhe të projekteve të zbatimit.
Në bashkëpunim dhe me bashkitë dhe Agjencitë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe me Shtabin kemi përmbledhur këto të dhëna:
Në bashkinë Kurbin kemi për momentin 5 site që na rezultojnë sitet ku duhet të ecim më shpejt me pjesën e planifikimit të rindërtimit. Bashkia Laç është një nga ato me më shumë dëme. Kemi një numër të konsiderueshëm pallatesh tashmë dhe një zonë, e cila ka kaluar edhe në procesin e shembjes së godinave të dëmtuara dhe kemi evidentuar 2 zona për rindërtim. Dua të theksoj që asnjëherë nuk e kemi konsideruar rindërtimin vetëm në zonën specifike të dëmtuar, por kemi parë gjithmonë një masterplan shumë më të gjerë.
Në rastin e Laçit, zona 1 është zona, e cila tashmë është përcaktuar ku së bashku me Entin e Banesave të Qeverisë turke po ndërmarrim të gjithë hapat për të realizuar atje investimin me 500 apartamente. Për çdo sit kemi ecur në këtë lloj formati, duke bërë evidentimin e të gjithë perimetrit të zonës së mundshme për rindërtim. Po specifikojmë pronësinë aty ku është shtet dhe privat, por për të dhënë më pas hapësirat e mundshme ligjore në aspektin e shpronësimeve, gjendja ekzistuese e secilës zonë, nëse në të përfshihen pallate të dëmtuara, ose nevoja e gjithë zonës përreth dhe kapaciteti zhvillues sipas parametrave të planit vendosur, por dhe të një programi më të detajuar që po shkon përtej planit aktual vendor të këtyre zonave.
Kjo është dosja që përgatisim për çdo perimetër tashmë të përcaktuar me të gjithë këto të dhëna dhe në çdo moment kemi një pasqyrë të qartë të elementëve që na mungojnë për dosjen e saktë të qartë për të kaluar në projektet e zbatimit.
Ky është masterplan i realizuar nga enti i banesave turke, ku parashikohet të pozicionohen banesa rezidenciale. Ky është ende në proces azhornimi pasi territori i parë që kishim vënë në dispozicion ishte shumë më i vogël sesa ai që tashmë kemi përcaktuar kufirin e ri. Po ecim me nevoja, jo vetëm për banesa, por edhe me objekte administrative. Kështu që kjo zonë tashmë do fillojë dhe do zhvillohet duke parë të gjithë ndërhyrjen në të gjithë sitet përreth dhe numri i banesave i përcaktuar për zonën 1, bën të mundur që edhe zona 2/1 që ka dhe prekje të godinave rezidenciale të kalojë në zonën 1 dhe zona tjetër të zhvillohet me parametra të tjerë urbanë. Kemi bërë studime të mirëfillta për secilën nga këto zona dhe të lartësive, kemi bërë disa skenarë që do kalojnë të gjitha në një thellim akoma më të madh. Ndërkohë, gjithmonë në Bashkinë Kurbin, kemi evidentuar edhe site të tjera. Dua ta theksoj që nuk jemi ndalur asnjëherë në zonat me ndërhyrjet masive. Shpesh herë është abuzuar me faktin sikur jemi fokusuar atje ku do të ketë ndërhyrje masive. Jo. Vërtet kemi çdo zonë sado e vogël dhe aty ku mund të kemi pasur 25 ose 12 banesa, janë pjesë e një studimi. Ky është rasti i Sanxhakut, Fushë-Mamurras, Cerem, janë të gjitha studime që po shkojnë përpara në bazë të nevojave dhe të të dhënave.
Në Bashkinë Krujë janë 4 zona për momentin që na rezultojnë zonat me dëmet më të mëdha dhe ku po ndërhyhet me planifikimin. Thumana, siç e dini, është një nga zonat më të prekura dhe këtu po ecim po njësoj me të njëjtin parim, jo vetëm rimëkëmbje e godinave të prishura që janë pjesët e pallateve që tashmë të gjithë e dinë, por dhe evidentimi i zonës së mundshme për të krijuar modelin e qëndrueshëm rural që sipas nesh është qendërzimi tashmë, jo vetëm një ndërhyrje.
Kemi evidentuar zonën 1, 2 që është zona e banesave individuale që do fillojë dhe do krijojmë një qëndër të re rurale. Evidentojmë pronësinë, sa janë shtet dhe sa janë zonë private.
Këtu kemi disa koncepte. Unë kam paraqitur një prej tyre për të treguar se si e gjithë qendra e qytetit fillon merr një aspekt edhe më publik, me banesat individuale, të cilat shtrihen në pjesën e djathtë të hartës që shikoni dhe mendojmë skenarë të ndryshëm zhvillimi.
Tipologjitë e banesave mendojmë se do të jetë një tipologji për të cilën e kemi filluar punën specifike për ta kthyer atë edhe në model ligjor. Përveç aspektit të strehimit dhe parametrave që tashmë po rishihen, kemi dalë në tre modele 1+1, 2+1 dhe 3+1. Mendojmë se teknologjia e parafabrikateve është teknologjia e duhur për të dhënë rezultate të shpejta dhe rezultate të cilat u përgjigjen nevojës sizmike.
Në Fushë Krujë po njësoj kemi identifikimin e dëmeve si ne të banesa dhe në pallate. Këtu kemi evidentuar dy zona që mund të jenë po njësoj zona zhvillimi, duke qendërzuar këto prekjet qe të kthehen në model zhvillimi.
Kruja është një tjetër model. Këtu mendojmë që duke patur parasysh edhe vetë terrenin e qytetit dhe dëmin, kemi evidentuar disa zona përreth, por mendojmë që do të jetë e nevojshme që të qëndrojmë dhe të rindërtojmë atje ku godinat shemben.
Në Bubq është në tjetër zonë rurale që të kalojmë me modelin e qendërzuar rural. Kemi evidentuar disa perimetra. Ka qënë një punë e madhe kjo e evidentimit të zonave për rindërtim për të patur një qasje sa më tepër me prona shteterore.
Bashkia Vorë, edhe këtu ka goxha dëme të rënda. Ka shkolla ndër objektet që duhen rindërtuar. Dy zonat e para që morëm në konsideratë na rezultuan me më shumë pronësi private sesa shtetërore. Kemi menduar që zona e posaçme për rindërtimin do të jetë vetë qendra e qytetit.
Këtu do të vazhdojmë me masterplanin që do të bëjë rizhvillimin urban të qytetit. Ky është moment që të kalojmë përtej kësaj situate dhe të shikojmë për një rritje cilësie standardi jetese.
Bashkia Lezhë po ashtu, kemi evidentimin e dëmeve dhe zonave të mundshme. Këtu nuk kemi bërë ende pasqyrimin e zonave shtetërore dhe ato private.
Bashkia Shijak është në nga bashkitë më demet e larta në numër banesash. I kemi ndarë në 5 zona të ndryshme për ndërtim dhe do t’i mbledhim të gjitha në një masterplan krijimi i qendrës që qytetit dhe që godinat që prishen rindërtohen, duke patur parasysh parametrat urbanë dhe mbi të gjitha rikrijimin e zonave publike të munguara.
Këto janë skenarë të ndryshëm, tipologji të ndryshme që do t’i përshtaten nevojave të banesave.
Bashkia Durrës, është bashkia me dëmet më të larta. Këtu jemi fokusuar në dy zona, siç e shikoni është zona me prerjen më të madhe që kanë prekje të ndryshme që kanë të bëjnë me gjithë rikualifikimin zonave tashmë boshe, të cilat janë krijuar pas shembjes së godinave të rrezikshme që tashmë janë eliminuar totalisht. Kemi tre lloj ndërhyrjesh, qytetin e Durrësit dhe portin, zonën e plazhit kemi dhe zgjerimin e qytetit. Kemi përcaktuar fasha të ndryshme funksionesh. Ideja është që të mos fokusohemi vetëm në rezidenciale apo banesa, por të krijojmë planin e mirëfilltë që në këto hapësira boshe për çfarë lloj funksionesh mund të na shërbejnë, për t’i dhënë në zhvillim të ri, jo vetëm lagjeve, por qytetit.
Kemi marrë disa shembej në vende të tjera të botës sesi kalojnë në zhvillim zonat portuale.
Spitalla është për momentin zona e studimit, jo vetëm për zhvillimin rezidencial, por për një zhvillim shumë të madh që kalon dhe në zonën ekonomike. Lidhja me Universitetin aktual që është një magnet shumë i madh zhvillim për të gjithë zonën, afërsia me portin, ekoparkun që dhe ai po merr formë gjithnjë dhe më tepër. Në koncept fillestar e gjithë lidhja, një frymarrje e re, një zhvillim i gjithë qytetit të Durrësit është i mundur falë këtij programi.
Këto janë të gjitha skenarët.
Ishëm, Katund i ri, Manëz janë të gjitha realitete. Kemi mbledhur të dhënat në këto zonat rurale të prekura dhe do fillojmë dhe këtu me gjithë studimin e skenarëve të mundshëm, nëse do të jenë ndërhyrje pikësore apo do të jenë dhe këtu në lagje të reja të qëndrëzuara rurale.
Në bashkinë Tiranë kemi evidentuar 4 zona, të cilat anë zona kryesisht pronë shtetërore. Dhe këto kanë qenë prej shumë kohësh pjesë e planeve të zhvillimit të Tiranës. Në Kombinat ka në zona në studim ka një shtrirje që shkon dhe depërton përtej pallateve silikate, të cilat nuk kanë rezultuar me dëme të mirëfillta, por mund të përfshihen në këtë program, pasi janë godina që tashmë janë të amortizuara.
Ky është në programi i parë, kemi si qendra social kulturore, si qendra tregtare, zyra, banesa, pra një aset i ri që i shtohet qytetit të Tiranës. Gjithashtu Zona e 5 majit. Kemi patur në fokus që programet mund të ndërthureshin pa u mbivendosur me njëri-tjetrin, pra për të krijuar pole të ndryshme me funksione të ndryshme. Të gjitha këto janë zona që kanë nevojë për zhvillim. Po ecim me idenë jo vetëm të mbyllim plagën e tërmetit, por te ecim më tej.
Zona e Vaqarit ka një numër të vogël banesash, por ka territore përreth, të cilat i mungonin në funksione publike komunitetit. Kështu që investimi do të shkojë përtej faktit të banesave dhe këtu me hapësira për kopsht, hapësira tregtare.
Sa i përket objekteve arsimore, ne kemi arritur të evidentuar 45 objekte, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje. Në bashkinë Durrës kemi evidentuar 13 objekte. Këto do kalojnë të gjitha në procesin e evidentimit të thelluar të dëmit, i cili do na japë një pasqyrë më të qatë të dëmit. Në shkollat është ecur gjithçka mirë që në akt konstatimet e para. Të gjitha këto objekte shkollore do t’i bashkohen zonave të zhvillimit që listuam.
Nuk kemi ecur këtu ende me konceptet e zhvillimit. Kjo do jetë një pjesë pune që do të ecë me shoqatat e inxhiniereve dhe arkitektëve. Mendojmë që edhe këtu teknologjia e përdorur dhe për te ecur shpejt do të jetë teknologjia e parafabrikateve. Gjatë janarit do të fillojmë me të gjithë ndërhyrjet.
Kryeministri Edi Rama: Kavaja dhe Lezha që nuk ishin në prezantim janë dy pika kufitare që kërkojnë një qasje pak më ndryshe po punohet me kryetarët e bashkive dhe shumë shpejt do kemi aty skenarët e mundshëm.
Një gjë dua ta theksoj sepse mendoj është e rëndësishme. Duke marrë p.sh. Laçin. Laçi ka një potencial goxha të konsiderueshëm e nëse do arrijmë të bëjmë gjënë e duhur, do të arrijmë të krijojmë, jo vetëm kushte më të mira banimi për ata që humbën shtëpitë, por do të arrijmë të krijojmë dhe një pol të një ekonomie lokale më dinamike po të kemi parasysh që Laçi është një pikë që mbledh rreth 3 milionë turistë, në vit, e kur flas për turistë, nuk flas turistë të huaj që vijnë nga jashtë, flas për turistë që vijnë dhe nga jashtë, por që janë në të shumtën herëve nga vendi, që shkojnë në pikën e pelegrinazhit e të cilën kjo normalisht e anashkalon komplet Laçin e sotëm sepse nuk ka asnjë lloj kushti e asnjë lloj atraksioni, por nëse ndërhyrja do të sjellë energjinë e një transformimi që është si ato ndërhyrje agropuntuale që ne kemi bërë dhe në shumë pika të tjera, po përmend këtu Korçën, Vlorën, Tamarë, Malësinë e Madhe ose Pukën, atëherë me siguri ne do t’i japim një mundësi të re edhe ekonomike sidomos familjeve që janë aty të angazhuara me biznes të vogël apo që mund të angazhohen dhe me mikpritjen si biznes.
E dyta, qendërzimet. Është shumë e rëndësishme dhe këtu është shumë e vyer mendimi që mund të japi Marini, Arbri, Elvisi, që janë drejtpërdrejtë të angazhuar dhe që kanë fonde të rëndësishme në dispozicion për rindërtimin që ne ti bindim banorët e zonave rurale që të afrohen me njëri-tjetrin dhe të krijojnë qendërzime që krijojnë komunitet. Është shumë e thjeshtë, epërsia e këtij modeli, në raport me modelin ekzistues. Nëse sot një familje në fshat e cila jeton me kilometra të tëra larg shërbimeve duhet të nisë në shkollë fëmijët që duhet të ecin me kilometra të tëra, duhet të ecë me kilometra të tëra për të çuar një të moshuar që ka nevojë për shërbim parësor shëndetësor, po marr dy më elementarët apo pastaj duhet të shkojë e të vijë kur është fjala për të punuar më pranë qytetit, nesër me qendërzimet, kjo mundësohet aty, në modulin e qoftë pikave të qendërzimeve në zonën e Bashkisë së Kurbinit që janë më të avancuara si plan, qoftë në atë të Vaqarit, duket qartë që, duke qenë aty, jo vetëm që do të jenë pa ekzagjeruar fare, siç jemi mësuar të shohim fshatrat turistik në bregdet nga pikëpamja e cilësisë nga pikëpamja e estetikës urbane, por do të kenë aty pranë dhe shkollën, dhe qendrën shëndetësore, dhe çerdhen, dhe kopshtin, ndërkohë që pronën e tyre në fshat e kanë të tyren dhe askush nuk e konsiston dhe nuk e vë në diskutim.
Pra do fitojnë dhe një pronë tjetër më shumë, ndërkohë që pronën në fshat do ta vënë komplet në dispozicion të fermës së vogël, të punës me tokën.
Thumana është një zonë shumë kritike nga pikëpamja e strukturës së vet urbane dhe sociale. Me këtë ndërhyrje, padiskutim mund të bëhet një pikë referimi e vogël, por e rëndësishme në gjithë hartën e zhvillimeve të aguroturizmit duke pasur parasysh edhe liqenin që ka afër. Në rast se arrihet dhe ne do të arrijmë të krijojmë këtë qendërzim, tjetër që është e rëndësishme është që në këtë proces ne do të garantojmë, jam i bindur, jo në fazën e rindërtimit, por në një fazë të dytë më pas që të arrijmë të fshijmë nga faqja e Shqipërisë të gjitha ato banesat e mjerimit, ato banesat ku falë kontributeve të organizatave solidare apo dhe të kontributeve tona si qeveri, ne kemi nxjerrë nga ato kushte mizerabël shumë familje por ka ende e ne kemi bërë inventarin e tyre me ministren e mirëqenies.
Janë 2156 për të qenë të saktë, sepse ndonjëherë njerëzit që nuk e kanë idenë fare të Shqipërisë përtej lagjes së tyre, kujtojnë se ashtu është gjithë Shqipëria. 2156 banesa të mjeruara që duhet të transformohen e me këto modele dhe me këtë eksperiencë nga rindërtimi, ne do të bëjmë edhe këtë pa diskutim. Pra, ky do të jetë një proces që do të na çoje në një nivel tjetër dhe në aspektin e politikave të strehimit dhe në aspektin e politikave të mbështetjes për familjet në nevojë dhe familjet që janë në streha absolutisht jashtë çdo standardi.
E fundit që kam përpara se sa tja kaloj fjalën zotit Joti duke e falenderuar për kontributin e tij dhe për vënien në dispozicion të dijes së kompanisë në funksion të këtij aplikacioni të transparencës, dua ta përsëris që organizatat, më specifikisht të tre organizatat kryesore që janë këtu në këtë tavolinë kanë dhe një rol tjetër shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me komunikimin me njerëzit për t’i bindur që kjo është zgjedhja më e mirë, por edhe me garantimin e një drejtësie në këtë proces pasi gjithë eksperienca botërore tregojnë se një nga rreziqet e këtij procesi është mashtrimi i atyre që nuk kanë pësuar gjë nga tërmeti dhe fillojnë i bien shtëpisë me vare, por dhe mashtrim administrativ, duke shënuar në listë familje që nuk kanë fare nevojë, ashtu sikundër edhe thjeshtë gabimi njerëzor administrativ në inventarizimin e numrit të familjeve e numrit të banorëve për familje. Është shumë e rëndësishme kjo që po them sepse ne duam të nderojmë qendërza rurale, por nuk duam të ndërtojmë qëndërza fantazmë. Prapë nuk duam të ndërtojmë më shumë se sa është nevoja për të pasur pastaj shtëpi bosh që bëhen objekt spekulimesh apo që i marrin e i shesin, po them një ekstrem. E në këtë pikë, unë besoj që organizatat do të jepnin një ndihmë të madhe nëse do ta organizonin disa njerëz më shumë në këtë proces sepse nuk është punë e zakonshme, siç po bëjmë ne që po organizojmë shumë më tepër njerëz, shumë më tepër fonde, pikërisht për këtë proces dhe në rolin e sekretarit të komunitetit, zotit Hoxholli, duke ndër vepruar dhe me institucionet dhe me organizatat dhe përmes këtij aplikacionit të transparencës, duhet të na ndihmojë të gjithëve. Ne jemi gati që të vendosim dhe njerëz në dispozicion nga ana jonë për të pasur një zyrë të plotë përpunimi të përbashkët që në këtë proces të shkojë haka tek i zoti e ndërkohë të mos u humbasim kohë.
Unë besoj që ne do jemi gati, të më korrigjoje ministri, që në mes të janarit maksimalisht, të kemi filluar thirrjet për oferta dhe këtu, dua të koordinohemi bashkërisht për të pasur një ofertë të koordinuar. Për çfarë arsye? Sepse sa më shumë ne të kërkojmë, në kuptimin e sasisë, aq më shumë kemi mundësi të marrim çmime më të arsyeshme e këtu çdo cent vlen për të pasur cilësi dhe sasi e për të mos rënë pre e abuzimeve apo e qasjes së natyrshme të kompanive që, duke na parë në pozitë të vështirë, na vendosin në kushte të vështira, siç ndodh për shembull sot me pronarë apartamentesh që kanë rritur qeranë në mënyrë marramendëse. Është treg patjetër, është kërkese dhe njerëzit janë të lirë të jenë dhe peshkaqenë në një moment të caktuar, por nëse kjo na ndodh me qeratë, ok, nuk ka problem, ne fatmirësisht i akomoduam me shpejtësi nevojat por nuk duhet të na ndodhi me procesin tjetër.
Zoti Joti faleminderit për ndihmën dhe fjalën e keni ju.
Grigor Joti: Faleminderit! Siç u theksua, transparenca e këtij aktiviteti është e rëndësishme e për këtë arsye ne menduam që mirë është të zhvillohet një aplikacion, i cili të vërë në dispozicion të qytetarëve burimin e donacioneve e pastaj me një shkallë të dytë disbursimin e tyre. Ne kemi zhvilluar pjesën e parë, burimin e donacioneve. Programi bëhet nga dy pjesë, pjesa për përdorim të brendshëm, që bëhet hedhja e të dhënave dhe pjesa e dytë për publikun ku publiku mund të hyjë e të shikojë sipas kritereve që përzgjedh.
Kryeministri Edi Rama: Para se t’i jap fjalën zotit Hoxholli, besoj që përtej kësaj, sepse kjo është e vlefshme, nuk diskutohet. Jam dakord që të gjitha donacionet e vogla janë lehtësisht të publikueshme, por duhen parë dhe me gjithë sepse ka raste që dikush thotë unë e bëj për shpirtin tim, nuk e bëj për të dalë në televizor kështu që këtu, në këtë aspekt, është diçka që duhet ta, unë them që qoftë dhe thjesht donacioni tërësor i organizatave është ok. Pa dhënë lista, historia që mbase mund të cenojnë personat, por kjo është një çështje që duhet zgjidhur me ta. Gjëja që unë mendoj që është shumë e rëndësishme për aplikacionin dhe që unë mendoj që duhet ta shtojmë si komponent është buxheti i rindërtimit. Pra shumë ok që me një pasqyrë të parë kemi donatorët, pra kush ka dhuruar për këtë proces, qoftë si individ, qoftë si organizatë, qoftë si shtet, por ajo që do t’u interesojë njerëzve është rindërtimi dhe është më mirë sikur në këtë aplikacion, secili i interesuar të mund të gjejë veten e vetë. Pra, çfarë po bëhet në Thumanë për shembull. Të shohë, ky është plani, ky është buxheti, ky është procesi. Shkoi po themi një nga organizatat vuri 10 shtëpitë e para? Pra, të jetë jeta online po themi e gjithë procesit të rindërtimi. Po kështu me buxhetin e shtetit, me infrastrukturën, me planet, me projektet, për çdo zonë që aty të hysh e të thuash Tirana, lagja e re në Kombinat, çfarë do bëhet, projekti, procesi, u bë po themi fillimi i punës, u ndërtuan 5 apartamentet e para. Të jetë një gjë dinamike që çdokush do të shikojë çfarë po bëhet me rindërtimin, ta ketë nga pikëpamja e prekshme e punës dhe nga pikëpamja financiare. Pra, sa kushton, sa janë disbursuar, sa do disbursohen në mënyrë që të bëjmë transparencë të plotë. Sigurisht është një punë voluminoze, por për këtë thashë që dhe në sekretariat, do vendosim disa persona nga ministria e Financave për llogari të kabinetit për rindërtimin, nga organizata, në mënyrë që të bëhet një punë e mirë e që njerëzit të jenë në kohë reale siç kemi ne në kohë reale gjithë këtë përditësimin e godinave që kontrollohen dhe i shohim në ekran. Kështu njerëzit, kush dëshiron, ta shohë në ekran procesin e mbi të gjitha, gjithë këta që janë në pritje, janë mijëra njerëz që presin shtëpinë, të kenë një adresë ku shohin procesin, si po ecën procesi në fshatin tim, në bashkinë time.
Ilir Hoxholli: Faktikisht, për shkak të një vrulli falenderimesh në diasporë e nëpërmjet kësaj tavoline t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë diasporës sepse në një kohë rekord, nëpërmjet një maratone të zhvilluar me emisione, të mbledhin rreth 8 milionë e gjysmë euro. Falënderim patjetër për pjesën e diasporës pasi ajo është pjesa e Kosovës, e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Nëse do të arrijmë të integrojmë, unë kam folur dhe me ministrinë, e cila ka një projekt shumë ambicioz, shpresojmë ta kemi shumë më tepër pranë, shpresojmë që aty në Thumanë të bëhet një mrekulli dhe çdo donator të ketë mundësinë të shikojë se çfarë është bërë me paratë e veta.
Ato shtëpitë do vlejnë njësoj si në Amerikë apo BE. Për sa i përket abuzimeve, ne në Thumanë kemi ngritur grupet tona të punës për të mënjanuar çdo lloj abuzimi. Ne që kur kemi filluar, kemi treguar nga të gjitha anët llogaritë bankare, i kemi shpalosur ato.
Që të mos zgjatem më tepër, ne ngelemi tek shpejtësia, që ne presim sa më shpejt nga ministrja, në të gjithë, që Thumana, aty jemi përqendruar, pse jo të kemi një projekt pilot ku dhe njerëzit e tjerë të shikojnë se çfarë po ndodh. Të paktën shtëpitë që janë rreth e qark janë të bindur për t’u grupuar. Shpresojmë që me Thumanën të tregojmë dhe modelin tonë më të mirë të mundshëm.
Kryeministri Edi Rama: Prek një element që prapë është i rëndësishëm dhe që e shpjegon se sa mirë është që po ecëm bashkë, se po marrim transportin. Transport është një nga problemet kryesore të gjithë këtij volumi e nëse do ta bënim të ndarë do kishim kosto shumë më të mëdha.
Ndërkohë ajo që kemi diskutuar me ministren është që jemi gati për disa projekte pilot, projekte të para në të gjitha pikat. Kemi diskutuar me Erjonin për Vaqarin. Marini do mbulojë bashkë me ne qarkun e Durrësit, Arbri qarkun e Tiranës, kështu që edhe në Bubq që është një nga pikat më kritike, se Thumana u bë si të thuash simboli i kësaj tragjedie për shkak të humbjeve të jetëve e gjithë asaj dhimbjeje por Bubqi është masivisht i goditur dhe aty kemi shans shumë të madh për të bërë një ndërhyrje spektakolare. Kështu që mendoj që duhet pak durim sepse para se të marrim shtëpitë e t’i vendosim, na duhet infrastruktura, na duhet dhe këtu të kemi në raport Fondin e Zhvillimit në gjithë territoret jashtë Tiranës që do të merret në mënyrë të drejtpërdrejte e do bashkëpunoje dhe me ju. Na duhet infrastruktura e duhet të jetë gati infrastruktura ku ne të vendosim strukturat e shtëpive. Për shembull në Laç, shumë ok që do të bëjmë ndërhyrjen në ato dy zona që solli këtu përpara ministrja, por nuk mund të imagjinojmë dot ndonjë sukses apo ndonjë kapërcim cilësor nëse nuk zgjidhim problemin kronik të atij kanalit skandaloz që është mbyllur e stërmbyllur me lloj lloj ndërhyrjesh e që e përmbyt Laçin në një sekondë. Pra janë ndërhyrje që janë komplementare që kërkojnë dhe studime dhe projekte në infrastrukturë.
Marin Mema: Faleminderit! Dua të qartësoj disa gjëra duke qenë se në mbledhjen e dytë nuk pata mundësinë të isha.
Ne kemi filluar punë në Tapizë, në bashkinë Krujë. Më shumë për të treguar se ndoshta njerëzit sot kanë nevojë për punë dhe më pak fjalë. Kanë nevojë për shpresë, për të kuptuar që e ardhmja nuk është e zymtë e gjithçka me mbështetje e transparencë e me vullnet do të ripërtërihet. Ndaj ne kemi filluar punën prej mëse 10 ditësh në mos gaboj në një shtëpi të parë në Tapizë e besoj që deri në fund të janarit apo fillim të shkurtit të japim një rreze drite në kuptimin e mirë të gjithë kësaj situate për të treguar se është koha për të lënë fjalët e për të filluar punën.
Kam një pikë të dytë shqetësim, – duke qenë dhe anëtar i zgjedhur i bordit të administrimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, kam patur mundësinë të komunikoj me kryetarin e bashkisë për këtë çështje, – ka një numër të konsiderueshëm studentësh të cilët për shkak të dëmtimit të godinave që janë prishur tashëm kanë patur vështirësi për t’u strehuar. Kanë marrë një bonus nga bashkia e Tiranës, por për atë që dhe ju e përmendët që lidhet me abuzivizmin në këto qeratë, këta studentë e kanë patur të vështirë të strehohen, deri sa të merrnin pushimet ku janë aktualisht, kanë patur mundësinë të rregullohen, por problemi është me rikthimin e tyre, nuk mund të kalojnë nga banesa në banesë. Ata kanë një paqartësi që ne kemi diskutuar për procedurën e kthimit të fondit që kanë paguar për konviktet që të kenë mundësi më pas të shikojnë sistemin e tyre sepse ju siguroj që situata të paktën për studentët e universitetit bujqësor është shumë delikate dhe kërkohet një mbështetje afatgjatë.
E fundit, unë kam patur mundësi të diskutoj dhe me strukturat në nivelit lokal, do doja ta parashtroja dhe këtu, ne jemi të gatshëm, me një proces të dytë mbledhje fondesh që t’i përgjigjemi shpëtimit të Kalasë së Krujës që për mua është një element shumë i rëndësishëm duke kuptuar që situata sot është e vështirë. Ne jemi të gatshëm që të japim mbështetjen tonë tërësore për të shpëtuar këtë monument që ka rëndësi jetike për identitetin tonë kombëtar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj: Edhe pse studentët që jetojnë në konvikte nuk janë rezidentë të Tiranës, këshilli bashkiak i Tiranës ka miratuar një bonus qeraje për ta, 60 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që tarifa mujore në Universitetin Bujqësor është 35 mijë lekë. Pra ne tashëm kemi dhënë një bonus për jo qytetarë të Tiranës që është thuajse dy herë sa tarifa. Në datën 6 janar, duke parë që një dhomë e kuzhinë, duke parë se çmimet janë sipas asaj reference që ne kemi dhënë bonusin, mjafton që siç kanë ndenjur në dhomë 3-4 vetë, të bëhen bashkë për të maksimizuar dhe vlerën e bonusit që kanë marrë dhe si jo rezidentë. Kështu që me këtë dhe unë dhe Marini jemi të qartë. Ajo që Marini i referohet është që mbi këtë ne të bëjmë dhe kthimin e pagesës që studentët kanë bërë për konviktet. Këtu janë dy kategori, ka disa që e kanë paguar mujore, pra kanë vetëm 35 mijë lekëshin e fundit të nëntorit dhe është një kategori që e ka paguar të gjithë vitin. Në janar do bëhet procesimi sipas këtyre dy kategorive që i jep parakusht secilit student, 95 mijë lekë personi që unë prapë them, në Tiranë, të jemi i sinqertë, nuk e kam vënë re këtë spekulim kaq të madh.
Megjithatë, jemi të gatshëm që me zyrën tonë të bëjmë një database këto ditë të shtëpive me qera, studentët të marrin listën, e pastaj të shohin si mund të grupohen me shtëpitë që kemi.
Kryeministri Edi Rama: Kjo është lehtësisht e bëshme dhe gjëja më e arsyeshme. Ato që kanë paguar do t’i kthehen, nuk diskutohet fare.
Unë dua ta ritheksoj prapë që duhet pak durim. Po i lamë fjalët, nuk bëjmë dot punën, se nga fjala bëhet puna, ndërkohë që është shumë e rëndësishme që t’i vëmë gjërat në sistem e të bëjmë gjërat siç po i planifikojmë. Do duhet patjetër që edhe me ty, me Arbrin kemi diskutuar dhe ai paraprakisht është angazhuar për Vaqarin direkt, që të kesh një angazhim konkret sepse ju keni mbledhur fonde të konsiderueshme, në raport me të tërën janë pak, por duhen maksimizuar duke bashkuar forcat që aty ku ju do ndërhyni, ne të bëjmë pjesën e infrastrukturës e pastaj sigurisht ne të vazhdojmë me pjesën tjetër që është problemi i madh.
Unë do t’ju kërkoja mirësinë që të shkojmë bashkërisht poshtë për të bërë një nderim për një nga njerëzit simbol të ditëve të rënda pas tërmetit, zjarrëfikësi nga Vlora që u bë dhe heroi i gjithë kërkues shpëtuesve, qoftë shqiptarë, qoftë ndërkombëtar, të cilit dëshiroj t’i kushtoj dhe një homazh dhe ju falënderoj shumë për ardhjen, për durimin, mundimin dhe po ashtu për të gjitha kontributet që po jepni. Faleminderit!