Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me operatorë turistikë të qytetit të Vlorës:

 

Mirë se ju gjeta edhe njëherë!

Në fakt nuk është hera e parë që ne takohemi, jemi takuar disa herë dhe me vjen mirë që nga hera në herë, ju kam parë më entuziastë, – të shohim sot – për rrugën e re të zhvillimit të gjithë kësaj zone, ku sigurisht ka një çmim të lartë për t’i paguar të shkuarës, sepse ju jeni vetë dëshmitarë që për shumë e shumë vite, Vlora, Himara, Saranda dhe padiskutim dhe gjithë gjithë zona e brendshme nga Selenica dhe përgjatë lumit të Vlorës, u la në harresë të plotë nga qeveritë në Tiranë dhe faktikisht mbijetuan vetëm me çka ndërtoi sipërmarrja vendase dhe me aq pak, as mundën të bënin njësitë vendore, thjeshtë për të garantuar një minimum pastrimi dhe një minimum mirëmbajtjeje. E sigurisht që nuk mund të mos mirëkuptohen, jo vetëm pritshmëritë e larta, por edhe shprehjet e padurimit të madh për ta parë atë situate që trashëguam, të përmbysur plotësisht.

Por ju e dini më mirë sesa kushdo që një sipërmarrje edhe e vogël, nuk ngrihet në një ditë, jo më një shtet, dhe jo më të rimëkëmbet në një kohë kaq të shkurtër, sa ç ‘janë vetëm 44 muaj, ajo që u rrënua për çerek shekulli.

Sidoqoftë, sot, takohemi për herë të parë që nga momenti që ne kemi hequr taksën, apo më saktë kemi hequr barrën që ishte mbi nivelin e ulët – mesatar të rajonit, e faktikisht ishte barra më e lartë e taksimit përmes TVSh në rajon, për sa i përket turizmit, 20%.

Sot ajo është 6%, dhe faktikisht është 4% nën kërkesën e vazhdueshme të bërë nga grupi i interesit që përfaqësojnë operatorët turistikë.

Më vjen mirë që ia dolëm edhe pse ka qenë një nga pikat e vështira, për më shumë se një arsye, por mbi të gjitha për arsyen e thjeshtë se e nisëm me një situatë dramatike borxhesh, ku rrezikonim edhe një kolaps të madh energjetik, gjë për të cilën me siguri Damiani ka ndarë me ju pamjen e atij realiteti.

Sot jemi në kushte të tjera. Sigurisht, që nëse do ta shikojmë Vlorën sot dhe gjithë bregdetin e Jonit me sytë e 3 viteve e gjysmë më parë, nuk besoj që ka njeri që shikon me sytë e tij, që nuk e pranon se jemi në fazën e një ndryshimi të madh.

Por nëse e shikojmë këtë zonë me sytë e Shqipërisë që duam dhe të zhvillimit që duam, kemi ende shumë më tepër për të bërë.

Jam i bindur që këtë vit ne do kemi një rritje të mëtejshme të turizmit. Jam i bindur që këtë vit ne do kemi një rritje të mëtejshme të punësimit, falë turizmit dhe jam i bindur që kështu siç e kemi nisur punën, ne do të jemi në gjendje që turizmin ta kthejmë në një fuqi të jashtëzakonshme të ekonomisë tonë kombëtare. Vetëm vitin e kaluar, ne kemi pasur një rritje 13% në shifra, 200 milionë euro, krahasuar me 2015-n nga sektori i turizmit, dhe po të kemi parasysh që është një rritje që ende nuk është e lidhur me impaktin e planeve tona të zhvillimit plotësisht, atëherë potenciali është shumë i madh.

Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane tanimë ka filluar të japë frytet e para të ndjeshme që siç i shijojnë njerëzit që jetojnë në Vlorë apo në Himarë apo në Sarandë, në Korçë, apo në Berat, apo në Gjirokastër, apo dhe më gjerë, në Durrës e me radhë, patjetër që rrisin fuqinë tërheqëse për ata që i vizitojnë këto vende, gjatë sezonit turistik.

Megjithatë dua t’ju them që jemi larg së qeni në kushtet e mjaftueshmërisë. Sepse patjetër që aksi i ri i vijës bregdetare  apo i Lungomares, siç është bërë zakon të quhet, është bazë e re për të ndërtuar turizmin e të ardhmes. Por na duhet të vazhdojmë me bulevardin. Projekti i Bulevardit të Vlorës është përfunduar. Edhe ai do jetë një transformim kolosal për Vlorën. Na duhet të vazhdojmë me gjithë zonat në brendi të bashkisë, ku pika strategjike po themi e rritjes së impaktit të ndryshimit, në funksion të rritjes ekonomike, do jetë ripërtëritja e gjithë qendrës historike të Vlorës, e cila sot, praktikisht është e zhdukur pas qepenave dhe plaçkave që shiten aty, e pas fasadave të rrjepura e çative të rrënuara.

Patjetër që vijimi i mëtejshëm i projektit të rrugës të Lumit të Vlorës, një tjetër pjesë që lidh Selenicën me autostradën në zonën e Levan – Fier do të hyjë tani në proces për garë dhe për kontratën përkatëse.

Dy pjesët e tjera po ashtu janë në prag të futjes në proces dhe njëkohësisht në programin “1 miliard për Rindërtim”, kemi nisur një procedurë për rindërtimin e gjithë aksit nga Orikumi deri në Himarë, ku rruga ekzistuese do të bëhet me standarde europiane. Jo vetëm me një zgjerim të lehtë, sepse normalisht ajo është një rrugë turistike dhe nuk kemi ndërmend ta kthejmë në një autostradë, por me një zgjerim të arsyeshëm që të lehtësojë qarkullimin e mbi të gjitha me një përmirësim të ndjeshëm, qoftë të gjithë zonave të kthesave dhe qoftë dhe në pikëkalimet e fshatrave që janë qyteza të rëndësishme të gjithë hartës tonë turistike.

Kanë filluar, e  gjatë gjithë këtyre javëve dhe muajve do vazhdojnë, projektet për ripërtëritjen e plotë të Dhërmiut të vjetër, të Vunoit të vjetër, rindërtimi poshtë i gjithë zonës së plazhit në Jalë dhe Dhërmi, e me radhë do shtrihemi më tutje për të transformuar të gjithë fshatrat në xhevahire të kësaj kurore fantastike natyrore që është bregu i Jonit.

Po ashtu kemi nisur projektin që do lidhë pikën dalëse të bashkisë së vjetër të Vlorës me Orikumin, ku dhe aty ka një potencial të madh për të bërë një transformim real për ta kthyer gjithë zonën, në një zonë që s’është as fshat, as qytet, në një zonë urbane ku edhe investimet e bëra të marrin një vlerë të re, po ku të krijohet një mundësi më shumë për këmbësorët dhe makinat, pasi sic e keni parasysh është një shteg dhish që bëhet shumë i rrëmujshëm sidomos gjatë verës.

Nga ana tjetër, po fillojmë së shpejti rrugën e kalasë së Kaninës që është një vlerë e madhe sepse shumë shpesh ose gjithmonë është harruar, në gjithë vitet që pararendën qeverisjen tonë se, deti, dielli, rëra, plazhi, hotelet janë të rëndësishme, por ka një potencial të jashtëzakonshëm të rritjes së turizmit tek trashëgimia kulturore, tek gjithë monumentet e kulturës.

Faktikisht, në një studim që pashë të pak muajve më parë të kryer nga KE, 40% e turistëve që lëvizin në Mesdhe, lëvizin me synimin për të harmonizuar nevojën për pushime në plazh me dëshirën për të vizituar qendra arkeologjike, për të vizituar monumente të trashëgimisë kulturore apo monumente natyrore. Në këtë aspekt kjo zonë është shumë e pasur, por shumë e lënë pas dore. Kemi bërë një sërë investimesh për disa monumente kulturore të rëndësishme por ka akoma shumë për të bërë edhe në këtë drejtim.

E fundit që më vjen mirë që mund ta përmend me plot gojën, është se jemi tanimë në fazën e punës konkrete për projektin e aeroportit. Është një projekt shumë ambicioz. Është një dëshirë e vjetër. Është një zotim që është bërë në hava sa herë ka pasur zgjedhje. Por edhe pse unë nuk e kam bërë këtë zotim në zgjedhjet e shkuara se më është dukur sa i nevojshëm si projekt, aq dhe i vështirë për t’u realizuar në kushtet e sotme, ja ku jemi sot dhe shumë shpejt ne do të jemi në momentin e pikëtakimit të parë me grupin, me konsorciumin e interesuar për të ndërtuar aeroportin e ri të Vlorës që ka çuar grupet e punës dhe po përgatitet për studimin e fizibilitetit.

Nuk do jetë një aeroport turistik, por do jetë një aeroport komercial me synimin për të qënë një aeroport i rëndësishëm rajonal, që do të thotë një investim i konsiderueshëm. Do të jetë një aeroport konkurrues me aeroportin e Rinasit, që do të thotë që konkurrenca do ulë edhe tarifat, do rrisë edhe cilësinë e shërbimit dhe do jetë një aeroport që do mbulojë nevojat e një pjese të madhe të popullatës, jo vetëm ata që jetojnë në këto zona të jugut, por dhe ata që janë në emigracion e që përdorin rëndom Rinasin si një pikë për t’u drejtuar nëpër Europë.

Nga ana tjetër, jemi duke u përgatitur edhe për aeroportin turistik të Sarandës. Është një investim më i vogël sepse është thjeshte një aeroport turistik dhe tani për tani sezonal, por sidoqoftë i vogël.

I madh, bëhet fjalë për një projekt që kërkon gjithë elementët e duhur, kërkon përzgjedhjen e duhur të investitorëve, kërkon financimin e duhur dhe kështu me radhë.

Besoj që panorama është optimiste, edhe pse siç e thashë në fillim, ne jemi në një garë me kohën, pasi pritshmëria e njerëzve është shumë e lartë dhe padurimi është  shumë i madh se kanë pritur një kohë të gjatë që të shikojnë këtë ndryshim dhe duan që të gjithë gjërat të bëhen menjëherë, por kjo sigurisht që është e pamundur.

Ju e keni parë që Kryetari i bashkisë ka filluar të ndërhyje edhe nëpër lagje, ka plot akoma zona që kanë akoma nevojë për ndërhyrje, por mundësitë financiare nuk janë pa limit. Volumi i investimeve që ne i kemi dedikuar Vlorës dhe gjithë qarkut është në fakt volumi më i madh i investimeve krahasuar me 25 vjet të mbledhura bashkë.

Nga ana tjetër, më vjen shumë keq që nuk kemi arritur dot të bëjmë gjënë që është pritur dhe që kemi dashur të bëjmë përsa i përket Bypassit të Fierit dhe By-pass – it të Vlorës për shkak të një kontrate skandaloze të nënshkruar më parë. Një nënkontraktimi edhe më skandaloz me çmime të pamundura dhe një sërë historish të hidhura që praktikisht na kanë çuar në pozicionin e detyruar që të anulojmë kontratën dhe të rihapim garën nga e para, gjë për të cilën kemi dakordësuar edhe me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që është donatori kryesor i dy projekteve dhe kështu që për fat të keq këtë sezon nuk do t’i kemi të përfunduara këto dy nyje shumë të rëndësishme. Por besoj që me këtë zgjidhje të dhimbshme edhe kjo është një çështje që do të adresohet në një kohë të arsyeshme dhe nuk do zvarritet pafundësisht. Kështu që thënë të gjitha këto, patjetër që pa ma thënë ju, e di që keni nevojë për më shumë, doni akoma më shumë dhe e vërteta është që ajo që mbetet për t’u bërë është shumë më tepër.

Sidoqoftë, të paktën një gjë besoj që e kemi provuar për të gjithë, pavarësisht na kanë votuar apo jo, që mrekulli nuk kemi bërë, se mrekullitë nuk i bëjnë qeveritë, por ajo që kemi provuar është se ne dimë të bëjmë shtet, se ne kemi një vizion që është vizioni i duhur dhe se në funksion të realizimit të një vizioni, dimë radhën e gjërave. Se po të marrim paratë që janë hedhur në Shqipëri nga viti ‘91 për ujësjellësa, rrjeti i ujësjellësve të Shqipërisë duhet të ishte ndërtuar dy herë. Por pjesë të tëra të vendit nuk kanë akoma furnizim normal me ujë. Po të marrim paratë që janë hedhur për kanale vaditëse dhe kulluese, rrjeti i kanaleve vaditëse dhe kulluese do ishte ndërtuar dy herë. Por ne akoma do të jemi në një betejë me llumin e trashëguar 25 vjet, çerek shekulli që u ka bllokuar një pafundësi kanalesh vaditëse dhe kulluese. Mjafton t’ju them që kemi dyfishuar sipërfaqen që ujitet dhe që mbrohet nga përmbytja të tokës së bukës dhe nuk kemi mbaruar akoma. Pra imagjinoni, gjysma e sipërfaqes që sot ujitet, deri dje ishte jo produktive sepse nuk ujitej. Por s’ka mbaruar akoma. Ka akoma shumë për të bërë, por jam shumë optimist që me strategjinë që kemi ndërtuar, me mjetet që i kemi vënë në dispozicion bashkive të reja, me mbështetjen financiare të qeverisë, ne do arrijmë në harkun e maksimumi dy viteve të ardhshme që të mos kemi më asnjë centimetër tokë buke që nuk ujitet dhe nuk kullohet.

Dhe kjo sigurisht lidhet prapë me turizmin sepse nëse çojmë rrugën e re përgjatë gjithë zonës së brendshme të qarkut, në zonën e Labërisë, këtu nuk e bëjmë vetëm që të qarkullojnë normalisht njerëzit, por që të rritet ekonomia në gjithë atë zonë, të rritet prodhimi dhe të mund të ketë një harmonizim mes turizmit dhe nevojës për prodhimin e zonës, ashtu sikundër të fillojmë të zhvillojmë dhe agroturizmin më të thellë, sesa zhvillimet që kemi dhe që do vazhdojë të kemi në zonën pranë detit.

* * *

Ky sezon turistik vjen ndryshe në Vlorë, dhe jo vetëm. Ulja e TVSH për turizmin nga  20 % në 6 %, duke e çuar në nivelin minimal të rajonit, qytetet me infrastrukturë të rilindur urbane, si dhe lehtësi të ndryshme fiskale, inkurajojnë këtë sektor dhe e bëjnë optimiste të ardhmen e tij. Rritja e pritshme e numrit të të punësuarve në sektor, shtimi i kapaciteteve të mikpritjes, si dhe rritja e standardeve, në tërësi, ishin ato për të cilat u diskutua sot, në një bashkëbisedim mes kryeministrit Edi Rama dhe operatorëve turistike të qytetit të Vlorës, në një prej resorteve piktoreske të bregut.

Sipërmarrës, administratorë e pronarë hotelesh të pranishëm në takim falënderuan për masat e marra, sidomos për uljen e Tvsh dhe pohuan se pritshmëria e tyre është e lartë përsa i përket shtimit të numrit të turistëve. “Ndryshimet  janë të mëdha, pritshmëria është e madhe. E shoh ndryshimin në rritjen e turistëve, në rritjen e kërkesave. Në muajt korrik, gusht mendojmë se do jemi plot. Për këtë ju falënderoj!” shprehet administratori i një prej hoteleve të njohura të zonës.

Duke vlerësuar punën shumë të mirë të bërë deri tani nga qeveria, ata sërish janë kërkues dhe të vendosur për t’u bërë  më e mira për qytetin e tyre. “Vërtet qyteti është kthyer në një qytet atraktiv dhe do vazhdojë të jetë edhe më mirë, por ne jemi gjithmonë me kërkesat. Portin e Vlorës ne duam ta kemi, përveç një port turistik, pse jo edhe për krocerat që janë të rëndësishme në zhvillimin turistik të Vlorës. Pra që Vlora të jetë një një destinacion. Gjithashtu edhe për portin e jahteve. Përsa i përket investimeve dua t’ju falenderoj. Në fund fare nuk do ketë fitues, por do jemi ne sipërmarrësit fitues të kësaj gare. Ju bëj thirrje të gjithë biznesmenëve të kthehen kudo ku janë të kthehen në Vlorë, madje edhe të huaj.”, u shpreh njëri prej operatorëve turistikë.

Ndërsa, interesimit  të tyre lidhur me përmirësimin e furnizimit me energji elektrike gjatë pikut të sezonit, iu përgjigj Ministri i Energjetikes, Damian Gjiknuri, i cili bëri të ditur se do të vihen në zbatim dy projekte shumë të rëndësishme. “Ju keni parë se janë bërë shumë ndërhyrje në rrjetin elektro-energjetik, në zonën e bregdetit dhe ne do të vazhdojmë me dy projekte shumë të rëndësishme. Njërin sapo e kemi kontraktuar, që është pjesa e bërjes me 20 kilovolt nga Llogaraja deri në Borsh dhe projekti i dytë që ka përfunduar si projekt dhe do të tenderohet, janë rreth 9 milionë euro tjera, do të bëhet 20 kv nga Orikumi deri në Vlorë. E gjithë kjo linjë e re 20 kilovolt do të ketë një furnizim shumë të mirë, edhe për kapacitet e shtuara në fushën e turizmit.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.