Deklarata e Kancelares Angela Merkel dhe Kryeministrit Edi Rama në lidhje me takimin në Kancelarinë Federale në Berlin:
Kancelarja Angela Merkel: Të nderuar zonja e zotërinj!
I uroj mirëseardhjen Kryeministrit, Zoti. Edi Rama. Jam e gëzuar sot që mund të flasim për marrëdhëniet dypalëshe në këtë takim. Gjithashtu do të kemi mundësi të kujtojmë dhe tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri. Shumë njerëz kanë humbur strehët e tyre. Mbi 50 viktima humbën jetën. Unë jam e gëzuar që Komisioni ka dërguar ftesat për një konferencë donatorësh dhe Gjermania do të marrë pjesë në këtë konferencë. Bashkëpunimi dhe gadishmëria në rajon për ndihmë ka qenë mbresëlënëse. Megjithatë, kjo ishte një goditje e rendë për Shqipërinë.
Ne do të flasim për një seri të marrëdhënieve dypalëshe, për marrëdhëniet ekonomike dhe kursin e reformave të Shqipërisë.
Dëshiroj të them në mënyrë të qarte se në lidhje me Reformën në Drejtësi janë arritur shumë gjëra dhe kjo reformë duhet të vazhdojë në mënyrë të tillë që të përmbyllet. Kjo reformë ka një rëndësi qendrore për të ardhmen e Shqipërisë.
Për qeverinë federale gjermane dua të them që ne i përmbahemi qartësisht perspektivës së Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE-në dhe para se gjithash duam që në takimin e ardhshëm të Këshillit Europian në mars të arrijmë një dakordësi për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë suksese të konsiderueshme dhe këto janë regjistruar nga Këshilli Europian dhe ne do të punojmë fort që në mars të arrijmë rezultate.
Unë besoj qe e ardhmja e këtyre dy vendeve është në Bashkimin Europian. Kjo është dhe në interesin tonë. Ai që e shikon mirë hartën dhe njeh kuadrin gjeopolitik e di që është mirë për të gjithë, sikur një ditë të jenë anëtarë të BE-së. Komisioni i ri Europian synon të jetë dhe një komision që synon të theksojë dhe dimensionin gjeopolitik dhe prandaj kjo i jep edhe më shumë shkas për ta çuar me vendosmëri përpara këtë proces.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit Kancelare!
Jam shumë mirënjohës që ju gjetët kohën për këtë takim, ku kam ardhur enkas për të diskutuar në radhë të parë, për Konferencën e Donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e vështirë të rindërtimit, i cili, duke u bazuar në raportin e dëmeve, hartuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Bankën Botërore, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetëm.
Dua t’ju falënderoj me mirënjohje për solidaritetin e treguar që në sekondat e para dhe për interesimin tuaj, ashtu sikundër dhe për përfshirjen e të gjitha strukturave të ndihmës së parë edhe nga Gjermania, si dhe nga vendet e rajonit e më gjerë, një ndihmë që ka qenë jashtëzakonisht lehtësuese për popullin shqiptar.
Po ashtu, më vjen shumë mirë që mund të diskutojmë edhe për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal ku roli i Gjermanisë dhe roli juaj personalisht ka qenë i jashtëzakonshëm në hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi me Procesin e Berlinit, që ka nevojë për t’u çuar më tutje.
Në fund dëshiroj edhe njëherë të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën se si ka nisur puna e Komisionit Europian dhe të them që është shumë e rëndësishme ajo që ju nënvizuat, një dimension më i qartë edhe gjeopolitik, përveçse dimensionit tradicional teknik të Komisionit. Do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe për të gjithë rajonin.
Shumë faleminderit!