Një bilanc pune dhe rezultatesh të dukshme e të prekshme për Elbasanin, ishte takimi i hapur i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët elbasanas, ndërkohë që projektet transformuese po tjetërsojnë panoramën e qytetit dhe sfidat e kohës që po kalojmë përballohen më mirë falë mbështetjes së qeverisë.
***
Përshëndetje të gjithëve!
Shumë faleminderit për gjithë këtë prani dhe mikpritje!
Unë nuk dua të zgjatem më tutje me pjesën që ka të bëjë drejtpërdrejtë me punët e bashkisë.
Dua vetëm që të gjithë së bashku t’i bëjmë një përshëndetje dikujt që për herë të parë nuk e shoh këtu mes nesh, Qazim Sejdinit dhe uroj që të jetë sa më mirë dhe sa më shpejt ta kemi përsëri në takimet tona.
Dua të marr kohën time për të folur pak për faktin që Elbasani, si pjesë e Shqipërisë, Shqipëria si pjesë e Europës, është njësoj si të tjerët i prekur nga pasoja e një lufte që nuk e kemi zgjedhur ne, nuk e ndalojmë dot ne, e një lufte në dyert e Europës ku vazhdojnë shkatërrohen shtëpi, shkatërrohet infrastrukturë, ikin njerëz. Deri tani janë 7 milionë njerëz që kanë lëvizur, por që këtu ka ardhur me valën e fortë të krizës energjetike, të çmimeve të energjisë më saktë dhe inflacionin e saj.
Për sa i përket krizës së madhe të çmimit të energjisë, unë besoj që deri tani ne mund të jemi vërtetë krenarë për atë që kemi bërë sepse kemi arritur të mbrojmë të gjitha familjet shqiptare, të gjitha bizneset e vogla shqiptare nga rritja e çmimit të energjisë.
Kemi arritur t’i mbrojmë duke vendosur mes tyre edhe çmimit një mburojë e cila financohet nga buxheti i shtetit dhe të gjithë ju, kur të shkoni në shtëpi, tek fatura e energjisë keni një fashë të kuqe ku do të shikoni se sa është çmimi real, mjafton të bëni një mbledhje numrash se sa më i lartë është ai çmim nga çmimi që ju paguani, i cili është i njëjti me çmimin përpara sesa të fillonte lufta dhe përpara se të fillonte edhe vetë kriza energjetike, e cila filloi përpara luftës.
Ne do mundohemi që çmimin e energjisë ta mbajmë deri në fund për familjet dhe bizneset e vogla, por nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë të përpiqemi që ta përcjellim sa më shumë mesazhin që kjo nuk varet vetëm nga ne. Kjo varet edhe nga të gjithë ju, kjo varet nga çdokush që ndez dhe fik dritat në shtëpi, nga çdokush që ndez dhe fik dritat në mjediset e aktivitetit të tij, nga çdokush që ndez dhe fik aparatura elektroshtëpiake të ndryshme sepse sa më shumë ta kursejmë energjinë, të cilën e shpenzojmë në një pjesë të saj edhe në mënyrë të panevojshme, aq më shumë ne jemi të sigurt që do ta kemi, që jo vetëm nuk do na mungojë, që nuk do ketë kufizime larg qoftë, por edhe që nuk do ta paguajmë më shtrenjtë.
Faktori tjetër është shiu. Ky diell është shumë i bukur, më besoni që kemi hyrë; edhe kolegët e mi që merremi drejtpërdrejtë me këtë pjesë, por edhe gjithë të tjerët rrotull nesh; në një fazë ku sa hapim sytë presim të shikojmë re dhe lumturohemi kur ka shi, ndërkohë që mërzitemi kur shohim që qielli është i pastër, pavarësisht se me qiellin e pastër sot në mëngjes dhe gjithë ditën ne erdhëm dhe kemi pasur një ditë shumë të bukur këtu në Elbasan. Mirëpo, kjo nuk na ndihmon për pjesën e përballjes me krizën e çmimit sepse Shqipëria nuk i mbulon nevojat e veta me kapacitetet e veta energjetike. Në rast se të gjitha hidrocentralet janë plot, ne mbulojmë 75% të nevojave. Në rast se hidrocentralet tona fillojnë dhe bien në nivelin e tyre, ne shkojmë deri në 60% të nevojave. Që do të thotë, nga 25% deri në 40% ne duhet t’i blejmë sasitë që na duhen. Për t’i blerë duhet të dalim në tregun ndërkombëtar dhe në tregun ndërkombëtar pastaj çmimi është stratosferik.
Kjo për ata që thonë, “ç’lidhje kemi ne me luftën, sepse ne kemi ujë, ne kemi lumenj”. Ne kemi lumenj por llamba nuk ndizet nga lumi, ndizet nga hidrocentrali dhe hidrocentrali ka nevojë të punojë gjatë gjithë kohës dhe sa më shumë ujë të ketë, aq më shumë prodhon.
Nga ana tjetër, ne po përpiqemi dhe jemi në rrugë të mbarë për të ndërtuar burime të tjera, qoftë të energjisë diellore, për të cilat kemi filluar dy parqe të mëdha dhe kemi të tjera projekte të energjisë diellore sepse ka një kërkesë gjithmonë e më në rritje, qoftë dhe të energjisë me erë. Njëkohësisht, jemi shumë përpara dhe me projektin e transformimit të termocentralit të Vlorës në një terminal me gazin e lëngshëm, i cili do të na shërbejë shumë për fazën tjetër të zhvillimit tonë dhe do të na shërbejë shumë në kontekstin e forcimit tonë, nga pikëpamja e pozicionit si një aktor në fushën e energjisë.
Është e sigurt që ne brenda kësaj dekade do kemi sovranitet të plotë energjetik, do ta prodhojmë të gjithë energjinë në vend dhe do jemi eksportues neto. Deri atëherë, na duhen këto investime, na duhet të përfundojmë punët që kemi nisur dhe të nisim dhe disa nga punët e tjera që tanimë janë programuar, duke përfshirë këtu edhe hidrocentralin e Skavicës, i cili do të na japë më në fund, mundësinë që kur ka shumë prurje, të mos e derdhim ujin dhe kur ka mungesë shiu, ta kemi aty në rezervuar dhe të mos dalim ta blejmë shtrenjtë por të shfrytëzojmë rezervën tonë.
I them të gjitha këto për energjinë sepse është shumë e rëndësishme që pavarësisht se e kemi penguar deri tani këtë valë, këtë stuhi të vijë të na futet në shtëpi, të mos harrojmë që kjo po ndodh sepse është qeveria e Shqipërisë që po e ndalon të ndodhë, është qeveria e Shqipërisë që po i merr në mbrojtje me këtë politikë të gjitha familjet shqiptare. 1 milionë e 100 mijë abonentë janë të mbrojtur dhe edhe fasha 800 kËh, që ne e morëm si masë për ta futur që në tetor për ata që janë rreth 60 mijë, në maksimum, që shkojnë përtej 800 kËh. Nuk u fut për arsye se ne nuk jemi këtu që të vendosim masa sa të mundemi dhe të mbledhim të ardhura sa të mundemi, pavarësisht se të ardhurat na duhen dhe nuk i kemi asnjëherë të mjaftueshme, por jemi këtu që sa herë që krijohet një mundësi e vogël për të bërë më shumë për njerëzit, për të çliruar më shumë njerëzit nga barra e rëndë e kësaj situate, ta bëjmë e ta shfrytëzojmë. Jemi duke e ndjekur me vëmendje çdo ditë këtë binom. Reshjet nga njëra anë, që për fat të keq po mungojnë dhe kursimi nga ana tjetër për të parë se ç’do bëjmë në muajin nëntor me fashën.
Nga ana tjetër kemi inflacionin e luftës i cili ndryshe nga tërmeti që goditi në mënyrë fatale disa dhjetëra njerëz, goditi rëndë disa mijëra familje, ndryshe nga pandemia të cilës i shmangeshe duke u mbyllur në shtëpi, inflacionit të luftës nuk i shmangesh. Mjafton të fusësh dorën në xhep për të blerë diçka, inflacioni i luftës ta kap dorën dhe thotë dua pjesën time e çmimet rriten. Po të shikojmë rajonin, çmimet te ne janë rritur më pak se në rajon. Nuk është rritur energjia. Mjafton të keni parasysh që gjithë këto dyqane që keni në Elbasan të cilat vazhdojnë t’ju shërbejnë, paguajnë të njëjtin çmim energjie. Nëse do të ishte rritur energjia, një pjesë e kësaj rritje do të vinte direkt te çfarë ju konsumoni në këto njësi shërbimi. Por sidoqoftë, pavarësisht se nuk është rritur aq sa në rajon ku ka vende që po shkon në 20%, prap është problem dhe ne po bëjmë çmos që ta zbusim duke filluar nga ata që kanë më shumë nevojë. Duke filluar nga pensionistët, për të cilët indeksuam dy herë pensionet. Hera e parë që ndodh dhe sot ata e kanë pensionin rreth 10% më të lartë në raport me periudhën para fillimit të luftës. Pak a shumë, një kompensim i normës së inflacionit të lartë.
Duke vazhduar me thellimin e skemave të mbështetjes për nënat me tre fëmijë. E bëmë në Konsultimin Kombëtar ato që janë me ndihmë ekonomike dhe e dyfishuam ndihmën ekonomike, tani do ta dyfishojmë edhe për nënat me dy fëmijë dhe ka hyrë në fuqi. Po kështu, kemi rritur pagat në mënyrë lineare për të gjithë. E dini se kujt i janë rritur më shumë pagat në këtë periudhë në Shqipëri? Pedagogëve, sepse 7% i ka rritur qeveria dhe 8% i ka rritur vetë universiteti duke shfrytëzuar autonominë. Atyre pagat i janë rritur 15%. Me këtë nuk dua të them që i kanë pagat që të çohen e të duartrokasin qeverinë. Përkundrazi, duhet tua u rrisim akoma në të ardhmen. Po më këtë dua të them, shikoni çfarë ndodh. Fatmirësisht nuk janë të gjithë pedagogët. Shumica e tyre janë në mësim, në krye të detyrës, tregojnë që janë të denjë për atë titull të madh qytetarie që të jep emri i mësuesit, pedagogut. Po janë një pjesë e tyre, nën drejtimin e një SHIK-si të viti ’97, të kohës më të zymtë të shtetit shqiptar që kërkojnë për llogari të atij nongratës dhe të çorbës së rublave, të krijojnë idenë përmes ekraneve që shikoni për llogari të pronarëve të tyre, janë rreshtuar kundër qeverisë. Unë jam shumë krenar që jemi i vetmi vend në këtë rajon që s’ka asnjë ekran pro qeveritar. Kjo për mua tregon që qeveria është e distancuar fare mirë nga interesat e atyre që fshihen prapa ekraneve. Në ato ekrane ju shikoni sesi po bëhet nami, sesi po zjen një kusi e madhe me presion sepse janë ca që dalin e mbushin gjithë ditën ekranet me një protestë të madhe e cila nuk ekziston.
E mbi të gjitha, duhet ta kuptojmë e ta kemi të qartë që ne jemi në një kohë ku nuk kemi mundësi të bëjmë ndalimin e kësaj vale që e ndjen gjithë Europa. Ne mund ta zbusim, po siç kemi bërë deri tani, do vazhdojmë ta bëjmë jo duke nisur nga lart-poshtë, po nga poshtë-lart. Duke nisur nga pensionistët, me ata më në nevojë, infermierë, mësues, ushtarakë, punonjës policie. Duke rritur pagën minimale përsëri për ata që punojnë dhe marrin një pagë minimale në sektorin privat. Duke bërë thirrje sektorit privat që të rrisë edhe më shumë pagat për të ruajtur kapitalin njerëzor e pastaj duke shkuar më lart.
Sot në Shqipëri për shkak të çmimit të energjisë, janë tre kompani të mëdha të cilat prodhojnë energji që e shesin me çmime stratosferike jashtë. Ne atyre do t’i vëmë një taksë të jashtëzakonshme. Dëgjova disa që thoshin që “ky është tatim i jashtëzakonshëm”. Jo nuk është kështu. Kjo është një taksë e jashtëzakonshme për një fitim marramendës që vjen si rezultat i fatit, jo si rezultat i ndonjë investimi të veçantë. Fati i keq i njerëzisë e solli që të bëhet një luftë e të gjithë të hyjnë në shtrëngim dhe fati i mirë i këtyre kompanive e solli që tu bjerë sëpata na mjaltë. Ne do i vëmë një taksë të jashtëzakonshme për të mbledhur prej tyre të ardhura plus, të cilat nuk do i çojmë në buxhetin e shtetit për të bërë punë të tjera, por do t’i rishpërndajmë përsëri tek ata që janë më në nevojë duke filluar nga pensionistët dhe shkallë-shkallë te gjithë të tjerët. Kjo është mënyra sesi ne do përballojmë këtë situatë, me këtë parim.
Që në vitin 2013 nuk janë rritur asnjëherë pagat e ministrave. Nuk janë rritur asnjëherë pagat e deputetëve. E nuk kanë për tu rritur, as paga e kryeministrit nuk diskutohet, sa të jem unë këtu. Pse? Për një mesazh shumë të thjeshtë: Për sa kohë ne nuk jemi në gjendje që tja u rrisim të tjerëve pagën deri në pikën ku ne të meritojmë të na rritet paga jonë, ne nuk kemi pse e rrisim pagën tonë. E nga ana tjetër dua të them që sot po të shohim se çfarë punësh janë bërë në Elbasan, Gjirokastër, Përmet, vende ku kam qenë këto ditë e në vende të tjera, është një Shqipëri tjetër nga ajo që shihet në televizor. Në televizor askush nuk kujtohet të tregojë për ata të cilët prodhojnë, eksportojnë dhe fitojnë. Ndërkohë që Shqipëria sot punon dyfishin e tokës bujqësore që punonte përpara 7-8 vitesh.
Shqipëria sot eksporton shumëfish të asaj që eksportonte përpara 7-8 vitesh. Gjirokastra kur ne e morëm detyrën kishte 6900 turistë në vitin më të mirë. Sot deri në shtator ka 150 mijë turistë, po në televizor njerëzit nuk i shikojnë këto. Kamerat shkojnë me vrap të kapin disa fermerë që hedhin mollët në rrugë. Mirëpo, pak më larg tyre janë disa të tjerë që mollët i eksportojnë nëpër Europë. Jetojnë në të njëjtin shtet, flasin të njëjtën gjuhë. Janë fqinj me njëri-tjetrin. Si ka mundësi i hedhin? Sepse ata të tjerët që i eksportojnë, ata ecin me kohën. I dëgjojnë orientimet që bën Ministria e Bujqësisë, ata informohen, organizohen, bashkohen dhe nuk vazhdojnë të jetojnë të ndare dhe kokfortësisht të insistojnë tek ajo ngastra e vogël.
Sot ne ishim te Federata e Ullirit. 130 fermerë, gra dhe burra kishin bërë një kooperativë. E mblidhnin ullirin dhe kishin arritur në 15 ton eksport. Ndërkohë që para se të bënin këtë, ishin në hall pjesa më e madhe e tyre sepse e prodhonin dhe s’dinin ku ta shisnin. Dilnin e përpiqeshin ta shisnin lart e poshtë me shishe. Kjo është rruga dhe në këtë rrugë kanë hyrë të gjitha punët në Shqipëri, që nuk do të thotë se ne jemi aty ku duhet e ku do të jemi, po do të thotë që nëse ishim si nata me ditën u nisëm nga nata dhe sot jemi ditë.
Tani jemi ende në të gdhirë, në raport me aty ku duhet të shkojmë dhe në këtë kontekst kemi përballë inflacionin e luftës, kemi përballë krizën e çmimit të energjisë dhe kemi jo përballë se përpara ata nuk na dalin dot, por kemi nga mbrapa disa që na kapin dhe përpiqen të na tërheqin me lloj-lloj marifetesh, me lloj-lloj poshtërsish të zhytur në thesin e rublave, të lidhur me grupet dhe me forcat më jo dashamirëse të këtij vendi dhe ua them me përgjegjësi sepse historia e tyre këtë tregon dhe në një përpjekje të përditshme për tua u nxirë jetën njerëzve, duke treguar dhe duke sajuar lloj-lloj gjërash, si sajesa më e re dhe më e fundit që policia ka vrarë një tjetër të ri. Ndërkohë që policia në bashkëpunim me prokurorinë dhe vetë prokuroria në bashkëpunim me mjekësinë ligjore e kanë nxjerrë raportin qartësisht, që nuk bëhet fjalë për asnjë lloj dhune, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj tejkalimi të asnjë lloj force nga ana e policisë, por bëhet fjalë për diçka krejt tjetër dhe unë nuk dua të zgjatem sepse dua ta respektoj viktimën. Ju shikoni sesi në të gjitha ekranet janë shfaqur hienat që e shqyejnë të vdekurin minutë për minutë dhe që përpiqen që me erën e vdekjes të thërrasin të tjerë, të tjerë që iu venë mbrapa dhe të cilët duhet të mendohen: Çfarë shqiptarësh janë? Çfarë lloj shqiptari duhet të jesh që të besosh më tek këto lloj hienash që nuk kanë asnjë kod, nuk kanë asnjë lloj pengese morale, etike, njerëzore dhe që janë të gatshëm të sajojnë gjërat më monstruoze. Për çfarë? Për të bërë atë që nuk duhet bërë në këtë kohë dhe sidomos në këtë kohë, për t’i bërë njerëzit të ndihen dhe më keq, jo për t’i bërë njerëzit të ndihen dhe më mire, por të ndihen dhe më keq. Dhe kur them që duhet të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë nuk është puna që të bashkohemi të gjithë në një parti, puna është që të bashkohemi tek e vërteta. Ne nuk mund të jemi të ndarë nëse ka luftë apo s’ka luftë.
Ne nuk mund të jemi të ndarë nëse lufta ka ulur çmimin në të gjithë botën dhe bashkë me botën në Europë dhe bashkë me Europën në Shqipëri apo nëse nuk i ka ndikuar. Ne nuk mund të jemi ndarë, nëse Shqipëria i prodhon apo nuk i prodhon të gjitha kapacitetet furnizuese për energji, në raport me nevojat e veta se këto janë fakte dhe në një luftë, një komb, një shoqëri, një bashkësi nuk mund të ndahet te faktet. Mund ta ndahemi te mënyra sesi do t’i zgjidhim problemet, mund të ndahemi te mënyra sesi do t’i rishpërndajmë të ardhurat që kemi, mund të ndahemi te fakti që do t’i japim më shumë zjarrfikëseve apo do t’i japim më shumë pedagogëve që kanë më shumë dhe që mund të marrin më shumë sepse përveçse marrin nga buxheti i shtetit marrin dhe nga autonomia universitare. Por, nuk mund të ndahemi tek fakti që pedagogëve i është rritur rroga më shumë se të tjerët, më shumë se të gjithë të tjerët dhe të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë në këtë përpjekje, do të thotë njëkohësisht që të refuzojmë të pranojmë çdo lloj monstruoziteti, çdo lloj gënjeshtre, çdo lloj marrëzie dhe të futemi në vallen e të marrëve thjeshtë sepse vetëm janë disa njerëz të dëshpëruar që duan me çdo kusht të marrin pushtetin. Njerëz, të cilët janë të damkosur nga historia e Shqipërisë, janë të damkosur nga bota nga e cila ne nuk ndahemi dot më dhe pa të cilën Shqipëria nuk ka sesi ta parafytyrojë të ardhmen e vet. Mund të ketë 1001 arsye për të qenë të mërzitur dhe për të qenë kritik dhe për të bërë dhe protesta kundër qeverisë por jo këto, këto jo, këto nuk janë arsye kundër Shqipërisë.
Këto janë punë e përditshme kundër shqiptarëve, janë punë e përditshme kundër asaj që është baza, baza morale dhe baza e punëve që na bëjnë bashkë dhe interesat që na lidhin bashkë në të njëjtin qytet, në të njëjtin qark, në të njëjtin vend, në të njëjtin shtet.
Sot ne jemi këtu në Elbasan dhe po më thoshte Damiani që, nuk e di kush nga këta xhagajdurët thoshte: Po shkon Edi Rama në vendin e krimit. Pse? Për inceneratorin. Cili është krimi? Që malin e plehrave në mes të qytetit që e bënte Elbasanin që në këtë orë të mos e shihte mirë atë diell, por ta kishte qiellin këtu mbi nivelin e pallateve paksa zënë nga një disk pluhuri që në fakt ishte helm, nuk ishte as pluhur, e hoqëm dhe që i dhamë Elbasanit mundësinë që mbetjet t’i mbledhë dhe t’i përpunojë në një impiant ultra modern, për këtë, jo vetëm që nuk ndihem në asnjë lloj mënyrë të kem bërë ndonjë punë të keqe, por mendoj se është një nga punët më të mira që janë bërë për Elbasanin, ashtu sikundër edhe për faktin që impianti ka prodhuar energji, është në remont dhe do të fillojë prodhimin e energjisë dhe me prodhimin e energjisë do të kompensojë lehtësisht një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve të bashkisë për mjedisin. Dhe akoma më mirë ai impiant është për arsye që të gjitha bashkitë e qarkut të krijojnë një kompani, një kompani publike më në fund. Është eksperienca e parë e krijimit të një kompanie publike të përbashkët të qarkut, për t’i mbledhur të gjitha mbetjet dhe për t’i depozituar në një pike, e cila i ka të gjitha kushtet. Dhe është ide shumë e mirë e kryetarit të bashkisë që kjo kompani të fillojë të bëjë, jo vetëm përpunimin duke marrë plotësisht në zotim impiantin sepse iu thuhet njerëzve janë vjedhur 450 milionë, po mirë ky impianti këtu, i cili sot është pronë publike dhe të cilin sot e ka bashkia dhe do ta shfrytëzojë për shumë e shumë vite me radhë, a është aty apo s’është aty? Që do të thotë që për atë janë shpenzuar para, që do të thotë që pjesa që ka të bëjë me korrupsion, që ka të bëjë me vjedhje është një segment i gjithë kësaj pune të madhe për të cilin heton prokuroria, ndëshkon gjykata.
Kush ka shfrytëzuar rastin që bëj një rrugë e dy punë për atë punën tjetër që është një punë jashtë rrugës së Zotit të shkojë aty ku e kanë vendin ata që kanë rrugën e djallit, por ndërkohe puna që i takon rrugës së Zotit është bërë, është aty.
Këtë gjë e vlerësojnë të gjithë dhe e kuptojnë të gjithë.
Po i thoja sot disa të rinjve aty që i takuam, deri para disa vitesh të gjithë ju këtu, ata jo se për ata shkonit ju prapë, edhe për të marrë një certifikatë, një dokument komplet banal ku shkruhet vetëm “si e ke emrin”, “çfarë date ke lindur” dhe “ku ke lindur” duhet të mbanit radhë dhe e merrnit dhe se merrnit se ose vinte me vonesë e hapej me vonesë zyra e gjendjes civile e s’kishte kohë të prisnit e do vinit prapë të nesërme, ose s’kishte bojë printeri, ose ishte fikur kompjuteri, ose ajo që ishte aty kishte dhimbje koke, ndërkohë që sot s’ka nevojë fare të lëvizni nga vendi për të marrë, jo certifikatën, por të gjitha dokumentet që lidhen me 95% të shërbimeve, 1000 e disa shërbime, mjafton celulari, platforma pa të cilën nuk do e kishim kaluar dot, ashtu siç e kaluam pandeminë dhe ju e dini shumë mirë dhe ju merrni shërbimin pa patur nevojë fare të shihni asnjë lloj sportelisti, pa pasur nevojë fare të keni asnjë lloj të njohuri, pa pasur nevojë fare te fusni dorën në xhep për asnjë lloj arsye dhe sot, raporti i Zhvillimit Digjital të Shërbimeve Publike të Kombeve të Bashkuara e nxjerr Shqipërinë të tetën në Europë në këtë drejtim. Janë disa që thonë, “po si paskemi dalë ne mbi këtë e mbi atë”?
Patjetër, ne nuk dalim dot mbi këtë e mbi atë në asgjë tjetër, por ama teknologjia na jep mundësinë që të dalim dhe mbi këtë e mbi atë sepse me teknologjinë nisemi të barabartë dhe ndërkohë që ti do t’i ikësh disa sporteleve të shpifura, ai tjetri që është më i zhvilluar i ka institucione me themel ato dhe për të lëvizur një kamion të madh siç janë ato institucione është shumë më e vështirë se të braktisësh një qerre, siç ishte rrjeti i sporteleve tona dhe të marrësh kompjuterin dhe të fusësh gjithë shoqërinë në një nivel tjetër.
Ashtu sikundër, programet që po bëjmë tani për të rinjtë janë programe që do t’i japin mundësinë të hyjnë dhe ata në këtë nivel tjetër, që me një kompjuter ta kenë mundësinë të punësohen, pa lëvizur nga shtëpia, jashtë shtetit, ku të munden dhe të shërbejnë në kompani të caktuara jashtë shtetit duke punuar në kompjuter.
Kjo është koha që jetojmë, këtë kohë duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht. Në ndërkohë, duhet të kuptojmë që sot më shumë se asnjëherë tjetër, sepse kjo e treta është më e keqja e të trejave edhe e tërmetit, edhe e pandemisë; duhet të jemi të bashkuar tek faktet, tek e vërteta.
Ne nuk jemi këtu në fushatë. Fushata do të jetë pas 6 muajsh dhe pas 6 muajsh ne do vijmë do flasim për votat e të tjera. Sot ne jemi këtu për të komunikuar, për të dëgjuar, për tu kuptuar me njëri-tjetrin dhe për tu thënë njerëzve: “Ne do bëjmë gjithçka dhe ne dimë ta bëjmë më mirë se çdokush tjetër, pavarësisht se e mira nuk ka fund dhe pavarësisht se dhe ne jo çdo gjë e kemi bërë mirë”, por do bëjmë gjithçka për ta lehtësuar sa të mundemi barrën e kësaj krize. Por që kjo krizë të zhduket, duhet që të mbarojë lufta. Atë nuk e kemi ne në dorë. Ajo që kemi ne në dorë është të rrisim sa më shumë solidaritetin, të rrisim sa më shumë përgjegjësinë ndaj kësaj shoqërie dhe ndaj njëri-tjetrit dhe të rrisim sa më shumë mirëkuptimin se dimri që po vjen. Gjithandej thuhet se do jetë dimri më i vështirë pas Luftës së Dytë Botërore, varet shumë nga ne se çfarë dimri do jetë. Pak duke kursyer, pak duke ju mbështetur qeveria dhe pak duke qenë bashkë për të kuptuar se kjo është një e keqe shumë e madhe, por se ne jemi më të fortë se kjo e keqe dhe siç e kemi treguar dhe herë të tjera, ne krizat nuk i shikojmë si fundin e botës, por i shikojmë si një mundësi për të dalë më të fortë pas tyre.
Ne më të fortë do dalim edhe nga kjo krizë! Kini besim! Këtu do jemi! Përsëri do mblidhemi dhe do ndjeheni të gjithë shumë më mirë sesa ç‘ndjeheni sot!
Shumë faleminderit!