Në Shqipëri janë në punë 120 kantiere për shtrirjen e rrjeteve të reja të ujësjellësi që do të garantojnë furnizimin me ujë 24 orë për qendrat urbane brenda vitit 2022. Kështu u shpreh Kryeministri Rama në Memaliaj ku edhe aty vijon puna për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit.
Në Memaliaj janë 32 kilometra rrjet kryesor totalisht i ri që do të sigurojë jo vetëm furnizim me ujë të pijshëm 24 orë, por edhe cilësi në ofrimin e shërbimit. “Edhe këtu kemi një tjetër kantier që shtrihet më tutje. Përsëri përfitoj nga rasti t’ju tregoj të tjerëve, që i ndjekin gjërat nga të tjera vende dhe në distancë, që programi i ujit 24 orë nuk është program elektoral për çfarë vjen më pas, por është një plan në veprim prej disa vitesh, gjë që ka bërë që një numër i konsiderueshëm i bashkive të kenë ujë 24 orë, siç ka dhe Memaliaj e ndërkohë të mund të shtrijmë programin edhe në zonën rurale, duke garantuar financimet e duke lidhur kontratat. Janë 120 kantiere në punë sot në Republikën e Shqipërisë për shtrirjen e rrjeteve të reja të ujësjellësit”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Ndërkohë edhe rrjeti i brendshëm shpërndarës brenda çdo fshati në Bashkinë Memaliaj prej 45 kilometrash do të bëhet krejt i ri.