Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Berat:

 

Ka vetëm një rrugë, në këndvështrimin tim, që ne të mos i zhgënjejmë njerëzit dhe t’i bëjmë gjërat për të cilat njerëzit na kanë votuar. Kjo rrugë është që ne të bashkëqeverisim me njerëzit e jo në kuptimin simbolik, as thjesht duke organizuar dëgjesa, por duke ndërtuar një mekanizëm të mirëfilltë bashkëqeverisjeje. Mekanizëm që të bëjë të mundur që probleme konkrete të jetës reale të njerëzve të zakonshëm, që janë një kokrrizë rëre në det, nëse i shikojmë nga larg, por që janë shumë probleme të rënda, nëse i ke ato në kurriz, të mund të adresohen në kohë reale, pa pritur të vijë rasti që të takosh një deputet rrugës, apo të rrish të presësh me muaj për të takuar një drejtues.

Sot, me mundësitë që na jep teknologjia e re dhe lidhja në internet, ne kemi në dorë mundësinë që të ndërtojmë një mekanizëm real bashkëqeverisjeje, ku njerëzit të mund ta kërkojnë të drejtën e tyre deri në nivelin më të lartë të qeverisë, për të mos mbetur pengje të drejtorëve e punonjësve të papërgjegjshëm në zyrat e shtetit.

Unë kam shumë besim se ne mund ta bëjmë këtë gjë  e jam i bindur se kjo mund të bëhet jo vetëm me vullnetin tonë, por edhe me përfshirjen e sa më shumë njerëzve në koalicion, në një koalicion real. Në kushte kur na mungonte ky mekanizëm i teknologjisë së re, ku njerëzit mund të lidhen në kohë reale me njëri-tjetrin në një platformë virtuale përmes telefonit apo kompjuterit në shtëpi, apo edhe përmes një qendre shërbimi, kjo ishte e pamundur. Por sot është plotësisht e mundur, prandaj ne po  e përgatisim këtë platformë që do jetë e hapur për njerëzit, me krijimin e qeverisë së re.

Nisma që ne kemi mbështetur aq sa kemi pasur mundësi, për të organizuar nga hiçi gjithë atë zinxhir aktiviteti për rafting, është një nisëm që ka përfitime të mëdha për komunitetin, për ekonominë, për imazhin e Shqipërisë. Por, nëse kjo bisedë që u bë këtu do të ishte e mundur të bëhej në kohë reale dhe në kontakt me njerëzit që e drejtojnë sektorin e turizmit, kjo është shumë herë më e vlefshme. Nëse ata që janë të organizuar nëpër Shqipërinë në turizmin e aventurës do të regjistrohen si anëtarë të këtij koalicioni dhe do jenë të interesuar për të marrë pjesë në gjithë procesin e politikbëries për turizmin, për të dhënë mendimet e tyre në të gjitha rastet kur bëhet një ligj, merret një vendim apo një masë në mbështetje të turizmit, produkti do ishte shumë më cilësor.

Çdo anëtar i koalicionit që do regjistrohet në këtë platformë do thotë edhe cilët janë sektorët që i interesojnë dhe do marri informacion vazhdimisht, pa e kërkuar, për çfarë po bëhet dhe duam të bëjmë në atë sektor. Ata do marrin projektligjet e vendimet e qeverisë në kohë reale në adresën e tyre. E po ashtu do kenë hapësirë për të diskutuar. Kështu, ne mund të ndërtojmë një koalicion real dhe njerëzit do kenë mundësi që të shprehin shqetësimet e tyre, jo vetëm për vete. Mund të mos kenë problem për vete, por për pjesëtarë të tjerë të komunitetit.

Nëse kemi një rrjet të organizuar anëtarësh koalicioni në gjithë Shqipërinë, atëherë do t’i shikoni drejtorët e zyrave sesi do fillojnë të kuptojnë se janë në rrezik të vazhdueshëm dhe se rreziku vjen edhe nga një njeri që i vjen në zyrë për t’i kërkuar një dokument dhe nuk i dihet se mund të jetë anëtar i koalicionit. E nëse nuk e merr dokumentin, e çon fjalën drejt e tek ministri dhe pasoja i vjen atij direkt, nëse, kuptohet, e drejta është me qytetarin.

Ne nuk do ndërtojmë thjesht një ekran që të shkruash si në Facebook, por do ndërtojmë një mekanizëm të tërë. Pas ekranit do jetë një armatë e tërë njerëzish që do ndjekin një për një shqetësimet e gjithë qytetarëve, do i verifikojnë të gjitha e natyrisht do i shikojnë nga pikëpamja ligjore, nëse qytetari ka të drejtë, pasi ka raste që qytetari mund të ankohet e nuk ka të drejtë, por ka të drejtë zyra. Ama nëse një qytetar kërkon të marrë dokumentin e hipotekës dhe zyra i thotë “eja nesër”, kalon afati ligjor e në fund del që qytetari ka të drejtë, atëherë, ata që janë fajtor për vonesën e tij nuk kanë më punë me shtetin. Ata do dalin nga zyra të nesërmen dhe ne do e shoqërojmë këtë edhe me masa në ligj, që të jenë shumë të qarta. Historia që njerëzit rropaten për të marrë jo dokumentin, por duhet të marrin njëherë privilegjin që t’i flasë drejtori me gojë, nuk mund të vazhdojmë më kështu.

E kjo bëhet, nëse ne e kemi qeverinë të shtrirë në territor e nëse kemi njerëz në gjithë territorin që janë aktivë në këtë punë. Këtu nuk është fjala për “spiunë”, këtu është fjala për njerëz aktivë që bëjnë rolin e përfaqësuesit të komunitetit me vullnetin e tyre, të grupit të interesit të tyre, apo të biznesit të tyre.

Struktura do të jetë shumë korrekte edhe me punonjësin e shtetit, se nuk mund të kthehet në histori që ankohet njëri për inat dhe e pëson punonjësi i shtetit. Por ne jemi një vend ku është shumë e vështirë të shkosh në një zyrë shërbimi e të të thonë “mirëmëngjesi” e “mirë se erdhe” dhe të të flasin me edukatë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm, sepse kjo burokraci e madhe nëpër zyra merr kohë, merr energji, dëshpëron njerëzit, i bën t’ju vijë në majë të hundës vetja, vendi ku jetojnë e të mos kenë shpresë se mund të bëhet ndonjëherë normal jeta e tyre në këtë vend. Por kjo është njëra anë.

Ana tjetër është se ne duhet të shkurtojmë e po punojmë gjatë gjithë këtyre ditëve, me grupe pune, me ekspertë, për të shkurtuar burokracinë. Të duhen dhjetëra letra për të marrë një shërbim. Je invalid, të mungon një krah dhe të duhet të marrësh vërtetim që je me një krah, çdo tre muaj. A thua se mbas tre muajsh mund të të dalë krahu i ri! Apo rastet kur duhen disa letra për të marrë një dokument. Ne duhet e do ta arrijmë brenda katër viteve, që letrat që një sportel të kërkon për të të dhënë dokumentin apo shërbimin që duhet ta japi shteti, të mos shkojë qytetari zyrë më zyrë, por nga sporteli të bëhet kërkesa në të gjitha zyrat dhe t’i thuhet qytetarit se pas 10 ditësh, do të të japim dokumentin. Nëse bëhet fjalë për letra të karakterit privat nëpër banka, apo të punës e jetës jashtë shtetit në emigracion, këto i merr qytetari. Por s’mund të vazhdojë më kështu, që të shkojë qytetari në 17 zyra, të shohë 17 fytyra që varet si i gjen e kur i gjen. Por kjo luftohet vetëm bashkë. Vetëm, ne nuk e bëjmë dot, do ta bëjmë bashkë.

Këto dëgjesa vlejnë edhe për anën tjetër. Jo se ne nuk i dimë problemet, por duke dëgjuar sa më shumë, atëherë kupton radhën e gjërave. Unë e di që uji ishte problem shumë i madh, por kini parasysh një shifër shumë domethënëse. Po të marrim shumën që figuron në letra, aq sa janë harxhuar nga shteti shqiptar, nga buxheti, nga kreditë e huaja për ujësjellës në 25 vjet, është e barabartë me shumën që duhet për t’i ndërtuar të gjithë ujësjellësit e Shqipërisë dy herë. Ndërkohë që paratë janë harxhuar, uji s’ka në shumë zona.

Këtu në Berat, si dhe në gjithë Shqipërinë ka njerëz, ka forca të jashtëzakonshme që punojnë, prodhojnë, eksportojnë dhe nuk kërkojnë të vijë shteti të marri lopatën, por kërkojnë vetëm të dëgjohen dhe t’ju krijohet mundësia që të ndihen të barabartë. Nuk kërkojnë çudira, pak gjë, por ama në mënyrë të ndershme dhe të drejtë. Jo merr njeri subvencion dhe ndërton vilë, ndërkohë që duhet të mbjelli perime dhe tjetri që mbjell perime, nuk merr kokërr leku.

Këtu nuk është fjala që tepsia tani është e jona. Këtu është fjala që tepsinë do ta çojmë për skrap. Berati ka njerëz që mbase nuk i janë afruar kurrë partive, por mund t’i shërbejnë komunitetit ashtu siç duhet në zyra.

Njerëzit që jetojnë me punë janë më shumë sesa ata që rrinë merren me llafe në Shqipëri. Njerëzit që dëgjojnë dhe kuptojnë siç duhet, janë shumë më tepër se ata që zhyten në atë kazanin mediatik dhe ngatërrohen atje. Kazani e kanë marrë vesh të gjithë, dëgjoje kur s’ke ndonjë punë tjetër, por veshin mos ja vër shumë, se kazani të merr në qafë dhe kjo është gjë e madhe për ne. Gjë e madhe, sepse është një avantazh që po të bësh punën, njerëzit të kuptojnë dhe të vlerësojmë për punën. Ne opozitë kemi vetëm parazitët dhe grabitqarët nëpër zyrat e shtetit. Armiqtë tanë janë parazitët dhe grabitqarët në zyrat e shtetit. Ata janë armiqtë e popullit shqiptar dhe ne do t’i trajtojmë si armiq. Do t’i ndjekim këmba këmbës si armiq dhe ata duhet ta ndajnë mendjen, ose të shërbejnë, ose të largohen. Do dalin e do thonë “si Enver Hoxha, armiku i popullit”. Ata janë armiq të popullit shqiptar. Janë armiq të Shqipërisë. Janë armiq të progresit. Janë armiqtë tanë të përbashkët, në zyrë. Jashtë zyrës mund të jenë njerëz të mirë. Por po morën përsipër të rrinë në zyrë, duhet t’i shërbejnë njerëzve, ose përndryshe me ne do të kenë halle të mëdha. Kush do fitojë, do fitojmë ne, apo do fitojnë ata, këtë do ta shikojmë, por sa më të madh ta kemi koalicionin me njerëzit dhe sa më shumë të mos ndahemi nga njerëzit, aq më pak shanse kanë ata të fitojnë me ne.

Zyrat e shtetit, drejtoritë nuk janë medalje lufte, “luftove, merr medaljen, futu në zyrë”. Duhet të gjejmë njerëzit më me integritet, më profesionistë. Sa më shumë të bëhemi bashkë dhe sa më shumë të investojmë te njëri-tjetri, aq më e mundur është që të kemi sukses. Të gjithë këto filtra që janë midis qeverisë lart dhe njeriut të zakonshëm duhet t’i heqim dhe kemi mundësi ta bëjmë këtë gjë falë teknologjisë, falë platformës që do ndërtojmë, ku çdo njeri nga shtëpia e vet është pjesë e qeverisjes, mjafton të regjistrohet dhe të thotë mendimin e vet. Ne do ndjekim çdo mendim, çdo opinion, çdo ankesë, por edhe nismat. Aty do ketë një sektor të tërë që do merret me problemet konkrete të komuniteteve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.