Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bujqësia shqiptare po përjeton një transformim rrënjësor, i mbështetur fuqishëm nga buxheti i vitit të ardhshëm, i cili shënon një rekord prej 16.3 miliardë lekësh, me mbështetje të shtuar për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, agropërpunimin dhe agroturizmin, duke krijuar më shumë mundësi zhvillimi për fermerët dhe sipërmarrjet rurale.

Në këtë kuadër, sot u zhvillua një takim i zgjeruar me rreth 1500 fermerë nga të gjitha zonat e vendit, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili i vuri në dukje se, përtej rritjes së buxhetit, ekzistojnë edhe mundësi të tjera financimi, veçanërisht në kuadër të afrimit me Bashkimin Europian, që hap perspektiva të reja për financimin e fermave, projekteve të zhvillimit dhe kërkimit shkencor në bujqësi.

 

* * *

Shumë të nderuar dhe të dashur fermerë dhe fermere, sepse nuk janë vetëm burra, është vërtetë me rëndësi që takohemi këtu sot, në një moment kur sapo kemi nisur një mandat të ri, i cili për nga pesha e sfidave, është mandati më i vështirë i qeverisjes së vendit, por fatmirësisht këtë peshë na e kanë bërë më të lehtë shqiptarët, na e keni bërë më të lehtë ju dhe të gjithë ata që si ju, na kanë dhënë plot 83 mandate, që të kryejmë me sukses negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe t’i vendosim vulën europiane, transformimit të nisur tre mandate më parë.

Tre mandate më parë, nga kur sot, kemi trefishuar prodhimin e serave dhe si rezultat kemi faktikisht, rritur ndjeshëm konkurrueshmërinë në një sipërfaqe serash që sot ka prekur 2200ha.

Tre mandate nga kur kemi arritur të rrisim në mënyrë të pamendueshme deri disa vite më parë prodhimin e perimeve që i është afruar 1.5 milionë tonëve.

Tre mandate nga kur eksportet kanë vazhduar të rriten dhe të diversifikohen, duke kapur një vlerë që këtë vit, vetëm në 9-mujorin e parë është më e lartë sesa e gjithë vlera e vitit të shkuar dhe duke u afruar të përmbushim gjysmë miliardë euro eksporte.

Por, ajo që është akoma më e rëndësishme, është që kemi përmbysur raportin e eksporteve me importet, të cilin e kemi gjetur, 1 eksport, 7 import dhe sot jemi në 1 me 3, duke vazhduar të shkojmë drejt tendencës ulëse dhe të treshit dhe synimi ynë është qe të arrijmë objektivin e një eksport- dy import, kur vjen puna tek prodhimi bujqësor.

Është me shumë rëndësi që kemi sot një buxhet për vitin e ardhshëm jo thjesht më të lartë, por shumë më të lartë krahasuar me buxhetin e këtij viti dhe vetëm në skemën kombëtare të shkojmë me një  buxhet i cili është gati dyfishi i vitit që po përfundon.

Ndërkohë, e tha dhe ministri, përsa i përket skemës direkte, të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti 100%.

Këto janë vetëm disa nga plot të dhënat që mund të sjell në vëmendje për transformimin e bërë në këto vite, por çka na intereson sot, është çka duhet të bëjmë në vitet që kemi përpara dhe kur them duhet të bëjmë, duhet ta bëjmë patjetër bashkërisht sepse bujqësia më shumë se çdo sektor tjetër, ka nevojë për këtë partneritet me qeverinë, ka nevojë për këtë partneritet me pushtetin vendor, për të arritur të përballë sfidat e veta të cilat janë shumë komplekse dhe të cilat varen nga faktorë që nganjëherë janë jashtë mundësive të njeriut për t’u kontrolluar, siç janë faktorët klimaterikë.

Gjithsesi ajo që ka më shumë rëndësi në bilancin e këtyre viteve dhe që vlen më shume se çdo gjë tjetër për ta parë me optimizëm transformimin që duhet të thellojmë, është dija; dija e fituar në të gjitha këto vite nga vetë ju, dija e fituar në një sektor ku gjërat lëvizin me vështirësi, por lëvizin në mënyrë të vazhdueshme dhe ku në botën që jetojmë, teknologjia sjell oportunitete të paimagjinueshme deri dje.

Dhe unë kam shumë besim që nëse dijen e përftuar prej jush, së bashku me dijen e një vatre që do të jetë gjithmonë e më rëndësishme vit pas viti për bujqësinë, për ekonominë, për zhvillimin e vendit tonë, që është Universiteti Bujqësor, do t’i bëjmë së bashku dhe do t’i vendosim në funksion të politikave tona, ne patjetër do të arrijmë që në 4 vitet qe kemi përpara, të bëjmë më shumë sesa në të gjitha vitet që kanë kaluar, të mbledhura së bashku dhe duhet ta besojmë këtë gjë, në radhë të parë.

Ajo që unë dua të ndaj me ju me shumë krenari dhe kënaqësi, është që UBT po bën një vetëtransformim shembullor në funksion të rritjes së kapaciteteve të dijes për të gjithë spektrin e zhvillimit rural; në funksion të rritjes të jo vetëm standardeve të mësimdhënies akademike, jo vetëm cilësisë së programeve në atë universitet, por ajo që është shumë e rëndësishme për të gjithë ne së bashku, është ajo çka Universiteti Bujqësor i Tiranës mund dhe do të bëjë në funksion të secilit prej jush dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për trajnimet të cilat kanë filluar prej 3 vitesh dhe kanë dhënë një ndihmë për fermerët; këtu e kam fjalën thjeshtë për trajnimet që kanë filluar dhe japin një ndihmë për administratën e Ministrisë së Bujqësisë; këtu e kam fjalën për një nivel të ri bashkëpunimesh, bashkëpunimesh në funksion të thithjes më të madhe dhe më domethënëse ne çdo aspekt të parasë që hidhet në bujqësi.

Ne flasim për buxhetin. Buxheti është rritur dhe buxheti do vazhdojë të rritet, por buxheti është shumë pak në krahasim me sa shumë mundësi të tjera ka për të rritur financimin për fermat tuaja, për të financuar projektet tuaja të zhvillimit, të sipërmarrjes tuaj bujqësore, për të financuar kërkimin shkencor në sipërmarrjet tuaja dhe mos e nënvlerësoni këtë fjalë, as mos e merrni si një fjalë të madhe që nuk ka lidhje me ju, por vlerësojeni si një mundësi të shtuar që na jep ky moment afrimi me BE, duke na hapur perspektiva që nuk i kemi pasur më parë në aspektin e financimit për të na bërë të aftë të përballojmë atë, që nesër do jetë një konkurrence shumë e vështirë në tregun e përbashkët europian.

Ne finalizojmë brenda këtij viti edhe Bankën tonë të Zhvillimit. Shqipëria do të ketë më në fund Bankën e Zhvillimit, që do të jetë dhe ajo një tjetër instrument për të mbështetur projektet e sipërmarrjes shqiptare, për të mbështetur edhe projektet tuaja.

Në ndërkohë që po rivëmë në lëvizje prapë në favorin tuaj për të mbështetur projektet tuaja, për të mbështetur sipërmarrjet tuaja edhe AgroKreditin që është një instrument, një institucion i varur nga Ministria e Financave, por kini parasysh që linja e re e kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me fokus bujqësinë e Bankës së Shqipërisë e cila shkon deri në 250 milionë euro si fazë e parë dhe mund të shkojë deri në 1 miliardw euro, mund të shkojë deri në 2 miliardw euro nesër, është aty dhe ju pret ju.

Nga ana tjetër e kam thënë në mënyrë përsëritur dhe dua ta nënvizoj këtu. Pushteti vendor, bashkitë tona duhet të ngrihen në lartësinë  e kësaj sfide. Bashkitë tona duhet të ngrihen në lartësinë e nevojës suaj për partneritet, e nevojës suaj për financë, e nevojës suaj për mbështetjeje institucionale dhe e mbështetjes me dje, e nevojës tuaj për të mos qenë vetëm në këtë përpjekje dhe për ta hedhur çdo hap me një parter të sigurtë dhe bashkitë e kanë mundësinë të bëhen partner i sigurt i fshatit, i fermës, i fermerëve dhe i bashkimeve të tyre.

Nuk ka nevojë që ju të prisni të vijë dikush për të ndërtuar një infrastrukture grumbullimi, për të ndërtuar një infrastrukture përpunimi që patjetër do t’i shtonte vlerën asaj që ju prodhoni dhe mblidhni në fermë. Ju mund ta bëni këtë vetë. Ju mund ta bëni këtë duke u bashkuar me njëri tjetrin dhe duke u bashkuar me pushtetin vendor. Dhe i takon bashkisë të vijë tek ju dhe tua u ofrojë këtë mbështetje dhe me shumë pak dhe me ndihmën e drejtpërdrejte të Universitetit mund të ndërtohen projektet të cilat pastaj me mbështetjen e qeverise mund të financohen dhe mund të financohen me kushte jashtëzakonisht të favorshme për ju.

Këtu nuk bëhet fjalë për t’ju lëshuar në rrugën e bankave komerciale dhe për t’ju vënë përballë atyre vështirësive të tmerrshme për të marrë një kredi nga një bankë komerciale që e shikon bujqësinë si një sektor me risk shumë të lartë. Këtu bëhet fjalë për t’i vënë në jetë ato instrumente që i kemi, i kemi krijuar, i kemi gati dhe tani çfarë na duhet? Na duhet të ndërtojmë projektet e duhura, na duhet të ndërtojmë partneritetet e duhura dhe na duhet vetëm të disbursojme e të disburosojmë në mënyrë që të ketë shumë më tepër para në duart tuaja për të investuar në fermë dhe për të investuar në rritjen e standardeve dhe cilësisë sepse miqtë e mi Bashkimi Europian vjen si një bekim për të gjithë ata që janë të përgatitur por vjen dhe si një mallkim për ata që nuk janë gati. Kërkesa për standardet e sigurisë, kërkesa për cilësinë jo thjesht bëhet e pranishme në çdo hap, por shoqërohet me instrumente kontrolli shumë të rreptë, që faktikisht të nxjerrin nga tregu.

Mirëpo janë 4 vjet dhe 4 vjet janë të mjaftueshme për atë ditë, që ajo ditë t’ju gjejë gati. T’ju gjejë gati për të hedhur hapa të tjera përpara, jo për t’ju përballur me një furtunë që t’ju rrezojë në tokë pasi nuk i përgjigjeni me standardet e duhura të cilësisë.

Kështu që, do ju ftoja të gjithëve që të jeni akoma më aktivë në kërkimin e më shumë mbështetje financiare sepse e përsëris, instrumente janë. Është buxheti i shtetit, është Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, është linja e re e financimit të Bankës së Shqipërisë. Është AgroKrediti, do të shtohet dhe Banka Shqiptare e Zhvillimit. Mirëpo përsëri ndodhemi dhe nuk duhet të ndodhemi ende për një kohë të gjatë në atë situatën që nuk është më problemi tek paraja, është tek projektet. Nuk është problemi tek aftësia mbuluese me fonde e projekteve, por është problemi tek mungesa e projekteve.

Nuk është më problemi tek vullneti dhe tek fuqia e qeverisë për të mbështetur rritjen e sipërmarrjes në bujqësi, por është problemi tek mungesa e një sipërmarrjeje aktive në kërkim të fondeve me projektet e duhura dhe me formulat e duhura. Dhe këto gjëra ju nuk keni as pse i shpikni, as si i shpikni. Ju nuk keni as arsye që te mendoni se duhet t’i bëni vetë. Këto gjëra bëhen me aleancat e duhura dhe për këtë arsye është këtu rektori i Universitetit Bujqësor, për këtë arsye jemi këtu edhe ne së bashku me Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural. Për t’ju dhënë të gjithë asistencën e nevojshme që të ecim shumë më shpejtë përpara dhe bashkërisht qeveria, Ministria e Bujqësisë dhe ju duhet t’i vendosim bashkitë në një presion pozitiv, ju nga poshtë, ne nga lartë për t’i shtyrë që të marrin në dorë të gjithë përgjegjësinë që iu takon për sa i përket zhvillimit të fshatit, për sa i përket mbështetjes së fermës, për sa i përket mbështetëses së fermerëve.

Kryetarët e bashkive pas reformës administrative territoriale janë kujdestarë të baraslarguar dhe barasvlershëm, qoftë të qytetit, qoftë dhe të fshatit, por ende sot në shumicën e rasteve ata fshatin e shohin vetëm për të bërë punët komunale të qytetit, një rrugë më shumë, një kanal më shumë, ndriçim më shumë, pastrim më shumë ndërkohe që të gjitha këto janë shumë të rëndësishme, por më e rëndësishmja fshati është toka që prodhon dhe janë ata që janë tek toka.

Bashkia duhet të jetë aty tek toka, me ata që punojnë tokën dhe me ata që kanë nevojë për mbështetje që të nxjerrin më shumë prej tokës për veten e tyre, për familjet e tyre dhe për ekonominë kombëtar dhe ky nuk është fjalim propagandistik. Kjo është një fjalë për ju që lidhet me atë që ne si qeveri e kemi bërë gati për fshatin dhe për ju dhe kemi ikur nga faza e mbijetesës. Kemi ikur nga faza kur të gjithë turreshim nëpër rrugë për të shitur prodhimin e tyre me çanta dhe për ta shitur në tezga të ndërtuara buzë rrugëve kombëtare dhe nuk ka qenë në shekullin e kaluar, ka qenë kur ne morëm detyrën. Kemi ikur nga koha kur pikat e grumbullimit numëroheshin me gishtat e dorës. Kemi ikur nga koha kur bujqësia funksiononte me lëmosha elektorale, dhe kemi ikur nga koha kur ata që punonin heroikisht dhe që prodhonin dhe që ndërtonin duke investuar pikën e fundit të djersës ishin komplet të braktisur.

Sot jemi në një kohë tjetër, por ama në ndërkohë që ne kemi ecur ajo bota atje ku ne duam të bëhemi pjesë ka fluturuar. Prandaj duhet të vëmë krah dhe të fluturojmë, duke qenë më shumë ambicioz, duke kërkuar shumë më tepër nga vetja dhe nga njëri-tjetri.

Çfarë do të thotë për ju të kërkoi shumë më tepër nga vetja? Juve shumica dërrmuese këtu çoheni pa u gdhirë, i lini fëmijët në gjumë dhe kur ktheheni i gjeni fëmijët në gjumë. Kjo është ajo që iu ka sjell deri këtu, po kjo nuk mjafton më. Tani duhet të ndërtojmë partneritetet, duhet të ndërtojmë aleancat ku secili të bëjë pjesën e vet dhe duhet të bëjmë atë që është themelorja, që paraja të mos mungojë për projektet, për investimet, për transformimet e nevojshme për fermat tuaja dhe ajo të vijë jo nga një drejtim, po të vijë nga të gjithë këto drejtime që unë përmenda: të vijë nga buxheti, të vijë nga fondet europiane, të vijë nga linja e financimit të Bankës së Shqipërisë, të vijë nga Banka e re e Zhvillimit, të vijë nga AgroKrediti dhe që të vijë nga të gjitha këto drejtime duhet kapaciteti për ta thithur dhe kthehemi prapë të projektet e duhura dhe tek partneritetet e duhura.

Unë dua që këto vite të jenë vitet e krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta mes pushtit vendor dhe fermerëve, të ndërmarrjeve që përpunojnë dhe të ndërmarrjeve që sjellin më shumë të ardhura për ju, jo për ne, jo për qeverinë e as për bashkinë. Kapitali fillestar i një ndërmarrje të tillë duhet të jetë fare modest, diçka e vogël e vënë nga ju, diçka e vogël e vë bashkia dhe gjithë pjesën tjetër e mbulojnë këto instrumente, gjë që bën që ju të punoni dhe të mendoni vetëm për t’u zhvilluar, jo të mendoni se si të arrini të paguani kredinë pa u detyruar nesër të shisni shpinë. Kjo është ajo që të dua unë të bëjmë, dhe kjo është ajo që do të bëjmë së bashku, duke u mbështetur tek shembujt më të mirë ndër ju dhe duke u mbështetur tek të gjithë ata që kanë ambicie për ta bërë si duhet këtë punë.

Përpara meje, patë dikë që të nuk e ka dritën e syve, siç e kemi të gjithë ne. Nk e ka dritën e syve, por ka dritën e shpirtit, ka dritën e shpirtit fisnik që e çon atje tek ara për të ndërtuar me duart e veta gjithë atë ndërmarrje të nisur nga një dhomë në shtëpinë e vet në fshat dhe kur e bën ai, dhe kur e bën aq bukur dhe aq mirë, çfarë i mungon të tjerëve dhe çfarë na mungon ne tjerëve për ta bërë po aq bukur dhe po aq mirë së paku punën tonë dhe kur shembulli i tij tregon se kush e do tokën dhe kush di ti përkëdheli fidanët e asaj toke bën sukses. Atëherë, çfarë na pengon ne që të bëjmë shumë sukses në këtë fushë që është e vështirë, por ku ne, për shkak të pozicionit gjeografik që kemi, për shkak të kushteve klimaterike që kemi, për shkak të shumë e shumë gjërave të tjera që na i ka dhënë Zoti apo natyra mund të synojmë cilësinë më të lartë.

Ne nuk konkurrojmë dot me sasira me botën, as me Europën, as me Bashkimin Europian nesër, madje as me disa nga vendet e vetë rajonit, nuk konkurrojmë dot ne me sasira, por ama, ne për të gjitha kushtet që ka Shqipëria dhe për të gjitha arsyet e tjera që nuk po i numëroj këtu duhet ta fiksojmë mirë në kokë, që të konkurrojmë me cilësi dhe të shesim shtrenjtë në tregun atje jashtë, siç bëjnë disa prej jush që arrijnë të nxjerrin produkte të një cilësie të jashtëzakonshme.

Unë jam shumë optimist dhe unë besoj shumë që nuk ka asnjë vështirësi që ne nuk e kapërcejmë dot, ashtu sikundër besoj shumë që pas gjithë këtyre viteve akumulim eksperience, akumulim dijesh, akumulim besimi është koha për të bërë një hov, një hov të madh cilësor edhe në këtë sektor dhe unë ju siguroj që ne ta bëjmë këtë së bashku.

Unë i kam kërkuar ministrit të Bujqësisë që të lëri zyrën e Bashkisë në Cërrik dhe të vijë në Tiranë, po të mos rri në Tiranë, të rri aty ku jeni ju, të dëgjoj sa më shumë nga ju, dhe të mbështesë me të gjitha forcat këdo prej jush që na ndihmon për të krijuar shembujt që të tjerët pastaj i ndjekin.

Shumë faleminderit të gjithëve për praninë tuaj dhe shumë respekt për të gjithë ata që vijnë nga fusha dhe i uroj nga zemra që të kenë një mbyllje sa më të begatë të vitit dhe një vit tjetër, më të begatin e të gjitha viteve të deritanishme dhe uroj shëndet, mirësi dhe çdo gjë tjetër që ju do zemra për vete, për fëmijët tuaj, për të afërmit tuaj, për miqtë, shokët, edhe natyrisht për vendin tonë të bekuar.

Faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.