Kryeministri Edi Rama me banorët e Dibrës për planet e zhvillimit dhe shërbimet në Qark:
Shumë faleminderit që keni ardhur këtu. Sot do të prezantojmë në një takim tjetër të hapur, projektin e zbatimit të rrugës së Arbrit. Në 27 vjet, kush ka kaluar në Dibër për të marrë vota, rrugën e Arbrit ka thënë të parën e mbasi ka marrë votat, ka ikur dhe e ka harruar, është rikujtuar kur ka ardhur prapë. Kjo gjë u përsërit kaq shpesh, sa me plot të drejtë, dibranët që të qeshin edhe kur nuk ke faj, jo më kur ke dhe faj, na qeshnin të gjithëve, pasi e përmendim rrugën e Arbrit.
Ajo që unë dëshiroj të them është se vërtet u vonuam, historia e projektit është pak e gjatë dhe e ndërlikuar, pasi gjetëm një marrëveshje të bërë nga qeveria e mëparshme me sy mbyllur, siç bëheshin zakonisht marrëveshjet e qeverisë së mëparshme, me një kompani kineze për 17 kilometra e me një angazhim financiar marramendës për buxhetin e shtetit. Gjë për të cilën ne negociuam disa vjet dhe në fund vendosëm që ta ndalojmë negociatën dhe sot, në projekt nuk kemi 17 kilometra, por kemi 40 kilometra, kemi edhe lidhjen e Klosit dhe të Burrelit me aksin, që do të thotë që qytetarët e Klosit dhe të Burrelit, të cilët, në rastin e Burrelit, për të shkuar në Tiranë nga ia shtegu i vjetër duhet të përshkojnë afro 90 kilometra, do të kenë një mundësi të re për të arritur në Tiranë me gjysmën e kohës dhe me gjysmën e distancës.
Rruga ka një përmirësim në projekt shumë të konsiderueshme përsa i përket lartësive, urave e gjithë trajektores dhe bëhet me thuajse gjysmën e kostos së parashikuar në atë idenë e vjetër, që ishte një marrëzi. Këtë muaj, ministri i Infrastrukturës dhe ekipi i tij po negociojnë kontratën financiare me kompaninë fituese e më në fund, kantieri do të hapet e nuk do të ndalojë më, derisa të ndërtohet plotësisht rruga e Arbrit. Zotimi ynë që kjo rrugë të ndërtohet brenda këtij mandati është përfundimisht i garantuar nga pikëpamja e projektit teknik dhe nga pikëpamja e financimeve për të.
Natyrisht nuk është vetëm çështja e shpejtësisë dhe lehtësisë së mbërritjes në Tiranë, por edhe e vërteta e thjeshtë se mbas ndërtimit të rrugës së Arbrit, Dibra do të jetë faktikisht një lagje e madhe e Tiranës, pasi integrimi me kryeqytetin do të jetë i plotë dhe ashtu sikundër është ëndërruar prej shumë e shumë kohësh, ashtu sikundër ishte parashikuar dhe në planin tonë të rajonalizimit të shërbimeve, Dibra kthehet në oborrin e pasmë të metropolit. Një metropol me qendër Tiranën, me dalje në det Durrësin dhe me kopshtin e pasmë rural, gjithë zonën që lidh Peshkopinë me Tiranën, ku me ndërtimin e rrugës do të shikojmë zhvillime të rëndësishme në bujqësi, në turizëm dhe për pasojë në ekonominë familjarë të të gjithë atyre komuniteteve që prej më shumë se çerekshekulli jetojnë të izoluara, pa folur për komunitetet e tjera të zonave rreth Klosit dhe Burrelit, që do ta kenë absolutisht një hap larg kryeqytetin.
Rruga e Arbrit është një investim strategjik madhor, ku ka edhe një element tjetër të rëndësishëm, lidhja me anën tjetër të kufirit, Dibrën e Madhe. Gjë për të cilën ne kemi filluar të diskutojmë me qeverinë maqedonase, në mënyrë që të garantojmë që edhe nga ana e tyre ndërtohet pjesa e mbetur e aksit, që e pengon gjithë atë ndërlidhje të shpejtë e që do t’i japi rrugës së Arbrit një fluks shumë më të madh trafiku, sesa i dibraneve që shkojnë në Tiranë, apo i tiranasve që vijnë në Dibër.
Sot, ministrja Kulturës ka ardhur bashkë me projektin e muzeut të Skënderbeut në Kastriot. Ne po financojmë ndërtimin e rrugës Arras – Kastriot dhe besojmë shumë që rindërtimi i muzeut të Skënderbeut do të jetë një pikë shumë e rëndësishme turistike, që do t’i japi jo vetëm vlera, por dhe një mundësi më shumë gjithë zonës, për të pasur shumë më tepër prani.
Ne do të bëjmë edhe investimin e munguar për Llixhat. Llixhat kanë filluar të ribëhen një adresë interesi, por në gjendjen që janë, nuk mundet të konsiderohen një destinacion real dhe me komfort për ata që duan t’i shfrytëzojnë. Kështu që, menjëherë do fillojmë projektin e rindërtimit të Llixhave, në mënyrë që edhe kjo t’i shërbejë ekonomisë.
Shumëkush, atje në kazan në Tiranë, e keni dëgjuar që sa herë flasim për këto lloj projektesh, thonë këto janë fasada, janë lule, janë zbukurime, por në fakt, këto janë ekonomi, këto sjellin njerëz, sjellin para, konsum, rritje të interesit për t’u marrë me biznes të vogël dhe një biznes i vogël që ka shumë më tepër konsumatorë, rrit aftësitë e familjeve për t’u shërbyer me punë të ndershme. Sikundër këto sjellin edhe interes shumë më të madh për investime. Mjafton të shikosh shifrat e ekonomisë lokale në të gjithë qytetet ku ne kemi ndërhyrë nga Tropoja në Konispol dhe tani në fazën dytë do vazhdojmë ndërhyrjet, duke u shtrirë më shumë në periferitë rurale të bashkive, për të kuptuar sa të rëndësishëm janë këto ndërhyrje për transformimin ekonomik dhe social.
Do vazhdojmë investimet e nisura në bashkinë e Klosit, që për 20 e kusur vite u bë emblema e xhepit fals dhe ku tani është e domosdoshme që projekti i nisur të vazhdojë me urën e re, me hyrjen në atë qytezë të vogël, me plotësimin e pjesës së sheshit të Klosit. Të gjitha këto hapësira krijojnë komunitet dhe siç edhe vetë kryetarët e bashkive e thonë në të gjithë Shqipërinë, krijojnë një sjellje e një përgjegjshmëri tjetër edhe të vetë qytetarëve në raport me komunitetin, në raport me bashkëjetesën shoqërore.
Qeveria, në bashkëpunim me të gjitha bashkitë, është shumë e vendosur ta çojë deri në fund reformën në sektorin e ujit dhe luftën me vjedhjen e kësaj pasurie të madhe kombëtare e me shpërdorimin e paimagjinueshëm që shqiptarët, për shkak të mungesës së shtetit për shumë vite, u mësuan t’i bëjnë ujit të pijshëm.
Nuk bëhet fjalë për taksë pusesh, nuk bëhet fjalë për puset familjare. Mos harroni që kur themi pus, ka puse industriale, ka fabrika uji që marrin ujë masivisht nga nëntoka për ta tregtuar dhe nuk paguajnë kokërr leku, ka resorte turistike që furnizohen me ujë pusesh, të ndërtuar enkas e nuk paguajnë kokërr leku. Sigurisht që kudo ku puset janë ndërtuar për vaditje, në mungesë të sistemit vaditës të garantuar nga shteti, nuk bëhet fjalë për të vendosur tarifën e konsumit, sepse kjo i përket një kohe tjetër dhe kjo i përket bashkive.
Përsa na takon, ne problemin e kemi me ujin e pijshëm. Puset sigurisht shfrytëzojnë ujërat nëntokësore dhe shfrytëzimi i ujërave nëntokësore është shfrytëzimi i një pasurie të përbashkët, të jemi shumë të qartë, se kam dëgjuar shumë që thonë “ç’punë ka shteti, unë shpoj e marr ujë”. Shko e shpo në Gjermani e në Itali dhe e sheh a del uji përpara, apo të çojnë ty në polici. Por nuk është këtu fjala. Ky është një keqkuptim i krijuar nga ata që duan të bëjnë diversion midis nesh dhe publikut dhe jo nga realiteti. Realiteti është që ne ujin e pijshëm nuk mund të lejojmë më që të vidhet dhe të shpërdorohet. Jemi vendi i dytë më i pasur me ujë në Europë, pas Norvegjisë. Uji konsiderohet nga të gjithë si nafta e shekullit XXI. Të tjerët nuk e kanë dhe kur vjen puna kanë ujë në rubinet 24 orë. Ne me 1% të burimeve ujore mund të plotësojmë të gjitha nevojat e popullsisë. Ne për 1 litër që na duhet shpërdorojmë 4. Këto janë pak nga shifrat që janë rrëqethëse.
Dua ta përsëris sot, apelin që 90 ditë janë në dispozicion për të legalizuar lidhjen e paligjshme, të vendoset në kontratë me kompaninë dhe të hyjë në rrugën e ligjshmërisë. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, jo sot, se nuk është Kodi që kemi bërë ne, por sot e nuk e di sa vite që kur është bërë pas rënies së komunizmit, e ka të shkruar qartësisht që kush vjedh ujin, vjedh; kush vjedh dritat, vjedh. Nuk kanë dashur t’i zbatojnë përpara, prandaj ne kemi humbur kaq shumë vite.
Kur themi të bëjmë shtet, shteti nuk është ndërtim pa leje që bëhet shpejt e shpejt, por kërkon mund, kërkon kohë, kërkon durim, ama kërkon edhe pjesëmarrjen e të gjithëve. Është e pamundur që ta pranojmë faktin që, edhe tek uji është e njëjta gjë, një pjesë ta paguajë, pjesa tjetër ta shpërdorojë dhe ta vjedhë.
Është edhe teoria në Facebook që “populli s’ka bukë të hajë”. I qajnë hallin popullit, ndërkohë që secili është individ, ndërsa populli kur flet, flet vetë. Nuk ka nevojë njeri të flasë në emrin e popullit. Populli flet vetë dhe populli ka folur qartë edhe në 25 qershor. Populli do shtet. Ata që sot janë prindër e kuptojnë shumë mirë që nuk mundet më t’iu lëmë fëmijëve tanë, barrën e budallallëqeve tona të kaq shume viteve, se është me kosto shumë të lartë.
Ujin do ta kthejmë në mirëqenie. Kompanitë e ujësjellësve duhet të jenë kompani që sjellin mirëqenie në çdo bashki. Bashkitë, duke pasur kompani të shëndetshme që për atë që japin, marrin atë që u takon, do të kalojnë në një stad tjetër nga pikëpamja financiare dhe do të mund të bëjnë shumë më tepër investime, sa i përket normalizimit të plotë të rrjetit të ujit. Shumë njerëz thonë bëje më parë, pastaj kërko, por shteti nuk ka një thes në Tiranë, që e zbraz përditë. Shteti jemi ne, është shuma e kontributeve tona. Arka e shtetit është shuma e kontributeve të secilit, sipas detyrimeve. Edhe mallrat si energjia, si uji janë pasuri kombëtare, ku secili merr atë që i takon, por duhet të paguajë për atë që i takon.
Ne do vazhdojmë të investojmë për shërbimet. Unë jam shumë i vetëdijshëm që sot, administrata qendrore, – edhe ajo vendore, – në shërbime është në gjendje të pajustifikueshme për atë që meritojnë njerëzit. Ky është një zotim i madh i fushatës së shkuar. Jemi vetëm në fillime. Padurimi nuk është këshilltar i mirë. Për të ndërtuar një administratë serioze, ashtu siç e kemi premtuar, ne do ta bëjmë, por do na duhet kohë dhe koha është mandati ynë i dytë. Do të flasim në rrugën e këtij mandati dhe ju do të shikoni vetë ndryshimet që do të ndodhin.
Ministrat kanë lënë porosi, siç bëmë edhe në Vlorë, që të gjithë ata që janë punësuar në administratën qendrore duhet të kalojnë përmes skanerit dhe kush nuk ka arsimin përkatës, kush nuk e ka të përputhur vendin e punës me diplomën e tij, nuk mund të rijë më aty ku është, por kjo kërkon vërtetë një punë të kujdesshme se bëhet fjalë për njerëz, nuk bëhet fjalë për kokrra molle që këtej është e kuqja, këtej është e kalbura. Por nga ana tjetër do të vazhdojmë të bëjmë lehtësimin e burokracisë, duke ulur numrin e licencave, numrin e autorizimeve, numrin e vërtetimeve, në mënyrë që të ketë sa më pak nevojë për burokraci për njerëzit dhe duke rritur numrin e shërbimeve online. Kemi krijuar një instrument që funksionon, por ka nevojë për besimin e njerëzve, që është platforma e bashkëqeverisjes www.shqipëriaqëduam.al.
Nuk ka nevojë të lodheni dhe të shkoni derë më derë të kërkoni një të drejtë. Regjistrohuni në atë platformë, shkruani ankesën tuaj dhe qeveria drejtpërdrejtë merret me ty që shkruan dhe të jep përgjigje. Kur ke të drejtë, merr të drejtën tënde. Kur s’ke të drejtë, të thuhet se në këtë rast po kërkon diçka që nuk bëhet. Por ama merr përgjigje. Mjafton që kush ka një smart phone ta shkarkojë aplikacion dhe e ka qeverinë në xhep. Çdo ministër është përgjegjës për pjesën e tij tek platforma www.shqipëriaqëduam.al. Çdo ankesë, çdo kërkesë shkon tek ministri dhe aty ka një ekip të ministrit që punon vetëm për llogari të njerëzve të zakonshëm. Përdorni këtë platformë dhe do e shikoni që funksionon.
Kemi një program financimi, jo vetëm për infrastrukturën kombëtare që do ta transformojmë plotësisht. Do ta shihni që në 4 vite, rrugët e Shqipërisë, – ato rrugë që medemek janë vepra të mëdha, asnjëra nga ato nuk merr dot një certifikatë të Bashkimit Europian, sepse nuk japin asnjë garanci për lëvizjen, janë burime aksidentesh, janë rrugë të bëra partizançe, “lekët nuk i kemi, po do t’i gjejmë” dhe lëri rrugët, rrugëve, – do të kthehen në rrugë me standarde europiane. Qoftë aksi që shkon lart drejt Shkodrës dhe Malit të Zi, qoftë aksi që shkon poshtë drejt Sarandës, aksi drejt Tepelenës, aksi drejt Kukësit dhe aksi drejt Korçës ku po bëhet një investim i madh për një lidhje më të shpejtë. Të gjitha këto do t’i rikonstruktojmë me standarde europiane. Plus, shumë rrugë të tjera që janë rajonale dhe vendore për të nxitur turizmin, për të nxitur prodhimin bujqësor.
E veçanta e buxhetit është programi për qendrat shëndetësore. Në 4 vite do të rindërtojmë 300 qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, që do të jenë qendra shërbimesh shëndetësore dinjitoze, duke lehtësuar jashtëzakonisht shumë flukset e spitaleve kryesore. Patjetër edhe për spitalet, shumë është bërë, më shumë duhet bërë. Kemi edhe provokatorë si ata që shkuan futën dhitë në korridorin e spitalit të Kukësit, i fotografonin dhe thoshin “ja ky është spitali i Kukësit”. Ka edhe kështu! Por kjo është bota e qytetarit digjital dhe nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Ne do financojmë këtë program.
Po ashtu do të stimulojmë shumë edhe prodhimin bujqësor. Kemi një paketë që është më e madhja për bujqësinë. Do të heqim dorë nga ato lëmoshat me nga 1 milionë e 2 milionë të vjetra, që përdoreshin për ngushëllime dhe për vota dhe do të financojmë eksportet, do të financojmë rritjen e numrit të pikave të grumbullimit, të agro-përpunimit, pra, do të financojmë infrastrukturën reale të bujqësisë. Të gjithë fermerëve që marrin prodhimin dhe nisen për në Fushë – Krujë iu them të bashkohen. Me kryetarin e Bashkisë e kemi diskutuar për të bërë pika grumbullimi që të mund të financohen nga Fondi i Garancisë Shtetërore. Nëse nuk bashkohen për të shitur bashkë, nuk kanë shans të dalin nga gjendja e mbijetesës.
Kemi arritur të realizojmë edhe një tjetër zotim, që në buxhetin e parë, do të japim librat falas për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Falas për të gjithë fëmijët. Sigurisht që do të ketë një mekanizëm, me një kusht që fëmija që i merr falas librat i dorëzon në fund të vitit dhe merr falas të tjerat. Franca që është një shtet nga më të pasurit në botë kështu e bën. Në këtë mënyrë do garantojmë që të gjithë ato para që harxhohen nga prindërit për libra nuk do t’i harxhojnë më për libra, se librat do i paguajë shteti, por për të blerë për fëmijët të tjera gjëra. Kjo është rritje e fuqisë blerëse dhe patjetër që ndikon edhe në rritjen e përgjithshme të konsumit. Në një vend që rritet ekonomia, që rritet konsumi është e qartë që ka një trend pozitiv dhe jemi në rrugë të mbarë.