Velipoja dhe zona e plazhit të saj do të kenë së shpejti furnizim me ujë të pijshëm 24 orë, sipas të gjitha standardeve të kërkuara. Investimet e reja në ujësjellësin e Velipojës do të ndryshojnë përfundimisht gjendjen aktuale të furnizimit me ujë për këtë zonë.
Kryeministri Rama ishte sot në stacionin e pompimit, i cili po shndërrohet plotësisht, nga një mekanizëm me teknologji tejet të vjetruar, në një sistem inteligjent furnizimi, me standarde moderne europiane.
Aktualisht, furnizimi me ujë i Komunës së Velipojës dhe plazhit bëhet me sistem mekanik, ku nga 5 puse shfrytëzohen vetëm 3 të tillë. Pompat shtytëse të modeleve të vjetra, të vendosura në një godinë njëkatëshe, janë pjesë e një infrastrukture të prapambetur nëntokësore, dhe shpeshherë të rrezikshme. Gjithashtu kanë një kosto tepër të lartë për konsumin e energjisë elektrike.
Drejtori i ujësjellësit Flaurs Shoshi që shoqëronte kryeministrin Rama informoi se stacioni i ri, do të ketë një sistem inteligjent pompash, me pompa zhytëse, me kapacitet maksimal, dhe me garanci të paktën 41 vjeçare për çdo pompe. Pompat e vjetra shtytëse do të zëvendësohen me modele të reja europiane, me panele elektronike, të cilët përveçse me fuqi më të lartë, do të përgjysmojnë shpenzimet për energjinë elektrike që ato konsumojnë.
Rrjeti i ri i pompave të instaluara, me garanci të lartë, në sajë të teknologjisë së zbatuar, do të zgjidhë përfundimisht edhe problemin e përmbytjeve, edhe në raste të rritjes së nivelit të ujit.
“Kjo është një godinë e vitit 1976, kurse kjo është një godinë, në të cilën është bërë vetëm kati i parë. Sistemi i pompave ka qenë nëntokësor dhe me një sistem të tillë gjithnjë ka patur përmbytje. Realisht janë blerë të reja, në një periudhe para një 10 vjeçari, por përsëri i përkasin një modeli shumë të vjetër të vitit 1986. Janë pompa kineze me një kosto shumë të madhe të energjisë elektrike, me panele të vjetra dhe të rrezikshme. Pompat e reja vertikale kanë 41 vjet garanci. Në momentin që do të instalohen pompat e reja inteligjente, me panele elektronike, nuk do të ketë më as zhurma shurdhuese. Nëse pusi do të ketë pak prurje, atëherë pompa inteligjente do të punojë në bazë të prurjes. Nëse në Hec bëhen punime, atëherë pompa stakohet automatikisht. Gjithashtu ajo vetërregullohet sipas kushteve të motit dhe prurjeve të reshjeve. Pra vepron në bazë të një sistemi inteligjent,” tregoi ai.