Miq, uroj të jeni të qetë dhe duke mobilizuar veten në këtë luftë, ku ndryshe nga luftërat tradicionale, nuk duhet të shkojmë në asnjë front, po jemi vetë fronti; nuk duhet të mbrojmë atdheun nga një pushtues armik, po qelizat tona dhe të familjarëve tanë nga pushtimi i armikut; nuk duhet të përdorim asnjë armë, po duhet të armatosemi deri në dhëmbë me durim dhe të shtrëngojmë dhëmbët, duke kufizuar rrënjësisht lirinë tonë.
Jemi në luftë me një armik që kërkon pengje mes të moshuarve e të sëmurëve kronikë në familjen tonë dhe aleati i tij më i madh është pakujdesia jonë, ndërsa aleati tjetër është frika, pasiguria, konfuzioni që ushqehet prej burimeve të informimit tonë. Asnjë luftë nuk fitohet pa informacion dhe çdo betejë apo qoftë edhe debat, e jo më një luftë, mund ta humbësh nëse je i painformuar apo i keqinformuar. Dhe me këtë armik çdo informacion tjetër përveç informacionit që vjen apo konfirmohet nga burimet zyrtare, është i rrezikshëm, prandaj duhet marrë me maskën mbrojtëse të dyshimit të plotë. Sikur të shmangej fare, duke parë sport apo filma, në vend të debateve televizive dhe duke ndjekur informacionet shtetërore e shpjegimet e ekspertëve, në vend të komenteve të lloj-lloj gjindjeje kanalesh e portalesh, do të ishte më e mira.
Le të ngulisim së pari në mendje dhe të zbatojmë me sy mbyllur këshillat praktike në këtë situatë lufte, larjen e shpeshtë të duarve, hapjen sa më shumë të dritareve, daljen sa më pak nga shtëpia, vetëizolimin 14 ditë nëse kemi ardhur nga një zonë e prekur, apo kemi një kontakt familjar të prekur, mbajtjen e fëmijëve në shtëpi dhe moslejimin e më të moshuarve të dalin nga shtëpia…
Dhe le të mësojmë disa gjëra të thjeshta njëkohësisht: Ky grip i pazakonshëm nuk ndalet të shkojë kudo, njësoj si çdo grip i zakonshëm. Por ndryshe nga çdo grip i zakonshëm, që luftohet me të zakonshmet dhe kalon pa trauma kombëtare apo botërore, ky grip luftohet me masa shtrënguese që përshkallëzohen deri në forma drastike të ngjashme me format e mbrojtjes së popullsisë civile nga agresionet ushtarake apo bormbardimet.
Shumëkush për shembull, mendon gabimisht se po të ishin mbyllur kufijtë qysh kur u shfaq në Kinë a në Itali, Shqipëria nuk do ishte prekur. Por jo, sepse po të ishte kjo e vërtetë, murtaja e mesjetës kur s’kishte transport ajror dhe kur transporti rrugor behej me karroca, nuk do kishte pushtuar kontinentin e s’do kishte marrë miliona jete. Pra mbyllja e kufijve nuk e ndalon prekjen nga epidemitë, as nga Corona po njësoj, por vetëm e ngadalëson. Ajo duhet bërë as përpara e as më vonë, po pas shfaqjes së virusit në territor dhe duhet shoqëruar me zbatimin hap pas hapi të planit të masave mbi territorin.
Pse ngadalësimi i përhapjes së epidemisë është jetik për suksesin e kësaj lufte dhe çfarë quajmë sukses në këtë luftë?!
Atëherë, më ndiqni me vëmendje:
Së pari, ta ngulisim mirë në kokë, ky është një grip i pazakonshëm që do përhapet dhe do prekë shumë prej nesh si një grip i zakonshëm. Por 80 përqind e atyre që do preken as nuk do ta marrin kurrë vesh që janë prekur, sepse s’do kenë asnjë shenjë. Pra do ta ngordhin Coronën, siç ngordh çdo virus nga një trup i shëndetshëm që i prodhon vetë armët vrastare për virusin.
Së dyti, vetëm 20 përqind të tjerë do të kenë shenja të ndryshme, por, edhe kjo ka shumë rëndësi, sepse 80 përqind e tyre do ta kalojnë njësoj si një grip, me pak temperaturë e sekëlldira gripale, duke ndenjur në shtëpi.
Prandaj për këta këshillohet vetëm izolimi brenda dhe mbajtja larg e më të moshuarve, por nuk bëhet, as në Kinë, as në Amerikë dhe as kudo tjetër, shtrim në spital.
Së treti, vetëm 20 përqind e atyre që rezultojnë pozitiv kanë shenja shqetësuese dhe në shumicën dërrmuese ata janë mbi moshën 60 vjeç, apo të sëmurë kronikë, kryesisht me zemër, tension, sëmundje të mushkërive, prandaj vetëm për ta duhet regjimi spitalor, përjashtuar këtu vetëm rastet e para fare që edhe pse nuk shfaqen me shenja serioze, mbahen në spital dhe ndiqen për shumë arsye.
Tani, ngadalësimi përmes masave shtrënguese krijon të paktën dy avantazhe të mëdha në këtë luftë:
E para, zvogëlon mundësinë që numri i atyre që kanë nevojë për t’u shtruar në spital të jetë më i madh se sa kapacitetet spitalore të vendit, gjë që shkaktoi edhe kolapsin e sistemit shëndetësor të Lombardisë, që njihet si një nga sistemet më ekselente shëndetësore të botës.
E dyta, i jep kohë shkencës botërore të gjejë kurën e duhur, mundësisht vaksinën, por ngadalësimi për një vend si Shqipëria, na jep kohë teksa po afron rritja e temperaturave që dihet botërisht se i dobëson viruset dhe besohet se do të ketë të njëjtin efekt edhe mbi Coronën.
E thënë shkoqur, duke e marrë lehtë dhe duke thënë hajde se do kalojë, ne po vazhdojmë jetën, shkon me këmbët e tua drejt një katastrofe kombëtare, ndërsa duke e ndarë mendjen që kjo luftë nuk fitohet ndryshe, shkon me sytë katër dhe me të gjitha armët e mundshme në lufte, duke përshkallëzuar masa të forta deri në ekstrem.
Prandaj sot kemi marrë një sërë masash të reja sipas planit tonë strategjik dhe duke ju kërkuar ndjesë për kufizimet e mëdha që ato sjellin në jetën tuaj, nëse jetoni në Tiranë e në Durrës sidomos, ju lutem përulësisht t’i mirëkuptojmë dhe t’i zbatojmë!
Ndjesë 1000 herë po kjo luftë nuk fitohet ndryshe
Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të blindohet perimetri i qarqeve Tiranë-Durrës dhe do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private e atyre të transportit ndërurban, drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit.
Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private në tiranë e Durrës, si dhe transporti ndërurban mes Tiranës e Durrësit, përfshire taksitë e çdo përmase.
Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë.
Qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra.
Këto masa ekstreme kufizimi të lirisë së qarkullimit janë domosdoshmëri për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë shqipërinë nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të koronavirusit mbi ne dhe të afërmit e të njohurit tanë.
E përsëris, ky është një “grip” që do të prekë shumë prej nesh! 80% e atyre që do të preken do ta kalojnë pa asnjë shenjë. Kjo do të thotë se gjithkush nga ne mund ta ketë, prandaj edhe pse nuk ndjejmë asgjë, na takon të gjithëve të mbrojmë të moshuarit e të sëmurët rrotull nesh, sepse po e transmetuam tek ata u kemi “bërë peshqesh” një hall të madh
Kijeni parasysh, ndër ata që kanë shenja, janë shumë më pak ata që bëhen për spital, sepse shumica e kalon me sikletet e një gripi të zakonshëm dhe prej atyre që përfundojnë në spital shumica shërohen, por prapëseprapë askush nga ne nuk mund dhe nuk duhet të verë bast me probabilitetin tejet të ulët që ai/ajo apo i afërmi i tij/saj të hyjë tek ata që mund të humbasin edhe jetën! Në asnjë mënyrë jo. Kurrën e kurrës!
Kam besim dhe kini besim se nuk kemi në dorë ta vrasim armikun e padukshëm që na rrotullohet të gjithëve, duke kërkuar pengje në shtëpitë tona, po kemi në dorë ta lodhim derisa ta mundim duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe me ndihmën e zotit, të diellit e të rritjes së temperaturave!
Përveç vetëdijësimit sa më të shpejtë, kufizimit sa më drastik të lëvizjeve të përditshme, respektimit të këshillave të autoriteteve shëndetësore dhe solidaritetit kombëtar, duke u bërë njësh shtet-qytetarë, asgjë tjetër s’na duhet dhe asgjë tjetër s’na ndihmon dot.
Sipërmarrjet që kryejnë veprimtari prodhuese ne funksion te ushqimit apo barnave, shërbime transporti mallrash apo shërbime furnizimi me mallra ushqimore apo farmaceutike në perimetrin Tiranë-Durrës, duhet të akreditojnë automjetet e transportit të punonjësve të tyre, si edhe vetë punonjësit, emër për emër, në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.
Nesër administrata shtetërore do të jetë pushim.
Për kryerjen e detyrës në shërbimet shtetërore ose publike brenda perimetrit Tiranë-Durrës, gjatë periudhës së “shtet-rrethimit” të fundjavës, punonjësit e aeroportit apo të institucioneve të tjera shtetërore që kryejnë funksione të domosdoshme dhe e kanë të pamundur lëvizjen në këmbë, duhet të akreditohen pranë drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit, emër për emër.
Marrja në automjetin e punës e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda.
Për vajtje – ardhjet nga aeroporti drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë post-bllokut, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë.
Drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor shqiptar do të mbyllë shërbimet e saj në të gjithë Shqipërinë deri në një urdhër të dytë.
Nuk jemi në emergjencë as për patenta të reja, as për kolaudim makinash, as për ndryshime të pronësisë së automjeteve, po jemi në luftë për të mbrojtur veten, njëri-tjetrin dhe Shqipërinë nga armiku i padukshëm që na vjen të gjithëve rrotull, duke kërkuar koka njerëzish në familjet tona.
Të gjitha afatet e proceseve të lidhura me DPTRRSH pezullohen dhe numërimi i ditëve të skadencës së tyre do të rinisë në ditën e rihapjes së shërbimit.
Për të kryer shërbimet e tyre informative gjatë “shtet-rrethimit” të fundjavës brenda perimetrit Tiranë-Durrës, mediat televizive duhet të akreditojnë automjetet e trupave të tyre, pranë drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit në tiranë.
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se kjo masë e skajshme për t’i dalë përballë në këtë hap tjetër kësaj sfide dhe për ta ngadalësuar shtrirjen e armikun në territorin dhe në organizmat tona do të pasohet nga të tjera, por dëshiroj ta theksoj se sot kemi ndërmarrë një sërë inspektimesh në kompanitë fason dhe call-center të cilat do jenë të mbyllura njësoj si të tjerat nesër dhe deri në fund të këtij afati por janë të detyruara të respektojnë të gjitha distancat teknike të sigurisë dhe të gjithë elementët e sigurisë për çdo punonjës.
Në rast se kur të rifillojnë aktivitetin do konstatohet se nuk kanë kryer të gjitha detyrimet për të mbrojtur veten punonjësit dhe të gjitha familjet dhe kontaktet e tyre jo vetëm që do të mbyllen por do të marrin përsipër kompanitë çdo kosto të kësaj mbylljeje sepse në këtë rast është thjesht dhe vetëm neglizhenca e tyre dhe jo një mbyllje për një forcë maxhore të paktën në këtë fazë të planit për zmbrapsjen e këtij armiku që na kërcënon por të cilin ne do ta mundim duke qenë bashkë, duke mos u ndarë në asnjë palë, duke mos e parë asnjë ndarje mes qytetarit dhe shtetit. Qytetar dhe shtet sot jemi një popull, një popull i cili përbëhet nga familje dhe nga anëtarë të kësaj familjeje që kudo që janë në jetën e përditshme, nën uniformën e Policisë, nën uniformën e forcave të tjera të sigurisë në uniformën e mjekëve dhe të infermierëve në sektorin publik a privat janë njësoj të prekshëm dhe janë njësoj të detyruar të bëhen bashkë për ta larguar një orë e më parë rrezikun që i kërcënon që të gjithë.
Me besim, me besim, me besim, me disiplinë, me disiplinë, me disiplinë dhe me durim, me durim, me durim ne do t’ia dalim dhe kjo nuk është një fjali e radhës në fund të një mesazhi të radhës por është bindja ime e thellë që e ndaj me ju me sinqeritetin më të madh dhe me vendosmërinë më të madhe edhe unë si njëri prej jush, qytetar, prind, bir i një nëne dhe padiskutim pjesë e një familjeje të cilën e dua pafund dhe për të cilën do bëj çmos deri në fund që ta mbroj duke mbrojtur veten, ata dhe këdo tjetër që do kisha shumë dëshirë ta përqafoja por të cilit nuk i afrohem se s’dua të jem unë shkaku që të përcjell virusin që te të tjerët mund të kthehet në një problem shumë të madh, apo që përmes meje të tjerët mund të përcjellin virusin që për më të moshuarit në familjen tonë të kthehet në një problem shumë të madh.