Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e dhënies së Medaljes së Artë për vlerësim profesional për zjarrfikësin e Vlorës, Luan Kapaj i cili me heroizmin e tij shpëtoi dy jetë njerëzore nën rrënojat e tërmetit tragjik të 26 Nëntorit:

Mirëdita!

Kjo është një ceremoni e vogël në përmasën e saj, por është një ceremoni shumë e veçantë në përmbajtjen e saj. Unë ndihem vërtet i nderuar që sot t’i kushtojmë këtë vëmendje një njeriu të zakonshëm, i cili u bë simboli i reagimit njerëzor dhe profesional në kushtet e rënda të atyre ditëve dhe netëve, kur plot jetë njerëzore ishin në fije të perit!

Një ndër Presidentët e Shteteve të Bashkuara thotë se, “heronjtë si njerëz nuk janë më guximtarë se të tjerët, por tregohen më të guximshëm se të tjerët disa minuta më shumë dhe më gjatë”. Edhe pse heroizmi i Luanit nuk ishte disa minuta, por ishte shumë e shumë orë pa pushim, në kushte ekstreme stresi dhe me dridhjet e tokës që vazhdonin, çka e bën atë një hero të një lloji shumë të veçantë.

Më vjen mirë, po ashtu, që këtu sot kanë ardhur për ta respektuar Luanin edhe disa prej atyre që e kanë një jetë të dytë nga Luani. Unë pata rastin të dëgjoj edhe kolegë të huaj të Luanit, të cilët u shprehën me një admirim të jashtëzakonshëm për aktet e tij, për përkushtimin e tij, madje njëri prej tyre më tha, “akoma nuk arrij ta kuptoj dot se si mund të ishte një njeri aq i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij, në kushte që teknikisht dukeshin të pamundura, edhe pse kam parë në jetën time episode të jashtëzakonshme, që prapëseprapë nuk janë për aq sa kujtoj në të njëjtin nivel guximi dhe sakrifice”. Edhe unë i thashë, “nuk ke për ta kuptuar kurrë, po nuk kuptove ç’do të thotë të jesh vlonjat”.

Sot unë dëshiroj që t’i jap Luanit Medaljen e Artë për vlerësim profesional, një medalje që, në fakt, është krijuar prej disa kohësh dhe është dhënë për herë të parë vetëm për trupat e kërkim-shpëtimit që erdhën dhe na ndihmuan të shpëtojmë jetë shqiptare, por është e para që i jepet një individi. Besoj që, duke ia dhënë këtë medalje Luanit për aktin e tij, jo vetëm i japim edhe medaljes një vlerë shumë të madhe, por e vendosim stekën shumë lart për individë të tjerë që meritojnë të vlerësohen.

Më vjen mirë, që, ndërkohë e shoh përditë se ajo që njerëzit tanë bënë në momentet e një krize që ishte shumë më e madhe sesa ne vetë, sesa forca jonë, sesa aftësia jonë për të imagjinuar kapërcimin e saj ka frymëzuar dhe ka energjizuar në tërësi të gjithë ata që pa qenë të thirrur për të bërë heroizma po përkushtohen çdo ditë për rindërtimin. Procesi i rindërtimit po ecën jashtëzakonisht mirë, nga pikëpamja e respektimit të afateve shumë të shkurtra dhe e përpjekjeve për të qenë në lartësinë e ambicies sonë për rindërtimin.

Ndodh rëndom që kur dikush bën mirë një punë, sidomos kur punon për shtetin, cinikët thonë “detyrën po bën”. Në fakt, detyrën janë të thirrur të bëjnë të gjithë ata që i shërbejnë shtetit dhe dallimin e bën pikërisht përkushtimi dhe cilësia në kryerjen e detyrës. Sigurisht, detyrën bëjmë të gjithë, por në varësi nga si e bëjmë detyrën, sa mirë e bëjmë detyrën, varet edhe impakti që kryerja e detyrës ka mbi njerëzit dhe mbi shoqërinë.

Nuk dua të zgjatem më shumë, por dua kujtoj këtu fjalët e Presidentit De Gaulle, i cili duke folur për katastrofat ka thënë që, “nuk është e tolerueshme dhe nuk është as e mundur që nga vdekjet, sakrificat dhe shkatërrimi që prodhojnë kaq shumë heroizëm të mos zhvillohet një gjindje më e mirë njerëzore”. Dhe unë kam shumë besim se nga gjithçka pamë, gjithçka kaluam, gjithçka provuam, gjithçka mësuam dhe gjithçka kemi akumuluar në kujtesën tonë, padiskutim kemi mundësinë historike që të zhvillojmë një gjindje më të mirë njerëzore këtu, në vendin tonë.

I dashur Luan, me shumë respekt dëshiroj të të dorëzoj këtë medalje dhe të të them që jam shumë i privilegjuar në këtë moment. Jam shumë i prekur që jam pranë teje, sinqerisht, sepse ne kushtet e jetës së përditshme njerëzit si ti dhe që janë, jo një e dy, por janë mijëra e dhjetëra-mijëra në Shqipëri janë thjeshtë në jetën e tyre dhe ne rrallë, ose as fare i shohim në vlerën dhe rëndësinë që kanë për punën që bëjnë. Të jam shumë mirënjohës dhe të falënderoj shumë për gjithçka edhe për praninë tënde këtu!

Luan Kapaj: Më shumë se sa krenar, kjo medalje mua më bën krenar për dy qytetarët e mi që sot janë bashkë me ne, marrin ajrin e kësaj toke, shikojnë dritën e këtij dielli. Unë do t’i shërbej popullit tim deri në momentet e fundit të jetës time!

Qytetari të cilit Luani i shpëtoi jetën: Më tepër sasa tha Kryeministri unë nuk mund të them, por ju falenderoj të gjithëve, në radhë të parë Kryeministrin, por edhe Luanin që më shpëtoi jetën. Kishte zemër të madhe. Siç ka emrin, është edhe vetë. Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.