Kryeministri Rama zhvilloi sot, një komunikim online me përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend lidhur me strategjinë e Fazës II për rihapjen graduale të jetës ekonomike dhe sociale.
Kryeministri Rama i shprehu mirënjohjen për kontributin dhe shembullin e dhënë për komunitetet e tyre fetare në përballimin e pandemisë Covid-19. “Jo vetëm jeni treguar mirëkuptues, por dhe kontribuues të drejtpërdrejtë duke bërë një sakrificë jo të vogël në momentin më kulmor të kalendarit tuaj, qoftë për festat e mëdha të komunitetit të krishterë, qoftë për muajin e madhnueshëm të Ramazanit, duke i kërkuar besimtarëve të rrinë në shtëpi dhe të ruajnë veten dhe familjet e tyre,”- u shpreh Kryeministri Rama.
Kryeministri Rama u bashkua me kërkesën e klerit shqiptar që në kuadrin e masave të lehtësimit të përgjithshëm të jetës ekonomike e sociale, hap pas hapi, për të adresuar situatën jo të lehtë që lufta ndaj pandemisë ka krijuar tek komunitetet fetare për ushtrimin normal të veprimtarisë së tyre. Kryeministri theksoi se në këtë Fazë II të strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave është me rëndësi vazhdimi i këtij bashkëpunimi dhe konsultimit me komunitetet fetare në vend për vetë specifikat që ato kanë. “Ndryshe nga aktivitetet e tjera, në rastin e komuniteteve fetare mendoj që kjo duhet bërë bashkarish dhe do ju kërkoja gatishmërinë tuaj që ju të jeni disponibël për të vendosur kontakt me personat që hartojnë masat lehtësuese dhe për të pasur një konsultim konkret. Besoj që në 18 maj, kur do të jetë konfiguruar, le të themi, me kufizimet e veta, gjithë projekti i Fazës II, të mund të japim disa indikacione konkrete për komunitetet fetare”, – u shpreh Kryeministri.
Krerët e klerit shqiptar, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, Imzot George Frendo, Kryepeshkopi Anastas, Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe Pastor Ylli Doçi shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe të përpjekjeve në përputhje e duke respektuar udhëzimet në institucionet e tyre fetare.