Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Shkodër:

Problemet janë të përbashkëta, në kuptimin që ju keni probleme me gjykatat, keni probleme me zyrat e shërbimit, keni probleme me bashkinë. Këto takime janë të vlefshme për të rritur ndjeshmërinë lidhur me domosdoshmërinë që ne të gjejmë një rrugë që këto probleme të trajtohen përditë dhe si duhen. Këto nuk janë takime që mund t’i zgjidhin të gjitha këto probleme, për më tepër, fakti që mund të qëllojë që mund të zgjidhet problemi i dikujt, apo i disave që marrin fjalën, nuk do të thotë se u zgjidhen problemet e njerëzve.

Qëllimi ynë është që njerëzit ta kuptojnë që, nëse duam t’i adresojmë këto probleme në mënyrë sistematike, atëherë është shumë e rëndësishme që të ndërtojmë një koalicion qeverisës me njerëzit e zakonshëm.

Qëllimi është që të gjitha problemet që kanë njerëzit, specifikisht me zyrat e shtetit, të trajtohen në mënyrë sistemike. Për këtë, “A”-ja është të vendosim nën presion maksimal të gjithë ata që janë në zyrat e shtetit dhe ky presion të mos pushojë asnjë ditë dhe ata të përgjigjen për çdo çështje, në kohë reale, pas çdo kërkese, apo pas çdo ankese të bërë nga njerëzit në këtë platformë. Që do të thotë se platforma nuk është thjesht një ekran ku ti shtyp, nuk është Facebook-u ku t’i ankohesh dhe kaq, por është një ekran, pas së cilit do të ketë një ushtri njerëzish që do të merren konkretisht me të gjitha problemet dhe do të garantojnë që zyrat, në radhë të parë, të japin përgjigje.

Nuk është e vërtetë, në parim, që zyrat e ALUIZNI-t janë fajtore për faktin që ka njerëz me aplikim që në 2006-ën, 2007-ën, sepse zyrat e ALUIZNI-t në dy vjet e gjysmë kanë bërë 124 mijë leje legalizimi. Ndërkohë që në 8 vjet u bënë vetëm 21 mijë leje. Nga këto, 21mijë leje, 80 e kusur për qind ishin biznes. Ndërkohë që zyrat e ALUIZNI-t sot, në dy vjet e gjysmë, 93% i kanë shtëpi. Natyrisht, ky është një volum shumë i madh pune dhe nuk mundet dot të bëhen të gjitha përnjëherë. Ama ka një gjë tjetër që duhet bërë. Kush shkon tek ajo zyrë duhet t’i jepet një afat dhe jo t’i thuhet “eja nesër ose pasnesër”. Kur drejtoja Bashkinë e Tiranës, ne arritëm të kthejmë 93 mijë përgjigje me shkrim në vit. Natyrisht nuk ishin të gjitha përgjigjet pozitive, se ka shumë probleme që nuk i zgjidh domosdoshmërisht aty ku t’i kujton se po e zgjidh, por qytetarët meritojnë të marrin përgjigje “po” apo “jo”.

Është shumë e rëndësishme që ky koalicion me njerëzit, kjo bashkëqeverisje të mos jetë thjesht çështje ankesash dhe kërkesash, por të jetë edhe çështje marrëdhëniesh që ndërtohen mbi bazën e nevojave, jo thjesht personale, por edhe të komunitetit. Ne prandaj mendojmë që teknologjia na e jep mundësinë që kush do që të regjistrohet si anëtar i koalicionit, të jetë anëtar i koalicionit. Nëse platforma merr një ankesë apo një denoncim konkret, jo nga ato të “qytetarit digjital” me shpifje, por një denoncim konkret për një zyrë apo drejtori, ku ai që e bën i del për zot, duke dhënë emrin e tij, kartën e identitetit, numrin e telefonit. Atëherë shteti i qepet deri në fund dhe e sqaron problemin. Ose e merr të drejtën ai, nëse i takon, ose i thuhet se i ke rënë në qafë kot zyrës, pasi është çështje gjykate. Tek gjykatat s’ka magji për të bërë.

Ne kemi një mandat që luftojmë për Reformën në Drejtësi. Më në fund ka filluar procesi i Vetting-ut. Në shtator-tetor do të fillojnë shoshitjet e prokurorëve dhe të gjykatësve dhe do të fillojnë edhe rezultatet. Por nuk është një gjë që rregullohet sa hap e mbyll sytë, se janë 27 vjet mbrapshti. Kështu që, kush thotë “kjo rregullohet sa hap e mbyll sytë”, gabon. Problemet e gjykatave nuk mundet t’i zgjidhë qeveria. Nuk mund të ndërhyjmë dot dhe të themi “ti ke të drejtë”. Të drejtën do ta japë gjykata. Ama, Vetting-u do të krijojë një klimë presioni real mbi prokurorët dhe gjykatësit, që të jenë më të përgjegjshëm. Shqipëria ka gjykatës dhe prokurorë që i kanë të gjitha mundësitë që ta marrin në dorë sistemin, por duhet pastruar sistemi nga metastazat e kancerit të të gjithë atij korrupsioni të madh që e ka nënshtruar sistemin komplet.

Me të gjithë këto probleme që trajtohen në të gjithë këto dëgjesa krijojmë një ide të qartë për ku janë prioritetet që duhen vendosur. Po t’i marrim dhe t’i numërojmë të gjitha hallet që ka Shkodra dhe t’i vëmë aty faturën që ka zgjidhja e halleve, duhet buxheti i Gjermanisë, por e rëndësishme është që me buxhetin që kemi të vendosim çfarë do bëjmë të parën, të dytën, të tretën e me radhë, në mënyrë që të krijohet zinxhiri i vlerës që të na japë sa më shpejt rezultatin që duam në tërësi. Përsa i përket këtij aspekti, është shumë i rëndësishëm i gjithë ky proces dëgjesash.

Procesi i dëgjesave ka shumë rëndësi, jo thjesht se mund të zgjidhet një problem këtu, mund të zgjidhen edhe dy, tre, edhe shtatë, por këtu ka 700 probleme, ndaj ka shumë rëndësi që të vendosim bazën e asaj që është bashkëqeverisja e 4 viteve të ardhshme me ju. Kushdo, pa dallim, që do të bëhet anëtar i koalicionit, do marrë në kohë reale të gjitha projektet ligjore, projektet për vendimmarrje të qeverisë, do jetë i ftuar të marrë pjesë në diskutime në atë platformë, do japë opinionet e veta për çështje të caktuara, do ketë ndërveprim me të gjithë anëtarët e kabinetit aty.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.