Me falenderim për kontributin largohet Celibashi, në Qeveri Felaj

Kryeministri Edi Rama:

“Mirëdita, në fakt unë kërkova të bëja këtë komunikim për një njoftim, më thanë që keni dëshirë të bëni disa pyetje, meqenëse dje përfundoi edhe sesioni i parë i Legjislaturës dhe besoj që  ju takon të bëni dhe pyetjet. Prandaj ta ndajmë në dy pjesë.

Pjesa e parë që ka të bëjë me njoftimin. Është një ndryshim si rezultat i kërkesës së Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për ta ndërprerë marrëdhënien me qeverinë dhe si nevojë për të mos ndërprerë për asnjë minutë punën tonë, këtu në Këshillin e Ministrave, duke zëvendësuar një Ministër më të cilin kam pasur privilegjin që të punoj në 300 ditët e para, Ilirjan Celibashin, me një kolege të cilën e admiroj për cilësitë e saj, deputete e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, e cila do të jetë Ministrja e re e Marrëdhënieve me Parlamentin.

Besoj që, është momenti për t’ia dhënë fjalën Ilirjanit, por paraprakisht dua që ta falenderoj me gjithë zemër, për përkushtimin, për integritetin e lartë moral e profesional, me të cilin e ka përballuar një detyrë të re dhe jo të lehtë, një funksion të krijuar enkas dhe të krijuar rishtas me qeverinë e re. Uroj që vendimi i tij për motive tërësisht personale të jetë vendimi i duhur dhe që koha në dispozicion, pas lënies së detyrës, të jetë më e plotë për të plotësuar edhe angazhimet e tij familjare dhe personale. Me shpresën dhe bindjen se, sidoqoftë, Ilirjani mbetet pjesë e familjes sonë politike dhe për këtë nuk do të ngurrojmë asnjëherë që të kërkojmë kontributin e tij, krejt të posaçëm, si një ndër juristët më të spikatur të vendit tonë dhe tanimë më si një pjesë e jona, që ka eksperiencën e nevojshme për të na asistuar dhe për të na ndihmuar duke e parë tanimë, nga jashtë punën e qeverisë, që të mos bëjmë shumë gabime, duke mos ngurruar të na japë këndvështrimet e tij kritike në çdo rast kur rrezikojmë që të gabojmë.”

 

Ilirijan Celibashi:

“Mirëdita të gjithëve!

Jo për kompromis të rastit, por dua ta them që në krye të herës, se ka qenë një eksperiencë, në pikëpamjen njerëzore e profesionale, mjaft mbresëlënëse për mua, kjo periudhë e 300 ditëshit të kësaj qeverie. Është një eksperiencë që do të mbetet e shënuar në karrierën time profesionale.

Arsyet e kësaj dorëheqjeje janë tërësisht profesionale. Shkaqet, motivet dhe interesi i këtij akti, shpresoj që, në radhë të parë, me këtë akt të mos dëmtoj askënd; Pikësëpari, asnjë interes publik, pasi si një qytetar i përgjegjshëm i kësaj Republike, edhe pse për dikë kjo mund të duket tashmë si një koncept i konsumuar dhe i keqpërdorur, nuk mund t’ia lejoja vetes që këtë vendim ta kisha marrë në një moment tjetër, pasi gjykoj që ky ishte momenti më i përshtatshëm, në kuptim të asaj se çfarë kjo qeveri ka arritur në këto 300. E, duke mos qenë rasti për t’i përmendur këto, pasi besoj qoftë nga pyetjet tuaja, qoftë edhe më pas, Kryeministri Rama mund të thotë diçka më shumë lidhur me këtë, gjej rastin të shpreh mirënjohje e falenderim të posaçëm e të thellë për Partinë Socialiste, për kryetarin saj dhe Kryeministrin Rama, për vlerësimin që i bënë aftësive, kapaciteteve dhe vlerave të mia si profesionist, por dhe si njeri, për të më bërë pjesë të angazhimit të kësaj mazhorance politike.

Ka qenë nder e privilegj për mua, që të përfaqësoja Partinë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Ka qenë po kështu, nder dhe privilegj që të isha pjesë e këtij kabineti qeveritar. E dua ta them pa asnjë lloj hezitimi, që kjo vendimmarrje e imja nuk ka vënë aspak në dyshim besimin tim dhe bindjen time të kahershme tek Edi Rama si Kryeministër dhe tek ky kabinet qeveritar, për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë që ata kanë marrë kundrejt qytetarëve shqiptarë, për të përmbushur të gjithë ato objektiva politikë, socialë dhe ekonomikë.

Dua të them që eksperienca si Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin ka qenë një eksperiencë pozitive si në aspektin njerëzor, ashtu edhe profesional. Dua të falënderoj Kuvendin e Shqipërisë për bashkëpunimin e ngushtë, të hapur dhe të sinqertë që kam pasur me të si institucion, me të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, pa asnjë lloj përjashtimi, pa asnjë dallimi politik. Mund ta them pa hezitim që marrëdhënia jonë ka qenë një marrëdhënie e respektit të thellë dhe të ndërsjellët. Unë dua ta sjellë këtë, në vëmendjen tuaj, po veçanërisht dua të vlerësoj bashkëpunimin e ngushtë, të hapur e shumë të sinqertë me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zotin Ruçi, me të gjithë anëtarët e komisioneve parlamentare.

Gjej rastin, gjithashtu, të falenderoj dhe t’i jem mirënjohës të gjithë atyre qytetarëve të Fierit, të cilët panë tek personi im një përfaqësues, besoj dinjitoz në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe si një kontribuues profesional në Qeverinë e Shqipërisë. Më vjen keq që mund t’i kem zhgënjyer me këtë vendim. Por qenia ministër kërkon që të kesh angazhime të cilat duhet t’i kesh serioze në kuptimin e kohës dhe ndoshta është më mirë kështu, për të mos ceduar pikërisht me ato angazhime që ti në një moment të caktuar merr kundrejt qytetarëve. Eksperienca që pata edhe në fushatën elektorale është një eksperiencë mjaft mbresëlënëse nga çdo pikëpamje, nga çdo këndvështrim. Veçanërisht është mbresëlënëse sa i përket dhe rezultatit të arritur. Nuk e them në konceptim vetëm politik. Vërtet, kur hyn në një garë elektorale dhe del fitues nga gara është një gjë që të jep goxha sadisfaksion. Jam i sigurt se pjesëmarrja në këtë fushatë elektorale më ka dhënë mundësi të njoh shumë njerëz, të nderuar dhe të respektuar në qytetin e Fierit, anëtarë e simpatizantë të Partisë Socialiste. Të cilët, unë gjej rastin t’i falënderoj dhe t’i përshëndes dhe t’u them se ka qenë nder e privilegj për mua, që kam punuar sëbashku me ta, gjatë kësaj periudhe.

Kam një falenderim të veçantë për gjithë përfaqësuesit e medias. Jam i sigurt dhe besoj se ndajmë të njëjtin pikëpamje se kam pasur një marrëdhënie të ngushtë, të hapur, të sinqertë me secilin prej jush.

Dua të falenderoj stafin tim të ngushtë, të kabinetit tim ministror.

Gjej rastin, gjithashtu, të falenderoj të gjithë ata bashkëpunëtorë të tjerë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, vendase e të huaja, të cilët kanë punuar ngushtësisht me Zyrën time, për një periudhë të shkurtër kohe të themi, por nga pikëpamja e numrit të çështjeve, mjaft intensive.

Dua të bëj publike edhe falenderimin për familjen time. Se kjo mund të duket pak në stilin amerikan, por dua ta them këtë realisht, pasi në çdo rast, të gjitha angazhimet e mia publike i kanë mirëkuptuar. Ajo që më vjen mirë të them, është se asnjëherë nuk i kanë parë këto si privilegje, por, për ta, ka qenë gjithmonë sakrificë. Unë i falenderoj që më kanë ofruar mirëkuptimin, në çdo vendim timin për t’u angazhuar publikisht.

Pjesëmarrja aktive, në mënyrë institucionale, në politikë të jep mundësinë që të  kontribuosh drejtpërsëdrejti në politikë, por mua nuk më është dashur karrigia e ministrit, për të pasur këto kontribute për interesin publik. Kështu që, për sa mundësi do të kem, unë do të vazhdoj ta jap këtë kontribut në interes të shoqërisë, në interes të së mirës së përgjithshme.

Dua t’i uroj Ermonelës, suksese në detyrën dhe funksionin e Ministres së Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin. Nuk më takon mua të gjykoj padiskutim, se ky është vlerësim e gjykim i Kryeministrit, por më lejoni ta them se kjo është një zgjedhje shumë e mirë. Më vjen mirë që do ketë një lloj vazhdimësie jo vetëm në aspektin e background-it profesional, por jam i sigurt, edhe në atë se çfarë Zyra e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin ka bërë deri tani.

Faleminderit dhe ju uroj pushime të mbara!”

 

Ermonela Felaj:

“Mirëdita të gjithëve!

Mua më lejohet sot të jem më e emocionuara nga të gjithë, por kjo nuk do të më pengojë mua të them disa fjalë të thjeshta mirënjohje dhe falenderimi.

Falenderoj Kryeministrin Rama për vlerësimin dhe i shpreh gjithë angazhimin tim profesional, moral, por edhe politik për të qenë në lartësinë e detyrës, për të qenë në lartësinë e një funksioni që për hir të së vërtetës ushtrohet rishtazi në Republikën e Shqipërisë. Njëkohësisht, dëshiroj të falenderoj Ilirjanin që në këto pak minuta të komunikimit tonë me mediat, më dha të kuptoj që prej tij gëzohej një mbështetje shumë e madhe.

Unë ndjehem shumë mirë që do të pasoj Ilirjanin në punën e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për faktin se me Ilirjanin nuk jemi kolegë vetëm në Parlamentin e Shqipërisë, por jemi edhe kolegë në profesion. Më vjen mirë që do të kem rast të përfitoj nga një eksperiencë e çmuar dhe shumë e respektuar në publik, si ajo e Ilirjanit. Besoj që në ditët në vijim, më tepër do të flasë puna.

Faleminderit!”