Puna për rindërtimin dhe rimëkëmbjen pas tërmetit të 26 nëntorit që goditi vendin tonë vazhdon pavarësisht situatës së pandemisë së COVID-19. Sot, Kryeministri Edi Rama me ministrin e Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj zhvilluan një videokonferencë me donatorët mbi ecurinë e procesit të rindërtimit.
Kryeministri Rama theksoi konceptin e të punuarit sëbashku, brenda afateve kohore dhe në përputhje me përparësitë e vendosura nga qeveria, “kryesisht ato që lidhen me strehimin, me shkollat dhe me infrastrukturën publike”.
“Na duhet që ju ta çoni më tej këtë qasje të orientuar nga përparësitë e të siguroni sëbashku që të jetë sa më e mirë harmonizuar në nevojat tona për financim” – u shpreh Kryeministri.
Sipas ministrit Ahmetaj, shtylla kryesore e gjithë këtij procesi është “të rindërtojmë sërish dhe më mirë, gjë për të cilën të gjithë kanë rënë dakord që në nisje të procesit të rindërtimit”. Ministri u prezantoi donatorëve hapat e gjithë procesit të rindërtimit. “Fillon me një vlerësim të thelluar. Ky është një vlerësim që shkon në themel të dëmeve. Më pas kemi aplikimet në platformën elektronike e më pas, procesin e vlerësimit të dosjeve të secilit qytetar. Hapi tjetër janë planet e detyrueshme urbane lokale, të cilat janë të hollësishme tashmë. Hapi tjetër është procesi i shembjes që këtu ngjan sikur është i lehtë, por nuk është kështu, pasi duhet bashkërenduar dhe duhet të ketë financime të konsiderueshme. Hapi tjetër janë shpronësimet, më pas procedurat e prokurimit, pra, agjencitë që janë ngarkuar të kryejnë këtë proces e më pas, emëruesi i përbashkët që është bashkërendimi i donatorëve në këtë proces”, – theksoi ministri Ahmetaj.
Sipas të dhënave që prezantoi ministri Ahmetaj, deri më tani janë miratuar 2043 leje për ndërtim, të cilat janë përmbyllur e janë dhënë me proces të përshpejtuar. Ndërkohë që vlerësimi i theluar është një proces që teknikisht ka mbaruar, ministri pohoi se janë 26 zona të reja zhvillimi ku 14 plane të detyruar vendore janë të miratuara, ndërkohë që 12 të tjera janë në proces miratimi.
Ndërkohë Kryeministri Rama e vuri theksin edhe një herë tek bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punës. “Është me rendësi të theksohet dhe një herë një pikë bazë, që na duhet të punojmë sëbashku. Na duhet të strukturojmë komunikimin tonë nëpërmjet kësaj Task-force e nëpërmjet Sekretariatit Teknik, për t’u siguruar që të gjitha përpjekjet e gjithsekujt të kanalizohen në drejtimin e duhur e drejtimi i duhur nënkupton në një mënyrë kohezive me vizionin dhe programin e ju e dini shumë mirë që kjo është thelbësore”, – u shpreh Kryeministri.