Memorial për Holokaustin në Tiranë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përurimin e Memorialit të Holokaustit, në Parkun e Liqenit në Tiranë:

Është kënaqësi e madhe dhe personale për mua që sot të jem këtu, i pranishëm në realizimin e një dëshmie të prekshme të ndoshta faqes më të ndritur të mikpritjes dhe besës shqiptare, për të cilin, qysh në kohën kur isha kryetar i Bashkisë së Tiranës, patëm nisur të mendojmë dhe të konceptojmë projektin.

Më vjen shumë mirë që sot ky Memorial është i përfunduar dhe pjesë e një hapësire të bukur publike, ku dhjetëra, mijëra familje, gjyshër, gjyshe, nipër, mbesa, çifte të reja me karrocat e bebeve kalojnë gjatë muajit dhe do të mund t’u tregojnë fëmijëve të tyre kuptimin e fjalëve të shkruara në këta tre gurë, që jo rastësisht kanë tre gjuhë. Gjuhën hebreje, gjuhën shqipe dhe gjuhën e atyre që me forcën e fuqisë së madhe në kërkim të një bote më të mirë bënë të mundur çlirimin e mbarë botës, sëbashku me aleatët e tyre, nga mallkimi i madh nazist.

Historia e mbrojtjes dhe e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është një histori mahnitëse, por nuk është fillimi i historisë së një marrëdhënieje vërtetë shumë të çuditshme mes shqiptarëve dhe hebrenjve dhe mes popullit hebre dhe Shqipërisë, e cila daton në shekullin e II pas erës sonë, ku për herë të parë hebrenjtë u shfaqën në brigjet e Adriatikut dhe më pas, në shekujt XV dhe XVI, kur ata u rishfaqën dhe u instaluan në pika të ndryshme. Por nuk dua të zgjatem me këtë pjesë, të cilën e solla këtu thjesht për të ndarë me ju një aspekt të kësaj çudie të madhe, që mbetet për t’u eksploruar dhe për t’u kuptuar më mirë, deri në fund.

E dyta, që besoj vlen të kujtohet, është se përpara Luftës së Dytë Botërore, përpara se sa kjo marrëdhënie të shpërfaqej në formën më fisnike dhe më mbresëlënëse të mbrojtjes dhe shpëtimit të jetëve të hebrenjve, Shqipëria ishte i vetmi vend që në legjislacionin e saj kishte të miratuar Shabatin. Që do të thotë se të gjithë qytetarët që jetonin në këtë vend e që i përkisnin popullit hebre kishin të drejtën të mos punonin ditën e premte dhe askush nuk kishte të drejtën që për këtë t’u ndërpriste shpërblimin për punën.

Pa u zgjatur në shumë episode të historisë që i pararendi kapitullit mahnitës të kësaj marrëdhënieje në Luftën e Dytë Botërore, dua të them me bindje që Shqipëria me episodet, me personazhet, me momentet epike të përpjekjes së njerëzve të drejtë që botërisht ndihmuan hebrenjtë, mbetet një njollë në ndërgjegjen e Hollivudit, që ka prodhuar disa kryevepra lidhur me këtë epokë, por që me siguri do të kishte prodhuar shumë më tepër kryevepra, edhe më të pabesueshme, nëse do të ishte referuar ndaj episodeve të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Janë realitetet nga më të mahnitshmet, që nga udhëtimi me kuaj i një familjeje, e cila për 24 orë transportoi 17 hebrenj, familja Biçaku, në momentet e ndërrimit të pushtuesve, menjëherë pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe okupimit nga Gjermani naziste; Apo familjes Myrto në Kavajë, që deri në fund i qëndroi besnik mikut hebre që kishte marrë në mbrojtje, duke sakrifikuar njërin prej anëtarëve të vet, saktësisht, vëllain e mikpritësit, që u mor në kampin Mathauzen dhe nuk u kthye më prej andej. Pra, jeta e vëllait nga gjaku u bë kurban për të mbrojtur e për të shpëtuar një vëlla nga Zoti me të cilin lidhja ishte thjeshtë që të dy ishin të krijuar si njerëz; Apo familja e Nuro Hoxhës, një histori tjetër, shumë mahnitëse, që i dha strehim katër familjeve hebreje, njëra prej të cilave dëshmon se në momentin e hapjes së derës dëgjoi nga i zoti i shtëpisë fjalët e pabesueshme, por të konfirmuara më pas nga realiteti i mbrojtjes dhe i shpëtimit, “rrini të qetë, asgjë e keqe nuk do ndodhë. Nga sot, ne jemi një familje dhe unë dhe im bir do të përgjigjemi me jetë për ju”.

Është i vetmi vend, Shqipëria, me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore, sesa përpara Luftës së Dytë Botërore, siç është po ashtu, i vetmi vend prej ku hebrenjtë nuk iknin, por ku hebrenjtë vinin për të kërkuar mbrojtje dhe shpëtim dhe mbetet e jashtëzakonshme për vetë historinë e klerit shqiptar. Këtu shoh të gjithë përfaqësuesit e nderuar të klerit shqiptar, autoritetet më të larta të të cilit u thirrën në Berlin, në kohën e një vakumi, ku ata u konsideruan si pala me të cilën pushtuesit mund të komunikonin e mund të negocionin.

Atyre iu kërkuan dy gjëra; e drejta mbi arin e Shqipërisë së depozituar në Itali dhe lista e hebrenjve të strehuar në Shqipëri.

Të gjithë përfaqësuesit më të lartë të klerit asokohe, të krishterë dhe myslimanë dhanë një përgjigje që besoj, është një nga fjalët e arta të historisë së këtij vendi dhe të historisë së vetë klerit: “Arin po, hebrenjtë jo!”

Shpëtimi i hebrenjve është një histori, e cila përmban brenda detyrimin për të gjithë ne, për ta ruajtur jo thjesht si një histori që tregohet në momente ceremoniale, apo në ditë të shënuara, as si një pjesë nga shumë pjesët e historisë tonë si shqiptarë, por si vlerë të madhe që duhet trashëguar brez pas brezi, që u duhet kaluar me përkushtim fëmijëve tanë, sepse brenda saj ka shumë anë, si anët e një guri të çmuar, që ngado ta rrotullosh, shkëlqen duke krijuar vezullime dhe ngjyra të ndryshme.

Në letrën e tij të rekomandimit për një bujtës shqiptar, një mikpritës, një shpëtimtar, fotografi hebre Gavra Mandil shkruan këto fjalë: “Shqiptarët vërtetë nuk janë të edukuar me trashëgiminë e Gëte-s apo të Schiller-it, por ata njohin vlerën më të madhe, vlerën e jetës që e mbrojnë kurdo dhe kudo munden, pa kërkur asgjë mbrapsht.”

Shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit është një monument i madh i historisë së gjallë të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe një monument i madh në një piedestal të çmuar, piedestalin e bashkëjetesës fetare, pa parë tek tjetri me një besim tjetër një arsye për t’u ndarë, por, në radhë të parë, njeriun me të cilin të lidh jeta, të lidh fati dhe të lidh detyrimi i madh i vlerës së jetës.

Lexova që këtu shkruhet: “Kush shpëton një jetë, shpëton botën mbarë”.

Është një frazë e njëjtë si në Torah, si në Bibël, si në Kuran, që i referehen pikërisht këtij koncepti kaq themelor, që gjen mishërimin e vet fantastik në shprehjen e Nënë Terezës: “Në vend se të mallkosh errësirën, ndiz një qiri!”

Natyrisht, të gjtha këto episode dhe të gjithë hebrenjtë e shpëtuar në Shqipëri nuk e penguan errësirën naziste të bëjë kërdinë, por ama janë qirinj të ndezur nga njerëz të zakonshëm, që bënë të tyren dhe i lanë historisë mësimin se, nëse gjithkush do të kishte bërë të njëjtën gjë, ajo errësirë nuk do kishte mundur të sundonte botën dhe të bënte kërdinë mbi një komb, mbi një popull të tërë.

Po e mbyll me Tora-n, atë pjesë ku shkruhet: “Kujdes, mos harro gjërat që të panë sytë! Mos lejo që ndjenjat e krijuara nga ato që pe, të ikin nga zemra jote për të gjithë ditët e jetës tënde dhe tregojua ato që pe fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve të tu!”

Ky është një vend që na mbledh ne, sot dhe që në vijimësi do tërheqë njerëz të këtij vendi, për t’i ndihmuar të shohin përtej këtyre gërmave atë që të tjerëve u panë sytë dhe që në asnjë mënyrë, ne nuk duhet ta lejojmë të dalë nga zemra e këtij kombi, e këtij populli, e këtij vendi.
Faleminderit!