Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaxhçka dhe ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshi, inspektoi zonën e Mifolit pranë Vlorës, një nga zonat me rrezikshmëri të shtuar për shkak të prurjeve të shtuara të lumit të Vjosës. Kryeministri përsëriti edhe një herë apelin ndaj qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave civile në rastet kur është i nevojshëm evakuimi.

“Faleminderit për prezencën tuaj, sepse është shumë e rëndësishme puna që ju të gjithë po bëni në këto momente, duke krijuar një mundësi të shtuar për njerëzit që mund të informohen, mund të ndjekin situatën përmes ekraneve.

Unë dua në radhë të parë të falenderoj Lulzim Bashën, kryetarin e Partisë Demokratike, i cili dje në mbrëmje shprehu mirëkuptimin për të ndërprerë diskutimet që ishin në rendin e ditës, lidhur me buxhetin, nga ana e opozitës e për të na dhënë mundësinë që ta mbyllim seancën në një kohë të arsyeshme, në mënyrë që të ishin në krye të detyrës.

Dua të falënderoj shumë sinqerisht ministren e Mbrojtjes, e cila prej atij momenti e deri sot ka qenë vazhdimisht në terren, gjatë gjithë natës, sëbashku me Forcat e Armatosura, me grupet e organizuara të Policisë së Shtetit dhe të Emergjencave Civile.

Besoj se kemi gatishmërinë më maksimale se asnjëherë tjetër, sepse kemi nxjerrë mësimet e eksperiencave të shkuara, por edhe kalimi i Emergjencave Civile nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, si rezultat i reformës që ne kemi nisur, ka përfitueshmërinë e vet.

Situata ishte e paralajmëruar. Natyrisht që fuqitë njerëzore, logjistike, jo tonat por të çdo shteti, sado të madh, në këto raste janë të kufizuara. E rëndësishme është që deri tani, falë operacioneve të shpëtimit, posaçërisht gjatë natës, këtu ka qenë vërtetë shumë e vështirë, pastaj dita është më e lehtë, është siguruar që të mos kemi humbje në jetë njerëzish. Për fat të keq ka humbur jetën një punonjës i OSHEE-së në krye të detyrës dhe unë i shpreh të gjitha ngushëllimet familjes, me shpresën se do të mundem t’i vizitoj edhe drejtpërdrejt për t’i shprehur ngushëllimet sy në sy, me mirënjohjen dhe respektin më të thellë për njeriun që duke i shërbyer publikut si një punonjës i shtetit u nda fatkeqësisht e tragjikisht nga jeta.

Dua të falënderoj edhe prefektët. Kanë bërë një punë të shkëlqyer. Janë koordinuar më së miri. Patjetër edhe të gjithë kryetarët e bashkive, pa dallim,   për gjithë punën që kanë bërë dhe po bëjnë.

Dua të përsëris apelin që të gjithë qytetarët në zonat e paralajmëruara si zona të prekshme në vijim, pasi parashihet një fryrje e mëtejshme dhe sipas të gjitha gjasave masive e lumit të Vjosës nga prurjet që vijnë prej matanë kufirit dhe që sjellin pastaj prekjen e shumë zonave në këtë pellg, në mënyrë që të jenë vazhdimit të vëmendshëm e t’i përgjigjen siç duhet, kërkesës së strukturave për tu evakuuar, për t’u spostuar. Ministria e Bujqësisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë janë po ashtu plotësisht të angazhuara.

Të shpëtojmë jetët e njerëzve, të mos kemi humbje në njerëz. Të shpëtojmë sa të mundemi bagëtitë e pastaj, kur del dielli, vjen pjesa tjetër e bilanceve dhe e përpjekjeve për rikuperim. Kjo besoj është pamja për momentin e kësaj situate.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.