Një lagjje e re, 278 apartamente dhe 155 njësi individuale në Thumanë po zënë vendin e gërmadhave dhe shkatërrimit që la pas tërmeti i 26 nëntorit, që la pa një strehë mijëra familje. Lagja e re e Thumanës ka filluar të marrë formën e vet përfundimtare. Për të ndjekur ecurinë e punimeve u rikthye sot, në Thumanë, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi.
“Thumana po bëhet model urban”, deklaroi Kryeministri, ndërsa vlerësoi ritmin me të cilën po ecin punimet.
“Rindërtimi ka ecur në të gjithë territorin. Ka ecur këtu, në Fushë-Krujë, në Lezhë”, – u shpreh Ahemtaj.
Ndërkohë në çdo godinë banimi, katet e para janë të dedikuara njësive të shërbimit, ku një pjesë e tyre do t’u dorëzohen atyre që i humbën ato nga tërmeti. “Një pjesë e atyre që kanë pasur ambiente shërbimi ekonomik, i marrin këtu. Ato ambiente që mbeten, i marr bashkia”, – tha ministri Ahmetaj.
Të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti, ditë pas dite po hyjnë në shtëpi të reja, për të rinisiur jetën, jo vetëm në shtëpi më të mira, por edhe në lagje të reja model, me shërbime dhe infrastrukturë të standardeve europiane.