Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Rajonin e Puglias, ku u prit nga Presidenti i Rajonit, Michele Emiliano. Presidenti i Puglias e përgëzoi Kryeministrin për reformat e ndërmarra dhe ofroi bashkëpunimin maksimal të rajonit në fushat e turizmit, tregtisë, transportit dhe ujit.

Pas një vizite në Fiera del Levante, Kryeministri Rama dhe autoritetet vendore përuruan rrugën “Shqipëria”, ndërkohë më pas, Kryeministri mori pjesë në një bashkëbisedim me gazetarë të gazetave më prestigjioze në Itali si “La Repubblica”, “Corriere della Sera”, etj.

“Sot, ai imazh apokaliptik i para 25 vjetëve që qarkulloi në mbarë botën, me anijen më të mbushur në historinë e lundrimit, me shqiptarë që derdheshin në brigjet puljeze, duket se i përket një epoke tjetër gjeologjike. Dhe të gjithë ata, që në momentin e mbërritjes së anijes krijuan një shqetësim të madh dhe shumë frikë janë integruar më së miri dhe kontribuojnë në PBB-në italian me një shumë që arrin 3.2 miliard Euro taksa. Këto janë të dhëna zyrtare të 2014-ës. Nga kjo pikëpamje, mendoj se shqiptarët janë integruar plotësisht, dhe emigracioni ynë ka hyrë në librat e historisë që na mëson se emigracioni është gjithnjë një burim rritjeje si për vendin e origjinës ashtu edhe për vendin pritës.

Nga ana tjetër, gjërat kanë ndryshuar shumë sigurisht. Sot janë më shumë se 20 mijë italianë që punojnë në Shqipëri. Janë të shumta ndërmarrjet italiane në Shqipëri, por duhet të bëjmë më shumë sidomos në nivel të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe rajonit të Puglia-s. Sepse jemi të lidhur natyrshëm gjeografikisht, dhe unë pata kënaqësinë e madhe të takoja guvernatorin Emiliano me të cilin biseduam për një projekt të madh për ujin. Ne kemi shumë burime ujore, dhe Puglia ka shumë njohuri për administrimin e ujit, së cilës ky i fundit i mungon. Atëherë duhet të tentojmë t’i japim jetë një kompanie shumëkombëshe, e para në llojin e vet, e cila mund të sjellë përfitime reciproke duke shfrytëzuar burimet e mëdha ujore të Shqipërisë dhe burimet e mëdha në dije të Puglia-s.” – u shpreh Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.