Videomesazhi i Kryeministrit Rama për bashkëkombasit në Malin e Zi:
Të dashur bashkëatdhetarë në Malin e Zi,
Kjo e dielë, 30 gusht, nuk është e zakonshme për vendin ku keni shtëpinë tuaj, ku jetoni, punoni e rrisni fëmijët tuaj!
Nuk është një e dielë e zakonshme jo sepse do të votoni dhe gjithnjë një ditë votimi s’është si të tjerat, por sepse këtë herë do t’ju duhet të bëni një zgjedhje me një rëndësi të posaçme! Dhe si asnjëherë tjetër do të zgjidhni më shumë se sa thjesht për një parti: Do të zgjidhni për vetë fatin e shqiptarëve në Malin e Zi!
Një Mal i Zi me frymën euroatlantike të botës së cilës ne, shqiptarët në Shqipëri e kudo i përkasim apo një Mal i Zi me frymëmarrje të penguar nga ndikime jashtë botës sonë!
Një Mal i Zi ku pozita juaj fuqizohet brenda kornizës së vlerave e të standardeve perëndimore, të Bashkimit Europian e të NATO-s, apo një Mal i Zi ku këto pika strategjike referimi interferohen nga valë të tjera dhe pozita juaj dobësohet!
Një Mal i Zi me të cilin Shqipëria ecën krah për krah në të njëjtin drejtim dhe me të njëjtat synime madhore për të ardhmen e fëmijëve tanë apo një Mal i Zi që kthen sytë në drejtime të tjera!
Unë besoj se zgjedhja juaj është e qartë dhe shpresoj që vota juaj të jetë e bashkuar në të njëjtin drejtim që fuqizon përfaqësimin tuaj në jetën politike të Malit të Zi dhe shkon në harmoni me zgjedhjen e duhur për atë vend që duhet medoemos të vazhdojë përpara.
Prandaj, ju bëj thirrje të mos e lini për asnjë arsye pa e ushtruar të drejtën e votës suaj dhe ta mbështesni sa më fuqimisht Listën Shqiptare. Ajo listë nuk është thjesht një mbledhje partish shqiptare, po lidh për herë të parë Malësinë dhe Ulqinin në një grupim të vetëm e si rrjedhojë, lidh bashkë shqiptarët në ato treva për të mbështetur njeri-tjetrin dhe drejtimin euroatlantik të Malit të Zi.
Ju mund të mos jeni shume të mëdhenj në numër, por pesha juaj është aspak e vogël dhe në këto zgjedhje çdo vote peshon më shumë se sa në të gjitha zgjedhjet pas pavarësisë së vendit të bukur ku jetoni.
Roli juaj ka qene e mbetet i pazëvendësueshëm në pavarësimin e Malit te Zi, ne zhvillimin e demokracisë shumë-etnike e zhvillimin demokratik e social të vendit ku ju kontribuoni.
Sot ju kryeni detyra të rëndësishme në të gjitha nivelet institucionale të shtetit tuaj për të mbështetur procesin e integrimit evropian dhe mos e harroni çfarë përpjekjesh ka bërë e bën diaspora e shkëlqyer e shqiptarëve nga Mali i Zi, si një zëdhënëse e fuqishme e interesave kombëtare anë e kënd botës dhe si mbrojtëse e frymës euroatlantike në tërësi.
Prandaj, vëllezër e motra, përfshihuni, përfshihuni, përfshihuni dhe të dielën dilni nga shtëpia për të mbështetur Listën Shqiptare dhe mbrojtur e forcuar partneritetin strategjik me Presidentin Gjukanovic, për një Mal të Zi pro-perëndimor e demokratik.
E di qe ka ende plot probleme për të zgjidhur, po ku nuk ka? E di që ka ende shumë për të arritur për shqiptarët në Malin e Zi, po si tjetër mund të arrihet pa atë partneritet të sigurt strategjik qe ju tanimë e keni ndërtuar? E di qe keni plot kritika për partinë në pushtet atje dhe për vetë liderin e saj, po që të vazhdoni të kritikoni dhe ndërkohë të keni mundësinë të realizoni më shumë akoma, votoni Listën Shqiptare!