Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Më shumë se 150 talente shqiptare në fushën e teknologjisë, kanë kthyer vizionet e tyre në biznese reale, e sot prezantojnë me krenari produkte mbresëlënëse.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me startup-et shqiptare, të cilat sot shënojnë në të gjithë vendin 2000 të regjistruara, që kanë një pasaportë, ndërsa 4500 subjekte operojnë në fushën e IT me rreth15 mijë të punësuar. Këto shifra u paraqitën gjatë takimit nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, e cila theksoi ndër të tjera se eksportet e shërbimeve të IT përbëjnë rreth 200 milionë euro.

Mes të rinjve bashkëbisedues shin edhe fituesit e Startup Grant 2024 dhe 86 startup-e të reja që sot morën lajmin se janë fitues dhe do të financohen nga thirrja Startup Grant 2025 këtë vit.

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje dhe shumë faleminderit. Më pëlqeu shumë duartrokitja se ishte shumë bio dhe është e vërtet që ne sot kemi këtu 89 fitues të programit por është po kaq e vërtet që ne jemi të vetëdijshëm që programi duhet zgjeruar më tutje.

Në ndërkohë jo më larg se dje unë pashë një audit analitik për çfarë ka ndryshuar platforma e-Albania në jetën e shqiptareve dhe më mbeten në mend tre të dhëna. E para që nga platforma i janë kursyer shqiptarëve 620 milionë euro në total, që përndryshe do t’i kishin harxhuar për të marrë shërbimet që kanë marrë në gjithë këto vite. Analiza është shumë interesante dhe shumë e detajuar, që nga karburanti, distancat etj. E dyta që më mbeti në mendje është që janë kursyer 75 milionë fletë letre që nuk është pak. Por e treta që është më domethënësja edhe për sa i takon impaktit që ka teknologjia digjitale është që koha e kursyer, përfytyroheni tani se çfarë kohe është kursyer, 25 mijë rrotullime rreth tokës.

Kjo është habia e madhe dhe bekimi po ashtu i teknologjisë për vende si vendi ynë që në rastin e kontaktit me teknologjinë dhe në marrjen e shërbimeve që teknologjia ofron, ka mundësinë të bëjë kapërcime historike të një natyre që s’do i bënte dot kurrë pa teknologjinë. Fjala vjen, ne s’do arrinim dot kurrë që në një kohë kaq të shkurtër të krijonim një administratë publike e cila të ishte në gjendje që shërbimet që bën e-Albania t’i bënte me të njëjtën transparencë, me të njëjtën shpejtësi, me të njëjtën korrektesë. E pamundur!

Dhe në ndërkohë progresi deri në shfaqjen e fuqisë së teknologjisë digjitale ka qenë një progres linear. Tani jemi në epokën e progresit eksponencial. Nëse në kohën e progresit linear kalimi nga një makinë daktilografie në një tjetër kërkonte disa vjet, pastaj aksesi te ai produkt për ata që ishin më të varfër kërkonte shumë e shumë kohë, aq shumë kohë sa vendeve më pak të zhvilluara dhe më të varfëra iu mbeteshin në të vërtetë makinat daktilografike që të tjerët nxirrnin jashtë përdorimit.

E njëjta histori me kompjuterët në fillim. Për shembull mua më kujtohet kur unë u bëra ministër kulture, në ministrinë e Kulturës në 1998 kishte një zyrë që ishte zyra e daktilografimit dhe aty shkonin të gjitha shkresat për tu daktilografuar ose shkonin të shkruara më dore ose shkonin ata që do bënin shkresën dhe e recitonin atje, ishin tre gra që daktilografonin dhe ishin tre makinat daktilograike shumë të lodhura dhe tek ë se ë ishte sajuar me forca të brendshme se makina orgjinale nuk e kishte ë, te ë ajo shigjeta që godiste letrën bënte vrima dhe kur e mërrje shkresën, shkresa ishte poroze sepse ishte e mbushur me vrimat e ë. Dhe unë kisha kujtesën e freskët nga një ekspozitë që kisha bërë në Gjermani ku në një qendër kulture, ku sapo kishin ardhur kompjuterë ku Deutsche Bank po i nxirrte jashtë përdorimit dhe po ia falte qendrave kulturore në gjermani që s’kishin.

Mora dhe unë një daktilografikste dhe ja bëra një letër drejtorit të Deutsche Bank me ato goditje dhe i thashë kjo letër po ju vjen nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, po patët mundësi na jepni dhe neve disa kompjuterë. Pastaj ambasada gjermane erdhën më kontaktuan, më sollën dhe ajo letra nuk e di ku është tani por të paktën në atë kohë përfundoi në murin e drejtorit të Deutsche Bank në kornizë si vepër arti sepse ishte e paimagjinueshme

Sot është botë tjetër komplet. Sot pavarësisht se ne mund të jemi mbrapa në shumë gjëra, mund të shkojmë shumë më përpara se të tjerët falë teknologjisë në aspekte të caktuara. Dhe nuk është e rastit që një vend si Estonia është shumë më përpara një vendi si gjermania edhe pse kur Estonia hyri në këtë rrugë, as nuk mund të krahasohej jo me Gjermaninë por s’mund të krahasohej me asnjë vend që ishte në BE. Kështu që, këtë po e shohim konkretisht jo vetëm me e-Albania, po e shohim me negociatat.

Ne kemi tani në punë modelin e inteligjencës artificiale që bën transferimin e ligjeve dhe të gjithë atyre 250 mijë teksteve të BE-së për të cilat vendet e tjera përpara nesh kanë punësuar një armatë me përkthyes, një armatë me draftues, ndërkohë që modeli jonë e bën brenda pak minutash atë që përkthyesit, draftuesit bënin. Kroacisë vetëm kjo punë i mori 7 vjet. Ndërkohë që ne po e bëjmë me shpejtësi shumë të madhe dhe në harkun e 5-6 muajve ne do ta kemi të përfunduar nga pikëpamja e gjithë volumit, do ta kemi ne shqip dhe me një cilësi shumë të lartë dhe modeli çdo ditë përforcon gjithmonë e më mirë.

Po kështu me prokurimet publike jemi duke punuar me Microsoft për një model inovativ të prokurimeve publike pa pjesëmarrjen e njeriut, që faktikisht ose më saktë që bën procesin e prokurimit publik deri në nxjerrjen e rezultatit pa pjesëmarrjen e njeriut pastaj komisioni përkatës certifikon rezultatin, kuptohet vendos. Dhe në fund fare përgjegjës për lidhjen e kontratave dhe shpenzimet publike janë njerëzit, nuk është akoma inteligjenca artificiale. Por ama është një projekt mjaft ambicioz, para ca ditësh është bërë një ëorkshop te AKSHI me përfaqësues nga 16 vende që po punojnë në këtë drejtim.

Të gjithë në fakt kanë marrë pjesë të caktuara. Ne po përpiqemi me Microsoft të bëjmë një model që e bëjmë të gjithën. Është dhe shpresojmë dhe urojmë që ta kemi gati deri në fund të 2026. Ndërkohë që brenda pak kohe, nuk e di ekzaktësisht kur se po punohet e-Albania do kalojë në një tjetër nivel, ajo Diella që del aty dhe flet do bëjë gjithë shërbimin. Nuk do jetë më e nevojshme që kush hyn në e-Albania të ndjekë Diellën dhe të bëjë klikime por kjo gjë do realizohet me kërkese. Do i thuhet Diellës, dua këtë letër, quhem filani për shembull dhe gjithë punën do ta bëjë Diella, asistentit digjital.

Thënë të gjitha këto besoj që ne po krijojmë një potencial të madh këtu brenda me ju dhe me të tjerë si ju që mund të na japin një dorë në zhvillimin e mëtejshëm të proceseve të qeverisjes duke përdorur bazën tonë të të dhënave, se në fund të ditës ju e dini 1000 herë më mirë se unë që mësoj për shkak të detyrës që sa më shumë data, sa më shumë të dhëna aq më shumë brum për të krijuar modele që pastaj mund të na lehtësojnë procesin apo mund të na nxjerrin nëpër horizonte që as nuk i imagjinonim dot deri më parë.

Ndërkohë po flisnim para se të hynim këtu për “Ecole 42” që do të hapet së shpejt tek piramida, është një super shkollë për teknologjinë digjitale, e cila faktikisht është një shkollë jashtë sistemit klasik, është një shkollë që nuk ka ato kërkesa që kanë shkollat tradicionale, është një shkollë pa moshë, pra kushdo mund të hyjë aty, kuptohet ka një proces të vetin seleksionimi dhe është një shkollë që realisht është një nga bërthamat kryesore të revolucionit digjital që po bën Franca e cila tashmë ka dalë në pararojë të këtyre zhvillimeve.

Këto nga ana ime edhe shumë faleminderit për  durimin. Delina donte që unë të jepja lajmin që këtu janë 89 subjekte që do të marrin mbështetje nga qeveria, po në fakt Delinës i takon realisht, jo vetëm që ta thotë këtë, por edhe i takon falënderimi im në sytë tuaj, për punën shumë të dobishme që ka bërë më çuarjen më tej të këtij raporti mes qeverisë dhe Startup-eve që urojë dhe shpresoj ta forcojmë dhe ta zgjerojmë dhe më shumë. Dhe mos harroni që në Shqipëri tani kemi aktiv tani parkun teknologjik “Durana” që është një park që është ekzaktësisht për ju dhe për të gjithë ata si ju, brenda dhe jashtë për produkte të teknologjisë dhe që ka një sistem incentivash jashtëzakonisht të favorshëm. Dhe shumë shpejt besoj vitin e ardhshëm, në fillim të vitit të ardhshëm uroj të kemi edhe godinën në Vlorë, mu në qendër të Vlorës, e cila ka hapësira të jashtëzakonshme, është fantastike për High-Tech që do të funksionojë si një park. Pra kush do të ketë hapësirë dhe kush do ketë zyra dhe kush do të zhvillojë aty produktet teknologjike do të ketë një sistem fiskal dhe një sistem incentivash komplet ndryshe nga jashtë perimetrit të godinës.

Kështu që kijeni parasysh dhe uroj shumë që deri atëherë të keni bërë zhvillime të reja se këtu shpejtësia e zhvillimit është marramendëse. Edhe nuk e harroj në bisedën e parë me Mira Muratin që po diskutonim për shpejtësinë dhe më tha diçka që ishte e frikshme. Tha: Nëse për të kaluar nga Iphone 12 te 13 është dashur një vit, për të kaluar nga një gjë tek një gjë tjetër tani që hyri Inteligjenca Artificiale do të duhet një ditë. Çfarë është e re në mëngjes, do të behët e vjetër në darkë, deri këtu do të shkojë shpejtësia e transformimit.

Shumë faleminderit dhe lum si ju që ndërkohë që transformoheni me kaq shpejtësi, transformoheni vetë dalë nga dalë se kur merresh me pikturë, për një pikturë mund të hajë edhe 6 muaj, edhe ti je 6 muaj më i vjetër dhe  ti ke bërë një pikturë. Ndërkohë që ju mund të bëni kaq shumë gjëra në 6 muaj dhe thjeshtë të jeni me më 6 muaj eksperiencë, jo më të vjetër, se keni kohë për të përdor këto fjalë.

Faleminderit!

***

Kryeministri Edi Rama: Kjo ëndrra është fjalë e madhe për të thënë që “Ëndrra jonë është të jemi tek Durana”. Aty është Durana, shko e futu, çfarë ëndrre është kjo. Thashë se the që “ëndrra jonë është të shkojmë në ndonjë planet që nuk e kemi zbuluar akoma”. Faleminderit për fjalët e mira që në këtë rast i takojnë Delinës, e përsëris, por një gjë që harrova pa e thënë që është fiksimi im i madh; kini parasysh që me anëtarësimin në Bashkimin Europian, fuqia mbështetëse për start-up dhe teknologjinë rritet në mënyrë eksponenciale. Faktikisht, ne nga Bashkimi Europian në gjithë këto vite, të gjitha vitet bashkë, kemi marrë mbështetje për programe të ndryshme ku hyjnë të gjitha bashkë, që është diçka më shumë se 1 miliardë euro dhe mbështetja për teknologjinë është diçka që ka hyrë vetëm tani së fundmi dhe është modeste ndërkohë që me hyrjen në Bashkimin Europian, 1 miliardë e ca euro është çdo vit dhe në këtë 1 miliardë e ca euro që është çdo vit, kini parasysh që ndryshe nga 1 miliardëshi i deritanishëm, 1 miliardë e ca i deritanishëm, ku pjesa më e madhe janë kredi, tek 1 miliardëshi i çdo viti pjesa më e madhe janë grante. Pra, ndryshimi është jo pak por ne sot jemi në mbështetje të Bashkimit Europian 90% kredi dhe 10% grant. Me futjen në Bashkimin Europian kalojmë në 90% grant dhe 10% kredi. Kreditë janë të mira, kuptohet, janë me norma interesi të ulëta por janë kredi. Kështu që, edhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë pa ndërprerje procesin e nisur me negociatat pa asnjë lëkundje, konfuzion etj, sepse është krijuar një mundësi reale, aktuale, nuk ka qenë asnjëherë që nga dallga e fundit e zgjerimit dhe faktikisht, që nga futja e Kroacisë nuk ka pasur më asnjëherë një mundësi reale për të hyrë në Bashkimin Europian. Tani është reale edhe ne jemi tek dera, vetëm duhet të përfundojmë negociatat dhe për start-up, për gjithë këtë botën tuaj do të jetë një ndryshim eksponencial i kapaciteteve tona për të mbështetur por edhe i kapaciteteve tuaja për të përfituar nga Bashkimi Europian sepse në momentin që ne hyjmë në BE, ju të gjithë jeni eligible për të gjitha fondet që ka Bashkimi Europian për teknologjinë. Pra, në qoftë se Bashkimi Europian ka një program për start-up, përtej parave që i jep çdo vendi për teknologjinë, ka programe të ndryshme që janë programe të Brukselit. Aty ju sot nuk futeni dot sepse nuk jeni pjesëtar të Komunitetit Europian të Start-up. Në momentin që ndryshon kjo gjë, ju jeni njësoj si gjithë të tjerët dhe aplikoni atje njësoj si qytetarët e tjerë të Europës. Ky është një ndryshim esencial.

-Përshëndetje. Unë jam themeluesi i VrapOn, ose i thënë ndryshe Hubberit 100% shqiptar “Made in Albania.” Jam krenar se është ndërtuar nga e para gjithçka, pra nuk është e huazuar. Unë jam fitues i grantit 2024, ndihma ka qenë e jashtëzakonshme dhe jam falënderues për këtë ndihmë. Kërkesa ime e vogël është një lloj ndërhyrje ose në një farë mënyrë, një farë përshpejtimi i ndryshimit të ligjit për transportin duke na përfshirë në një farë mënyre edhe ne si sektor zhvillimi teknologjik; si shërbimi shuttle, si shërbimi taxi nëpërmjet aplikacionit etj.

Kryeministri Edi Rama: Patjetër vetëm se nuk dua të të dekurajoj, ti me siguri e di, por po shikoja që Hubber është vetë në hall sepse së shpejti do t’i hyjnë makinat pa shofer fare, edhe do jetë makina që do ta thërrasësh, do të vijë, do hysh aty brenda dhe më në fund edhe unë nuk do ndihem më qytetar i dorës së dytë nga pikëpamja e IQ-së sepse nuk do t’i jap vetë makinës, por ama vetë makina do jetë, do shkojë ku t’i them unë pa i thënë shoferit fare se s’do ketë shofer, kështu që duhet të përgatiteni dhe për atë moment. Ndërkohë, ajo që çka unë besoj se vlen shumë, e kam vënë re këtë që ne kemi Këshillin Ekonomik Kombëtar ku ka përfaqësues nga të gjitha industritë, po ma ha mendja që nuk funksionon dot ai këshill në funksionin tuaj sepse realisht ai është këshilli i botës reale, ju jeni komuniteti i një bote tjetër, kështu që mbase duhet të ndërtojmë një këshill të veçantë, një këshill kombëtar për Start Up –et dhe teknologjinë, në mënyrë që, në mënyrë të vazhdueshme të ketë dhe një rrugë gjysmë institucionale edhe pse jo formale, por një rrugë gjysmë institucionale për  pasur një ndërveprim të vazhdueshëm mes jush dhe qeverisë, qeverisë dhe jush, që qeverisja të kuptojë në vazhdimësi ça ndodh, ça ndryshon, ça zhvillohet edh enga ana tjetër, të kuptojë vijimësinë se si mund të ndihmojë, si mund të mbështesë. Unë besoj që, edhe me Delinën e kemi folur, që volumi i mbështetjes financiare që ka ardhur duke u rritur, por jo shumë, mund të rritet dhe ne do ta rrisim në mënyrë të ndjeshme në vitet në vijim sepse e kemi parë që është një lloj investimi që kthehet shumëfish në formën e punësimit të mirëpaguar, në formën e qëndrimit të talenteve këtu , etj. Kështu që do ta rrisim vit pas viti.

– Duke pasur dëshirën për të qenë asnjëherë të vetëkënaqur do ishte shumë mirë nëse do të kishte një iniciativë nga ana e qeverisë për ta shtruar këtë në anë të administratës, duke parë se si mund të automatizohen punët në administratë dhe tani rikthehem tek çfarë mund të bëjë qeveria për ne. Ju përmendët Microsoft që është shumë kompani e madhe dhe mund t’i bëjë ato produkte për qeverinë shqiptarë por besoj, duke marrë shkas dhe nga eksperienca që kam në Zvicër ku jetoj, zviceranët vënë Zvicrën në vendin e parë dhe mendoj se dhe Shqipëria duhet të vendosë shqiptarët dhe kompanitë shqiptare në vendin e parë. Kjo është ndihma më e madhe që mund të bëjë shteti për ne.

Kryeministri Edi Rama: Thotë Delina që ti po bën një studim për sjelljen e zogjve me Inteligjencë Artificiale. Po sjelljen e shqiptarëve do na e studiosh pak se janë më të palexueshëm se zogjtë në këtë rast. Unë e thashë pak, por mbase nuk e thashë shumë qartë, që ne ekzaktësisht këtë duam të bëjmë që të vëmë në dispozicion të kujt dëshiron të dhëna se gjithë puna është tek të dhënat dhe tek proceset, pra për të bërë këtë gjë që ti thua, ti duhet të kesh akses në procese dhe në të dhëna.

Ne kemi ngritur një qendër të inovacionit që nuk ka lidhje me AKSHI-n, e cila presupozohet që t’i shërbejë të gjitha ministrive dhe institucioneve pikërisht për të inovuar mirëpo ajo që kam vënë re unë është që qendra është, në njëfarë mënyrë, burokratizuar nga fakti që është institucion i brendshëm kështu që ajo që ne do të bëjmë është që t’i hapim dyert e qendrës për të gjithë ju dhe për këdo qoftë tjetër që ka dëshirë të vijë dhe që ka dëshirë të luajë me të gjitha proceset dhe të gjitha të dhënat. Të luajë në kuptimin domethënë të shohë se çfarë mund të bëjë. Këtë ide e diskutuam pasi bëmë një takim me grupin që erdhi këtu nga Qendra Spitalore Universitare e Izraelit, SHIBA, ata janë të rankuar të nëntë në botë dhe kanë marrë Onkologjikun tonë dhe jemi me ta në një proces bashkëpunimi për të ngritur në një nivel tjetër komplet Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nga pikëpamja e menaxhimit dhe e proceseve dhe ata na treguan që kanë krijuar një hapësirë të dedikuar, nuk e di sa e madhe, mund të jetë sa kjo, mund të jetë sa gjysma e kësaj, ku i jepet akses i plotë të gjithë mjekëve, infermierëve, gjithë personelit që dëshiron të ndërveprojë me persona si ju që vijnë atje për të krijuar risi që i shërbejnë spitalit dhe që i shërbejnë sistemit shëndetësor.

Pra, është një qendër inovacioni që është në fakt një hapësirë e vogël por gjithë brumi aty janë të dhënat e proceseve dhe aty pastaj na treguan edhe se çfarë ka pjellë me këtë lloj ndërveprimi. Kështu që, ke shumë të drejtë, shkurt muhabeti dhe ne mund të bëjmë një marrëveshje që ti mund të vish të merresh me këto procese dhe ndërkohë mund të studiosh dhe sjelljen e shqiptarëve duke u nisur nga sjellja e administratës sepse shqiptarët në administratë janë ata më të rrezikshmit dhe ata më të çuditshmit.

– Unë jam kthyer nga Shqipëria sepse shikoja mundësi në vendin tim për të shpalos atë potencialin që unë mendoja dhe mendoj që e kam. Ne kemi krijuar një Start-up, është platforma e parë e investimeve e bazuar në blockchain dhe e fuqizuar me AI, kur ne lidhim investitor të huaj me projektet Real Estate dhe Green Energy këtu në Shqipëri. Ndonëse ju keni si vizion kryesor për të dërguar Shqipërinë në BE, në gjithashtu kemi një vizion për të sjell BE-në dhe pse jo botën…

Kryeministri Edi Rama: Jo për ta dërguar jo, për ta sjell këtu BE-në është puna.

– Dhe ne kemi vizion për të sjell investitorët e huaj këtu në Shqipëri. Dhe disa nga sfidat e investitorëve të huaj janë pjesa ligjore dhe pjesa e transparencës.

– Kërkesa jonë është kjo pra, para se të arrijmë te këto fondet europian se dëgjojmë kompani që njohim që kanë arritur të marrin 25 milion euro për infrastrukturë, kjo do ishte pra fonde pak më të mëdha për të arritur të krijojmë një  infrastrukturë në Shqipëri dhe të nxisim edhe figura të reja që punojnë te kjo infrastrukturë, pra mos të varemi nga figura të jashtme, por edhe të krijojmë modelet tona unike të testimit që pastaj t’i shesim te prodhuesit e makinave.

Kryeministri Edi Rama: Në rastin konkret ajo që mendoj se mund të jetë interesantë është bashkëpunimi me qendrën që ne po ndërtojmë në Elbasan, ku emri i ka dalë si  cirkuiti shqiptar i Formula 1, se do të bëhet cirkuiti, por nuk është një investim për Formula 1 thjeshtë, është një investim që në zemër të vet ka sigurinë rrugore dhe aty do të jetë qendra e trajnimeve, e testeve, e certifikimeve dhe modeli është zhvilluar në Austri me shumë sukses dhe me austriakët që kanë zhvilluar atë model dhe kanë administruar atë model, është i ati dhe i biri që ka qenë edhe pilot i Formula 1. Ne kemi punuar për cirkuitin, por kemi punuar dhe për gjithë këtë. Madje aty do të zhvillohen shumë, gjithë llojet e garave motorike, me motor,  me motoçikleta, me vetura, me garat për fëmijë etj, etj dhe ajo mund të jetë një pikë ku të ndërthuren ambiciet dhe vlera e saj që bëni ju me çfarë po përpiqemi të bëjmë ne. Në mënyrë që të keni një hapësirë që jeni ju që e administroni nga pikëpamja e sigurisë, nga pikëpamja e testimeve, etj etj.

Ndërkohë që, nga ana tjetër përsa i përket asaj që thashë më parë, është shumë e rëndësishme që gjithë këto problematika që me siguri të gjithë po të shohin këtu kanë në profilin e tyre, ne të mund ti kanalizojmë në mënyrë sistematike dhe të dimë ekzakt, ju të dini ekzakt se çfarë bëjmë dhe ca duam të bëjmë ne dhe ne të dimë çfarë bëni dhe çfarë doni të bëni ju. Dhe prandaj thashë duhet ta ndërtojmë atë strukturën, hapësirën e një këshilli që mbase ju e sajoni dhe në mënyrë të atillë që nuk ka nevojë me bërë mbledhje, pro si një lloj inbox-i ku të gjithë të hedhin problematikat e tyre në kohë reale, edhe mund ti hedhi me shkrim, mund ti hedhi me video, të jetë si një lloj portofoli i mbyllur, vetëm për anëtarët e këshillit, dhe ndërkohë kush e përfaqëson këtë komunitet aty bën dhe certifikimin po themi, ose i jep OK për t’u futur aty që bëjnë atë si të thuash prezantimin dhe vënë aty propozimet.

Ndërsa për sa po më thoshe për çështjen e legjislacionit edhe kjo është një temë që duhet diskutuar bashkërisht. Unë e kam parë që kur ne filluam këtë historinë e Start-upeve. Problemi që në fillim ka qenë konflikti midis nevojave tuaja dhe legjislacionit në fuqi, sepse ju jeni prurje e re në këtë botë. Në kuptimin shumë gjëra që ju bëni apo doni të bëni nuk i ka parashikuar legjislacioni për printera, e për e-maile. Kështu që në këtë aspekt është shumë e rëndësishme të jemi në një ndërveprim të vazhdueshëm.

E vetmja gjë që po më bën përshtypje negative është që këtu flasin vetëm djemtë. Zakonisht në të paktën në botën ku jetoj unë, djemtë rrinë nga fundi dhe nuk flasin asnjëherë dhe duhet ta çosh ndonjërin me zor dhe flasin vetëm vajzat, ndërkohë që këtu flasin vetëm djemtë. Si shpjegohet kjo?

-Jam arkitekte, pedagoge në profesion, por kohët e fundit njerëzit më njohin si vajza e qelqit, jo vetëm se punoj me materialin e qelqit, por se kam hapësirën e qelqit që është një hapësirë që merret me inovacionin dhe ekonominë qarkulluese. Inovacion në përpunim dhe riciklimin e qelqit. Jam entuziaste dhe e emocionuar se sot kam të njëjtin emocion që kam pasur kur kam ardhur në Shqipëri dhe në Tiranë para 15 vitesh, pasi prindërit ishin larguar për emigracion dhe po merrnin vendimin për t’u kthyer dhe për të vazhduar aktivitetin tonë këtu.

Mbaj mend keni qenë kryebashkiak dhe gjithë iniciativat që keni ndërmarrë atë periudhë kanë qenë shumë frymëzuese për mua si adoleshente, por dhe si artiste e asaj kohe, që pse jo të kthehem në Shqipëri dhe të gjej hapësirën ku unë të krijoj një ndërmarrje të mirëfilltë dhe akademike dhe shkencore. Sot pas 15 vitesh jam këtu duke vazhduar punimin dhe artin e babait tim, i cili është artist qelqi, por duke e ndërmarrë në një lloj këndvështrimi tjetër, duke bashkangjitur me kërkimin, me inovacionin dhe duke e nxjerrë në treg si një produkt, i cili mund të jetë utilitar i prodhueshëm dhe pse jo i eksportueshëm jashtë vendit. Kemi një laborator ku përpunojmë materialin, krijojmë produkte utilitare bizhu, vath, pjata, tavolina që krijohen nga përpunimi i shisheve dhe mbetjeve të qelqit dhe krijojmë bashkëpunime me hotelerinë. Unë sot do kërkoja më shumë promovim të prodhuesve vendas dhe mbështetje për prodhimin e mirëfilltë të materialit.

Kryeministri Edi Rama: Kjo fjala jote e bukur ishte, por ishte në shenjë proteste, që po flisnin vetëm këta të botës tjetër. Bota reale ishte lënë pak pas dore kështu që mirë bere që more fjalën dhe urime për fitimin e grantit.

-Dua të lançoj diçka të re që kemi bërë kohët e fundit, është modeli i inteligjencës artificiale që quhet Bleta. Jemi të parët në rajon që po bëjmë diçka të tillë, një model ndryshe nga modelet aktuale që përdor aplikacione të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama: Unë do bëja një kërkesë për ty dhe për të gjithë ata që shohin kryqëzim të rrugës së tyre me çfarë procesesh ka qeveria që t’i drejtoheni AKSHI-t dhe unë do flas dhe me drejtoren e AKSHI-t t’i drejtoheni AKSHI-t dhe pastaj të organizojmë një takim vetëm me ata që duan të përfshihen në këto procese ose që kanë gjëra për të ofruar sepse mund të ndërthurin të dyja, edhe atë që ju bëni dhe atë që na duhet ne dhe kështu mund të krijojmë dhe një mbështetje ekstra duke financuar atë që ju mund të na ofroni ne.

-Jam themelues i “Patoko” është një maxhordom digjital që jep mundësinë që nëpërmjet teknologjisë, që çfarëdolloj shërbimi të duhet, e gjen aty. Fuqizon dhe përdoruesin dhe fuqizon edhe tregun që të vihet në nivel digjital. Për ta ndihmuar botën e Start Up ne kemi nevojë për disa gjëra, zoti Kryeministër; e para, kuadri ligjor të ecë paralel jo vetëm ne nivelin e acquis communautaire po të ketë mundësi edhe në nivelin e aplikieshmëri sa i përket pagesave etj.

E dyta, kanë filluar që bizneset shqiptare, start up-et shqiptare të shihen me sy dhe besueshmëri të lartë. Ekipi unë është i gjithi kanadez.  Për të pasur fatin e Estonisë, do na duhet seriozisht që të zhbllokojmë edhe tregjet e kapitalit.

Kryeministri Edi Rama: Jam 100% dakord me çdo gjë që the, me një shtesë të vogël që shqiptarët janë të jashtëzakonshëm kur janë vetëm, kur bëhen me njëri-tjetrin pastaj krijojnë probleme dhe një nga arsyet pse ju të gjithë dhe bota e Start Up në Shqipëri mund të jetë një shpërthim dhe një sukses i jashtëzakonshëm është pikërisht kjo, që ju jeni shqiptar po llojin e punës e keni si ujq të vetmuar nëpër pyll, kështu që kjo është garanci absolute për sukses, se pastaj kur bëhemi bashkë ne, na shqetëson shumë suksesi i tjetrit dhe më shumë investohemi si të mos lëmë tjetrin të ketë sukses sesa si të bëjmë sukses të gjithë bashkë, po është një proces që do na e studiojë miku atje, që siç na dha fjalën dhe do shohim të mësojmë nga ça do na japë Inteligjenca Artificiale.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.