Prononcimi për mediat i Kryeministrit Edi Rama pas përfundimit të seancës plenare për votimin e ndryshimeve në Kodin Penal për të përballuar një situatë pandemie:
-Zoti Kryeministër, Presidenti Ilir Meta bëri disa propozime sot për ndryshimet në Kodin Penal. Si i gjykoni ju?
Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që sot është bërë një punë e mirë në funksion të situatës, përtej të gjitha fjalëve, kritikave, akuzave, ne faktikisht sot kemi mbushur një boshllëk të Kodit tonë Penal që rezultonte i vetmi Kod Penal në Europë pa asgjë të shkruar për një situatë epidemie dhe për më tepër në këtë fazë kur ne po përgatitemi që të hyjmë në procesin e një hapjeje graduale të aktivitetit ekonomik dhe të normalizimit sa është e mundur të jetës. Ishte e pamundur të konceptohej që paralelisht të mos kishim edhe këto masa që të garantojnë hapjen, sepse ajo që kemi vënë re, sidomos në 10 ditët e fundit, një shqetësim i ardhur edhe nga drejtuesit e Policisë në përgjithësi që e ndjekin nga afër situatën, edhe nga ana e kryetarëve të bashkive, është një lloj relaksimi dhe një lloj lëshimi që nuk mund të kthehet në fenomen, sepse është shumë i rrezikshëm.
Natyrisht ne kemi rezultate absolutisht të shkëlqyera në frontin e luftës për sa i përket shëndetit, shëndetësisë, spitaleve, numrit të të prekurve që shkojnë në spital, pavarësisht se kemi humbje jetësh dhe çdo jetë është shumë e çmuar, por përsëri në tërësi, kjo situatë kam përshtypjen se lexohet gabimisht nga një pjesë e njerëzve që kujtojnë se iku kjo punë, nuk ndodhi gjë, lëre pastaj dhe nga disa të tjerë që merren me teori konspiracioni. Për këtë arsye, na duhet të garantojmë hapjen, të mbrojmë njerëzit, të mbrojmë jetën dhe patjetër të lehtësojmë një proces që ka ndikuar detyrimisht jo pak, por në mënyrë të konsiderueshme në ekonominë familjare dhe në ekonominë kombëtare. Kështu që, në këtë aspekt, mendoj që është bërë gjëja e duhur. Kemi pasur dje një takim të gjatë por të dobishëm, sipas meje, të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe pikërisht për të adresuar këtë nevojë në kohë për të mos pasur pengesa, apo zgjatje të natyrës legjitime proceduriale, kemi diskutuar edhe me Presidentin, jemi harmonizuar përmes ekspertëve të Parlamentit dhe të zyrës juridike të Presidentit dhe po ashtu me grupet e tjera parlamentare është arritur një përfundim që mendoj adreson edhe shqetësime legjitime të shprehura nga faktorë të tjerë, por edhe nevojën legjitime të këtij momenti.
-Çfarë kërkoi specifikisht kryedemokrati? A do ketë një bashkim forcash?
-Sepse është raportuar që ka pasur edhe debate…
Kryeministri Edi Rama: Po të mos kishte debate, pse u bë mbledhja…! Nuk u mblodhëm aty për të parë në sy edhe për të buzëqeshur pa folur me njëri-tjetrin. U mblodhëm për të diskutuar, për të debatuar, për të shkëmbyer opinione që nuk janë natyrshëm të njëjta në aspekte të ndryshme, por në tërësi nuk është e rëndësishme se sa shumë biem dakord, por cilësia e debatit dhe mënyra se si edhe kur nuk biem dakord shkëmbejmë me njëri-tjetrin bën diferencën. Prandaj unë mendoj që nëse toni dhe shkëmbimi i mendimeve të kundërta dhe pozicionimi i kundërt i natyrshëm do të ishte edhe në jetën politike publike njësoj si në dy mbledhjet e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare politika do të ishte shumë më e kuptueshme, shumë më e pranueshme, shumë më e besueshme për njerëzit.