Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Në Shqipëri mund të hapësh një sipërmarrje brenda 8 orëve duke paguar 1 euro,” kjo ka qenë ftesa e Kryeministrit Edi Rama për investitorët e shtetit fqinj, Italisë. Sot, Kryeministri iu drejtua një paneli me investitorë italianë në Konferencën e Industrialistëve të Rinj, mbajtur në Santa Margerita Ligure, në rajonin e Ligurias në veri të Italisë.

Konferenca, e konceptuar si një bisede e lirshme, u moderua nga gazetari i mirënjohur Enrico Mentana, i cili e prezantoi Kryeministrin si një njeri që “ka ndjekur gjithmonë televizionet italiane dhe e njeh Italinë shumë më mirë se kushdo tjetër.”

Lehtësitë e shumta që Shqipëria ofron për investitorët e huaj, avantazhet e kornizës fiskale dhe klima e favorshme për të bërë biznes, ishin në fokus të prezantimit të Kryeministrit, duke ftuar sipërmarrësit italianë për të shtrirë bizneset e tyre edhe në vendin tonë.

“Në fillim të viteve ’90-të, Ganni Amelio erdhi ne Shqipëri për të xhiruar filmin e tij të famshëm “L’America”, që ishte një ritregim i historisë së gjyshërve tuaj që emigronin në Amerikë, kurse ne vinim në Itali, sepse ajo ishte Amerika jonë. E takova para dy vjetësh kur erdhi ne Shqipëri për të bërë një tjetër film, kësaj radhe për një italian që vinte në Shqipëri për të kërkuar punë. Në 20 vjet, prirja ka ndërruar kah. Sot, rreth 20 mijë italiane jetojnë në Shqipëri, sipërmarrës dhe punëtorë, si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh që studiojnë aty. Ndërsa, po të më pyesin se çfarë është Shqipëria për një sipërmarrës italian, është ajo që ju shikoni në ëndrrat tuaja dhe atë që s’mund të keni në Itali, domethënë, një vend me taksa minimale, kosto të punës e arsyeshme, forcë pune e re dhe e kualifikuar. Gjithashtu distanca midis Italisë dhe Shqipërisë është më e vogël sesa nga veriu në jugun e Italisë. Në Shqipëri mund të hapësh një ndërmarrje brenda 8 orëve, duke paguar 1 euro.”

Ftesës së Kryeministrit, iu përgjigj së pari, me humor, moderatori Enrico Mentana. “Kështu do na i merrni të gjithë biznesmenët.”

“Në Shqipëri, – u shpreh Kryeministri, – na duhet të nxitojmë dhe t’i japim qeverisë sensin e një sipërmarrjeje, sepse për shumë vite kemi qenë të bllokuar nga një burokraci e shëmtuar. Jemi dakord me kushtet e Brukselit dhe na duhet të bëjmë gati një projektligj për 3-5 javë, sepse pastaj gjithçka mbetet pezull.”

Ky parashtrim i Kryeministrit nxiti një sërë pyetjesh të moderatorit Mentana. “Për Italinë, një ligj në 3-5 jave është një ëndërr. Çfarë është Shqipëria? Është bërë vendi që ne donim të ishim dhe që shqiptarët shikonin dhe të cilit i referoheshin? Çfarë keni mësuar të mos bëni nga modeli italian?”

Për Kryeministrin, shqiptarët që ndodhen prej mbi 20 vitesh në Itali dhe tashmë janë integruar në shoqërinë italiane, afërsia mes dy vendeve jo vetëm gjeografike krijojnë kushtet e favorshme që dy vendet të mund të përfitojnë nga njëri-tjetri.

“Prirja ka ndryshuar duke filluar që vjet. Ka rreth 400 ndërmarrje të reja. Këtë vit presim të tjera, sepse po të shohim problemet politike të Italisë duket sikur jemi pjesë e të njëjtës botë, të të njëjtit vend, të së njëjtës histori dhe falë kësaj afërsie mund të bëjmë më shumë me Italinë dhe mund të përfitojmë. Besoj se tani me integrimin e shqiptarëve, të cilët erdhën 20 vite më parë, me shumë probleme dhe pengesa, mjafton të kujtojmë që janë 40 mijë kompani këtu në Itali të krijuara dhe të cilat shkojnë përpara nga shqiptarët, që paguajnë taksat dhe janë integruar me kulturën tuaj, duke pasur parasysh edhe interesin ekonomik, hapësira e vetme që kemi mes nesh është deti. Por ritheksoj që ne jemi shumë të kujdesshëm për atë çka ndodh në Itali dhe duam të krijojmë kushtet ideale për kompanitë italiane, të cilat vijnë në Shqipëri. Është fakt që Shqipëria vuan një perceptim të krijuar në vite, që nuk e ndihmon, por mjafton të vini një herë për pasur dëshirën për t’u rikthyer dhe ju mund ta dëshmoni këtë.”

Nga sipërmarrësit në konferencë u shpreh interes i gjer për mundësitë që ofrojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Interesim që u përmblodh nga moderatori, i cili shprehu konsideratën se vetë Kryeministri shqiptar është një ambasador shumë i mirë i vendit të tij: “Ju jeni një dëshmi e gjallë, nuk është një kompliment, por është një konsideratë. Me një ambasador si ju është e vështirë, sepse bëre për vete të gjithë platenë e investitorëve. Mjaftoi vetëm fillimi, me diskutimin tuaj për sindikatat. Renzi ka bërë për vete më pak investitorë në më shumë kohë.”

Ai është më i ri, ka më shumë kohë, unë jam pak më i madh, – replikoi Kryeministri, – dhe Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që e bën vendin tonë më efecient dhe për këtë nuk ka rëndësi nëse një reformë quhet e majtë apo e djathtë. “Jemi një e majtë që besojmë tek vlerat e solidaritetit dhe të barazisë por që kurrë nuk do të refuzojmë të bëjë një reformë që është e nevojshme vetëm, sepse është një reformë e djathtë dhe që kurrë nuk do të bëjmë një reformë jo të rëndësishme, vetëm sepse është e majtë. Është një fjalë kyç që duhet të jetë pjesë e përditshmërisë të çdo force politike në qeveri dhe është eficiena. Nëse nuk ka eficiecë është e panevojshme të rrish të flasësh për të drejtat e punëtorëve, për të majtën, për principet e të djathtës. Mjafton të gjesh çfarë e bën shtetin më eficient, çfarë e bën një industri më eficiente, çfarë e bën një shërbim më eficient. Nëse kjo quhet e djathtë shumë mirë, mua kjo nuk më intereson shumë.”

Një tjetër batutë për situatën politike në Itali, i ngacmuar nga gazetari Mentana, ishte ajo për aktorët e humorit në politikë, por Kryeministri i është referuar situatës në vend: “Në Shqipëri nuk kemi as aktorë komikë që të bëjnë politikë. Domethënë, ne kemi aktorë komikë që vënë në lojë qeverinë, po nëse qeverisin pastaj fillojnë dhe vënë në lojë vendin.”

Biseda u mbyll me një batutë të moderatorit Enrico Mentana: “Po ndaloj këtu, sepse po vazhduam kështu do të ribashkojmë mbretëritë e Shqipërisë dhe Italisë dhe ju japim kurorën menjëherë. Faleminderit Edi Rama,”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.